Albspirit

Media/News/Publishing

Saimir Kadiu: Miku im rumun për “El Platini del proletariado”…

Para disa ditësh Federata Rumune e Futbollit e vlerësoi pas një votimi Sulejman Demollarin si një nga futbollistët e huaj më të mirë të të gjitha kohërave që kanë luajtur në kampionatin rumun.

Brezi im është me fat që e kemi ndjekur “live” yllin e shndritshëm të futbollit shqiptar…

Talenti i tij i jashtëzakonshëm, vizioni i lojës, teknika e rafinuar dhe shënimi i golave e bëjnë Demollarin lojtarin më të madh shqiptar të viteve ‘80-‘90.

Ndoshta mund të jetë edhe më i madhi i të gjitha kohërave. Por kjo e fundit është pak e vështirë të pranohet nga tifozeria kryeqytetase e Partizanit apo e Tironës…

Po të ishte lojtar i Tironës… do të kishte monument në qendër të  Tiranës…

E kam ndjekur talentin e tij të dukshëm që kur ishim fëmijë, kur luante me klasat sportive.

Kemi qenë më pas shokë në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë. Kam patur fatin që edhe kam luajtur si amator me Demollarin në vitet e gjimnazit.

Një njeri model, shumë i thjeshtë dhe shumë modest megjithëse ishte një yll futbolli që në moshën 15 vjecare.

Vite më parë, në Ministrinë e Shëndetësisë kisha zyrën përballë një këshilltari të OBSH që ishte rumun. Dr. Havriluk, një personalitet në Rumani, ishte njeri shumë i gjallë dhe me shumë interesa edhe jashtë mjekësisë.  Bisedonim shpesh për letërsinë, kinemanë rumune apo edhe për “karikaturat” e politikës rumune të kohës së Causheskut  që ai  i tregonte me shumë art…

Më përmendte emra rumunësh të mëdhenj me origjinë shqiptare si Dora D’Istrian dhe familjen e saj shumë të famshme Gjika, historianin e madh rumun Nikolla Jorga, aktorin e madh Jon Karamitru (që u bë ministër i Kulturës në vitet 1996-2000) apo Viktor Eftimiun, dramaturgun e madh rumun, të lindur në Boboshticë të Korcës…por vinte veton kur e “ngacmoja” për origjinën e Emineskut.

Kuptohet edhe futbolli kishte vendin e vet në bisedat tona. Një ditë pasi ishte kthyer nga Rumania, gjatë kafes së mëngjesit më foli për Demollarin… Kishte parë një ndeshje derbi midis  Dinamo Bukuresht –Steaau në prill 1993. “Eternul derbi” kishte   përfunduar në barazim…

“Demollari po eklipson Dumitrakën” (lojtarin më të madh të historisë së Dinamos së Bukureshtit), më thotë.

“Është një fenomen, po të ishte pak më i ri patjetër do te ishte në ligat më të mira evropiane”.

Më solli edhe një gazetë rumune sportive  ku ishte fotoja e Sulës sonë duke shënuar kundër Steaua në tetor 1991 në fitoren e Dinamos 1-0, si dhe parrullat e tifozerisë së Dinamos: “Demollari omoara militarii” (“Demollari mbyti ushtaret”).

Atë sezon (1991-1992)  Demollari ishte shënuesi i dytë më i mirë i Kampionatit rumun me 18 gola, pas shokut të tij të skuadrës Gábor Gerstenmájer (rumun me origjinë etnike gjermane si ish portieri Helmuth  Dukadam).

“Nuk kam parë lojtar të tillë mesfushor në kampionatin rumun, shprehej dr. Havriluk… Është më i mirë se Nikolae Dobrin, më i mirë se Ilie Balaci… Vetem Hagi është më i madh se Demollari… por e dua shumë Demollarin… ai  është  Viktor Eftimiu i futbollit rumun…”.

Please follow and like us: