Saimir Kadiu: 154 vjet më parë, “Shtëpia” e Filarmonisë së Vienës
6 janar 1870
Inagurohet Musikverein…”Shtëpia” e Filarmonisë së Vienës, ku që nga viti 1939 luhet Koncerti i Vitit të Ri…
Arkitekt i saj ishte arkitekti danez Theophil Hansen.
Donatori më i madh për ndërtimin e saj ishte një ballkanas… Nikolaus Dumba (1830-1900), industrialist dhe politikan liberal.
Babai i tij Sterjo Dumba, me origjinë vllahe nga Vlasti (qendër vllahe afër kufirit me Korçën dhe themeluar nga banorë të Gramozit dhe Voskopojës, pas djegjes së Voskopojës më 24 qershor 1769) ishte emigrant në Vienë.
Për biografë seriozë origjina e Nikolaus Dumba konsiderohet si vllah shqiptar.
Nikolaus u diplomua në gjimnazin akademik në Vjenë. Më pas iu përkushtua profesionit të tregtarit, ku ishte shume i suksesshëm.
Ai kishte një pallat në Vjenë që ishte zbukuruar me vepra të artistëve kryesorë bashkëkohorë.
Ishte anëtar nderi i Akademisë së Arteve të Vjenës dhe ishte aktiv në shumë shoqëri artistike.
Qyteti i Vjenës i dha atij titullin “Qytetar nderi”.
Për nder të Nikolaus Dumba qeveria austriake i ka dhënë emrin një rruge që rrethon Musikverein (“Dumbastraße”).
Eshtrat e industrialistit, politikanit dhe filantropit Dumba ndodhen në varrezen qëndrore të Vjenës, afër varrit monumental të arkitektit me famë botërore Karl Gega.
Të dy këto personalitete me origjinë nga trojet shqiptare prehen në parcelën e njerëzve më të famshëm të botës, së bashku me Beethoven, Brahms, Mozart, Strauss…
Kjo parcelë u krijua sipas idesë dhe financimit të Nikolaus Dumbës.
Djali i donatorit të Musikverein, Konstandin Dumba (1856-1947) ishte diplomat karriere.
Ai është ambasadori i fundit i Perandorisë Austro-Hungareze në Washington.
U largua nga SHBA si non grata në vitin 1915.
Në vitin 2007 është “prodhuar” filmi “Nikolaus Dumba”.