Albspirit

Media/News/Publishing

“Me Zai Fundon, komunist i orëve të para, u takuam në 1939″. Dëshmia nga SHBA, e djalit të ish-ministrit të Zogut

Genc Korça

Shekulli i XX-të hyri i zjarrtë në optimizëm. Mendimtarët politikë në gjithë Europën, panë radhët e punëtorëve industrialë, të grumbulloheshin rreth flamujve të socializmit në gjithë kontinentin. Kështu, ishte mjaft e qartë të konkludohej se asnjë nga punëtorët socialistë, qofshin ata në Francë, Gjermani apo diku gjetkë në radhët e kombeve të industrializuara, mund të ngrinte pushkën kundër socialistëve të tjerë, pavarësisht në cilën anë të kufirit, ata mund të ishin. Por në këtë kohë, Duka Ferdinand i Austrisë, u qëllua për vdekje në Sarajevë dhe Lufta e Parë Botërore, e la mënjanë utopinë pacifiste. Para përfundimit të luftës, sovjetikët mund të fillonin ndërtimin e parajsës së punëtorëve, duke mbytur në gjak regjimin carist, si dhe çdo kundërshtim ndaj marksizëm-leninizmit. Përveç kësaj, Gjermania mundi të flakë skamjen dhe trazirat e pasojave të Luftës së Parë Botërore dhe të zgjidhte Adolf Hitlerin, si kancelar. Gjermania mundi të bashkojë ngushtë radhët nën flamurin e Partisë Nacional-Socialiste dhe të ngrihej në nivelin e një fuqie botërore, vetëm në gjashtë vjet.

Bota duhej të paguante një çmim të lartë, për shkak të agresivitetit të dy regjimeve diktatoriale. Viktimat politike të këtyre diktaturave dhe dëmet e mëdha të shkaktuara nga lufta që pasoi, bënë që popullatat e disa vendeve të vogla, të bashkohen. Shekulli i XX-të, në vend që të sillte paqe, u kthye në shekullin më të përgjakshëm, që nga krijimi i botës. Sidoqoftë, errësira e luftës u ndriçua herë pas here, duke ngritur lart shembujt e trimërisë dhe dhembshurisë. Në fillim të Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri jetonin rreth 200 hebrenj.

Përveç grupit të vogël të hebrenjve të lindur apo që tashmë jetonin në Shqipëri, numri i tyre u rrit, kur Mbreti Zog urdhëroi autoritetet shqiptare, të nxirrnin viza hyrëse për hebrenjtë gjermanë, në një kohë kur vetëm pak vende të tjera, u hapën rrugë refugjatëve hebrenj që vinin nga Gjermania.

Gjatë luftës, 1800 hebrenj të tjerë të ardhur nga Europa Perëndimore dhe ish-Jugosllavia, kaluan nëpër kufijtë e saj. Që të gjithë mbijetuan, falë përpjekjeve të autoriteteve shqiptare dhe bujarisë të popullit shqiptar, të cilët u ofruan atyre strehë dhe përkrahje. Gjatë kohës kur kryeministër ishte Mustafa Merlika-Kruja, përfaqësuesit gjermanë e pajisën qeverinë shqiptare me emrat dhe adresat e hebrenjve që jetonin në Kosovë.

Kryeministri Kruja urdhëroi zyrat e qeverisë, për t’u siguruar hebrenjve kartat shqiptare të identitetit dhe për t’i lejuar ata të lëviznin në vend-banime të tjera. Operacioni u krye brenda disa javëve dhe autoritetet gjermane u informuan se kërkimi i hebrenjve, sipas adresave të mëparshme, kishte dështuar dhe, për këtë arsye, quhej i përfunduar. Qeveritë që pasuan, ndoqën të njëjtin kurs, deri në fund të luftës.

Në dijeni të kësaj, më 27 qershor 2006, senatorët Schumer i Nju Jorkut dhe McCain i Arizonës, paraqitën rezolutën 521 IS për aprovim nga Senati, duke lavdëruar popullin shqiptar me rastin e 61-vjetorit të çlirimit të hebrenjve, nga kampet e vdekjes së nazistëve. 11 vjet më parë, Yad Vashem, Muzeumi i Kujtimit të Martirëve dhe Herojve të Holokaustit në Jeruzalem, e paraqiti Shqipërinë, si një nga më të drejtët e gjithë kombeve!

Kohët e fundit, drejtori i tij, Dr. Mordechai Paldiel, përkujtoi heroizmin e shqiptarëve, se i kishin mbrojtur hebrenjtë, falë besës së tyre, kodi i nderit që kërkon që shqiptarët të mbrojnë jetën e cilitdo që kërkon strehim, edhe me jetën e tyre. Dr. Paldiel e gjeti këtë, si shumë të drejtë. Besa shqiptare  është fjala shqiptare e nderit.

Në Greqi, e cila nuk njihet për simpatitë e vet pro-shqiptare, një personi që ka një sens të fortë nderi, i thuhet të ketë besë, gjë që nuk kërkon shpjegime të mëtejshme. Në fakt, ka një kod të nderit shqiptar, një trup sistematik dhe të gjithanshëm ligjesh. Shqiptarët e veriut e zhvilluan kodin e Lekë Dukagjinit gjatë pushtimit otoman, ndërsa administrata shtetërore, dështoi në sigurimin e ligjeve dhe rregullit në trevat veriore të vendit.

Ishte ky sistem që realizoi siguri për udhëtarët që kërkonin strehë dhe ushqim, duke përfshirë edhe ata që kërkonin strehim nga qeveria turke. Kjo siguroi një parajsë për çdo individ, edhe pse azil-kërkuesi ishte i përfshirë në gjakmarrje, direkt me pritësit e tij. Besa ishte fjala e nderit që vulosi marrëveshjen gojore ndërmjet palëve.

Nuk është nevoja të themi që regjimi komunist shqiptar e luftoi kodin dhe zbatuesit e tij, me egërsi, meqë ky nuk mund të toleronte besnikëri, ndaj një burimi të një sistemi jashtë Partisë. Nëse nuk ka Zot, pse atëhere, Partia luftoi me gjithë forcat kundër tre besimeve fetare në Shqipëri?! Pse ajo ekzekutoi pjesën më të madhe të katolikëve, gjatë pesë viteve të para të ardhjes së saj në pushtet?!

Pse ajo persekutoi dhe eliminoi shumë klerikë të besimeve katolike e myslimane? Pse partia nxori jashtë ligjit, gjithë besimet fetare në vitin 1967 dhe pse ajo i ktheu vendet e adhurimit kristian e mysliman, në depo drithi, kinema, palestra, salla vallëzimi, etj.?! Për të njëjtat arsye, ajo luftoi Kanunin e Lekë Dukagjinit.

Partia Komuniste luftoi gjithë besimet, sepse ato ishin lidhur me një sistem parimesh morali e besimi mbi dhe, përtej shtigjeve tradhtare të politikës së kuqe. Ja një shembull se si Partia Komuniste Shqiptare, ndoqi shkatërrimin fizik të Klerit: një i mbijetuar i spastrimit fetar, At Shtjefën Kurti, ishte dënuar me 25 vjet burg.

Menjëherë pas kryerjes së dënimit, një bujk i kërkoi At Kurtit, të pagëzonte birin e tij të porsalindur. Prifti e pagëzoi fëmijën, por ai u arrestua përsëri dhe u pushkatua. Edhe sot e kësaj dite nuk është e qartë, nëse bujku ishte i pafajshëm apo ishte rekrutuar nga autoritetet, për ta shtënë priftin në kurth!

Partia Komuniste Sovjetike dhe homologet e saj në vendet satelite, gjetën mënyra të tjera për të prishur komunitetet fetare, pa i shkatërruar ato. Kur është e volitshme, këto forca besimtare, gjithmonë mund të pastrohen nga pluhuri dhe mund të shfrytëzohen në kohë krizash, ashtu si u veprua në BRSS, (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike), gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nuk ndodhi kështu në Shqipëri, ku ekstremizmi ideologjik dhe jo toleranca, mundën të sundonin për rreth gjysëm shekulli.

V. Molotov, ministri i Jashtëm i ish-Bashkimit Sovjetik, dikur ka thënë së në shekullin e XX-të, të gjitha rrugët të çojnë në komunizëm. Shumë e ndoqën këtë rrugë në gjithë kontinentet, për shkak të joshjes së saj ideologjike, e cila, si sirenat e mitologjisë greke, i hipnotizonte udhëtarët, vetëm e vetëm për t’i shkatërruar ata, herët a vonë, mbi shkëmbinjtë e realitetit.

Disa komunistë ishin idealistë që ushqenin premtimin e barazisë universale, në një shoqëri pa klasa, ku individi do të furnizohej sipas nevojave të tij, jo sipas kontributit. E çfarë mund të jetë më humane se kaq? Një nga këta individë ishte Llazar Fundo, një komunist shqiptar i orëve të para. Gjatë regjimit të Mbretit Zog, ai kishte mërguar jashtë vendit. Unë e takova në vitin 1939, në fshatin Dardhë, dhe isha i impresionuar nga ngrohtësia e miqësia e këtij shqiptari të gjatë, biond dhe me sy të kaltër.

Ajo që më çuditi edhe më shumë, ishte se im atë, një kundërshtar i fortë i komunizmit, e quante mikun e tij Zai Fundon! Kur forcat komuniste morën malet, ai u bashkua me ta, kundër pushtuesve. Enver Hoxha e dinte që më parë, se Fundo ishte një idealist, i cili mund të kundërshtonte llojin e planit që Enveri kishte për shqiptarët. Fjala u hap se një natë, ndërsa Fundo ishte duke fjetur me shokët e tij të luftës, pranë një zjarri të kampit, ai ishte goditur për vdekje, me urdhër nga shtabi.

Një komunist tjetër me një stazh të gjatë, ishte rreshteri në detyrë i ruajtjes së burgut tonë, në izolimin politik në Tiranë, në vitin 1945. Ai kishte një shtat mesatar, ishte i zeshkët, i thatë dhe i fortë. Ai gjithashtu fliste butë dhe nuk ishte nga ata që u krijonte të burgosurve shqetësime të veçanta. Një ditë, ne kishim rihyrë në burg, pas ecjes së mëngjesit. Kur rojet na kyçën, ai qëndroi brenda burgut. Ne e pamë me habi dhe menduam se ai mund të ishte aty për kontroll, si pjesë e rutinës së burgut.

Por ai na tha se tashmë, ai ishte një i burgosur si dhe ne! “Shumë nga ju shpresojnë dhe luten se dita juaj do të vijë, kur ju të jeni të lirë. Ajo ditë mund të vijë. Po, dita ime erdhi dhe…unë e gjeta veten time në burg”! na tha ai. Brenda një ore ai u largua që andej dhe u zhduk, për të mos u parë më kurrë…! Lufta e brendshme për pushtet brenda Partisë Komuniste të Shqipërisë, kishte filluar kohë më parë.

Në vitin 1942, disa komunistë shqiptarë nga radhët më të larta të Partisë Komuniste, ishin tradhtuar tek forcat pushtuese italiane. Një nga viktimat e para ishte Qemal Stafa, i vrarë gjatë një përplasjeje me armë me forcat italiane. Kur vdiq, ai ishte lider i Rinisë Komuniste Shqiptare. Informacionet në lidhje me vdekjen e tij, të çonin tek Enver Hoxha, i cili e konsideronte atë, të aftë e karizmatik, që do të thotë: një rival i ardhshëm.

Sfidues të tjerë potencialë të Hoxhës, do të zhdukeshin në vitet në vazhdim. Jo gjithë ata që hynë në parti, në ditët e para të krijimit të saj, ishin idealistë. Disa prej tyre u regjistruan sepse, nën maskën e ideologjisë, ata mund të vinin në zbatim instiktet e tyre vrasëse dhe mund ta kthenin krimin, në karrierë. Individë të tillë formuan skuadrat vrasëse, që kishin për objektiv patriotët shqiptarë.

Hysen Mushqeta ishte një biznesmen i suksesshëm, i cili i investoi fitimet e tij, për të mirën e vendit. Ai më ofroi mua tokë të lirë dhe një shtëpi në fshat që e dëshiroja, nëse unë do të studioja agrikulturë dhe do të isha i gatshëm për t’u mësuar bujqve metoda moderne të agrikulturës. Çdo vit, ai jepte prikë për dy vajza nga familje të varfra, që ato të mund të martoheshin. Një skuadër vrasësish e sulmoi atë në Durrës.

I mbijetoi atentatit dhe u dërgua në një spital në Tiranë, ku filloi të shërohej. Vdiq në spital, pasi piu qumësht të helmuar, që iu dha nga infermieret komuniste. Sipas Napoleonit, ideologët konceptuan revolucionin, idealistët bënë luftën dhe maskarenjtë grabitën fitoren. Kur forcat gjermane u tërhoqën nga Shqipëria, ishte pikërisht koha e maskarenjve, për të futur kthetrat e dhëmbët e tyre në frenat e pushtetit. Rrjedhja e gjakut filloi disa muaj pasi komunistët morën pushtetin.

Kategoritë e para që u damkosën për shkatërrim, ishin lidershipi i kaluar politik dhe Kleri, veçanërisht ai Katolik. Liderët e besimeve të tjera do t’i pasonin shpejt. Koçi Xoxe u bë njeriu numër dy, pas Enver Hoxhës. Një teneqepunues nga Shqipëria jugore, ai shihej prej shumë njerëzve si favoriti i jugosllavëve proletari pas fronit të borgjezit Enver. Në verën e vitit 1945, si kreu i Gjykatës Speciale, ai dha dënime të rrepta për ish-elitën politike shqiptare.

Spastrimi i parë madhor i kolonave të Partisë së Kuqe erdhi në vitin 1948, vetëm katër vjet pasi Partia Komuniste kishte ardhur në pushtet, kur Tito i Jugosllavisë, u prish me Moskën. Deri në atë kohë, Tito kishte qenë “Vëllai i Madh i Shqipërisë”, dhe lidhjet midis Shqipërisë e Jugosllavisë komuniste, ishin përshkruar si “lidhje të përjetshme të miqësisë e vëllazërisë”, të farkëtuara gjatë luftës kundër fashizmit. Tani, emri i Titos u bë i urryer dhe Koçi Xoxe, gjoja njeriu i Beogradit në Tiranë, u ekzekutua, si viktima më e shquar e këtij “spastrimi” të radhëve të Partisë.

Gjatë viteve u bënë spastrime të tjera, të shoqëruara me viktima. Viktimat e Enverit u bënë të shumta, nga kryeministri Mehmet Shehu, tek ministri i brendshëm Kadri Hazbiu, nga kundëradmirali Teme Sejko, tek gjeneral Beqir Balluku. Disa nga udhëheqësit apo funksionarët më lartë të nomenklaturës të kuq, si Mehmet Shehu, u vetëvranë. Të tjerët u ekzekutuan si spiunë të huaj, pas gjyqeve butaforikë, si ai i kundëradmiral Teme Sejko. Kështu, Enver Hoxha vendosi të fabrikonte një komplot çam, për të lëshuar një valë tjetër terrori.

Çamët ishin refugjatë të popullsisë shqiptare në Greqinë veriore. Thuhej se gjeneral Hilmi Seitit, një çam dhe shef i Sigurimit të Shtetit në Shkodër, i ishte kërkuar të pretendonte se kishte qenë anëtar i një komploti të tillë. Do të kalonte nëpër një gjyq të montuar e, më pas do të lihej i lirë. Ai nuk pranoi dhe vdiq, pasi piu një filxhan me kafe të helmuar. Kundëradmiral Teme Sejko, gjithashtu një çam, e pranoi propozimin dhe, menjëherë u arrestua.

Gjatë procedurave, ai u akuzua se kishte qenë në kontakt me Flotën e VI-të Amerikane në Mesdhe, nëpërmjet Haki Rushitit. Rushiti ishte një refugjat çam, me të cilin unë isha miqësuar në Greqi dhe i cili, në kohën e gjyqit, jetonte në Nju Jork. Qëlloi të isha në Nju Jork për punët e mia dhe vendosa ta vizitoj. Kur i dhashë shoferit të taksisë adresën e tij, ai më pa e më tha: “A je i sigurt se kjo është adresa e saktë”?! Ky vend-banim është në një lagje shumë të keqe”?!

Ai kishte të drejtë. Kur u futëm aty, i kërkova të vinte të më merrte pas dy orësh, që të mos kisha mundësinë për të qëndruar në ndonjë qoshe rruge, duke pritur për taksi. Godina në të cilën jetonte miku im, ishte pothuaj e rrënuar dhe nuk kishte ashensor. Ngjita shkallët në katin e katërt. Apartamenti i mikut tim, ishte si i shtypur nga pjesa tjetër e ndërtesës. E gjeta Hakiun, me shëndet shumë të dobët.

Ai kishte shqetësime me frymëmarrjen dhe vuante nga zemra, që ia bënte të pamundur ta linte apartamentin, për shkak të ngjitjes së shumë shkallëve. I paaftë për të punuar, duhej të jetonte vetëm me të ardhurat e gruas së tij, e cila qepte rroba në rrobaqepësinë e distriktit. Sipas prokurorit të Tiranës, ky njeri – në gjendje të rëndë shëndetësore dhe i paaftë për të lëvizur, – kishte qenë ndërlidhësi mes Kundëradmiral Sejkos dhe Flotës së VI-të Amerikane.

A nuk është e vështirë për t’u besuar?! Pas një gjyqi të shkurtër, Teme Sejko u dënua me vdekje dhe u ekzekutua. Gruaja e tij vrau veten, duke u hedhur nga dritarja e një kati të lartë. I biri u arrestua dhe u pushkatua, pasi ishte akuzuar se do hidhte në erë Kombinatin e Tekstileve “Mao Ce Dun” në Berat, ku ishin të internuar. Pas tij u arrestua dhe u dënua me disa vite burg politik, djali tjetër i Teme Sejkos.

Spastrimet periodike donin t’i mbanin anëtarët e Partisë dhe pjesën tjetër të popullsisë, nën kontroll. Këto spastrime goditën një numër të madh viktimash, nga funksionarët e lartë dhe udhëheqja e Partisë, deri tek komunistët e thjeshtë, nga mësuesit, deri tek kamerierët dhe punëtorët. Shumica e tyre nuk ishin anëtarë partie. Përveç vuajtjeve dhe kostos në jetën e njerëzve, këto valë terrori mbytën edhe mendimin e lirë e iniciativat e individit.

Propozimet e projekteve tipike të regjimit komunist, kërkonin afate të gjata për t’u përmbushur, sasi të mëdha fondesh dhe fuqi mjaft të madhe punëtore, kështu që, pas mungesave të pashmangshme, suksesi i projektit – dhe ajo që është më e rëndësishmja – mbijetesa e atyre që ishin përfshirë, të ishte i sigurt. Dyshohet se terrori sistematik psikologjik, përgjatë 47 viteve, paralizoi kombin.

Tashmë pas rënies nominale të komunizmit, është bërë e qartë se sulmet e zgjatura ndaj integritetit moral të kombit, kanë rezultuar të jenë më të mallkuara se vdekja dhe shkatërrimi që iu bë atij. Gjatë viteve të gjata të sundimit komunist, siguria dhe mbijetesa ishin, mbi të gjitha, në mendjen e popullit. Partia ofroi strehë, por kurrë imunitet. Ajo nxiti karrierën individuale dhe u dha pinjollëve të saj, shansin për të ndjekur studimet, gjithmonë një privilegj dhe kurrë një e drejtë.

Ajo bëri që këta të rinj, të studionin ligjet, shkencat politike dhe fusha të tjera, të rezervuara për të përkëdhelurit e saj. Këto përkatësi për klasën e lartë në këtë “shoqëri pa klasa”, lejoheshin madje, të studionin jashtë shtetit. Këta studentë, pavarësisht nga shkalla e lartë në shoqëri, duhej të gjunjëzoheshin, sapo të ktheheshin në vendin e tyre. Të gjithë duhej të shpallnin superioritetin e Shqipërisë mbi Perëndimin, në çdo drejtim, pavarësisht nga liritë dhe komoditeti që studentët kishin gëzuar gjatë viteve të tyre në kolegj.

Aty nga fundi i viteve 80, erërat gjallëruese të ndryshimit politik filluan të fryjnë në gjithë Bashkimin Sovjetik dhe satelitët e tyre europianë. Bota e lirë dëshmoi se kishte paraprirë për një kohë të gjatë dhe se satelitët ishin lutur për të. Sistemi politik sovjetik filloi të shpërbëhet, jo për shkak të disfatës ushtarake, por sepse popujt e tij dhe ekonomia e centralizuar nuk mund të konkurronin me forcën ekonomike, elasticitetin dhe krijimtarinë e popujve që jetonin e punonin në liri.

Please follow and like us: