Visar Zhiti: MES DY POEZIVE NË STINËN PA FLUTURA…
– Mbresë për librin e poetit Feti Zeneli si një parafjalë –
Dule lexuar poezitë e përmbledhura këtu, të kap një si ndjesi prej toke dhe gurësh, të një kroi që rrjedh midis tyre me gurgullima bukolike stinësh, herë të kthjellëta dhe herë të turbullta, vërshuese, por që herë-herë meken dhe teksa rendin si një rrëke frymëzimi, arrijnë të pasqyrojë copëza qielli, degë të blerta dëshirash, emocione ere, përshtypje ndodhish të pikëzuara me yje si me flutura, etj, atë shumëçkanë përreth që, sado e pakt:e qoftë, prapë është një univers.
Poetit Feti Zeneli duket se i intereson thjeshtësia magjepsëse e jetës, që, aq sa është e tij, është dhe e njerëzve të tjerë, edhe e faunës dhe e florës, jetë e gjërave, sa njerëzore e gjitha, po aq dhe natyrë, pra njerëzorja e natyrës dhe natyra e njerëzores.
Më vjen ta them menjëherë që ai nuk rend pas modernizmave të fishekzjarrta, metaforave urbane, teknikave që shpesh fshehin pazotësinë për të bërë poezinë e parë dhe kthehen në rebuse të dyta, të treta, etj, përherë të ftohta, por ai i rri besnik vetes, bën një poezi parake, do të thosha, duke ndjekur traditën, frymën popullore të vargëzimit të kultivuar, thirrjen e së tashmes.
Ai është qendrestar i estetikës së bukës që hahet, kështu më duket, kërkon ndërkaq rimat, që buisin vetvetiu se, siç thoshte Lasgushi, poezia është mbretëreshë, por kur është me rima, është mbretëreshë me kurorë.
Ky libër është me kurora kesisoj. Ndoshta nuk duhet shumë kërkim për të gjetur credon e poezisë së Fetiut, ajo na shpaloset qysh në krye, triadhë, që në poezinë e parë, si konstatim, si polemikë dhe si qortim:
Kur ditët e mia ecin si elefant i lodhur,
Për netët e tyre s’gjej asnjë lloj krahasimi.
I shohin miqtë, pyesin: Feti, ç’ka ndodhur?
I shohin të ligjtë, s’përmbahen nga gëzimi.
Ndoshta patkoi i fatit ka zënë të ndryshket
Duke qëndruar gjatë te portë e së vërtetës.
Ylberi i ëndrrave si lulja po vyshket,
Me thinja trishtimi mbushur gjethi i jetës.
Ditët e rënduara si elefant – një krahasim i çuditshëm në purizmin lokal të tij, duke mos qenë qenie e “anëve tona”, duket sikur mbart ashkun për të dalë përtej ledheve, larg nëpër vende të tjera, ku është natyra dhe historia si një kërshëri dhe jo thjeshtë kopsht zoologjik a ngjarje, kështu ndihet, se “elefanti i ditëve” ecën dhe nuk po dergjet. Pra dita e poetit ka bollshmërinë, që është dhe halli i mbarëvajtjes, mundi i punëve, që miqtë i bën dhe me merak, ndërsa të ligjtë i gëzohen para kohe zvetënimit të tjetrit, se putra prej elefanti e poezisë e shtyp kotësinë.
Nervi i fjalës së Fetiut-poet arrin të vetëtronditet, kur sheh që potkoi i fatit ndryshket mbi portën e së vërtetës.
E vërteta është pa fatin e duhur, këtë do të kumtojë poeti? Aq sa dhe trishtimi thinjet dhe ylberi vyshket?
Pesimizëm dhe krizë buzëqeshjesh, ku ngushëllim dhe shpresë duket se janë të treguarit e gjendjes si një ekzorcizëm. Dhe pastaj dalin vetë mjetet e vetëmbrojtjes.
Këtë rreket të bëjë me stilistikën e saj poezia e Fetiut, të ringjallë ndjeshmërinë. Aq sa ngjarja, atë e intereson vlera e saj. A po rrjedhin virtytet, që të mos i lënë shtrat të këqijave? Madje dhe vetë përsosja e poezisë nuk është më e rëndëshishme se poezia, si përjetim i saj.
Poezitë e këtij libri kanë një ndërlidhje të brendshme midis tyre edhe si strukturë sa duket sikur janë këngët e një poeme të gjatë, ku përsëritjet dhe ngjashmëritë bëjnë refrenin e isove të vendlindjes, por gjithsesi secila është ndryshe nga tjetra si orët dhe përjetimet.
Aty gjejmë takime dhe datëlindje, rreze dhe zëra, mugëtirë deti dhe lumenj dhe Shën Valentin dhe puthje dhe krisje heshtjesh, kur befas thyhet diçka, “vij si një plagë e vjetër” – klith poeti dhe thotë: “në kujtime më mirë do të më njohësh” dhe kalon në balada, distikë si vija paralele ndjenjash, strofat e rregullta këmbehen në të rrallë me vargun e lirë, rima e disonanca e ritëm i njëjtë si ecuria e sigurtë shtigjeve. Mbërrihet në kulme të tilla të vetat si te poezia “Njerëzit” – të mbushur me eklektikë lënde dhe fryme, “endrrash dhe kujtimesh”, te “Ishte një kohë” apo “Kur do pyes”, ku dozat filozofike shtohen, etj.
Poezitë e Feti Zenelit “janë letra të nisura, shkruar në copa gjumi të prerë” – figurë poetike kjo që të lë pa fjalë ashtu si dhe kur na vijnë të rrymës imazhiniste si: “retë fusin duart në blunë e qiellit, nga nxitimi humbasin unazën e hënës”.
Duket sikur ka një qortim brenda, pra mungon shenja e fejesës me natyrën,
Përkujdesi të tilla për figurën ndihet dhe si qëllim. Gjithsesi e tëra duket si “Festë e fjalëve të mira”, edhe kur poeti tronditet nga “Perënditë e gjakosura të Butrintit” të Jugut tonë. Ai sikur kërkon ta rijetojë lashtësinë, mitet, më saktë ai do si në lashtësi, si në mitologji. I bën “Lutje Kohës” si premtim besnikërie dhe i avitet vendlindjes, shkon te babai, ngjitet në Tomor, në Olimpin e shqiptarëve, ndjek stinët, ndryshimin, flet me zogjtë, “bëj kujdes me lotin” – porosit duke na kujtuar Dritëronë kur thoshte, “kujdes me fjalën”, por shkon më përtej. Se “sytë bëhen dhe buzë” sipas poetit, i cili i afrohet miqësisht njeriut konkret, me emër duke i kushtuar epitalme: Antonetës dhe vajzave, Lasgushit, Vaçe Zelës, Havzi Nelës, Solomonit etj, duke shikuar nga e ardhmja deri dhe te Studenti që përuron librin e tij të parë “Për atë që dua(m)” dhe kthehet përmallueshëm te pleqëria e njeriut:
…rrudhat si shuk me letër,
thinjat si dele të urta…
E mrekullueshme vërtet. Se kështu te letra që shkruajmë, gjejmë dhe rrudhat e njeriut dhe thinjat vezullojnë urtësi dhe bardhësi delesh, që na kujtojnë dhe qumështin e tyre jetësor.
Ka shpresa ashtu siç ka ripërtëritje në natyrë, prandaj dhe poeti na jep vargun që na befason: “Krishti – agimi i një bote të veshur me natë”
Vetëm gozhdë kryqi kanë mbetur? Po flutura ka në errësirë? Mos fluturat tashmë janë bërë vaniteti në hapësirat e vrazhda, trembëse? Dhe stina vërtet është pa flutura? Pa ato imtësitë delikate të jetës si vetë flatrat e hollëza të tyre, që mungojë nga shkaku i një ekologjie të helmët mendore, ku dhe parqet e qyteteve tona janë të kërcënuara nga betonizimi i mëtejshëm i shekullit XXI?
Papritur më nëpërmendet albanalogu i shquar, miku i madh i kombit dhe kulturës tonë, Robert Eslise, që thoshte se shqiptarëve mund t’u ketë munguar buka nëpër kohëra, por jo poezia.
Unë shtoj që dhe stina mund të mos ketë flutura mjaftueshëm, por jo ndjelljen për to, pritshmërinë për çaste fluturake, gëzime sysh e buzësh e gishtrinjsh e psherëtimash, që pikojnë në jetën tonë për ta begatuar, prandaj dhe duhet të rishpiken fluturat. Dhe ja, e bën poezia. Shfletimi i këtij libri ta jep një si fërgëllimë flatrash të tilla.
Shkoj në fund, te poezia “Mësime të jetës”:
Hapat më mësuan si rendet drejt dritës,
Drita – ç’ëmbëlsi ka shikimi,
Si krijohen peizazhet mahnitës
Më mësoi deti në një çast perëndimi.
Vjeshta më mësoi si plaken ngjyrimet,
Mjegulla si t’i vesh malet që në gusht.
S’besoj t’i kem nxënë dot gjithë mësimet
Sikur dhe botën ta mblidhja në grusht…
Credo-ja përmbyllëse është prapë një triadhë silabike: udhëtimi, dija, drita, me përvojën e jetës sa një det ekzistencializmi, ku kumtet si dallgët s’mbarojnë as me perëndimin. Bota është në pëllëmbën tonë dhe ne jemi në pëllëmbën e botës.
Mjafton të lexojmë poezi, edhe atë që nuk është shkruar…
Tiranë, 07.11.2019