Albspirit

Media/News/Publishing

Saimir Kadiu: “Der Kaiser” shkon në parajsë…

 

 

FRANZ BECKENBAUER (11 shtator 1945 – 8 JANAR 2024)

“Der Kaiser” shkon në parajsë…

Padyshim një nga më të mëdhenjtë e futbollit botëror, krijuesi i “liberos”.

E kam parë për herë të parë në një revistë të huaj në vitin 1969… (nuk e di se si kishte ardhur në shtëpinë time). Isha vetëm 6 vjeç dhe po shikoja një  fotografi  të pas finales së vitit 1966 në Londër.

Beckenbauer 20 vjeçar kishte shpërthyer në lot… dhe Shultz duke e ngushëlluar i thotë: “Mos u mërzit i dashur Franz, urrejtja e botës nuk është shuar ende kundër nesh”…

Kjo foto megjithëse nuk e kuptoja ku mbaronte ndeshja dhe ku fillonte historia më bëri përfundimisht tifoz të gjermanëve…

Dy herë futbollisti më i mirë evropian i vitit (1972, 1976);

Kampion i Botës në vitin 1974; Kampion i Evropës në vitin 1972;

Kampion i Botës si trainer në vitin 1990. ( Një nga tre kampionët e botës në fushë dhe në stol bashkë me Mario Zagallo dhe Didier Deschamps).

Titullar i padiskutueshëm në formacionin simbolik të shekullit të XX (Yashin, Carlos Alberto, Beckenbauer, Bobby Moore, Nilton Santos, Cruyf, Platini, Di Stefano, Garrinça, Maradona, Pele).

Me Bayern Munchen (1964-1977) ka fituar Kupën e Kupave (1967) tre Kupa Kampionesh (1974, 1975, 1976), 1 Kupë Ndërkontinentale (1976), 4 Tituj të Bundesligës (1968–69, 1971–72, 1972–73, 1973–74) dhe 4 kupa të Gjermanisë (1965–66, 1967–68, 1968–69, 1970–71).

Ka luajtur 103 ndeshje me përfaqësuesen gjermane (1965-1977; 14 gola), ku ka debutuar më 26 shtator 1965 në Stokholm në një ndeshje kualifikuese për Botërorin e vitit 1966, kundër Suedisë, ku gjermanët fituan 2-1. Ndeshjen e fundit e ka luajtur më 23 shkurt 1977 kundër Francës (0-1).

Sipas gjigandit Gunter Netzer, “Beckenbauer është një hero i kombit gjerman. Dhe është bërë i tillë jo nga fati… çdo gjë e ka fituar me një punë të jashtëzakonshme”.

Më ka bërë shumë përshtypje në një konferencë ndërkombëtare për shëndetësinë vite më parë në Londër. Përfaqësuesi gjerman foli një fjali në anglisht dhe më pas vazhdoi në gjermanisht ( kur gjuha e konferencës ishte në anglisht): “Ndjesë që do të flas në gjuhën gjermane, në gjuhën e Gëtes dhe Beckenbauerit…”.

Është një pasazh interesant nga një vizitë e Merkelit në Afrikën Qendrore. Mikpritësit e prezantuan zonjën e madhe gjermane me përfaqësuesin e disa fiseve që jetonin të izoluar. Kur ai mori vesh që ajo ishte gjermane, tha vetëm një fjalë… Beckenbauer….

Aq i madh konsiderohet Beckenbauer në kombin e jashtëzakonshëm gjerman që i ka dhuruar botës figura të tilla si Bethoven, Gëte, Schiler, Heine, Bach, Brams, Nietzsche, Shopenhauer, Wagner, Karl Gauss, Leibnitz, Bismarck, Marlen Dietrich, Erich Maria Remark, Bertold Brecht, Albrecht Durer, Gunter Grass, Herman Hesse, Erich From, Alexander Von Humboldt, Imanuel Kant, Heidegger… e shumë të tjerë…

Please follow and like us: