Reçension me 5 Yje në Francë për albumin e kompozitorit shqiptar Thoma Simaku
I publikuar nga Shtëpia Diskografike Britanike “NMC Recordings” më 29 shtator 2023, albumi i ri i Thoma Simakut, SOLO, me solistë të Ensemble Intercontemporain të Parisit ka tërhequr vëmendjen e kritikës muzikore dhe stacioneve radiofonike ndërkombëtare. Kompozimet nga ky album tashmë janë transmetuar në Radio-France, BBC Radio -3, RTP në Portugali dhe Ecclectus Radio në Seattle, SHBA. Reçensione me vlerësim maksimal janë botuar në revista prestigjioze si BBC Music, Music Opinion, dhe Crescendo Magazine në Bruksel. Së fundi, revista pariziane ‘Diapason’, revista nr. 1 e muzikës klasike në frëngjisht – ka publikuar një përmbledhje me’ 5-diapazon’; në numrin e saj të janarit 2024.
Kritiku Pierre Rigaudière e fillon reçensionin e tij me pjesët për piano Catena II dhe III, të cilat “ilustrojnë më qartë ndikimin e Ligetit, veçanërisht në ndërthurjet polifonike që ndjekin një progresion të parreshtur. Por Thoma Simaku ndalet shumë më tepër tek rezonanca dhe me dëshirë i zhyt duart e interpretuesit në brendësi të pianos. Dimitri Vassilakis nuk është i panjohur për këto spërkatje të rrjedhshme notash, harmonikat që burojnë nga ataku i telave të bllokuara dhe pasazhet e rrjedhshme që sugjerojnë një harpë në distancë, të cilat ai i luan të gjitha me kënaqësi, pa sakrifikuar saktësinë e goditjes. Edhe pse jo përshkruese, Catena III-Corona (2022) transpozon idenë e infeksionit, me një sens humori, me anën e një motivi ritmik dhe variantet e tij. Duke gjykuar nga zinxhirët vezullues të akordeve, të cilave pianisti u jep një fuqi të qetë, organizmi i infektuar mbetet në shëndet të mirë.
Duke komentuar për pjesët e ciklit Soliloquy, kritiku shkruan: “Klarineta në Soliloquy VII (2019), e luajtur nga Jérôme Comte, diversifikon bukur nuancat, herë pas here duke iu afruar “Trois Pièces” të Stravinskit, por i duke shtuar virtuozitetit të tyre disa tinguj multifonike dhe përkulje intonacioni. Në Soliloquy IX (2022), mjeshtëria e trompistit Clément Saunier në përdorimin e sordinës nxjerr në pah jo vetëm kontrastet në densitet, por edhe efektet e distancës, në melodi të errëta që të kujtojnë Miles Davis. E pasuruar nga rezonanca e këmbanave, gongut dhe vibrafonit, ‘marimba+’ e Soliloquy VIII (2020 – 21) ofron një likuiditet prej druri nën baketat e Aurélien Gignoux. Në përfundim të reçensionit të tij, kritiku francez Rigaudière shprehet: “Këtu, si në të gjithë muzikën e kompozitorit shqiptar, diskursi është i sofistikuar por i qartë”.
https://www.uymp.co.uk/news/2024-01-08-5-star-review-in-france-for-thomas-sima