Eva Vatoci: Nuk di ta shpreh revoltën time…
Bota mbushet përditë me kronika të zeza. Madje janë bërë pjesë e jetës dhe stresit tonë falë mediatizimit. Por ngjarjet e këtyre ditëve në Shqipëri, ku vajza të mitura përdhunohet në seri, pa mëshirë, ku gra dhe vajza vriten e vetvriten si kafshë!
Faktet tronditëse nuk kanë të bëjnë më thjesht me maniakët apo të sëmurët e rëndomtë psikikë, por me një sërë të rinjsh në këtë vend i cili duhet të jetë model i kodit moral që ia dikton tradita e geni.
Por mjerisht nuk është kështu. Normat e sjelljes njerëzore ngelin vetëm në fjalë e këngë folklorike mbi nderin e traditën shqiptare!
Çmenduri e degradim që të humb tekstin ta kualifikosh me fjalë. Një turp të cilin duhet ta mbajnë jo vetëm autorët por një shoqëri e tërë.
Ligji duhet të veprojë në mënyrë të shpejtë e shembullore e ndoshte për raste të tilla, Kuvendi i Shqipërisë duhet të ushtrojë kompetencat për ashpërsim të kodit penal deri në ekstrem. Nuk zgjidhet çështja me llafe mediash as rrjetesh sociale.
Është e gjithë shoqëria që duhet të reflektojë e të vajtojë këtë që po ndodh!
Reflektimit duhet t’i nënshtrohet pa kushte çdo prind në çdo rrethanë pasi përgjegjshmëria prindërore është obligim njerëzor e ligjor i dorës së parë.
Ngjarjet janë shumë të rënda. Nuk kanë fjalë e logjikë që t’i justifikojnë.
Këto raste prodhojnë jo vetëm lot e zemërim, por neveri dhe turp. Jo vetëm institucionet e drejtësisë, por dhe ato religjioze duhet të ndërgjesohen që dukuri të tilla të mos ndodhin kurrë.
Nuk di… nuk di ta shpreh revoltën time. Di vetëm që flamuri ynë i krenarisë dhe moralit tonë nacional sot duhet të ulet për shumë kohë në gjysëm-shtizë!