Kristaq Balli: GJON MILI, PARARENDЁSI I FOTOVE “SELFIE”
“Për Gjon Milin ka aq shumë mënyra fotografimi sa edhe njerëz. Ai e konsideron çdo foto një provë, një eksperiment” (Zhan Pol Sartri, 1946).
Fotografi shqiptaro-amerikan me famë botërore Gjon Mili (1904-1984) me një karierë 45 vjeçare artistike në lëmin e fotografisë, i cili ka shërbyer për revistën shumë popullore amerikane “Life” në rubrikat sociale, kulturore, artistike e sportive ka në portofolin e vet mijra foto dhe ka provuar e praktikuar me sukses dhjetra eksperimentime e sprova tekniko-teknologjike e artistike pamore, të cilat e përfshijnë atë në elitën e fotografëve që i dhuruan botës transformime radikale e evolucioniste në aspektin e zgjerimit, përmirësimit dhe lehtësimit të aplikimit masiv dhe komercial të fotografimit dhe në veçanti të fotogazetarisë artistike. Nuk mund të ketë fushë të veprimtarisë sociale, kulturore, artistike, shkencore, sportive, mediatike, eksibicioniste, madje edhe politike, ku fotografi shqiptar, i cilësuar me opinionet dhe epitetet e goditura të kritikës pozitive dhe të personaliteteve të shquara të botës artistike si promotor e protagonist i përparimeve dhe hopeve të fotografisë disa dekada përpara, që ai të mos ketë dhënë përvojën e tij krijuese. Pjesa më e madhe e kontributeve të tij madhore si “drita stroboskopike”, “ngrirja e kohës”, “fotografia në lëvizje”, eksperiencat e tij me figura të famshme – kryesisht nga bota e artit, ose edhe vetë librat e tij të mrekullueshëm mbi artin e artistët janë bërë pak a shumë të ditura edhe për publikun shqiptar, por, akoma Gjon Mili mbetet një det i thellë enigmash e eksplorimi, pasi jo gjithçka është bërë e njohur nga krijimtaria, sidomos nga eksperimentimet e pafundme në studion e tij, në 23th Street, Manhatan, New York, ndoshta edhe nga një pjesë e veprimtarisë së tij krijuese kur, më 1965 studioja e tij e madhe u dogj e, bashkë me të edhe një e treta e materialeve që nuk mbijetuan nga ajo fatkeqësi.
Në optikën krijuese vizionare të Gjon Milit ndoshta qëndron edhe eksperimentimi origjinal i autoportretit fotografik, që atëhere, në mënyrë popullore e shakaje do të quhej ndaj femrave “duck – face” (fytyrë – rose), ndërsa sot, pas 70 vjetësh pas aplikimit nga Mili e të tjerë, do të konfirmohej me emrin “selfie”, për të krijuar një perandori gjithëpërfshirëse. Sidoqoftë detaji i veçantë, i cili e bën specifik, origjinal dhe identifikues parashikimin e “selfieve” është pikërisht çelësi i vogël elektrik i përshtatur për aparatin, që Gjon Mili i ka dhënë personazhit që vetëfotografohet dhe që inkuadrohet në mënyrë të dukshme e demonstrative në kuadratin e fotos. Këtë detaj fotografimi e gjejmë shumë, shumë rrallë dhe jo me qëllime eksperimentimi tek fotografët e tjerë. Andaj, atëhere, të shkon mendja mos,vallë, Gjon Mili, në këtë kontekst eksperimental ka parashikuar me ndjesinë e një artisti nuhatës të ardhmen e “selfies”.
Sot fjala “Selfie” nënkupton një foto autoportret, të bërë me një aparat digjital ose me kamerën e një telefoni, apo webcam për të shfaqur situatën rastësore dhe probabilisht për ta shpërndarë atë në shërbimet e rrjeteve sociale.
Por fotot autoportret, në të vërtetë na kthejnë në vitin 1839, pra rreth 175 vjet më parë, kur Robert Cornelius, një prej fotografëve pionierë amerikanë realizoi një autoportret të vetin, i cili konsiderohet, gjithshtu, fotoja e e parë e një personi. Aparatet ishin aq të ngadalshëm, sa që fotografi të kishte mundësi të kryente të gjitha proceset e pozimit dhe të ekspozimit ndaj pllakës negative fotografike në kohën e duhur.
Nga vitet 1900, aparatet Kodak Brownie mundësonin foton autoportret dhe u bënë një teknikë e përhapur. Metoda bazohej tek pasqyra kundrejt së cilës vendosej aparati mbi trekëmbësh afër objektit dhe inkuadrohej pamja në pasqyrë. Dukesha e Madhe Anastasia Nikolajevna e Rusisë, në moshën 13 vjeçare ishte një nga personazhet që realizoi foton e saj duke përdorur pasqyrën dhe ia dërgoi atë një mikeshe, më 1914 duke i shpjeguar në letër: “E bëra këtë foto duke vështruar në pasqyrë. Ishte shumë e vështirë pasi më dridheshin duart.”
Fotoportretet përparuan aty nga vitet 1970 kur aparatet e çastit mundësonin një medium të vetëshprehjes. Më pas kjo praktikë tranzitive u kapërxye nëpërmjet aparateve digjitale që i zëvendësuan filmat me qarqetë teknologjisë elektronike.
Përdorimi i fjalës selfie është shfaqur së pari në një artikull apo një mjedis elektronik Australian më 13 Shtator 2002, në një postim të Nathan Hope. Në vitin 2012, revista Time e konsideroi selfie-n “një nga 10 Top fjalët e reja” të vitit. Ndërkaq më 2013 kjo fjalë u bë aq e zakonshme, sa u sugjerua të futej në versionin online të Oxford English Dictionary (Fjalori Anglisht i Oksfordit). Në Nëntor 2013 fjala “selfie” u shpall si “fjala e vitit” po nga ky fjalor, i cili i konfirmoi asaj origjinën australiane.
Përdorimi i teknikave, aparaturave dhe programeve të sofistikuara dixhitale në masë të gjerë dhe lehtësisht të komercializuara në kohët e sotme i kanë dhënë kësaj fjale një kuptim universal, pasi në kontekstin e vet ajo përfshin gjithë hapësirën planetare.
Nga pikëpamja sociale, krahas mundësive të mëdha të shkëmbimit dhe shoqërizimit e shpejtësisë së informacionit imazherik reciprok për qëllime pune, shkencore, kulturore, shoqërore, individuale, hobi, apo preferenca të karakterit e personalitetit të brendshëm etik e estetik, në shumë raste studiuesit kanë konstatuar rrezikun e një “patologjie” humane, siç është simptoma e “narcizmit”, pra ndjesia e të ekspozuarit, e shfaqjes, vetëkënaqësisë, apo vetëpëlqimit aparent që të zapton kur vetëfotografohesh dhe poston pa limite në rrjetet sociale e internet, fenomen ndaj të cilit janë të prirura më shumë vajzat për të paraqitur format e tyre sensuale, erotike (duck –face).
Sidoqoftë, le të kthehemi sërish 7 dekada më parë. Kur Gjon Mili ftonte në studion e tij njerëz të famshëm për një seancë fotoportretesh, fjala “selfie” do të duhej të priste edhe 70 vjet që të fitonte të drejtën e qytetarisë gjuhësore në fjalorin formal të gjuhës angleze. Gjon Mili në veprimtarinë e tij fotografike ka qenë shumë kreativ, aq sa nuk ka gjini e teknikë fotografimi që të mos e ketë provuar dhe aplikuar qoftë për qëllime profesionale, artistike, apo thjesht si eksperimentim inspirimi, larmi e pasurim vlerash mjeshtërore. Janë 10 foto, ku ai, eksperimentin e autoportretit “selfie” e aplikon si një teknikë, që nuk e ka shpikur vetë (siç ka bërë psh me fotot me dritë stroboskopike dhe në lëvizje), por, megjithatë ai e ka realizuar me synimin që, pasi të ketë kuruar paraprakisht “mizansenën”, vendosjen e pozicionit të personazhit, përputhjen e pamjes dhe personalitetit të tij psikologjik, këndin e fotografimit, ndriçimin, sfondin dhe elementët e tjerë kompozicionalë, duke qëndruar larg kamerës, pra duke mos vështruar në momentin deçiziv të shkrepjes vetëm me syrin e kufizuar të lentes me diafragmë parciale, ta observojë situatën e fotografimit i distancuar nga fragmentarizmi dhe të krijojë në lenten e mendjes së tij një pamje më të plotë dhe më objektive. (Fahredin Spahija: Studimi psikologjik i autoportretit fotografik: Artistët e famshëm, “selfie” me ndihmën e Gjon Milit: Telegraf, 29.11. 2018)
Për këtë arsye, ai i ka ofruar personazhit butnin “magjik” të shkrepjes në distancë, me qëllim që vetë subjekti ta kryejë këtë autoportret i çliruar nga ”sikleti” i emocionit dhe shtangjes së imponuar prej pranisë prapa aparatit të fotografit, që në një farë mënyre të ngurtëson, të hipnotizon e të bën të ndjehesh jo dinamik, jo vetvetja.
Dhe kjo, jo për koincidencë, por me paramendim ka ndodhur në serinë e “selfie-ve” të Gjon Milit jo me persona të rëndomtë e rastësore, por me artistë të njohur të skenës, si aktorët Geraldine Fitzgerald, Joyce Reynolds, Lauritz Melchior, Larraine Day, Michael Kurtiz, Peter Lorre, Van Johnson, S.Z. Sakall, Robert Alda, etj,. pasi ata kanë prirjen, intuitën, reflekset por edhe aftësinë e komportimit me inskenimin, si dhe zotërimin e gjestikulacionit facial për t’i lënë “të lirë” të shfaqin vetveten. Andaj edhe këto foto kanë nota të shumta personalizimi, lirike, larushanie, humori spontan, e atmosferë shumë optimiste e intime. Kjo mbase ka qenë edhe arsyeja që në të gjitha këto autoportrete “selfie”, çelsi i hapjes së diafragmës së aparatit është qëllimisht i dukshëm në dorën e personazhit dhe, ndoshta kjo përbën në këtë set fotografik risinë e pjellorisë mjeshtërore, diversitetin e madh stilistik e teknologjik të Gjon Milit si fotograf i dimensioneve të paparashikueshme.
Këto foto tregojnë se megjithëse teknologjia që ne përdorim sot ka avancuar me ritme eksponenciale, shprehja humane ka ndryshuar shumë pak gjatë kohrave.
Please follow and like us: