Sejmen Gjokoli: Një vizitë te Muhamet Tartari, “Mjeshtër i Madh”
Mund ta quash edhe Bardi i Horës, se bash në truallin e saj e ka shtëpinë, por unë dua ta quaj i Bogonicës, mali që i rri mbi krye Vranishtit, ai i shkon për shtat.
Si për tu habitur por edhe kur i kam shkuar për herë të parë në shtëpi, aty ndanë lumit që zbret maleve të Vranishtit e derdhet në Shushicë me Qatip Veshin kam qenë, plot tri dekada më parë.
Këtu ndanë Shushicës, mes shushurimave të lumit të grykës së Lumit të Vlorës rron e mediton Muhamet Tartari, ky bard stoik i shpirtit kulturor vranishiot.
Ka vetëm një muaj, në dhjetor ka nisur rrugëtimin e vitit të 75-të të jetës dhe ndonëse parkinsoni ka disa vite që i është bërë bashkëudhëtar të befason me vitalitetin po mbi të gjitha memorien brilante.
Ata që kish në krah e hahej me penë tani nuk i ka më në jetë, nuk ke me kë ta krahasosh ndër të gjallët.
I ka ikur Lefter Çipa, edhe Kujtim Mici, edhe Feti Brahimi, edhe Hamdi Pulo, edhe Dule Havari, edhe Pelivan Bajrami, edhe Nertesi Asllani, edhe Avni Varfi që ishin tej e përkëtej lumit, po edhe Maliq Lila e Zaho Balili në Tepelenë. Të gjithë miqtë e tij të penës e shpirtit.
Të gjithë peshonin flori në penë.
I kujtojmë të gjithë me nostalgji e mall, shumë prej tyre i ka edhe te “Korifejtë”, libri i cili është edhe sebepi i vizitës në shtëpi.
Nuk mundi të vinte në aktivitetin promovues që Qarku i Vlorës organizoi e nga ku për ata që ishin në jetë u’a dhuroi nominalisht ndaj u gëzua shumë dhe ca pika loti e tradhëtuan kur i lexova fjalët e autografit:
“Muhamet Tartarit, mikut tim të shpirtit lidhur prej këngës e valles vranishiote, penës dhe mendjes së tij krijuese, si kontribues i jashtëzakonshëm në fushën e trashëgimisë shpirtërore të Labërisë, si një prej personazheve “Korifej” të këtij botimi!”
Folëm e kujtuam shumë ngjarje kulturore, kujtuam turneun që me grupin e Vranishtit plot 30 vite të shkuara bëmë në Hamburg të Gjermanisë, festivalet madhështore të Gjirokastrës ku vallja e burrave të Vranishtit ngrinte më këmbë Kalanë, kujtuam deri te puna me “Odat e Polifonisë” ku falë punës së këtij njeriu vranishiotët e mësonin këngën qysh fëmijë.
Kujtuam shumë nga këngëtarët e valltarët e grupit të Vranishtit me të cilët bëri histori të madhe në këngën e në vallen e Labërisë, siç më kërkoi që ta dëgjonim dy herë këngën kushtuar të madhit të valles vranishiote, Arap Çeloleskaj, kënduar nga Grupi “Bilbili” i Vlorës.
Përfitova nga rasti që ti dhuroj gjithashtu botimin tim më të ri, librin “Shekulli i Parë” duke i shkruar si autograf:
“Muhamet Tartarit, krijuesit të madh të Labërisë, njeriut që Pavarësisë Kombëtare dhe Ismail Qemalit, me burrat e valles vranishiote, i ngriti Monumentin në lëvizje të Shpirtit të Popullit”.
Ishte ky burrë i cili disa dekada më parë bash aty në Sheshin Historik të Flamurit, do të lidhte si gjerdan në valle 36 djem e burra vranishiotë në vallen legjendare e të pa përsëritshme, “Prapa më vjen historia”, Himnin lab të Pavarësisë Kombëtare.
Të paçim sa Bogonica, Muhamet Tartari, bardi i gjallë i Lumit të Vlorës e Labërisë!
Please follow and like us: