Albspirit

Media/News/Publishing

STAMBOUL, 1928/ORGANIZIMI I XHANDARMËRISË SHQIPTARE

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 8 Janar 2024

 

“Stamboul ” ka botuar, të shunën e 11 gushtit 1928, në ballinë, deklaratat e komandant Kasem Sejdinit, i cili ndodhej askohe në Kostandinopojë, mbi organizimin e xhandarmërisë shqiptare, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar:

 

Shqipëria dhe fqinjët e saj

Deklarata nga Kasem Beu

Ne dimë se komandanti i xhandarmërisë shqiptare, Kasem Beu, ka mbërritur në Kostandinopojë para disa ditësh.

Kasem beu, i cili erdhi këtu për të studiuar organizimin e xhandarmërisë turke, i intervistuar nga një gazetar, bëri këto deklarata në lidhje me xhandarmërinë shqiptare:

Sapo kam ndërmarrë një udhëtim për të studiuar organizimin e xhandarmërisë në Itali, Greqi dhe Turqi. Nuk kam kohë të mjaftueshme për të shkuar në Angora. Unë do t’i paraqes një raport qeverisë sime në lidhje me misionin tim.

Rendi dhe paqja mbretërojnë aktualisht në Shqipëri. Të gjitha raportimet telegrafike për atentate dhe krime politike të dyshuara të kryera në Shqipëri janë puro shpikje.

Nuk ka asnjë armiqësi të theksuar ndaj Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ahmet Zogut.

Arsimi publik po bën përparim të madh në vend. Numri i nxënësve në shkollat fillore dhe gjimnazet tona tashmë është 33.000. Kemi afro 700 shkolla dhe kemi adoptuar shkronjat latine për të gjitha degët e arsimit.

Popullsia shqiptare është afërsisht 900.000 frymë.

Ne ende nuk kemi themeluar një universitet. Në një kohë relativisht të shkurtër prej 4 vitesh do të ketë ndryshime të mëdha në Shqipëri”.

Marrëdhëniet turko-shqiptare-jugosllave

Marrëdhëniet tona me Turqinë janë të përzemërta dhe miqësore. Sa i përket Jugosllavisë, edhe pse marrëdhëniet tona me këtë vend lënë disi për të dëshiruar, megjithatë nuk ka mosmarrëveshje të një rëndësie të madhe mes dy vendeve.

Për sa i përket Greqisë, mes dy vendeve ka çështje të diskutueshme, të cilat ende nuk janë qartësuar”.

Please follow and like us: