Albspirit

Media/News/Publishing

Manushaqe Toromani: Për t’u ndjerë e trishtuar…

Për t’u ndjerë e trishtuar mjafton një natë si kjo. Një natë e gjatë dimri, në mesin e tij , e ftohtë, e akullt, e heshtur, pa jetë, ku avujt në xham të mbyllin  dhe atë pak pamje që mund të shihnje, ndonjë dritë qyteti a rruge. Drita e dhomës duket sikur të sjell më shumë bezdi, nuk e ka ndriçimin e fortë, por më mirë dhe pa të. Diku larg teje, apo dhe afër, fare afër ka njerëz të pa strehë, të pa ngrënë, që janë strukur në ndonjë cep pallati ku mund mbrohen gjoja nga era, por jo nga i ftohti. Hej, dreq, je njeri, ke shpirt, të dhimbsen dhe ata, por s’bën dot asgje veç keqardhjes që nuk ju bën punë. Ti je në dhomën tënde, të paktën nuk ndjen ftohtë, apo ndjen një lloj tjetër të ftohti, që të futet në gjak, të helmon shpirtin. Nuk të ngroh dhoma, as çaji, madje as çorapet e leshit që i ke aq përzemër. E merr librin, e hap, nis dy rreshta e përsëri e mbyll. Asgje s’të ngroh. Trishtim, vetmi. Jo jo, do doja të isha jashtë, le të bënte ftohtë, të gjeja turmën e t’i bashkohesha, t’u futesha në mes, të më merrnin para, të më degdisnin nga të donin, larg kësaj nate, do isha më ngrohtë e siguroj veten. Ndoshta turma nuk ka, por ka lëvizje, tek-tuk duhet të ketë. Ndërsa në dhomë ka trishtim, tepër trishtim, muret e bardha duket sikur janë zverdhur, në çehren e një të sëmuri, sepse tek e fundit, trishtimi është sëmundje, bile shumë e rëndë, të tjetërson, të bën të vuash, vetëm ti e ndien. Nuk duket, por dhemb, gati të shpërfytyron. Dhe në mëndje të vijnë vetëm çaste të hidhura, momente që nuk do kishe dashur kurrë të ishin në jetën tënde. Asgjë të bukur nuk ka sonte. Sa keq! Kjo natë dimri është e mjaftueshme të të bej të ndihesh keq, mbështillesh në vetminë tënde, të vjen për të qarë, ndërsa avujt e çajit po japin shpirt. Diku troket  një derë, bën ftohtë, dera u mbyll, dikush mbeti jashtë saj, trokiti e trokiti sërish, nuk u hap mē. Gjithmonë ajo ka qënë e hapur, në këtë të ftohtë mbyllet. Ndjej dyfish trishtim. Nata është e gjatë…

Please follow and like us: