Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Mësues shkodranë, dëshmorë të Atdheut

(Në kuadrin e 80 vjetorit të rënies)

 

Mësuesi Hajrullah Kastrati, edukator dhe patriot

Lindi në Shkodër në vitin 1915. Prindrit e tij, Riza dhe Fatime bënë gjtihçka që biri i tyre të vijonte studimet në shkollë. Pasi mbaroi shkollën fillore në vitin 1928, nisi studimet në arsimin e mesëm pedagogjik, të cilin e përfundoi në vitin 1936. Në shkollë me Hajrulla Kastratin studionin edhe Fadil Hoxha, Xheladin Hana, Emin Duraku, Ndue Gjergj Pervizi etj.

Ai shërbeu si mësues (1936-1943) në qendra të ndryshme të atdheut: në Zervaskë të Pogradecit, Tren të Devollit, Qafëzezë të Kolonjës, ne Kryezi e Bardhët të Pukës, Oblikë të Shkodrës, dhe në Dinoshë të Tuzit, ku u shqua si edukator me talent, veçanërisht për karakterin e theksuar patriotik që i jepte përmbajtjes së mësimit, përgatitjes së nxënësve me frymën e guximit për të shfaqur lirisht mendimin e tyre të pavarur para shokëve, prindërve e kujtdo.

Në gjyqin komunist të zhvilluar në shkurt 1939, Hajrulla Kastrati, i biri i Rizait dhe i Fatimes nga Shkodra, mësues në Bilisht, 22 vjeç, i pa martuem, i pa dënuem, ishte numri 52 i të arrestuarëve.

Më 1943 militoi në radhët e PKSH dhe pas kësaj zhvilloi një veprimtari të organizuar revolucionare. Si mësues luftoi me vendosmëri kundër fashistizimit të shkollës shqiptare. Gjatë periudhës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Hajrulla Kastrati ishte komandant i njësitit gueril të Shkodrës. Ishte një aktivist i shquar në lëmin e arsimit popullor dhe në luftën për çlirimin e atdheut, i njohur me pseudonimin “Vetëtima”. Me qëndrimin e papërkulur ndaj armikut dhe vdekjen e tij burrërore më 12 janar 1944, Hajrulla Kastrati u bë shëmbull frymëzimi për brezin e ri.

Pas çlirimit të vendit figura e tij u vlerësua dhe me të drejtë mori titullin “Mësues i Popullit”. Hajrulla Riza Kastrati me vendim nr. 129, datë 3 nëntor 1969 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Shkodrës është shpallur Dëshmor i Atdheut. Në vitet 1945-1990 në Shkodër ishte një rrugë me emrin Hajrulla Kastrati.

Mësuesi Salo Halili nuk e mposhti as izolimi i familjes, as internimi i babait

Salo Halili lindi më 1909, në Shkodër. Ndoqi shkollën fillore dhe vijoi Gjimnazin e shtetit, ku u regjistrua si nxënës i rregullt në degën normale. Kish dëshirë të bëhej mësues, i donte fëmijët dhe kishte prirje për matematikë, i dhënë mbas muzikës dhe sportit. Sala ishte një ndër studentët e parë të gjimnazit që formuan një grup me mendime të lira dhe me ide përparimtare. Ai e urrente regjimin e kohës. Në sallën e shoqërisë “Vllaznia”, ku zhvillohej leksione për ateizmin, u padit si element kunder regjimit dhe u urdhërua të pushonte veprimtarinë e tij. Në vitin 1930 përfundoi maturën dhe u emërua mësues në Barbullush.

Sala vazhdoi punën pa u shkëputur nga funksioni i mësuesit deri ditën që u pushtua Atdheu nga Italia fashiste. Autoritetet e burgosën si kundërshtar të dyshimtë. E liruan për mungesë faktesh dhe e caktuan mësues në Milot. Pas Milotit u emërua mësues në krahinën e Lezhës dhe të Kosovës. U lidh ngushtësisht me lëvizjen. Në fund të vitit 1942, Sala u pranua në PKSH, ku përgjegjësia dhe rreziqet ishin të shumta. Në fillim u caktua përgjegjës i grupit edukativ të arësimtarëve, pastaj organizator i shpërndarjes së trakteve në qytet dhe i shpërndarjes së ndihmave që dhuronte populli në luftën për çlirimin e Atdheut.

Veprimtaria e tij kundër pushtuesit e tradhëtarëve dhe qëndrimin në legalitet, kishte rënë në sy të tyre prandaj Salës iu desh të qëndrojë ilegal. Kalimi nga një bazë e fshehtë në tjetrën dhe sakrificat nuk e lodhën. Ai nuk e ndërpreu për asnjë çast aktivitetin megjithëse ndiqej nga agjentët dhe spiunët. As izolimi i familjes, as internimi i babait, nuk e bënë Salën, t’i kthehej mendja, por as edhe të tregohej ndopak i veçuar nga veprimtaria luftarake. Si ilegal, qëndrimi më gjatë në qytet ishte i rrezikshëm. Disa baza të tij ishin zbuluar, ai ndiqej së bashku me shumë shokë të tjerë prej pushtuesit nazist e tradhëtarëve. Në ditët e para të korrikut 1944 qarkori i partisë mori vendim që Sala të dilte në mal e të bashkohej me partizanët e batalionit “Perlat Rexhepi”. Natën e 14 korrikut 1944, pak mbas shtetrrethimit, Sala u ndesh me patrullën kuislinge… Shtiu mbi armiqtë dhe ra trimërisht si bien burrat, dukedhënë jetën për Atdheun…

“Flamur i im, flamur kuq-zi ja, po t’përshëndes, dhe për liri jam gati t’vdes… kjo ishte dhe vjersha e dëshmorit të Atdheut Salo Halili.

Salo Halil Tophana me vendim nr. 129, datë 3 nëntor 1969 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Shkodrës është shpallur Dëshmor i Atdheut.

Mësuesi Xheladin Fishta u mësonte gërma në burg e në kampin e Prishtinës

Lindi në vitin 1922 në Shkodër. Pas shkollës fillore, regjistrohet në Gjimnazin e shtetit në degën Normale, duke kryer njëkohësisht mbasdreke dhe punën e shegertit. Në shkollë mësonte mirë, shquhej në lëndët humanitare, merrej me sport, ishte atlet i mirë dhe i pëlqente futbolli.

Ra në kontakt me idetë revolucionare të kohës, të cilat ndikojnë në formimin e tij. Merr pjesë aktive në të gjitha demostratat e studentëve të Shkodrës. Tregohet aktiv sidomos në demostratën e 30 janarit 1940, ku studëntet kërkonin të mos përjashtoheshin nga gjimnazi shoket e tyre. Takohet me Qemal Stafën dhe aktivizohet me rinië e qytetit të Shkodrs.

Në vitin 1942, ishte shpërndarës i trakteve që vinin nga Tirana dhe nga qendrat e ndryshme të Shkodrës, duke qenë organizator i shpërndarjes s tyre. Shpesh u jepte trakte dhe studentëve e pedagogëve… nuk kufizohej vetëm brenda mureve të shkollës, por bënte një punë të madhe dhe jashtë saj. Në demostratën e shkurtit 1942 në kinemanë “Gloria”, Xhelo luan rol të rëndësishëm organizativ, ku të rinjtë lëshuan thirrjet “Poshtë fashizmi”!

Lidhet me Vasil Shanton dhe bashkëpunon ngushtë me Manush Alimanin, për të aktivizuar dhe hedhur në aksione rininë shkodrane në luftë kundër okupatorit. Në vitin 1943 zgjidhet anëtar i komitetit qarkor të rinisë dhe njëkohësisht pranohet anëtar i PKSH. Atij ju ngarkua detyra jo vetëm për aktivizimin e të rinjve të gjimnazit, por edhe për të rinjtë e fshatit. Ai kishte pseudonimet “Fusha” për në zonën e fshatrave të fushës dhe “Fitash”, për në qytet.

Xheladini, porsadiplomuar si mësues, ishte bërë pengesë për krerët e Ballit Kombëtar dhe reaksionit, të cilët filluan ta ndjekin. Një ditë, kur Xheladini po kthehej nga malësia, ku kish qenë për punë ilegale, rrethohet duke hyrë në shtëpi dhe kapet në befasi. E burgosën. Në burg nuk e nderpreu aktivitetin, por ishte përgjegjës politik për burgun e Shkodrës. Reaksioni i komunikoi se ishte emëruar mësues në Pejë, ndonëse ishte i burgosur. Por aty, si dhe në burgun e Tiranës, ku e çuan më pas, i kërkuan deklarata që të mohonte rrugën që kish nisur, por Xheladini u përgjegj: “Kam punuar si komunist dhe deri në vdekje do të mbetem i tillë”!

E nisën për në kampin e Prishtinës nga s’u kthye më… ishte 29 gusht 1944, në barakë ishin Ber Gjuzi, Hamdi Rapi, Gjikë Kuqali dhe Xheladin Fishta.

Xheladin Sadik Fishta me vendim nr. 129, datë 3 nëntor 1969 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Shkodrës është shpallur Dëshmor i Atdheut.

Sakrificat sublime të dëshmorëve mësues në të gjitha etapat e historisë së tij, populli është munduar t’i përjetësojë dhe nderojë në të gjitha mënyrat, si: me këngë, me poezi e prozë, nëpërmjet dramave dhe filmave, me ngritje lapidaresh dhe monumenteve, nëpërmjet varrezave të veçanta, me emërtimin e shkollave, të institucioneve, të lagjeve, të rrugëve, të shesheve etj.

Please follow and like us: