Albspirit

Media/News/Publishing

Shkëputja një herë e mirë e Kosovës nga e kaluara e errët e kriminale e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë duhet të fillojë në fushën e arsimit!

Ismet Hajrullahu

Pa një arsim cilësor nuk mund të kemi një ekonomi, shëndetësi, kulturë e aq më pak një shoqëri të civilizuar dhe të zhvilluar! Pa një shoqëri të civilizuar dhe të mirëarsimuar, vështirë se do të integrohemi në rrejdhat zhvillimore të Bashkimit Evropian.

Pa dyshim, investimet ne fushën e arsimit, janë investimet më afatgjate dhe që kërkojnë një politikë dhe menaxhim sa  koherent aq edhe të kujdesshëm , gjithmonë parë në këndvështimin e investimit në një fushë aq vitale për gjithë shoqërinë në përgjithësi, e në veçanti me një rëndësi shumë të madhe për brezin e ri. Për vetë specifikat që ka kaluar vendi ynë, po të besh një anlizë, bazuar në aplikimin e “reformave” që janë bërë në vijueshmeri nga ministria e arsimit, rezultatet përfundimtare, nuk dalin edhe aq të kënaqshme dhe  nuk mund të gjejmë një etalon karahsues , në rajon apo më gjërë në Evropë, ku edhe i përkasim.

Pothuajse po bëhen dy dekada nga çlirimi i vendit dhe çështja e arsimit në vijueshmeri nuk ka pasur fokusin e duhur nga vetë qeveritë apo nisur edhe nga vetë shoqeria jonë.

Po të shikojmë në historinë tonë, largpamësia e rilindasve tanë të cilët bazoheshin në filozofinë e revolucionit francez, edhe në atë periudhë e kishin prioritare çështjen e edukimit duke pasur si kurs orientimi, se zhvillimi i një shoqërie e nje kombi vjen nga arsimi. Qeveritë në vijueshmeri, në një farë mënyre nuk e kanë quajtur prioritare fushën e arsimit, e që për mendimin tim, do të duhej të ishte edhe sot si një prioritet i një rëndësie tepër të vaçantë  për shoqerinë dhe të ardhmen e Kosovës.

Pa një arsim cilësor nuk mund të kemi një ekonomi, shëndetësi, kulturë e aq me pak një shoqëri të civilizuar dhe të zhvilluar! Pa një shoqëri të civilizuar dhe të mirëarsimuar, vështirë se do të integrohemi në rrjedhat zhvillimore të Bashkimit Evropian.

Vazhdimisht, ne sot, si dje, përballemi me një krizë të thellë në  arsimin e lartë, ku do të veçoja degët të cilat përgatisin kuadrot për fushën e arsimit në të gjitha drejtimet dhe nivelet. Kjo është një situatë shumë komplekse, shumë specifike, ku  për vite ministria e arsimit nuk e ka parë me syrin kritik dhe nuk ka investuar sa duhet. Po të shikosh me kujdes, universitetin publik, kuadrot që po pranohen apo janë pranuar, pjesa dërmuese pa asnjë punim shkencor, ose botime nëpër revista anonime e pa peshë. Për më keq, pjesa më e madhe e akademisë është mbushur me kuadro të komunizmit, që e mbajnë vetën akademikë e që nuk kanë prodhuar, e nuk po prodhojnë asgje për shoqërinë. Pjesa tjetër e akademikëve janë pranuar në Akademinë e Shkencave vetëm duke u bazuar në njohjet e apo miqesinë me politikanë të së kaluarës komuniste e që nuk shquhen për vlera apo arritje të veçanta akademike. Çdo qeveri, gjatë çdo fushate zgjedhore e ka pasur si refren çështjen e arsimit, por që asnjëherë nuk kanë treguar kujdesin apo investimet e duhura për këte shtyllë, tepër të rëndësishme për shoqërinë tonë.

Formimi i kapacitetve dhe resurseve njerëzore për mendimin tim, ështe një fushë që duhet të investohet më shumë prioritet dhe kujdes. Krijimi i platformave të qarta dhe të punuara me kujdes nga ekpertë të lamive përkatëse, mund të jetë nje faktor kyç në trasenë e duhur të një edukimi dhe arsimimi koherent.

Po të shikohet me kujdes, se si kanë lëvizur reformat në fushën e arsimit në Republikën e Shqipërisë, apo edhe në vendet ku shqiparët jane shumicë solide, mund te vërejmë se në Kosovë është folur, por në praktikë është bërë shumë pak, për mos me thënë është bërë regres. Kjo situatë është reflektuar qartazi në rezultatet dhe arritjet ndërkombëtare  që është përfaqësuar Kosova. Modelet apo shkëmbimet akadamike me Shqipërinë janë shumë të vakëta, ndërkohë që ne mund të krijojmë institute studimore për fusha dhe degë të veçanta të cilat do të arrinin në konkludime konkrete se si duhej të reformohej arsimi ynë në përgjithësi, duke iu dhënë brezave të rinj një prespektivë të barasvlefshme me ato evropiane.

Po ashtu, në asnjë qeveri nuk ka qenë prioritet agjenda e kthimit të studentëve që mbarojnë studimet nëpër universitetet e ndryshme e elitare botërore. Perkundrazi, burokracitë dhe mendjengushtësia për evaluimin e diplomave dhe skepticizmi për t’iu dhënë hapsirë studentëve që i kanë kryer studimet jashtë, nganjëherë i bëjnë që ata të jenë mosbesues ndaj vetë sistemit tonë politik e administrativ.

Politikat bashkëpunuese me shumë universitete botërore, por edhe me ato të Republikes së Shqipërisë  mbeten vetem në leter dhe mbetet në dorën apo në iniciativen e individëve për të sjellë ekspertë të fushave të ndryshme. Ministria e Arsimit të Kosovës dhe ajo e Republikës së Shqipërisë, do të duhej të ulen për të parë mundësitë e unifikimit të kurikulumeve të arsimit tonë.

Megjithë deshirën apo vullnetin për të rritur cilësinë në edukim nga stafi mësimdhënës, mendoj që kjo mund të arrihet vetëm me një punë konkrete dhe të koordinuar mirë me institucionin përkatës. Të gjithë e dimë se sa e madhe ka qenë mbeshtetja në fushën e arsimit nga SHBA-ja dhe shumë vende të Bashkimit Evropian. Por, rezultatet kanë qenë në disa trajnime disi të thata dhe pa ndonjë efekt konkret. Mendoj se kemi nevojë për kuadro dhe frymë të re, që t’i pershatet kohës dhe vetë trendeve dhe zhvillimeve bashkohore. Arsimi, mendoj se duhet të jetë larg ndikimeve nga politikat ditore, por duhet të jetë prioritet mbi prioritetet e çdo qeverie e cila e merr seriozisht këtë segment të rëndësisë së vaçantë kombëtare.

Gjithashtu, mbipopullimi me kuadro  plagjiate, i bën dëm të pariparueshëm një shoqërie të tërë. Por, ne nuk duhet të harrojmë se ne në Kosovë kemi rini, një rini shumë inteligjente dhe me kërkesa për një arsim më cilësor, por mjerisht që nga shkollimi bazë e deri tek ai i lartë nuk e ka kujdesin e duhur nga politikëbërësit. Dhe ky është një sistem vicioz i krijuar e që askush nuk mund t’ia dalë në krye, pasi politikanë me mendje komuniste të cilët janë në disa vende kyçe, nuk po i lenë hapësirë gjeneratave të reja që të jenë pjesë e sistemeve menaxhuese nëpër dikasteret përkatëse. Nuk mund të kemi reforma euro-atlantike me një mendësi komuniste në krye të qeverive. Për mendimin tim, nuk do mjaftonte që Kuvendi i Republikës së Kosovës thjesht t’i dënojë krimet e diktaturës komuniste në Kosovë me një rezulutë që kërkohet edhe nga Këshilli i Evropës, nëse nuk shkëputemi nga mendësia e bërjes së politikave e menaxhuese komuniste. Shkëputja një herë e mirë e Kosovës nga e kaluara e errët e kriminale e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë duhet të fillojë në fushën e arsimit.

Please follow and like us: