Embro Zholi: Nënës
1.
Erdhëm nënë të të takojmë
Ç’është ky gjumë që të ka zënë
S’të mjaftuan dyzet ditë
Ti pa ne, e ne pa nënë.
Si të ikim në shtëpi
Vetëm si mund të të lëmë
Nuk na the ç’nevoja ke
Ke pas ftohtë apo ç’ke ngrënë.
Si s’na the një fjalë, o nënë
Si s’na pe njëherë me sy
Mallkuar qoftë ajo ditë
Që na ndau ne me ti.
Siç ke lënë amanetin
Në fshat do vimë ngahera
Po kush do na presi vallë
Kush do na dali te dera?
Ikim me kokën nga pas
Vendi yt lulembuluar
S’kemi ndjerë dhimbje sa kjo
Që ikim pa të takuar…
2.
Nënë e dashur u mbush viti
Që s’të kemi parë me sy
Vijmë në fshat për të takuar
Ti nuk ndodhesh në shtëpi.
Thonë se mund të jesh nga vajzat
Thonë se mund të jesh te djali
Ikim dhe atje pa shpresë
Na ka djeg e pikur malli.
Pse ka mbyllur gojë shtëpia
Të të thotë: Dil te dera
Të na përqafosh e shtrenjtë
Siç ke bërë me ne ngahera.
Në shtëpi çdo gjë e ftohtë
Dallëndyshet nuk vijnë më
Pa ti jeta nënë e dashur
Unë mendoj se s’është asgjë.
3.
Mendojmë se vdekje s’do kishte
Sidomos vdekje për nënat
Jetë e mbrapshtë kjo pa ty
Çdo gjë ta bën me inat.
Te krevati ku ti flije
Jemi shtrirë të gjithë me radhë
Të ndjejmë aromën tënde
Të nxjerrim të madhin mall.
Si më i vogli tënd
Mbase të kam dash më shumë
Kur të flas të më besosh
Për ti lotë janë dedhur lumë…