Albspirit

Media/News/Publishing

Mario Vargas Llosa: Leximi i letërsisë së mirë

Writer Mario Vargas Llosa and Isabel Preysler at photocall for 12 edition of Mujer Hoy awards 2021 in Madrid on Tuesday, 30 November 2021.
Ndodh shpesh që në panairet e librit ose në librari, më afrohet një burrë që mban librin tim në duar për të më kërkuar autograf, ndërsa thotë: “E dua për gruan dhe bijën e vogël, për motrën ose nënën, ato janë lexuese të devotshme dhe e dashurojnë letërsinë.” Unë sakaq e pyes: “Po ju, s’ju pëlqen të lexoni”? Përgjigja është gati e pashmangshme: “E dini, patjetër që më pëlqen, por jam shumë i zënë me punë”. Po e di, sepse këtë e kam dëgjuar me dhjetëra herë: ai burrë dhe mijëra si ai, kanë kaq shumë gjëra më të rëndësishme për të bërë, kaq shumë detyrime dhe përgjegjësi në jetë sa s’mund ta harxhojnë kohën e çmuar duke kaluar orë të tëra për t’u përhumbur në faqet e një romani, të një libri me poezi apo me ese letrare. Ka një ide të përhapur gjerësisht se letërsia është aktivitet jo i domosdoshëm, thjesht për të kaluar kohën, e dobishme për zhvillimin e ndjenjave dhe zakoneve, një stoli për njerëzit që kanë kohë për argëtim dhe duhet të përshtatin kohën për sportin, kinemanë, shahun ose lojën me letra, por është edhe diçka që mund të kalohet në plan të dytë pa e menduar dy herë kur bëhet fjalë për të përcaktuar çfarë është më e rëndësishme në jetë.
Është e vërtetë që letërsia po bëhet gjithnjë e më shumë aktivitet i grave dhe vajzave: në librari, leksione, apo takime ku lexojnë shkrimtarët, dhe sigurisht në departamentet dhe fakultetet e shkencave humane, gratë dhe vajzat e tejkalojnë dukshëm numrin e burrave. Shpjegimi që jepet është se gratë e shtresës së mesme lexojnë më shumë ngaqë punojnë më pak orë se burrat, dhe kalimi i kohës me leximin e krijimeve letrare që krijojnë iluzionin e realitetit është më i përligjur për gratë sesa për burrat. Jam disi mosbesues ndaj interpretimeve që i ndajnë burrat dhe gratë në kategori të caktuara, sepse u mveshin gjinive cilësi dhe të meta kolektive, por është e vërtetë që, në përgjithësi, lexuesit e letërsisë po pakësohen, dhe pjesa më e madhe e këtyre lexuesve që mbeten janë gra. Kjo mund të themi se është e verëtetë thuajse kudo.
Një studimi i Shoqatës së Autorëve Spanjolle doli në përfundimin shqetësues seë gjysma e popullsisë s’kishte lexuar kurrë një libër. Studimi vuri në pah që tek kjo pakicë që lexojnë, numri i grave që i kushtojnë kohë leximit është 6.2% më i madh se i burrave, dhe prirja është që ky hendek të rritet. Jam i sigurt që këto dallime janë të vërteta edhe në shumë vende të tjera ashtu si në vendin tim, Perunë. Sigurisht, më vjen shumë mirë për këto gra, por më vjen shumë keq për burrat dhe për miliona njerëz që mund të kishin lexuar, por kanë vendosur të mos e bëjnë jo vetëm ngaqë ata s’e kanë idenë e kënaqësisë që po humbasin, por, në një këndvështrim më pak hedonist, sepse jam i bindur që shoqëria pa letërsinë apo në të cilën letërsia shmanget është një shoqëri e dënuar të bëhet barbare në aspektin shpirtëror dhe madje ta vërë në rrezik lirinë e saj.
Do të doja ta kundërshtoja me argumente idenë se letërsia është kohë e tepërt e kaluar për qejf për të mbështetur pikëpamjen se është një nga aktivitetet më pasuruese të mendjes, e domosdoshme për formimin e qytetarëve në një shoqëri moderne, demokratike, një shoqëri të individëve të lirë, dhe për këtë arsye, duhet të bëhet zakon që familja ta ngulite te fëmijët që në moshë të hershme. Letersia duhet të jepet mësim si disiplinë themelore gjatë gjithë sistemit arsimor. E dimë tani se e kundërta është e vërtetë, se mësimdhënia e letërsisë po rrudhet dhe madje po zhduket nga kurrikulat shkollore.
Jetojmë në epokën e dijes së specializuar dhe për shkak të zhvillimit të jashtëzakonshëm të shkencës dhe teknologjisë, dija është fragmentarizuar në mënyra dhe degë të panumërta, prirje kulturore që vetëm do të bëhet gjithnjë e më e theksuar në vitet e ardhshme. Shkenca dhe letërsia po ndahen gjithnjë e më shumë nga një kulturë më e përgjithshme, kjo prej shpejtësisë së zhvillimit dhe ndërlikueshmërisë së shkencës, gjë e cila ka çuar në specializimin e dijes dhe përdorimin e gjuhës hermetike. Letërsia, nga ana tjetër, ka qenë, është dhe do të vazhdoje të jetë derisa të ekzistoje, një nga emëruesit e përbashkët të ekzistencës me anë të cilës qeniet njerëzore njohin veten dhe bashkëbisedojnë me njëra-tjetren, pavarësisht se sa të ndryshme i kanë profesionet, planet për jetën, vendndodhjen gjeografike, rrethanat individuale apo epoka në të cilin jetojnë.
Ne që lexojmë Servantesin, Danten apo Tolstoin e kuptojmë njëri-tjetrin dhe ndjehemi pjesë e të njëjtit lloj sepse në veprën që kanë krijuar këta shkrimtarë, mësojmë se si qenie njerëzore gjejmë çfarë është e përbashkët për të gjithë ne, përtej gamës së gjerë të dallimeve që na ndajnë. Dhe s’ka mbrojtje më të mirë ndaj marrëzisë së paragjykimit, racizmit, ksenofobisë, ndarjes politike apo veçimit të plotë nacionalist, dhe kjo e vërtetë e pandryshueshme shfaqet përherë tek letërsia e madhe: burrat dhe gratë në të gjithë botën janë të barabartë, është e padrejtë t’i nënshtrohen diskriminimit, shtypjes dhe shfrytëzimit. Asgjë më shumë se letërsia nuk na mëson të shohim tek dallimet etnike dhe kulturore, pasurinë e trashëgimisë tonë të përbashkët, dhe t’i vlerësojmë këto dallime si tregues i aftësisë tonë të larmishme krijuese.
Leximi i letërsisë së mirë na jep kënaqësi, pa dyshim, por ne gjithashtu mësojmë, duke e përjetuar po aq thellë jetën çfarë dhe si jemi, integritetin tonë njerëzor, veprimet, ëndrrat dhe fantazitë, vetëm ose në marrëdhënie me të tjerët, në personalitetin tonë publik apo tek vetëdija, tek të vërtetat kundërthënëse, të cilat sipas Isaiah Berlin-it, përbëjnë gjendjen tonë njerëzore.
Degët e tjera të shkencave humane si filozofia, sociologjia, historia apo artet, s’kanë arritur ta ruajnë këtë vizion integrues dhe laik sepse edhe ato i janë dorëzuar trysnisë së parezistueshme të ndarjes dhe nënndarjes kanceroze të dijes, duke e izoluar veten në fusha gjithnjë e më shumë te segmentuara dhe teknike të ekspertizës, në fusha ku idetë dhe terminologjia shkojnë përtej mundësive të burrave dhe grave të zakonshëm. Kjo s’mund të ndodhe kurrë me letërsinë, edhe pse disa kritikë dhe teoricienë përpiqen ta kthejnë në shkencë, sepse krijimi letrar s’ekziston për të hulumtuar një fushë të caktuar të ekzistencës. Ajo ekziston për ta pasuruar jetën me anë të imagjinatës, me gjithçka që ka jeta, jeta e pacopëzuar, e pathyer apo rrudhur në skema dhe formula, pa humbur të tërën. Kjo është ajo që nënkuptonte Marsel Prusti kur tha: “Jeta e vërtetë, jeta më së paku e bërë më e qartë, tek e cila hidhet dritë, e vetmja jetë, ajo që jetohet plotësisht, kjo është letërsia.” Ai s’po e tepronte i ndikuar nga dashuria për prirjen e tij të brendshme. Thjesht donte të thoshte se falë letërsisë, e kuptojmë dhe e jetojmë jetën më mirë, dhe ta kuptosh dhe ta jetosh jetën më mirë do të thotë ta jetosh me të tjerët.
Lidhja vëllazërore që farkëton letërsia mes qenieve njerëzore, duke i detyruar të flasin me njëri-tjetrin dhe të kuptojnë se kanë origjinë të përbashkët, se janë pjesë e së njëjtës familje shpirtërore, tejkalon pengesat e kohës. Letërsia na kthen në të kaluarën dhe na lidh me ata që dikur shijuan dhe ëndërruan nëpërmjet këtyre teksteve që na kanë lënë trashëgimi, na japin kënaqësi dhe ushqejnë ëndrrat tona. Kjo ndjenjë e përkatësisë në bashkësinë e qenieve njerëzore në kohë dhe hapësirë është arritja më e madhe e kulturës dhe asgjë tjetër më shumë sesa letërsia s’kontribuon në ripërtëritjen e saj brez pas brezi.
Borgesi gjithmonë mërzitej kur e pyesnin: “Për çfarë është e dobishme letërsia?” Mendonte se ishte pyetje pa kurrfarë kuptimi dhe përherë përgjigjej: “Askush s’e çon ndërmend të pyesë për dobinë e këngës së kanarinës apo të shkëlqimit të diellit në perëndim! Nëse këto gjëra të bukura ekzistojnë dhe falë tyre jeta, edhe pse për një çast, është më pak e shëmtuar dhe më pak e trishtuar, a s’është mendjevogëlsi të kërkosh ta përligjësh ekzistencën e tyre në mënyrë praktike?
Sidoqoftë, ndryshe nga kënga e zogjve ose spektakli i perëndimit të diellit në horizont, poezia dhe romani s’janë thjesht aty, të formësuara nga rastësia apo nga natyra. Ato janë krijime njerëzore dhe kështu është me vlerë të pyetet se si dhe përse u krijuan dhe çfarë i kanë dhënë njerëzimit, për të kuptuar pse letërsia, e vjetër sa vetë shkrimi, ka jetuar kaq gjatë. Ato janë lindur, si fantazma pa formë, në intimitetin e ndërgjegjes, si kombinim i të pandërgjegjshmes me ndjeshmërinë dhe ndjenjat e shkrimtarit. Poetët dhe rrëfimtarët pastaj përballen me gjuhën për t’u dhënë këtyre fantazmave të paforma, trupat, lëvizjen, ritmin, harmoninë dhe jetën. Kjo është një jetë joreale, e modeluar nga gjuha dhe imagjinata, e cila ka bashkëjetuar me jetën tjetër, realen, që nga kohërat më të lashta, kurse burrat dhe gratë kërkojnë njëri-tjetrin në këtë jetë të imagjinuar, disa vazhdimisht dhe disa të tjerë më rrallë, sepse jeta që ata kanë s’u mjafton, s’është në gjendje t’u japë gjithçka që duan. Letërsia nuk fillon të ekzistojë kur shfaqet si vepër e një individi të vetëm, ajo ekziston me të vërtetë vetëm kur përqafohet nga të tjerët dhe nëpërmjet leximit bëhet pjesë e jetës shoqërore, një përvojë e përbashkët.
Një nga efektet e para të dobishme ndodh në nivelin e gjuhës. Një bashkësi pa letërsi të shkruar, e shpreh veten me saktësi, ngjyresa kuptimore dhe qartësi më të vogël sesa një bashkësi tjetër, ku fjala, mënyra kryesore e komunikimit, është lëvruar dhe përsosur nëpërmjet teksteve letrare. Njerëzimi pa lexues, i painfektuar nga letërsia, do të ishte si një bashkësi belbanësh dhe të sëmurësh nga afazia, me probleme të jashtëzakonshme komunikimi për shkak të fjalive të pakuptimta si e foluara e foshnjave. Natyrisht, e njëjta gjë është e vërtetë për individët. Njerëzit që s’lexojnë, lexojnë pak ose thjesht lexojnë gjëra pa vlerë, mund të flasin shumë, por thonë shumë pak, sepse kanë repertor shumë të kufizuar dhe të pamjaftueshëm me fjalë për të shprehur veten. S’ kemi të bëjmë vetëm me kufizim verbal; por edhe me kufizim intelektual dhe imagjinativ. Kjo zbulon varfërinë e mendimit dhe të njohurive, sepse idetë dhe konceptet përmes të cilave kuptojmë realitetin ekzistues dhe të fshehtat e gjendjes sonë s’ekzistojnë jashtë fjalëve përmes të cilave vetëdija jonë i njeh dhe i përkufizon ato.
Mësojmë të flasim me saktësi, jo në mënyrë sipërfaqësore, me saktësi dhe elegancë nga letërsia e mirë dhe vetëm nga letërsia e mirë. Asnjë fushë apo degë tjetër e artit s’mund ta zëvendësojë letërsinë kur bëhet fjalë për modelimin e gjuhës me të cilën komunikojnë njerëzit. Njohuritë që na përcjellin manualet shkencore ose raportet teknike janë thelbësore, por ato s’na mësojnë se si të përdorim fjalët apo të shprehemi në mënyrë korrekte. Këto manuale shpesh shkruhen shumë keq dhe janë të paqarta, sepse autorët e tyre janë të paarsimuar në letërsi dhe nuk dinë si ta përdorin gjuhën për të komunikuar thesaret konceptuale që zotërojnë. Të flasësh mirë, të kesh në dispozicion një gjuhë të pasur dhe të larmishme, të gjesh shprehjen e duhur për çdo ide dhe emocion që dëshiron të shprehësh, do të thotë që dikush është më i përgatitur për të menduar, të mësoje të tjerët dhe vetë, të komunikoje, si dhe të fantazoje, ëndërroje dhe të ndieje. Në mënyrë të mistershme, fjalët iu bëjnë jehonë të gjitha aspekteve të jetës, madje edhe ato që duken se janë hequr nga gjuha. Dhe ndërsa gjuha u zhvillua, në sajë të letërsisë, ajo arriti një nivel të lartë të përpunimit dhe ngjyresave kuptimore, duke shtuar kësisoj mundësitë për të marrë prej saj kënaqësi njerëzore.
…Ka edhe një tjetër arsye për t’i dhënë letërsinë një vend të rëndësishëm në jetën e kombeve. Pa të, mendja kritike, e cila është motor i ndryshimeve politike dhe kampioni më i mirë i lirisë që kemi, do të kishte pasoja të pakthyeshme. Sepse letërsia e mirë ngre pyetje thelbësore për botën ku jetojmë. Çdo tekst i rëndësishëm letrar, shpesh pa qëllimin e shkrimtarit, priret drejt rebelimit. Letërsia s’ka asgjë për t’u thënë atyre njerëzve që janë të kënaqur me fatin e tyre, janë të kënaqur me jetën ashtu siç është. Letërsia ofron ushqim për shpirtrat rrebelë dhe jo-konformiste si dhe siguron një strehë për ata që kanë tepër ose mungesa në jetë, shmang palumturinë dhe çdo ndjenjë të mungesës ose asaj që do.
Letërsia mund ta qetësojë për pak kohë këtë pakënaqësi me jetën, por, në këtë interval të mrekullueshëm, në këtë pezullim të përkohshëm të jetës së ofruar nga iluzioni letrar i cili duket se na shndërron me anë të kronologjisë dhe historisë duke na kthyer në qytetarë të një vendi të përjetshëm dhe të pavdekshëm, ne bëhemi ata qe duhemi. Bëhemi më të thellë në mendime, më të pasur, më të ndërlikuar, më të lumtur, më të qartë se sa në rutinën e kufizuar të jetës sonë reale. Kur, libri të mbyllet dhe trillimi letrar te braktiset, kthehemi në jetën reale dhe e krahasojmë atë me vendin e shkëlqyer prej të cilit sapo u larguam, dhe ky është zhgënjim. Jemi përballur me të vërtetën e tmerrshme: se jeta e fantazisë së romanit është më e mirë, më e bukur, më e larmishme, më e kuptueshme dhe më e përkryer sesa jeta që ne bëjmë kur jemi zgjuar, një jetë e cila peshohet nga kufizimet dhe detyrimet e ekzistencës sonë.
Në këtë kuptim, letërsia e mirë është gjithmonë jo qëllimisht, kryengritëse dhe rrebele: një sfidë për atë që ekziston. Si mund të mos ndihemi të mashtruar, pasi lexojmë “Lufta dhe Paqa” apo “Në kërkim të kohës së humbur”, kur duhet të duhet të kthehemi në realitetin e kësaj bote me pështjellimin e saj të rëndomtë, rregullat dhe ndalimet që na presin dhe në çdo hap ky realitet kërkon të na zhduke iluzionet që kemi. Më shumë sesa nevoja për të ruajtur vazhdimësinë e kulturës dhe për ta pasuruar gjuhën, kontributi kryesor i letërsisë në përparimin njerëzor është ndoshta të na kujtoje (pa e pasur synim kryesor) se bota është katandisur keq. Ata që shkruajnë, për shembull pro pushtetit, gënjejnë dhe bota mund të jetë më e mirë, më afër botës që imagjinata dhe gjuha jonë mund të krijoje.
Një shoqëri demokratike dhe e lirë ka nevojë për qytetarë përgjegjës dhe me aftësi të mendimit kritik, të cilët janë të vetëdijshëm për nevojën për ta analizuar vazhdimisht botën në të cilën jetojmë dhe, për të promovuar për ta bërë atë më shumë si bota që ne do të dëshironim ta jetojmë. Qytetërimi ka lindur dhe është zhvilluar nga kjo dëshirë këmbëngulëse për ta arritur këtë ëndërr të pamundur, të bëje njësh realitetin me dëshirën, dhe me anë të këtij qytetërimi ne kemi mposhtur shumë, por natyrisht, jo të gjithë demonët që na sulmuan dikur.
Dhe s’ka mënyrë më të mirë për të ushqyer pakënaqësi ndaj jetës sesa letërsia e mirë. S’ka mënyrë më të mirë për të formuar qytetarë me aftësi të mendimit kritik dhe të pavarur, të cilët është e vështirë të manipulohen, të cilët janë të zgjuar dhe gjithmonë ngrenë pyetje, sesa ata që lexojnë libra të mirë. Letërsia e mirë i paqëton dhe i shton dëshirat njerëzore. Duke zhvilluar një frymë jo konformiste dhe kritike ndaj jetës, ne bëhemi më të ndjeshëm ndaj pakënaqësisë. Pa rebelim ndaj mediokritetit dhe mjerimit të jetës, ne njerëzit, do të vazhdonim të jetonim në një shtet primitiv, historia do të mbetej në gjendje amullie, individi s’do të kishte lindur, shkenca dhe teknologjia s’do të kishin përparuar, të drejtat e njeriut s’do të njiheshin, as nuk do të ekzistonte liria, sepse të gjitha këto kanë ndodhur nëpërmjet akteve të rebelimit ndaj jetës, e cila shihej si e pamjaftueshme dhe e padurueshme.
Please follow and like us: