PESARE KËROÇAJ, HEROINA LABE E EKZEKUTUAR NGA NAZIFASHISTËT
(Me rastin e 80 vjetorit të ekzekutimit nga pushtuesit fashistë në fshatin Vajzë të Vlorës, të Pesare Xhezo Kërroçaj (22.3.1906 – 30.1.1944), heroinës labe që u ekzekutua nga nazifashistët gjermanë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare).
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Gratë shqiptare përgjatë shekujve të mbijetesës nga pushtuesit kanë luftuar krah për krah burrave dhe kanë qenë burim frymëzimi për trimëri nëpër breza. Ata kanë qenë nëna që kanë lundur trimërinë në djepe dhe kanë përkundur ëndërrat e lirisë së truallit arbëror. Gratë shqiptare që shkruan lavdi me gjakun e tyre janë të shumta në të gjitha betejat, por veçanërisht përgjatë LANÇ-it në rreshtat partizane u rreshtuan qindra gra e vajza në formacionet luftarake, pa llogaritur qindra mijëra të tjera që mbështetën luftën me ushqime, veshmbathje e transportim armësh e mundicionesh në drejtim të frontit. Vetëm historiku i fshatit Vajzë njeh dy shembuj sinjifikativ të kontributit të dy grave heroina të këtij fshati në të cilin shkruhet respektivisht: “Pesare Xhezo Kërroçaj, ka qenë një grua fshatare e varfër. Me sa mundësi që kishte dhe me çfarë i ndodhej në shtëpinë e saj të varfër, jepte edhe ajo kontributin e saj për luftën. Gjermanët dhe bashkëpunëtorët e tyre e kapën Pesaren duke u larguar nga një kasolle dhe e pushkatuan me preteksin se ajo ndihmonte partizanët me ushqime, strehime etj” (Sipas origjinalit të Historikut të fshatit Vajzë të faqes 143, viti 1981 dhe viti 2023, faqe 158) dhe e dyta: “Këze Shahin Sulçaj, nëna e dëshmorëve Mete e Delo Mystehak Sulçaj, u vra nga nazistët gjermanë në afërsi të shtëpisë së saj më 28 dhjetor 1943. Ajo kujdesej shumë për partizanët dhe me çka i ndodhej i ushqente. Të dy djemtë e saj ishin në luftë. Ajo gjithçka e kishte vënë në shërbim të luftës (Këze Shahin Sulçaj, nëna e dëshmorëve Mete e Delo Mystehak Sulçaj, ishte me origjinë nga fshati Beçisht i Tepelenës; sipas origjinalit të faqes 141 të Historikut të fshatit Vajzë, të vitit 1981 dhe të vitit 2023, faqe 157).
Pesare Xhezo Kërroçaj ishte lindur në fshatin Vajzë të Vlorës më 22 Mars 1906 dhe që në fëmijëri u rrit si një vajzë trime që nuk i trembej syri para asnjë vështirësie, sepse sikurse thonë në Labëri, “dardha nën dardhë bie”. Oxhaku i saj familjar e kishte mëkuar që në vajzëri me dashurinë për atdheun dhe urrrejtjen ndaj pushtuesve. Në fëmijëri pati një jetë të vështirë dhe me shumë vuajtje. Persarja ishte një grua trimëreshë që nuk e trembi as kërcënimet e fashistëve dhe as vdekja. Jetoi në një familje shumë të varfër qe e siguronte bukën e gojës me shumë vështirësi me hyzmeqarllëkun e djalit të saj Gjysh Kërroçaj, por të njohur për vlerat e larta njerëzore në fshat e krahinë. Edhe ajo u bashkua me gjithë gratë antifashiste të fshatit Vajzë dhe ndihmonte me ç’kish mundësi luftën Nacionalçlirimtare. Ishte një grua e zgjuar dhe e gojës, nga ato që në ato kohë e shikoje shpesh që të kuvendonte edhe me burrat e fshatit për problemet themelore dhe më të mprehta të fshatit.
Në janar të 1944-ës e kapën fashistët dhe bashkëpuntorët e tyre në një kasolle ku ishte strehuar, për të mos rënë në dorë të tyre, megjithë përpjekjet që bëri për t’u shpëtuar fashistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, nuk i shpëtoi ndëshkimit që fashistët bënin edhe ndaj grave dhe fëmijëve. Kriminelët nazistë të planetit të mbështetur edhe nga disa bashkëpunëtorë kishin mbritur edhe në zonat “problematike”. Pesarja njihej edhe si strehuese e partizanëve dhe aktiviste tepër aktive për mbështetjen e Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Për qëndrimin e saj të vendosur pro LANÇ-it dhe duke mos mundur që ta detyronin të tregonte bazat partizane dhe mbështetësit e luftës partizane e pushkatuan në oborrin e shtëpisë në fshatin e saj në Vajzë të Vlorës. Akti i saj si dhe qëndrimi i palëkundur trimëror edhe përpara pushkatimit ishte një burim frymëzimi i një nëne heroinë për brezat, për atdhedashurinë dhe papërkulshmërinë edhe në situatat më kërcënuese për jetën edhe në momentet kur i morën jetën me vdekje skuadra naziste e pushkatimit.
Breshëria e automatikut ja preu jetën në mes, në moshën 38 vjeçare, Pesare Kërroçaj një nënë e fortë labe me vityte të larta atdhetarie në mesditën e 30 janarit 1944. Shembulli i saj u bë burim frymëzimi për gjithë vajzat e gratë e fshatit Vajzë dhe mbarë krahinës në mbështetje të Luftës së Madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pushkatimi i Pesare Kërroçaj me preteksin se ndihmonte partizanët dhe e kishte kthyer shtëpinë në bazë për mbështetje për partizanët, nuk I trembi dhe nuk I stepi bashkëfshataret e saj, nënat dhe vajzat e fshatit të Vajzës, që ishin bërë mbështetje e fuqishme për luftën antifashiste në fshat dhe në mbarë krahinën.
Fakt është se në gati gjysëmshekulli Pesare Xhezo Kërroçaj është trajtuar si dëshmore edhe pse nuk i ishte akorduar titulli me vendim juridik, kur në fakt e kishte merituar prej kohësh. Në radhët e librit të ish Zëvendësministrit të Mbrojtjes Popullore, ushtarakut madhor Maliq Sadushi, “Fshati ynë i mirë, Histori e fshatit Vajzë”, (Shtëpia botuese, “Arbri”, Tiranë, viti 2002,) në faqen 271-272 ka një gjykim e sugjerim si amanet brezash: “Ökupatori nazifashist në bashkëpunim me tradhtarët, në çdo operacion që ndërmori bëri terror në popull. Ata kapën e pushkatonin gra e fëmijë të pafajshëm. Krime të tilla bënë edhe në Vajzë duke kapur e pushkatuar pa gjyq nëntë vetë, midis tyre edhe dy gra. Po të merret parasysh aktiviteti i këtyre viktimave në dobi të luftës dhe mënyra se si janë kapur nga armiku, qëndresa e tyre etj, ata me të drejtë duhen quajtur dëshmorë të LANÇ-it dhe jo viktima. Ky problem mbetet i hapur edhe në organet kompetente dhe mund e duhet të shikohen në të ardhmen… ligjërisht ky problem nuk zgjidhur ende”. Por populli ynë ka një maksimë proverbiale që thotë se, “e drejta zhytet por nuk mbytet”.
Pesare Kërroçaj ra në fushën e nderit për të mos u harruar dhe për të mos vdekur, sepse ngeli në kujtimet e fshatit Vajzë, të krahinës, ndërkohë që kryeplaku dhe pleqësia e fshatit Vajzë e ka evidencuar si një ndër dëshmorët që plotëson kriteret ligjore, bazuar në ligjin nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, në nenin 5, “Kriteret për shpalljen e statusit “Dëshmor i atdheut”, Pika “d” në të cilën thuhet që: shpallen Dëshmorë të Atdheut “shtetasit shqiptarë të pushkatuar për pjesëmarrjen në formacionet luftarake të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare apo për mbështetje të pjesëmarrësve të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, si dhe të pushkatuar për hakmarrje nga pushtuesit nazifashistë apo bashkëpunëtorët e tyre, nga data 7 prill 1939 deri më 9 maj 1945”. Është mëse e natyrshme se ligji ka hapur dritën jeshile që Pesare Xhezo Kërroçaj, të shpallet me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” bazuar në kriteret ligjore. Propozimi për herë të parë për ta shpallur dëshmore është bërë në vitin 1989-1990, por me kalimin në sistemin e ri demokratik, dokumentacioni ngeli i paplotësuar në ish-Komitetin Ekzekutiv të Këshillit popullor të rrethit të Vlorës. Prishja e sistemit e shtyu procesin e përgatitjes së dokumentacionit në pothuaj mbi një çerek shekulli.
Fakt është se Gratë dhe vajzat u afirmuan si luftëtare të lirisë dhe të progresit shoqëror e politik me aktivitetin dhe me shembullin e tyre, edhe në zonën e fshatit Vajzë si në të gjithë Labërinë. Ashtu si bashkëluftëtarët e tyre, ato i rezistuan faktorëve të rrezikut në luftë, i rezistuan vështirësive të terrenit natyror e të motit, i rezistuan urisë dhe pagjumësisë, i rezistuan torturave dhe plagëve të marra në luftë, u përballën me burgjet fashiste dhe kampet e përqendrimit e të shfarosjes në masë, u përballën me dhimbjen e ndarjes nga jeta të njerëzve të tyre të afërt dhe luftëtarëve të rreshtave partizane. Dhe shembulli më sinjifikativ janë edhe ekzekutimi i dy grave të ekzekutuara nga fashistët në fshatin Vajzë të Pesare Kërroçaj dhe Këze Shahin Sulçaj
Shembulli i kontributit të këtyre grave, luftëtare të lirisë, dëshmore e heroina duhet të njihet, respektohet dhe të mbrohet nga brezat, si modeli luftarak i qëndresës për ekzistencën e mëvetësinë e shtetit dhe kombit. Krahas akteve të larta të trimërisë dhe të vetëmohimit të shumë grave e vajzave si, Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima, Liri Gero, Margarita Tutulani, Shejnaze Juka, Mine Peza, Nimete Progonati, Zonja Çure, Qeriba Derri, Fato Berberi, Qybra Sokoli, Ylbere Belibashi, Shenjnaze Juka, etj., kishte edhe gra që u ekzekutuan si mbështetëse të fuqishme të kësaj lufte të madhe të shqiptarëve. Gratë e fshatit Vajzë dhe të mbarë Labërisë sikurse gratë në mbarë shqiptarinë në Luftën Nacionalçlirimtare, ishin kontribuese reale të çlirimit kombëtar e shoqëror të saj. Lufta ishte në njëjtën kohë edhe një shkollë e madhe për emancipimin shpirtëror të gruas, ku në fakt gruaja shqiptare theu mjaft koncepte e praktika të vjetra dhe afirmoi veten e saj të denjë për një shoqëri të lirë dhe përparimtare. Gjaku i grave dhe vajzave ishte sikurse gjaku i Pesares dhe Këzes ishte trupëzim me lirinë e kombit shqiptar, që meritojne vlerësim në ditët tona.
Të dhënat biografike të Pesare Xhezo Kërroçaj janë përgatitur në bashkëpunim OKDA-së, Dega Selenicë, një grupi të posaçëm pune të Kryesisë së Shoqatës Kulturore Atdhetare të fshatit “Vajzë”, dhe të kryepleqësisë së fshatit Vajzë, duke shfrytëzuar të gjitha të dhënat e tjera të publikuara të “Historikut të fshatit Vajzë”, dorëshkrimi i vitit 1981, dokumentacionin e trashëguar nga OKDA-ja Dega e Vlorës, në dokumentat autentike të grumbulluara nga fshati Vajzë i Bashkisë së Selenicës të Qarkut të Vlorës, të dhënat muzeale të ish-Muzeut të fshatit Vajzë, publikime e të dhëna të ish-partizanëve të fshatit Vajzë dhe të krahinës, shkrime dhe të dhëna nga ish-mësuesi i historisë së fshatit Vajzë Nasip Xhelilaj, libra të publikuara nga ish-partizanë të formacioneve çlirmitare që kanë qenë pjesë e këtyre formacioneve si në çetë, batalion e Brigadë Partizane, ku një ndër librat bazë është libri i ish-partizanit dhe ushtarakut madhor Maliq Sadushi, “Fshati ynë i mirë, Histori e fshatit Vajzë”, si dhe të dhëna të tjera burimore në këto tetë dekadat e fundit.