Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA/Skandali që rrëzoi një president

Kanë kaluar 45 vjet që nga ngjarja në kompleksin e zyrave të Uotergejtit në Uashington. Incidenti i qershorit 1972, fillimisht u pa si një tentativë e zakonshme për vjedhje.

Më vonë u zbulua se fjala ishte për një skandal që përfshinte figura të larta pranë Shtëpisë së Bardhë. Si pasojë, Presidenti Richard Nixon u detyrua të japë dorëheqjen.

Rafael Saakov i Zërit të Amerikës vizitoi kompleksin Uotergejt dhe gazetën “Washington Post”, gazetarët e së cilës luajtën rol kyç në hetime.

Rruga për tek dorëheqja e Presidentit Richard Nixon filloi më 17 qershor 1972, ditën kur disa persona, të punësuar nga ndihmësit e Presidentit Nixon, hynë në selinë e Partisë Demokrate në kompleksin Uotergejt, për të instaluar pajisje përgjimi.

Një ditë pasi pesë njerëz u arrestuan në selinë e Komitetit Kombëtar Demokrat, sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Ron Ziegler, e quajti ngjarjen një “vjedhje ordinere”. Por gazetarët e “Washington Post”-it, kishin dyshime të forta se nuk ishte ashtu.

“Gazetarët zakonisht janë njerëz që ndjekin faktet dhe që u kërkohet të mos spekulojnë apo imagjinojnë. Por unë mendoj se disa njerëz në redaksinë e asaj kohe kishin një farë ideje se ç’rrugë mund të merrnin gjërat,” thotë Martin Weil i Washington Postit.

Martin Weil ishte redaktor në detyrë i gazetës natën kur u kapën hajdutët. Duke monitoruar radiot e policisë ai dëgjoi diçka interesante. Ditën tjetër ai kontaktoi redaktorët e lajmeve

“Kur u thashë se kisha dëgjuar diçka në radiot e policëve, ata u gjallëruan. U ndanë detyrat. Mua mu kërkua të telefonoja personalitete të ndryshme të lidhur me Partinë Republikane. Megjithatë, askush nuk tha se hyrja në Uotergejt ishte kurdisur nga republikanët,” kujton Weil.

Ndonëse Weil nuk ishte gazetari kryesor që mbulonte Uotergejtin, ai kujton se si Carl Bernstein dhe Bob Woodward, dy gazetarët kryesorë që merreshin me këtë ngjarje, punonin pa pushim, ditë e natë:

“Washington Posti ishte i pari që e mbuloi Uotergejtin. Por ngjarja ishte aq interesante saqë edhe gazetat e tjera nuk mund të rrinin prapa por donin pjesën e tyre.”

Weil shikon ngjashmëri me hetimin aktual për Rusinë pas hakimit në zyrat e Komitetit Kombëtar Demokrat gjatë zgjedhjeve të 2016-s dhe reagimeve të zotit Donald Trump ndaj medias:

“Pjesë e arsyes që Uotergejti ka lënë gjurmë kaq të forta është dyshimi i medias ndaj qeverisë. Nuk do ta quaja armiqësi të medias, por thjesht dyshim. Presidenti ka thënë ndonjëherë – ndoshta pa e menduar mirë – se media është armiku. Prandaj nuk duhet të duket e pakonceptueshme që disa njerëz në qeveri ose në media ta shohin Shtëpinë e Bardhë si armike. Sigurisht, ky nuk është pozicioni im dhe as pozicioni i shumë të tjerëve.”

Weil thotë se ai dhe kolegët e tij thjesht po kryenin “punën e tyre si gazetarë”, kur zbuluan skandalin Uotergejt. Sot pas 45 vjetësh, Weil ende punon për Washington Postin, duke bërë detyrën si gazetar.

Please follow and like us: