Albspirit

Media/News/Publishing

EKSPOZITA E MARK SHAGALL NЁ TIRANЁ DHE DISA FOTOPORTETE TЁ TIJ NGA GJON MILI

Kristaq Balli
Rastësisht, por jo edhe pa një jehonë vlerësimi e kujtimi për mjeshtrin tonë të madh Gjon Mili mbetet një veprimtari e piktorit të shquar ruso- francez me origjinë hebraike, Marc Chagall (1887-1985) në Shqipëri. Në vitin 2018 në një nga hollet e kryeministrisë, në Tiranë, u çel ekspozita “Graviteti Magjik” me 180 gravura e grafika të përzgjedhura nga tre ciklet më të njohura ilustruese për librat “Shpirtra të Vdekur” (Gogol), “Stuhia” (Shekspir) dhe “Fabulat” (La Fonten) të Mark Shagall -it, “mbijetuesi i fundit i gjeneratës së parë të modernistëve europianë”(Michael J. Lewis) Ai u ngjiz në Paris me të gjitha rrymat e teknikat moderne pikturale, por veprat e tij nuk i ngjasonin asnjerës prej tyre, pasi ato ishin më pranë subkoshiencës poetike, metaforike që lindnin nga brenda dhe jo nga forma reale e jashtme fizike, ato ishin “piktura jologjike dhe fantastike” (Sweeney). Shagall nuk dëshironte që punët e tij t’i nënështroheshin ndonjë shkolle apo lëvizje të caktuar artistike, ai mëtonte gjuhën e tij personale të simboleve shprehëse. Sidoqoftë ai konsiderohet si një piktor që “flirtoi” me shumë stile radikale moderniste abstrakte, si kubizmin, fauvizmin, surrealizmin, simbolizmin, suprematizmin, duke u bërë një figurë e spikatur në të ashtuquajturën Ecole de Paris (Shkolla e Parisit). Origjinai hebraike e Shagallit ndërkalli në krijimtarinë e tij bashkërendimin e traditave të vjetra, folklorin, etnografinë hebreje, si dhe kujtimet, dashurinë dhe afeksionin për vendlindjen e familjen me stilet e artit modernist. Kritiku Guillame Apollinaire është shprehur se vepra e Shagallit është “supernatyrale”. Vetë Shagalli shprehej me dredhi: “…edhe unë pothuajse nuk i kuptoj ato. Sepse, ato nuk janë letërsi, janë vetëm një aranzhim i imazheve që më pushtojnë mua…” Ai u “saturua” në Paris me të gjitha rrymat e teknikat moderne pikturale, por veprat e tij nuk i ngjasonin asnjerës prej tyre, pasi ato ishin më pranë subkoshiencës poetike, metaforike që lindnin nga brenda dhe jo nga forma reale e jashtme fizike, ato ishin “piktura jologjike dhe fantastike” (Sweeney). Shagall nuk dëshironte që punët e tij t’i nënështroheshin ndonjë shkolle apo lëvizje të caktuar artistike, ai mëtonte gjuhën e tij personale të simboleve shprehëse.
Sidoqoftë ai konsiderohet si një piktor që “flirtoi” me shumë stile radikale moderniste abstrakte, si kubizmin, fauvizmin, surrealizmin, simbolizmin, suprematizmin, duke u bërë një figurë e spikatur në të ashtuquajturën Ecole de Paris(Shkolla e Parisit).
Mark Shagall mban titullin Qytetar Nderi i Jeruzalemit, ka marrë Kryqin e Madh të Legjionit të Nderit (Francë), e shumë çmime e vlerësime .
Gjon Mili si “gjuetar” nuhatës i artistëve të mëdhenj duhet ta ketë njohur Shagallin gjatë emigrimit të tij të parë nga Franca në ShBA dhe e ka takuar piktorin në vitin 1949 pas kthimit të tij përfundimtar nga ShBA në Francë, e cila ishte shndrruar në një “qendër artistike” ku jetonin e punonin edhe artistë të tjerë të famshëm mdernistë e novatorë që i mëkuan artit një ferment të vrullshëm abstraksioni, si Matisse, Fernand Léger, Picasso, Raoul Dufy, Ossip Zadkine, Marie Laurencin, Maurice Vlaminck, Jean Arp, e akoma më të rinj.
Ndërkohë Shagall jetonte në Côte d’Azur. Duke jetuar pranë Pikasos, ata shpesh punonin bashkë, kishin një lloj rivaliteti midis tyre edhe pse vepra e secilit ishte qartësisht e ndryshme. Sidoqoftë, ata nuk u bënë kurrë miq të ngushtë e për një kohë të gjatë. Sipas zonjës së Pikasos, Fransuaz Zhilo (Françoise Gilot), bashkëshorti i saj kishte respekt të thellë ndaj Shagallit, sidomos për aftësinë e ndjeshmërisë së ngjyrave dhe dritës.
Me sa duket, Gjon Mili e kishte parashikuar e planifikuar në udhëtimin e tij në Francë në verën e vitit 1949 takimin e tij me këtë grup piktorësh “komshinj” dhe realizimin e seteve fotografike për 9 syresh, më i vështiri, por më sensacionali nga të cilët rezultoi ai me Pikason.
Takimi i Gjon Milit me Shagallin duket se është bërë në studion e piktorit, ku Mili ka shkrepur një seri prej afro 10 pamjesh, portrete, situata gjatë punës, disa vepra të piktorit, të cilat ishin të destinuara dhe u botuan në revistën “LIFE”, që nuk “kërcasin” shumë si ambicje artistike, por që për Shgallin mbeten një dëshmi vizive në të 60-at e tij, kur ai ishte ende shumë vital dhe prodhimtar në disa zhanre të artit pamor modern. Ilustrimet e shkrimit janë disa prej fotove të Gjon Milit të realizuara me këtë rast. Ato pasqyrojnë portretin fizik, por edhe atë psikologjik të Shagallit, një artist në pamje i thjeshtë, jo ekstravagant, por ambicioz e i përqëndruar në punën e tij dhjetravjeçare e sistematike, eksperimentuese e në kërkim të vazhdueshëm të zhanreve e nënshtresave të shumta të pikturës moderniste të shekullit XX, të gërshetuara me traditën ekzistencialiste e spiritualiste të kulturës dhe përkatësisë të tij hebraike. Kjo kulturë i dha një konotacon shumë origjinal e të sukseshëm artit dhe krijimtarisë së tij pamore e do ta vendoste atë në panteonin e piktorëve më prodhimtarë e më të suksesshëm evropianë modernë të shekullit të kaluar, ashtu si edhe fotografin shqiptar Gjon Mili, i cili, siç shkruan edhe vetë në kujtimet e tij të botuara e ruajti miqësinë e tij me Shagallin pafundësisht.
Në revistën LIFE, ku u botuan disa prej fotove thuhet: “Një rus nga vendlindja, por një qytetar francez i natyralizuar, Shagall pikturon si në ëndërr tabllo analitike si psh. ajo e një gjeli. Ai ishte tërësisht i gatshëm të pozonte për Milin, por dukej pak i shqetësuar për rezultatin. “ Ёshtë vështirë të më fotografosh mua,” thosh ai me shaka, “përveçse po të jem në gjumë, ku mund të pozoj vazhdimisht”. Sidoqoftë, ai u kënaq me fotot e Milit. (The Old Men OF Modern Art: LIFE Dec 12, 1949, p.89
Ja pse ekspozita e Shagallit në Tiranë më evokoi edhe takimin e tij me Gjon Milin, një ngjarje që shumica e adhuruesve të tij këtu nuk e njohin.
Please follow and like us: