Mehmetali Rexhepi: POETI I LIRIKËS SË HOLLË
IN MEMORIAMAdem GASHI (1953-2024)
Kumti i ri secilën herë vjen me drithërime të pa këndshme dhe të këndshme… Kësaj here erdhi i trishtuar duke na dëftuar ftoftë, sikurse di të jetë kallnori, erdhi me ikjen në botën e amshuar të mikut tonë të Drenicës heroike, Poetit lirik nga më të hollët e brezit tonë Adem Gashit!
Pa dyshim: jemi varfëruar të gjithë ne që flasim shqip, të gjithë ne që lexuam poezitë e thurura me mendjen, zemrën e dorën e tij përmes tridhjetë e gjashtë shkronjave të shqipes, të gjithë ne që u bëmë robër të fjalësit shqip, të vargut shqip… Njërin prej tyre e kishim, por fizikisht nuk do ta kemi: Poetin Adem Gashi! Disa përlotje për Ademin janë vetëm një shfryrje e vogël e dhimbjes, por mungesa për të do të jetë e gjatë. Kjo dhimbje rrjedh si diçka e natyrshme për mikun e vlerave të urtisë. Megjithatë, ngushëllimi i vetëm mbetet krijimtaria e tij e shkruar, vargjet e tij. Në vargje Ai la shpirtin e gjallë të njeriut, të mikut, të mjeshtrit, të shkrimtarit model. Vetëm kjo rrethanë është ngushëllimi më i bindshëm për mikun e gjallë të mahive, për urtarin e burrin e ndejave mbresëlënës, por, por mbi të gjitha për latuesin e sprovuar të vargut…
Adem Gashi arriti të zotërojë një sintaksë poetike të mëvetësishme, të qartë dhe të thellë, komunikuese për secilën shtresë të lexuesve. Poeti ynë Adem Gashi la për brezat një fond të çmuar shkrimesh poetike, eseistikë, në prozë e publicistikë. Në kujtesën e freskët të miqve, i ndjeri la mbresa të pashlyeshme të komunikimit, të një mënyre komunikimi të prajshëm me batuta, me shijen për qeshje, një përvojë jete e denjë për t`u velur në vëllim të posaçëm libri.
Me një fjalë: kapitali i tij intelektual e moral ishte i pasur dhe përfaqësonte një mendje të pjekur largvajtëse.
Faleminderit Adem Gashi për vlerat tua njerëzore, kontributin tënd intelektual e artistik në funksion të kulturës, mendimit e të shkrimit të shqipes tënde të kulluar! U takofshim në botën e pakufishme të amshimit!
Gjilan, më 16 kallnor 2024.