Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Mbi fletën e bardhë melodi vargjesh

Skicë
Tingulli i ziles së orës mbi tavolinë më zgjoi e nuk po kuptoja, ishte natë apo ditë. E përgjumur kontrollova akrepat për të kuptuar sa ishte ora. Ishte mesditë. Gjumi i ëmbël më kishte thirrur pranë vetes, tek qëndroja përpara shkresave sa një mal mbi tavolinë. Tingulli i orës trokiti tek unë si një mik i mirë, për të më bërë të kuptoj se duhej të vazhdoja punën e lënë përgjysëm.
Qëndroja ulur në poltron. Ndjeja plogështinë që më kishte mbërthyer, e doja të shkundesha për një çast. Fletët e bardha qëndronin para meje sikur donin të më flisnin me gjuhën e tyre, se kishin kohë që prisnin t’i prekja. Fëshfërima e tyre më ledhatonte mendimin se puna duhej mbaruar në kohë, tek qëndroja mes plogështisë dhe dëshirës për të vazhduar.
U ngrita dhe u drejtova drejt termusit të kafesë. Ndoshta do të më ndihmonte ai lëng i çuditshëm që freskon gjymtyrët me shijen e tij. Aroma e kafesë përkëdhelte shqisat e mia. Prekja ndjesinë e kënaqësisë së rrufitjes së lëngut që shijonte aq shumë në momente e çaste plogështie.
U drejtova me filxhanin dhe termusin e kafesë drejt tryezës sime, vend aq i dashur për mua, tek më prisnin fletët që më dëshironin me ankthin e shkrimit. Kërkonin gërmën, fjalitë, e unë duhej të vazhdoja ritmin me tik-takun e ëmbël të kohës që më ndiqte si mësuese e mirë, tek më nxiste mendimin për të vazhduar.
Rrufisja ngadalë kafenë, mora penën dhe fillova të shkruaj. Formoja fjalitë e mendimit, e ngazëllehesha tek bashkoja ngjyrën e bardhësisë së fletës me ngjyrën e zezë të gërmës.
Fletë e bardhë, që pret të mbushesh prej gërmave që lodrojnë nën harenë e shprehjeve, që nuk pushojnë së vallëzuari me mendimin tek shtohen rradhët e gërmave, duke formuar fjali që nuk e kushtëzojnë mendimin në zgjedhje. Ndiqja ritmin e haresë e nuk shkëputesha dot prej saj. Dëshira më tërhiqte të krijoja mbi fletën e bardhë melodi vargjesh, të cilat bashkonin gërmat dorë për dorë, tek harmonizonin ngjyrën e veshjes me njëra-tjetrën, kurorën e zbukurimit të ngjashme me njëra-tjetrën, e shpirti shihte nëpërmjet dritës së tij, se si gërmat ktheheshin në vasha lozonjare që vallëzonin në lëndinën e dijes, ku çdo lule formonte një gërmë, çdo fije bari formonte një tingull gërme, e nuk ndalesha duke formuar lëndina brenda memories së shpirtit. Isha mbërthyer në gjuhën e dijes, lodroja bashkë me gërmat në lëndinën e dijes, shijoja harenë e shpirtit me kurorën e luleve gërma, kurorë zbukurimi prej livadhit ku këndohej me harenë e vashave të virgjëra që i gëzoheshin dashurisë në krijim. Kjo hare kishte mbërthyer shpirtin tim e nuk po kuptoja, isha unë që këndoja, apo vashat e lëndinës? Isha unë që udhëhiqja këtë hare, apo vashat me kërcimin e tyre të dashurisë?
Befas, tingulli i orës mbi tavolinë më shkundi përsëri, por këtë herë jo nga dremitja e çastit, por nga hareja e shpirtit në krijim.
Vështrova orën, akrepat shënonin dhjetë. Ishte vonë. U ngrita ngadalë, por jo për të pirë e shijuar kafenë, por për të shijuar bukurinë e një tufe me lule.
U drejtova për nga kopshti i shtëpisë. Këputa një degëz me trëndafila. Aroma e tyre më tërhiqte për tek livadhi i vashave që kishin lodruar me mua.
U afrova tek tavolina. Faqet e bardha më përshëndesnin të lumtura se ishin zbukuruar me fjalë e shprehje prej të cilave formova lëndinën e dashurisë, ku shkruhej nga vetë hareja e dashurisë…
Libri ishte në përfundim. Epilogu më ndihmoi të kuptoja atë natë, se dashuria më kishte rrëmbyer në krahët e saj, duke shënuar orën e fillimit dhe të mbarimit të faqes së fundit të romanit tim mbi dashurinë!
Please follow and like us: