Erotikat marramendëse të Roden dhe jeta e kapur fluturimthi
——-
Viti 1900. Skulptori i famshëm Ogyst Roden (Auguste Rodin), ishte në kulmin e artit të tij kur lava e vullkanit të tij shpërthyes derdhej e ngurtësohej për të na dhënë veprat më të mira të krijuara nga ai. Padyshim që skulptori i fuqishëm botëror me kohë u kthye në një referencë të padiskutueshme të artit botëror dhe mbetet i tillë edhe sot për modernitetin e tij. Ishte pikërisht moderniteti i tyre ajo çka dalloi një Rimbaud, një Baudelaire, një Modigliani apo Chagall, etj, nga bashkëkohësit e tyre artistë. Moderniteti ishte tek e reja që ata sillnin në konceptimin e figurës, peizazhit, imazhit jetësor, të linjës e ngjyrës, larg akademizmit të dikurshëm.
Shumë vite më parë kisha gjetur një libër me vizatimet dhe guashet e skulptorit Roden dhe që atëherë rikthimi në figurat e tij është gjithnjë frymëzues, ajror, poetik, jo pse në fillim isha habitur që një skulptor të ishte njëkohësisht një piktor kaq i fuqishëm dhe vizatues fin, por sepse, dalëngadalë kuptova se në të gjitha krijimet skulpturale të tij, themelore ishte vizatimi. Pikërisht aty, përmes vizatimeve të hedhura me shpejtësi, me një “të rënë” të lapsit apo guashit, të hedhura mbi letër dhe të pakorigjuara, por të kapura nga imagjinata në një frekuencë të sekondës, pra jeta e kapur fluturimthi, ishte arti i tij i vërtetë, ishte lëvizja, një dinamikë që i jepte jetë figurës, që e bënte atë të vibronte para syve të publikut. “Arti nuk ekziston pa jetën, – thoshte Roden në një intervistë të kësaj kohe, – iluzioni i jetës arrihet nga një model i mirë dhe nga lëvizja. Këto dy cilësi janë si gjaku dhe fryma e të gjitha veprave të bukura”.
Roden i shikonte figurat dhe vizatimet e tij si vizione “fugitive”, siç i quante ai, pra që iknin shpejt, me tipare «frenetike», ku siç shtonte ai, «nuk eshtë as linja, as ngjyra, por është vetë lëvizja, jeta…” “Veçanërisht ata që nuk e njohin pikturën, ju pëlqen së pari përpikmëria dhe saktësia e vizatimit, lëvizja gjoja “fisnike”. I padituri nuk kupton asgjë nga kapja e thelbit në mënyrë të guximshme, pa u kapur pas detajeve të panevojshme por duke kapur vërtetësinë e së tërës. Nganjëherë të duket se vizatimi është i bukur. Por ai është i tillë nga e vërteta dhe ndjesia që na përcjell. Realisht nuk ka “stil të bukur”, as vizatim të bukur, as ngjyrë të bukur: ka veç një bukuri, ajo e vërtetësisë që piktura na përcjell. Dhe kur një e vërtetë tillë, një ide e thellë dhe një ndjesi e fuqishme shpërthen në një vepër, padyshim që stili, ngjyra dhe vizatimi janë të përsosura. Por kjo cilësi vjen veç nga të vërtetat që ato reflektojnë… tek Rafaeli, nuk është thjesht stili apo vizatimi i përsosur në vetvete, por është ajo ndjesi e paqtë që zhvendoset nga shpirti tek sytë dhe që shprehet pastaj përmes dorës së tij, është dashuria që shtrihet nga shpirti i tij mbi gjithë natyrën…”
Erotikat marramedëse…
Në vizatimet e Rodenit, ashtu si dhe në gjithë veprën e tij skulpturale, në themel është trupi njerëzor, ashtu siç është ajo në vizatimet e Raffaelo-s, Mikelanxhelos apo të një Leonardo da Vinçi të paarritshëm… Eshtë gjesti i kapur fluturimthi, sipër të cilit artisti Roden ka shtuar me gishtat e tij njolla ngjyrash, në okër, në të kuqe, apo në blu a në të verdhë, për t’a nxjerrë vizatimin në dritë. Ndër veprat që vlerësohen veçanërisht nga krijimet e tij skulpturale këto pesëdhjetë vitet e fundit janë erotikat e tij, ato trupa femërorë që “klithin” në vërtetësinë dhe ndjesinë e tyre, erotika skulpturale që janë vendosur në “Muzeun Roden” në Paris në një ekspozim të përhershëm, për çka krenohet dhe ky muze, edhe pse vepra monumentale e Rodenit është e madhërishme. Por në erotikat e tij, Rodin ka shprehur të tjera ndjesi, ka bërë të flasë femrën, seksin e saj, jo si një Courbet me realizmin e tij në një vepër mitike tashmë si Origjina e botës, por në një lëvizje e dinamikë të habitshme, çka të rrëmben sapo i shikon. Duke qenë se dikur banoja në Rue de Grenelle, pranë këtij muzeu, këto erotika u bënë mjaft familjare për mua, ku gjithnjë zbuloja aspekte të tjera, pasi midis veprës dhe publikut vendosej një dialog i heshtur, pa zë, dhe çdo rivendosje para skulpturës të shfaqte diçka të re nga trupi femëror. Padyshim erotika të mrekullueshme që askush tjetër në skulpturë nuk i ka krijuar si ai, në atë vërtetësi e forcë. Por kur shikon pikturat e tij, “erotikat në letër”, e kupton sërrish se në themel të veprës skulpturale paraprin vizatimi. Janë pikërisht ato vizatime dhe guashe që kanë kapur atë lëvizje që i duhet një skulpturë për të shkaktuar emocion dhe për të mos qëndruar i ftohtë ballë saj. A nuk e kishte thënë dhe vetë ai se ”vizatimet e mia janë çelësi i artit tim”?… Eshtë tepër e thjeshtë, këmbëngulte Rodin, duke nënkuptuar si të thuash se ai nuk bënte skulpturë, por vizatonte me materiale të ngurta, në mermer, bronx, gur… “Skulptura ime është veçse vizatim në të gjitha dimensionet”, shkruante ai. Pra për mjeshtrin e madh, skulptura ishte një tjetër praktikë, që fillonte me vizatimin, me një refleksion artistik, të cilin ai e ushtronte para se të zbulonte skulpturën…
Jam rikthyer sërrish në Muzeun Roden dhe jam rigjetur përsëri para erotikave të tij në skulpturë e në pikturë dhe menjëherë e kuptoj vlerën e madhe të vizatimit në krijimin e një artisti të telajos apo të skulpturës… Të kapësh jetën fluturimthi është padyshim një art i madh! Kur del nga muzeumi, në krah të majtë qëndron figura madhështore “Mendimtari”, në të djathtë “Qytetarët e Calais” apo relievet e mëdha. Poshtë muzeut në metro, përsëri një kopje e “Mendimtarit”… dhe pak stacione më tutje, në daljen e metrosë “Vavin”, ti ndalon ballë figurës në bronx të Balzakut, që dhe ajo është thjesht një imazh i kapur vetëtimthi i figurës së shkrimtarit të madh, që fillimthi nuk u pranua të vendosej në një shesh të Parisit. Shtatorja e famshme u vendos veçse 40 vjet më vonë, kur Rodeni kishte kohë qê kishte vdekur…
Please follow and like us: