Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Avdush Canaj

 

 

KREHËR YLBERI

 

Syri i diellushit

shikon nga dritarja e reve

si lahen lulet në shi

e kënaqen

luajnë balet

me këngën e zogjve.

 

Kur dushi harxhohet

në krahët e lejlekut

zbret i buzëqeshur

me krehër të ylberit

ua kreh flokët.

 

PLEPI 

 

Plepi.

U bë nërvoz plepi!

E pse athua?

Për këmishën e vjeshtës.

Nuk kishte pulla?

Jo, si rrinte mirë.

S`e dua,- tha.

E zbërtheu dhe e hudhi në bar.

Gjethet e pikturuara u bënë zogj. Fluturuan qiellit.

Mbeti pa këmishë plepi?

Natyrisht.

A qeshën retë? A ia qitën gjuhën?

Për kokë të nënës jo. Sepse…

Sepse plepi u mërdhi!

Mos u ngut, zemër! Fjollat e borës erdhën. Erdhën shpejt. Shpejt e shpejt  ia qepën këmishën e bardhë.

Tash nuk dridhej plepi, ë?

Çfarë! I qeshnin qepallat. I kishte hije. I rrinte mirë.

Kështu i thanë edhe lumi. Edhe kodrat. Duartrokitën.

Princ i bardhë u bë plepi.

E çka ndodhi pastaj?

Pastaj erdhi kali.

Cili kalë?

Ai i përrallës sime. I bardhi. U nisën kah mështekna. I priste me vellon e dimrit

Dhe?

Më tej s`di. Më zuri gjumi. Pyete harabelin, ai i di të gjitha.

 

FALMA KËNGËN

 

Hënën e ndërroj

me dy ëndrra të magnoljes.

 

Qiellin ta jap

për një dallëndyshe çapkëne.

 

Merre barkën, nëse do

ma lë gjysmën e detit.

 

Edhe ai yll mbi plep

është yti.

 

Tash falma këngën

orkestruar nga guguçja.

 

DIKUSH

 

Dikush shet pranverën me zogj

Dikush djepin e valëve të detit

Ai tjetri fluturimin e lejlekve

Kush qengjat e bardhë të reve

Një tjetër kërcimin e ujëvarës.

 

Shoku im ul çmimin

Për shallin e manushaqes.

 

Unë fal si përherë

Lumturinë e degëve

Kur kthehen gugutë.

Please follow and like us: