TAJAR PRODA NGA FUSHËBARDHA, PARTIZAN I BRIGADËS V SULMUESE
(Në përkujtim të partizanit Tajar (Tetar) Proda nga Fushëbardha si dhe në kuadrin e 80 vjetorit të Brigadës partizane “Heroinë e Popullit”, e cila është formacioni më i madh luftarak i UNÇSH në qarkun e Vlorës, formuar mbi bazën e 2 batalioneve “Ismail Qemali”, “Halim Xhelo”, vullnetarëve të rinj që plotësonin radhët e saj, një ndër 27 brigadat e UNÇSH; shumica e luftëtarëve nga Vlora, Labëria, luftëtarë të vjetër, ish- partizanë të Çetës “Plakë” të Vlorës, e të shumë njësive të tjera. Në fillim me 3 batalione me 960 partizanë; më 28.11.1943 në Gumenicë, ishte planifikuar inagurimi, por duke qenë i angazhuar në luftime për përballimin e operacionit nazifashist “Bergkessel” në luginën e Lumit të Vlorës, në dhjetor 1943, ku ra dhe komandanti i parë i Brigadës, Heroi i Popullit Abaz Shehu. Përurimi më 20.1.1944 në fushën e Bramyshnjës në rrëzë të Tërbaçit ishte ngjarje me rëndësi të madhe politike-ushtarake; më vonë kjo brigadë kishte 5 batalione me 1200 partizanë. Rrugëtimi luftarak i kësaj brigade ishte 3700 km, rrugëtim që shkroi lavdinë. (Sipas librit “Historiku i Brigadës V Sulmuese, Shtëpia Botuese “8 Nëntori, 1989, të shkruar nga Delo Balili, Reis Malile, Ethem Gjinushi… etj. Lavdi në përjetësi 1200 partizanëve dhe 363 dëshmorëve, 13 heronj të popoullit, që u rreshtuan në Bramyshnjë dhe që shkruan lavdinë shqiptare të messhekullin XX).
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
BrVS – krenaria, lavdia, trimëria dhe mençuria e LANÇ-it
Brigada V Sulmuese, ishte dhe mbeti përjetësisht krenaria, lavdia, trimëria dhe mençuria e LANÇ-it. Tetë dekada më parë u themelua një nga formacionet më të lavdishme të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, Brigada V Sulmuese, brigada që e bëri krenare gjithë Labërinë bashkë me BrVISulmuese. Më 20.1.1944, 960 luftëtarë u mblodhën në fushën e Bramyshnjes për t’i dhënë jetë Brigadës V Sulmuese e cila shpejt u shndërrua në simbolin e rezistencën antifashiste të shqiptarëve, nderi dhe krenaria e shqiptarëve.
Me betejat e saj legjendare, kjo brigadë e shkruajti me gërma të arta historinë e saj duke luftuar pushtuesin me vetëmohim, që nga Vlora e më tej në veri të Shqipërisë, në Kosovë e deri në krahinën e Sanxhakut. Një nga misionet që ajo e kreu me krenari ishte detyra për mbrojtjen e Kongresit të Përmetit, i cili u mbajt në 24 maj 1944. Udhëheqja e luftës ia caktoi këtë detyrë brigadës më të dalluar të luftës. Ajo e kreu atë me sukses, duke zmbrapsur divizionin gjerman që asokohe tentoi pa sukses të kalonte tek Tre Urat. Trimërive dhe heroizmave të saj populli i këndoi: “Kur lufton Brigadë e Pestë,/Vret e pret e bën kërdi,/Shefqet Peçin komandant,/Komisar shokun Hysni..”. Shqipëria ishte një ndër vendet e para të Europës që u çlirua tërësisht nga pushtuesit nazifashistë, dhe padyshim një meritë të padiskutueshme i takon trimave dhe heronjve të BrV Sulmuese dhe BrVI Sulmuese. Fakt është se rrugëtimi prej 3700 km prej Labërisë e deri në Sanxhak, e kalitur në beteja e në përpjekje të pa ndërprera duke e ndjekur armikun deri përtej kufijve shtetërorë administrativë. Në historinë e saj të krijimit e të betejave, Brigada e V, partizanët dhe udhëheqësit e saj, u bënë një shembull i lartë frymëzimi për një popull të tërë duke ngjallur shpresë e besim se vetëm përmes grykës së pushkës e Frontit Nacionalçlirimtar do të vinte liria e ëndërruar në shekuj. Jeta dhe vepra e partizanëve të Brigadës së V heroike vazhdon të përcjellë në breza mesazhe të forta atdhedashurie e patriotizmi. Në tetë dekada vështrimi hidhet tek sakrifica, gjaku i derdhur për të patur atdheun të lirë që ishte edhe amaneti, ëndërra e tyre për ta bërë Shqipërinë jo vetëm të lirë por edhe më të mirë e të begatuar. Partizanët ishin dhe kanë ngelur lavdia e Shqipërisë, sot ëndërra e tyre vijon me kërkesa më të larta për ta zhvilluar e integruar në bashkësinë e vlerave më të mira europiane e euroatlantike, ndërkohë që mirëmbajtja e përkujtimi i simboleve të Luftës Nacionalçlirimtare pse jo edhe ringritja e të rejave është përjetësimi i dëshmorëve, si vlerë e rrallë e kësaj lufte, sakrificat dhe vetmohimin e pjesëmarrësve, këtë trashëgimi të rrallë njerëzore, në brezat e sotme dhe të tjerat që vijnë në të ardhmen. Nga kush u drejtua Brigada e Pestë Sulmuese? Bazuar në historikun e Brigadës “Rruga luftarake e BrV Sulmuese”, Tiranë; “Naim Frashëri”, 1968, f. 46; kuadri i BrVS gjatë ofensivës së dimirit ishte: Komandant i Brigadës Shefqet Peçi, Komisar Hysni Kapo, Zëvendëskomandant Dervish Hekali, Zëvendëskomisar Manush Myftiu, Intendent Kadri Brahimi, Sektori i Shëndetsisë Dr. Ibrahim Dervishi, Sektori i Agjitacionit e Propagandës Andrea Varfi, Dhimitër Mandro. Seksioni Politik: Përgjegjës i Seksionit Politik Hito Çako, anëtarë Bilbil Klosi, Veis Pipa, Ramize Gjebrea. Brigada botonte organin e saj luftarak revistën “Buçitja”. Br V S është dekoruar me titullin e lartë “Hero i Popullit” dhe njihej e nderohej në popull si “Brigadë e flakës, e zjarrit dhe e sulmit”. Por më shumë se gjithcka flasin 363 dëshmorët dhe 13 heronjtë ndër tyre edhe dy heroina dhe ndër heronjtë e kësaj brigade ishin: Abaz Shehu, Shefqet Peçi, Hysni Kapo, Rrahman Parllaku, Zonja Çurre, Hito Çako, Zaho Koka, Laze Nuro, Llambro Andoni, Nimete Progonati, Dervish Hekali, Kastriot Muço, Hysen Çino. Nderimi dhe mirënjohja në këtë ditë të tetëdhjetëvjetorit shkon për 363 dëshmorët e kësaj brigade heroinë dhe ne kemi përgjedhur për të sjelljë jetën e një dëshmori nga Fushëbardha Tajar Shemsi Proda (1924-1945), që me gjakun e derdhur u bë një yll i pashuar në qiellin e Fushëbardhës dhe të të gjithë shqiptarisë.
Partizani Tajar Proda nga Fushëbardha në Br V Sulmuese, “Dëshmor i Atdheut”
Tajar Shemsi Proda është dëshmori nr.341 i BrVS, që ra më 22 Mars 1945. (sipas fq.428 të Historikut të Brigadës V Sulmuese, publikimi i vitit 1989). Tajar Proda ishte lindur më 2 qershor 1924 në Fushëbardhë të Gjirokastrës. Në moshën 6 vjeçare ngeli jetim dhe të afërmit e morën në Tiranë, ku kreu dhe arsimimin fillor e shkollën amerikane “Harry Fultz”. Pas shkolle kreu një kurs për radio-telegrafist dhe shërbeu për pak kohë në qytetin e Kukësit. U bashkua vulletarisht me forcat e Br V Sulmuese dhe pas çlirimit të qyteteve dhe fshatrave shqiptare bashkë me forcat e tjera të UNÇSH, me urdhër të Komandantit suprem të Luftës Nacionalçlirimtare kapërceu kufijtë për çlirimin e tokës shqiptare të Kosovës. Gjatë luftimeve në jugperëndim të Kosovës u plagos rëndë dhe shokët e çuan në spitalin partizan Geghysen të Tropojës. Por nga plagët e marra nuk mundi të mbijetonte. Ai u shua pas çlirimit të Shqipërisë, në fillim të vitit 1945, me fjalët në buzë “..jam nga Fushëbardha”, dhe ngeli përjetësisht “Dëshmor i Atdheut”. Eshtrat e tij preheshin për 70 vite pranë ish-spitalit partizan në Geghysen – Selimaj, të Tropojës, në Alpet e Shqipërisë, ku historia i përkund në një djep legjendat, kreshnikët dhe dëshmorët. Në vitet e rënda të pushtimit edhe pse në moshë të vogël mundi të kryente një kurs për “Radio-telegrafist”. Falë njohjes së bashkëfshatarëve dhe tezes së tij, gjeti punë dhe u angazhua në shërbimet e komunikimit dhe postave në qarkun e Kukësit. Fushëbardha e lindi, Tirana e mësoi, Kukësi e burrëroi dhe e mësoi në rrugën e vështirë të jetës. Në Kukës, shpejt zuri miq ndjehej si zot shtëpie, sepse shtëpia e jetimit është gjithmonë aty ku ka miq e shokë të mirë. Puna në Kukës, ishte provizore. Ajo i shërbeu djaloshit nga Fushëbardha, deri sa qëndrimi i tij atje u bë i pamundur. Ai kishte kohë që kishte hedhur vështrimin drejt luftëtarëve. U bashkua me formacionin luftarak të Br 5 Sulmuese, që u shpall pas luftë “Hero i Popullit” në 25 vjetorin e çlirimit më 29.11.1969. Brigadës së pestë, nga dita e themelimit deri në përfundim të luftës ju bashkuan mbi 1200 luftëtarë. Brigada, në bashkëveprim me forcat e Zonës I-rë Operative, përballoi me sukses operacionet e forcave naziste gjermane Bergkessel (kazani malor), Sturm (stuhia), “Horridoh” dhe “Und demnosh”, (“Dhe prapë se prapë”) në kuadër të mësymjes së përgjithshme gjermane të dimrit 1943-1944 në zonën Kurvelesh-Mesaplik-Bregdet, mbrojti punimet e Kongresit të Parë ANÇ të Përmetit (24-28.5.1944), në përbërje të Divizionit të Parë Sulmues, kreu luftime të ashpra për përballimin e mësymjes së dytë gjermane, atë të qershorit 1944 në zonën e Tomorricës. BrVS në të cilën Tajar Proda u bashkua vullnetarisht dhe shërbeu në detyrën e radiotelegrafistit, kreu detyra luftarake në zonën e Matit, Dibrës, Kukësit, Prizrenit. Fakt është se në këtë periudhë ishte një djalë i rritur dhe shtathedhur, por dhe me mendje plotësisht të formuar, pasi referencia për kohën ishte antifashizmi por edhe mendimet e pjekura për më tutje pas ardhjes së lirisë, edhe pse ai e dinte mirë atë që kishte shekuj që e kishte thënë filozofi i ndritur Plutarku se, “Mendja nuk është një enë që duhet mbushur, por është një zjarr që duhet ndezur”, që ishte një filozofi e tërë për prushin atdhetar dhe njerëzit e ditur që i nevojiteshin vendit pas clirimit. Më 1 tetor deri në fund të muajit nëntor 1944, BrVS, BrIIIS dhe Brigada e 4-t kosovare, duke krijuar një shtab të përbashkët me komandant Shefqet Peçin, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm i zhvendosi veprimet luftarake jashtë kufirit shtetëror, duke çliruar nga pushtuesit Kosovën Perëndimore. Gjatë veprimeve luftarake në Kosovë brigada shtoi efektivin e saj me luftëtarë kosovarë, duke arritur në mbi dymijë partizanë. Djali jetim nga Fushëbardha plagoset rëndë në rrethinat e Prizrenit, por nuk tërhiqet nga beteja. Mjekohet në betejë dhe vazhdon luftën. Por ai urdhrohet nga komanda e Brigadës që me të plagosurit e tjerë të çohej në Gjakovë dhe prej andej në rajonin e Tropojës. Kështu me plagë të rënda dërgohet në spitalin partizan në fshatin Geghysen të Bujanit të Tropojës. Tajar Proda ishte pjesë e luftëtarëve antifashistë që çliruan Tropojën më 16.10.1944 dhe që vazhdoi luftimet drejt tokave shqiptare në Kosovë. Atje në Alpe në Geghysen nuk mundi të shijonte ditët e lirisë, atje dha frymën e fundit me fjalët në buzë “…jam nga Fushëbardha”, por ngeli përjetësisht “dëshmor i atdheut” në panteonin e kombit. Shoqata K-A “Fushëbardha” e drejtuar nga Trifon Golemi më 8.9.2016, pas 71 vjetësh Shkoi në Selimaj, Geghysen, Tropojë për marrjen e eshtrave të partizanit 20 vjeçar që luftoi për lirinë e Atdheut. Ceremoniali i zhvilluar në Varrezat e dëshmorëve të Gjirokastrës ishte amaneti i përmbushur për dëshmorin fushëbardhas Tajar Shemsi Proda. Fjalët e fundit të tij atje në Bjeshkët e Geghysenit ishin: “Jam nga Fushëbardha”. SHKA “Fushëbardha”, “SHKA “Labëria”, nderi i kombit dega Tiranë, Org. Dëshmorëve dhe Veteranëve Tropojë dhe Org. Dëshmorëve dhe Veteranëve Gjirokastër, familjarët e tij, Djemtë e Tropojes Gëzim Prengzi dhe Shpend Bisheva, me procedurat ligjore të plota të Bashkisë Tropojë, Bashkisë Gjirokastër nën mbështetjen e kryeplakut të fshatit Selimaj eshtrat e deshmorit u përcollën denjësisht nga monumenti i Bajram Currit në Varrezat e dëshmorëve në Gjirokastres, me nderim për Deshmorin e Atdheut Tajar Proda, i cili u preh pranë kishës së Selimaj (10 metra në veriperënim të saj), u preh për 71 vjet në tokën që ka lindur veç heronj të shqiptarizmës, në truallin me vlera të spikatura e historike të Geghysenit. Që prej datës 9.9.2016, amaneti i dëshmorit është përmbushur: Ai prehet tashmë me dëshmorët e Fushëbardhës dhe rrethit të Gjirokastrës, me shokët e tij të luftës e të idealit për një Shqipëri të lirë e të pavarur, aty ku prehen dëshmorët e brigadave partizane që gjakun e derdhën për kombin shqiptar.
Rrugëtimi luftarak prej 3700 km prej Labëria në Sanxhak… dhe rrugëtimi paqësor 50 vjeçar i BrVS
Në kohën kur luftës partizane po i vinte fundi dhe bisha nazifashiste ishte mundur edhe forcat vullnetare partizane do ti riktheheshin punëve të tjera të rindërtimit dhe mbrojtjes së vendit. Në Historikun e kësaj brigade shkruhej: “Dy vjet jetë sapo kishte mbushur Brigada V Sulmuese kur nisej nga Kërçova për në atdheun e saj të lirë. Ata ktheheshin tani nga luftimete largëta drejt atdheut të tyre të çliruar nëpërmjet Kërçovës. Atdheu, populli, për të cilin ata kishin luftuar, i prisnin krahëhapur. Duke u larguar nga këto krahina të moçme shqiptare të Kosovës e të Maqedonisë, rapsodët e brigadës thurën për to lloj-lloj vargjesh mallëngjyese, për shokët që ranë atje dëshmorë, për miqësinë me atë popull, për luftimet e ashpra e të përgjakshme, për trimërinë e pashoqe partizane etj. Në mes të dimrit, duke ndjekur rrugën Strugë-Qafë thanë-Librazhd, brigada u vendos në kazermat e Krastës, Elbasan ku qëndroi deri në marsin e 1946, ku merrej me përgatitjen politiko-ushtarake dhe me forcimin e rregullit e të disiplinës, por dhe konsolidimin e brigadës për organizimin e mbrojtjes së vendit. Në prill të vitit 1946 ajo u vendos përfundimisht në qytetin e Gjirokastrës, në Kordhocë. Në Gjirokastër kjo Brigadë kthye në Brigadë këmbësorie Sulmuese më 1947. Ajo shkelqeu edhe në mbrojtje to sovranitetit kombëtar në luftë me monarko fashistët grekë në gushtin e 1949-ës. Br5S, qëndroi në Gjirokastër për 50 vjet me radhë deri në prillin e vitit 1996 kur reforma ushtarake shqiptare suprimoi këtë Brigadë të mbuluar me lavdi, ndërkohë që flamuri i saj luftarak është një ndër 308 flamurët luftarakë që disponon AQFA-ja (në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes), të njësive të lavdishme të luftës partizane dhe brigadat që kishin për mision mbrojtjen e vendit.