Albspirit

Media/News/Publishing

“Elefanti në mes të dhomës” dhe “gomari plak në Shtëpinë e Bardhë”

Nga Ruben Avxhiu

Nuk i ka kursyer fjalët e rënda sot në editorialin e saj gazeta e njohur “Union Leader” në shtetin New Hampshire, ku u bën thirrje republikanëve që të zgjedhin ish-Ambasadoren Nikki Haley si kandidaten e Partisë Republikane për Presidente të SHBA-së.

Ditën e martë, në New Hampshire do të mbahet beteja e dytë zgjedhore për të zgjedhur kandidatin republikan dhe e para për të rikonfirmuar atë demokrat.

Sipas të gjitha anketimeve, në nëntor do të kemi një përsëritje të duelit Biden-Trump, ashtu si në 2020. Sipas rezultateve të një testimi që doli sot në mëngjez, në New Hampshire, Trump mund të marrë 55% të votave, Haley 36%, kurse Guvernatori Ron Desantis vetëm 5%.

Do të ishte konfirmimi i dytë, pas atij në Iowa, se Donald Trump mbetet favoriti i padiskutueshëm i republikanëve amerikanë, megjithë paditë ligjore që rëndojnë mbi të, megjithë ngjarjet e 6 janarit 2020 dhe refuzimit për të pranuar rezultatet e humbjeve demokratike.

Por gazeta “Union Leader” refuzon që të dorëzohet. Ajo shkruan se është në natyrën e pavarur të njuhempsharajsve që të mos refuzojnë kur u thonë se zgjedhjet dihet se si do të dalin. Asgjë nuk dihet der isa të hidhet vota e fundit dhe gazeta këmbëngul se Nikki Haley është shumë më e zonja se dy dinosaurët e politikës amerikane.

Pa ua thënë emrat, gazeta përdori shprehjen figurative të “elefantit në mes të dhomës” për të përshkruar ish-Presidentin Donald Trump dhe vijoi me “gormari plak në Shtëpinë e Bardhë” për Presidentin aktual Joe Biden.

“Elefanti” dhe “gomari” janë përkatësisht simbolet e dy partive të mëdha amerikane.

Në fakt, vështirë të gjesh një shtet më të mirë për të pemguar sadopak rikthimin e pashmangshëm të “uraganit Trump”. Votuesve në New Hampshire u pëlqen të habisin pjesën tjetër të vendit me zgjedhjet e tyre kaq herët në fillim të procesit. Historikisht kanë zgjedhur kandidatë që kanë bërë bujë.

Për më tepër, ligji zgjedhor në këtë shtet lejon të pavarurit që të votojnë në zgjedhjet e partive. Kështu që nuk ka nevojë të jesh republikan për të votuar mes kandidatëve të Partisë Republikane. Mjafton të mos jesh demokrat.

Por a do të dalin të pavarurit për të marrë pjesë në votimet e Partisë Republikane?

Cila do të ishte gjëja më e bujshme që do të mund të bënin njuhampshajrasit të martën? Të zgjedhin ish-Ambasadoren Haley apo të rizgjedhin ish-Presidentin Trump? Deshira për ta mbyllur kapitullin e 80-vjeçarëve në politikë është e madhe, por e madhe është edhe dëshira për t’i dhënë mesazh Washingtonit që të mos e përziejnë drejtësinë me politikë partiake.

“Rrodhi” edhe Donald Trump?!

Interneti ka vite që është plot me videoklipe që tregojnë Presidentin Joe Biden të hutuar dhe konfuz, të cilat shpërndahen për të treguar se Biden nuk ka më moshë për një detyrë aq të vështirë si e kërkon posti i Presidentit të Amerikës.

Mirëpo, këto ditë për herë të parë kanë dalë videoklipe nga ish-Presidenti që flet “kodra-mbas-bregut”. Në një rast tha se nuk ishte detyra e tij por e Nikki Haley-t që të mbronte sigurinë e Kapitol Hillit në 6 janar 2020, kur mbështetësit e tij e pushtuan me dhunë. Besohet se e ka pasur fjalën për ish-Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Në një rast tjetër, tregoi se si e kishte mundur në zgjedhje ish-Presidentin Barack Obama.

Këto e të tjera i erdhën në kohën e duhur kandidates Haley që ka nevojë për një rezultat të fuqishëm të martën. Pas kësaj zgjedhjet do të mbahen në shtetin e saj, në South Carolina, ku ka qenë guvernatore për shumë vjet. Por edhe aty anketimet tregojnë ish-Presidentin Trump në krye.

Duket se sa do gafa të bëjnë republikanët dhe demokratët janë në masën më të madhe të vendosur të shkojnë në zgjedhje me këta dy të moshuar. Aftësia për të qeverisur ka rëndësi, por po kaq rëndësi duket se ka edhe inati ndaj kundërshtarit.

Të dy partitë refuzojnë të heqin dorë të parat nga dinosauri i vet.

Të paktëm, republikanët do të kenë një shans për ta bërë ditën e martë, në New Hampshire, nëse votojnë për ish-Ambasadoren Nikki Haley. Demokratët do të kenë vetëm një emër në fletën e votimit. Laj, thaj, Joe Biden!

Please follow and like us: