PSE PO FRYJNË SIRENAT E LUFTËS? LABIRINTHI I KAOSIT… SUBKOSHIENCA E THANATOSIT!
Skënder Sherifi
Nuk e di pse, apo dikund e di… por ky vit 2024 do ta ketë një rëndësi të veçantë në lidhje me ekuilibrin global të botës. Është ndjenja suplementare e artistëve autentikë… një përceptim, një sensacion, një mesazh Iks, i ardhur ku me e ditur nga ku, një valë, një energji, një luhajtje, një atmosferë, një fluturim fluture apo dallëndyshe? Por siç do na kishin thënë me siguri Oraklet apo Vestalet e dikurshme: «zonja dhe zotërinj, qytetarë të nderuar – shenjat nuk janë aspak të mirë, ngaqë po na fishkëllejnë erna, stuhi negative nga të gjitha anët, me plot shembuj për zi! Por çka është më e çuditshmja në këtë kontekst aq patologjik, është apatia jonë, indiferenca, letargia, narkoza, si t’ishim të gjithë të droguar dhe të verbuar, të pastruar nga truri, të lobotomizuar, si me pas marrë mësysh, si me na pas lëshuar dikush një nëmë, një fall të keq… Pa mendim kritik, pa reagim qytetarësh apo intelektualësh, pa kundërpropozim, pa protestë, pa mobilizim të opinioneve publike, pa thirrje për diçka tjetër pak më të shëndoshë dhe më logjike! Mjaft ishim të krisur në Majin 1968 në Paris, porse e kemi pasur të gjithë, pos hedonizmit maksimal dhe festivalin e qejfeve, një koshiencë politike, sociale dhe qytetare dhe nuk kemi hezituar për t’u prononcuar, kur ndodhte një padrejtësi flagrante apo një çorodi e papranueshme. Kurse sot, nuk pyet askush për asgjë, nuk do me ditur askush për asgjë. Mbretëron një egocentrizëm primitiv fëminor, një indiferencë e paparë, me një tufë qytetarësh të hipnotizuar pas ekraneve dhe imazheve. E pra, më duket që i kemi disa detyrime humane dhe morale, ndaj vetes, ndaj shoqërisë tonë përreth dhe ndaj Kombit, apo Shtetit, si të doni… se tek e fundit, gjithçka mund të ndodhin në Shqipëri, apo në Europë, na takon, deshëm apo nuk deshëm. Po çka dreqin na ka gjetur, o të dashur lexues? Pse duhet t’i pësojmë pa asnjë reagim, të gjitha këto absurditete dhe idiotësi njerëzore të grumbulluara? Ngaqë nuk na vijnë prejq iellit as prej Zotit, por prej Njeriut!
Ne, a po e shohim që asgjë nuk po funksionon siç duhet, në bazë të një rregulli të drejtë, ligjor, human dhe 100 përqind demokratik dhe pra, po pajtohemi me të papajtueshmen, po i pranojmë si t’ishin diçka normale, të gjitha çregullimet, çoroditjet, padrejtësitë, korrupsionet, amoralitetet, e të tjera… po i adoptojmë antivlerat si t’ishin vlera madhore dhe po i thërrasim Derrit-Dajë! Po pse? Kështu na kanë pas edukuar të parët tanë, Baballarët, Gjyshërat dhe Gjyshet tona burrërrore, fisnike dhe dinjitoze? Për t’u zhveshur tërësisht nga gjithçka, duke mos e patur asnjë shtyllë kurrizore, asnjë parim, asnjë drejtim preciz në jetë, duke shlyer gradualisht çdo identitet, çdo referencë, çdo vlerë kombëtare shqiptare, nga komplekset dhe frustrimet tona të shumta, të paemër dhe sidomos të patrajtuara, të paanalizuara… duke veshur çfarëdo kostumi të huaj, duke luajtur çfarëdo roli të imponuar nga modat e jashtme, kinse për t’u dukur modern i kohës, por pa asnjë bazë serioze, asnjë themel identitar, i cili qëndron 5 minuta në këmbë, para çfarëdo profesionali të botës, i dalur nga Oksfordi, Harvardi, Stanfordi, Sorbona, e të tjera qendra universitare me prestigj të konfirmuar. Se nuk është puna me e kënaqur apo me e bindur njëri-tjetrin me përralla apo me mite të lezetshme në dukjen e parë, se sa të mirë, të bukur, të mëdhenj dhe gjenialë jemi si Shqiptarë, por me i bindur të gjithë specialistët eminentë të Botës, me argumente shkencore të padiskutueshme, se kush jemi, çka jemi dhe sa peshojmë para të tjerëve në Kontinentin Europian dhe në Planetin tokësor? Gjithë problemi ynë, tamam si në filmat e Angelopoulosit, me të cilin kam pas qendruar dhe biseduar disa herë, është për të prodhuar pak qartësi racionale, e jo vetëm mjegulla, supozime hipotetike dhe konfuzione. Ne, nuk e kemi asimiluar sot dhe po mendoj për Rininë tonë, hierarkinë e vlerave referenciale, sepse nuk i njohim, ngaqë nuk ekzsitojnë «de fakto» kur nuk i ka fiksuar dhe afirmuar me një autoritet të konfirmuara kush (një komision i elitës akademike kombëtare). Pyesni një student maturant, e pastaj një i vitit fundit Master të Universiteteve, sa për kuriozitet dhe do habiteni me rezultatin katastrofik: cilat janë për të, sot në 2024 në Tiranë apo në Prishtinë, vlerat madhore referenciale të pakontestueshme shkencëtarisht dhe për nga ana profesionale, në fushën e Letërsisë, Muzikës, Filmit, Pikturës, Filozofisë, Sociologjisë, Psikologjisë, Shkencave Natyrore, etjera? Provojeni një sondazh me 1000 studentë dhe 1000 me Mastera, e pastaj do flasim së bashku, por mbi disa fakte reale!
Çka është kinematografia, ose arti i shtatë, o lexues? Serialet turke dhe latino-amerikane? A i kujtohet sot dikujt: Jean Vigo, Carl Dreyer, Jean Renoir, Marcel Carné, Mizogushi, Ozu, Luis Bunuel, Ingmar Bergman, Viktor Erike, Carlos Saura, Nagisa Oshima, Wajda, Kieslowski, Andrei Tarkovski, Jean-Luc Godardi, Fassbinderi, Herzogu, etjerë? Definitivisht jo! Çka është filozofia, psikologjia dhe sociologjia? Ermal Mamaqi me shokë dhe shoqe? Mund të flitet këtu për Jacques Derrida, Gilles Deleuze, Jean Baudrillard, Edgar Morin? Harrone!
Çka është gazetaria dhe politologjia profesionale, o miq? Editoralistët dhe Gjithologët tanë të ekraneve shqiptare, të parapaguargati si zëdhënës, për promovimin e dikujt Iks. Ose mjerimi intelektualë i animatorëve, që janë aty vetëm sa për të mbushur programet televizive. Siç duket, për një pjesë të madhe të popullsisë, të gjitha këto i ka zavendësuar sot Interneti me rrjetat shoqërore të komunikimit, i cili nuk prodhon në realitet asnjë komunikim real të thelluar autentik, por një pseudo-komunikim fiktiv, i metamorfozuar në një seancë monologu narcisik. Nuk jemi në shkëmbim apo në dëgjim të tjetrit, por vetëm në: «le të më dëgjojë mua bota, le të më shikojë në foto, ja ku jam, ja çka mendoj unë për momentin, ja çka po bëj aktualisht… » pra, jemi në një raport puro narcisik me vetveten, i projektuar tek të tjerët. Domethënë që sot kultura, arti, intelekti, komenti, analiza, e çka të doni… kalon kryesisht përmes ekraneve dhe rrjeteve shoqërore… sa klikime, sa ndjekës ke, sa buzze ke shkaktuar, sa je i pranishëm në facebook, twitter, instagram, tik-tok?… Kush student e lexon sot një kritikë profesionale të propozuar në gazetën New-York Times, apo Le Monde, apo në një revistë të specializuar filozofike apo letrare? Do të thotë që kemi kaluar në një epokë tjetër, porse kanë ngelur disa Dinauzaurë të vjetër duke kullotur ca fletë dushku në Jurasik Parqet e asgjësisë dhe amnezisë, postmoderne «addict» të lojërave dhe të konsumeve, si një veprim puro mekanik dhe pavlovian. Bravo, vazhdoni ashtu dhe le t’i festojmë totalitarizmat e ardhshëm!
Çka është kultura, o miq dhe mikesha të nderuar? Gjithë ky bastardim aktual? Telerealitetet, bingot, lojërat e fatit, X-Faktori, Big Brotheri, Ishulli i Tentacionit, Dancing with the Stars, hajgaret dhe humoret vullgare të përditshmërisë, Mulliri i Spektaklit permanent, i cili më në fund prodhon vetëm trullografi dhe amnezi, dhe anulon «De fakto» çdo tentativë mendimi, thellimi shpirtëroë, analize kritike… Sepse, je i burgosur në tentakulat e atë çka e quaj unë: «narkografria globale e shoqërisë» ose thënë ndryshe: «qysh me e mpi komplet një Popull, me e vendosur në një hipnozë, në një gjumë të kontrolluar dhe të diktuar, për ta përdorur si një kukull, objekt, ose marionetë, për të bërë me të absolutisht çka të duash, ngaqë ia kanë hequr me vite, përmes një matrakimi propagandistik modern dhe një auto-sugjestionimi permanent të kohës çdo personalitet specifik (kjo është baras në filozofinë e përgjithshme, ose në principin bazë, me metodat e vjetra që përdornin dikur marksistët apo fashistët, por këtu me teknika pak më moderne dhe tepër perverse, duke na lënë akoma një iluzion që jemi në demokraci – kurse jemi në realitet në prag të totalitarizmit, tek Georges Orwelli apo Aldous Huxley, Isak Asimov, tek Kafka, Pallati i Ëndrrave i Kadaresë, Pier Paolo Pasolini, David Lynch, tek bota kompjuterike, kibernetike, kimike dhe biologjike, ajo e manipulimeve gjenetike, e algoritmeve dhe e inteligjencë sartificiale). Kështu, që çdo kapacitet për të menduar diçka në thellësi dhe për ta t’holluar, rafinuar, precizuar mendimin tonë deri në fund është i anuluar, i fshirë, i pamundur. Sa për të qeshur dhe për ta kuptuar se ku jemi: a mund ta imagjinoni në një program të televizioneve shqiptare sot, në një mbrëmbje pseudo informative dhe kulturore debatesh fiktive, sa për të bërë zhurmë, show dhe ndonjë BUZ eventual për rrjetat shoqërore të analfabetizmit planetar… Për shembull, tek Blendi Fevziu, Sokoll Balla, Eni Vasili, Sonila Meço, Alban Dudushi, ku janë 4, 5 ose 6 të ftuar për një diskutim rreth një teme Iks – përmes gjithë atyre që i shihni përditë nëpër ekrane në ato lloj programesh, po ta kishin ftuarFan Nolin, Faik Konicën apo Gjergj Fishtën? Me u pakur duke qeshur! Nuk do merret vesh se kush janë, as çka kanë thënë në gjithë atë cirkus dhe gabelhane delirante dhe do na u kishin dukur si 3 injorantë të humbur dhe të ardhur kot pahir në atë emision. Pse? Sepse, do jenë direkt të pushtuar dhe të kondicionuar nga forma apo atmosfera e spektaklit global, i cili ua fshi çdo mendim, do ua zhduk çdothellësi intime dhe do na duken detyrimisht ata tre gjeni të Kombit tonë, si me pas qenë 3 të shkretë. Po ashtu, a e imagjinoni Umberto Eccon, Volterin, Viktor Hygonë, Shekspirin apo Prustin, në një emision informativ dhe kinse kulturor, i televizioneve Berluskioniane, ose tek Fox News i Donald Trumpit? Do ishte një skeç komik i Marx Brothers apo Monthy Python, për të qeshur gjer në lot. Me një fjalë tjetër: «je i supozuar në Demokraci dhe je i lirë… ». Po, natyrisht në teori, por jo me lirinë e Rembosë dhe të anarshistit utopist Skender Sherifi, harrojeni! Sepse do jesh i lirë brenda kontekstit Iks, sipas normave Ypsilon, sipas kornizës dhe funksionimit të sistemit Alfa, sipas kësaj dhe asaj, brenda këtij kufiri të imponuar… Kështu, që do e kesh iluzionin e lirisë, por në realitet do jesh i kondicionuar dhe i diktuar! E pra dihet që Demokracia është më i miri sistem politik mes të tjerave që janë edhe më zi. Për fat të madh, kam jetuar epokën më të mirë dhe të bukur të mundshme, ajo më e pasura shpirtërisht dhe më frymëzuesja në të gjitha aspektet, mes viteve 1960 deri në vitet 1990, hajde po e shty deri në vitin 2000 në maksimum. E pastaj, ka filluar regresioni dhe dekadenca globale, cikli i obskurantizmit dhe i mesjetës moderne, rikthimi në zonat e errëta…
Po, po, o lexues, ka fituar për momentin dhe ndoshta për gjithmonë dhe pse shpresoj që jo: cirku i Jul Çezarit, lojërat, bixhozet, Las Vegasi, Parqet e Atraksionit, zbavitjet dhe argëtimet bazike, ajo çka e quante miku im Guy Debord: «Shoqëria e Spektaklit – në 1967» ku nuk ka më përmbajtje, ku nuk ka më mendim, por formë, teknikë komunikimi, gjuhë publicitare, tregtare dhe propagandistike dhe show narkotik, për t’i vendosur neuronat tona në gjumë dhe për të na përgatitur për hajgare, gabelhane, për të na diktuar një seri vlerash të tjera postmoderne, që lidhen me konsuminim dhe me formatimin të një Njeriu të ri, post Niçean, post nazist, një farë avatari i shekullit 21 dhe 22, me një kornizim strikt dhe i programuar për t’i zbatuar pa i diskutuar të gjitha direktivat e ardshme. Kjo është për gjithë ata që janë syçelur dhe akoma koshientë, o Miq, SHOQËRIA që do na propozohet nesër, por që ka filluar qysh tani. Ju, a jeni dakort, a pajtoheni, a ju pëlqen ajo lloj bote? Mua, jo! Gjithë pyetja është, a do ketë dikur një reagim i shoqërive civile (i pushteteve, nuk e besoj) kundër këtij modeli shoqëror futurist? Bota post humaniste, algoritmike dhe robotike? Po në gjithë këtë kaos të paparë, ku është sot Bota e jonë shqiptare? Cilat janë objektivisht vlerat, normat, kriteret e saj? Si e sheh veten sot dhe si e projekton veten pas 50 apo 100 vitesh?
Po na fryjnë nga të katër anët, siç ju thashë në titull, «Sirenat e luftës, apo të luftërave të ardhshme» nga që çdo busull është çregulluar dhe nuk po dihet se ku janë sot rregullat, normat, principet bazë të ekuilbrit të përgjithshëm ndërkombëtar? Jemi dallashuar komplet, kemi marrur rrugën e mprapshtë, na ka hyr shejtani në shpirt, jemi ndoshta veglat e një subkoshience freudiane të errët, të mistershme, ku pulset e saj negative dhe auto-shkatërruese për disa arsye psikoanalitike Iks, akoma të paqarta, na çojnë në kaos (por kjo,e do një terapi të thelluar për ta kuptuar në imtësi – çka ne natyrisht nuk e kemi bërë) mirëpo janë ato pulset, reflekset e Thanatosit, të cilat po na shprehen aktualisht, diçka enigmatike, që po na çon ku nuk duhet, si me na pas tërhequr vdekja, shkatërrimi global, vetëvrasja… Dhe e perceptojmë ndoshta dikund intuitivisht, e dimë që e kemi gabim, por po shkojmë megjithatë gati mekanikisht dhe verbërisht për t’i ra kokës në mur… si me qenë të thirrur, të diktuar, nga një FATUM antik… Mister i madh? A është diçka e shkruar? Por liria dhe vetëvendosja apo përgjegjësia Sartriane, ku janë? Si me i pas thënë vetes: kemi qenë rehat në Europë, tash 70 vite në paqe dhe në qetësi dhe ku me e ditur pse: tani na duhet për t’u përballur dikund me tragjedinë, me të keqen, me të zezën, me vdekjen, për t’ia ditur më mirë vlerat jetës dhe avantazheve që i kemi pasur gjatë këtyre dekadave ?… Kemi qenë tepër të përkëledhur, të lazdëruar, të privilegjuar, por nuk ja kemi ditur për nder askujt, dhe së pari as Zotit. Atëherë, a mos po na vjen kjo punë si një lloj dënimi nga lart, nga vetë jeta, nga natyra e gjërave? Pikëpyetje! Por dihet që në rregull nuk jemi, na ka humbur logjika humaniste, dëshira e mirëkuptimit, psikologjia e dialogut, e kompromisit paqësor… dhe sot, po dojmë për t’i zgjidhur gjërat me diktat apo me dhunë, duke ia imponuar pikëpamjet tona me forcë të tjetrit, pa e pyetur fare se kush është, apo se çka don, apo – a e ka më të drejtë, ose jo? Kjo na tregon qartësisht që dikund ka zënë gradualisht vend edhe tek ne kjo ideja e totalitarizmit, e imponimit, e diktatit me dhunë, e cila natyrisht po i përgatitë edhe popujt europianë (e mos të flasim për të tjerët) për regjime diktatoriale dhe populiste, të çfarëdo ekstremi ideologjik, por në thelb nuk ka shumë rëndësi ngjyra e tyre, nga që metodat dhe sistemet janë gati të njëjta në praktikë. A je i zi apo i kuq, nuk prish shumë punë, ngaqë je në koncept totalitar… të tjerat janë si në Sport, çeshtje tifozllëku… dikush me Realin, dikush me Barcelonën, dikush me Mançesterin, dikush me Liverpoolin! Grahjani dhe merreni nga një birrë prej meje, o lexues, me një sahan çipsa!
Bota është duke u ri-armatosurgjer në dhëmbë dhe kjo gjë është mjaft shqetësuese, apo jo? A kemi qenë për disa dekada në logjikën e çarmatimit ruso-amerikan dhe europian, në logjikën e dialogut mes blloqeve për t’i zgjidhur problemet e botës. Po atëherë çka ndodhi? Disa shkundje sizmike, të cilat i morëm me shumë lehtësi, si diçka evidente, por që patën pasoja të rënda për më vonë. Muri i Berlinit, bashkimi i Gjermanisë, shpërbërja e Bashkimit Sovietik, eksplodimi i ish Jugollavisë dhe lufta delirante e Millosheviçit, intervenimi unilateral i Amerikës me bumbardimet në Serbi, zgjerimi i NATO-s tek ish aleatët e Bashkimit Sovjetik, ata të Paktit të Varshavës me Shtetet Baltike, deri tek propozimet apo premtimet e bëra ndaj Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë… Pastaj, problematika e Izraelit dhe e Palestinës, ajo e Botës Arabe në globalitet me atentatin e bujshëm të New Yorkut, me 11 shtator 2011, me atë invadimin e Irakut, luftën e Sirisë, Libisë, Jemenit, destabilizimin e Libanit, pranverat arabe, rrymat islamiste dhe fundamentaliste me Ben Ladenin, Daeshin, Boko Haramin dhe grupet e tjera… Pra, deshëm apo nuk deshëm: me vendimet unilaterale të disa fuqive planetare, pa asnjë dialog paraprak, u thyen gradualisht disa nga rregullat ndërkombëtare esenciale, ato që i kishin vendosur ata vetë, përmes Kombeve të Bashkuara. Po atëherë, ju e kuptoni që kur e bën Iksi, pa pyetur askënd (jounë jam më i forti dhe do bëj, atë çka dua unë dhe pikë) pse mos ta bëjë dikur më vonë edhe Ypsiloni, nëse të sheh ty të lig dhe pak të tërhequr, si një kundërpërgjigje me të njëjtin veprim unilateral, pa u lodhur për askënd dhe për çfarëdo preteksti fiktiv, vetëm për interesat e veta? Ajo çka po ndodh sot me Rusinë e Putinit. A është për t’u çuditur? Në realitet, jo! Sepse, ia kemi përgatitur ne vetë terrenin.
Natyrisht, unë sikurse çdo shqiptarë normal dhe i logjikshëm, në rrethanat që i kemi, do jemi detyrimisht pro amerikan, çka nuk mund të diskutohet (po pse: a më mirë do ishte për të qenë pro rus apo pro kinez? Ngaqë kush tjetër, pos Gjyshit Sam, mund të na garantojë sot apo nesër sovranitetin në Ballkan? Europës si forcë vendimtare strategjike dhe ushtarake, sot për sot, nuk po i beson askush dhe me plot të drejtë. Mirëpo, edhepse jemi pro amerikanë, duhet ta pranojmë që në disa raste, Amerika ka ekzagjeruar dhe e ka tepruar, pra ka dalur prej zonës ligjore ndërkombëtare në disa raste dhe i ka autorizuar vetvetes disa të drejta ekstra… Dhe pastaj dikurçdokush, edhe çobani e kupton, se nuk ka nevojë për me qenë Doktor i Shkencave Politike në Harvard, si Henri Kissingeri, që kur rregulli si rregul lndryshon dhe nuk aplikohet për të gjithë njësoj me të njëjtin kandar objektiv… kur i forti hotë: «unë e kam të drejtën për ta shkelur atë rregull ndërkombëtar sa herë që të dua… se jam fillani dhe nuk merzitem për askënd» krijon një precedent negativ dhe për fuqitë e tjera. Pastaj, kur nuk funksionon e njëjta logjikë e rregullit, apo e drejtësisë– çka e konstaton çdokush, sepse janë dy kandare, e jo një! – si mes Serbisë apo Kosovës, si mes Palestinës dhe Izraelit, Armenisë, Greqisë apoTurqisë, e shembuj të tjerë… Nuk do mend, që dikur ky fenomen ju bjen në sy të gjithëve dhe kjo ka pastaj pasoja evidente në botë. Shikoni ju vetë, pavarësisht simpatitë tona private, sesi e pasqyrojnë dhe e komentojnë mediat evropiane dhe amerikane intervenimin izraelian në Rrypin e Gazës? Nuk do mend, që informacioni manipulohet sipas interesave të Pushteteve dhe Lobeve të caktuara. Porse disa herë është aq e tepruar, sa që bëhet gati skandaloze, aq më tepër kur jemi në shtete të supozuara demokratike, të cilat ju japin leksione të tjerëve. Sepse, nga shtetet totalitare, ajo dihet paraprakisht, që nuk jemi në Woodstock, apo në kampuset kaliforniane në Berkeley dhe nuk prêt askush asgjë, përpos Gulageve! Por jo në Paris, Bruksel, Londër, apo NewYork!
Planetit tokësor i duhet një Lidership dhe një rregull ndërkombëtar, çka e kishin ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore, me ekuilibrin mes Blloqeve dhe Kombeve të Bashkuara. Dihet që Amerika ka qenë për disa dekada ‘Xhandari kryesor i botës’, me në rangun e dytë Bashkimi Sovjetik dhe ashtu u arbitronin mes tyre konfliktet kyesore planetare. Kina ishte partneri i tretë! Mirëpo, Bashkimi Sovjetik eksplodoi dhe u formuan disa shtete të reja. Jugosllavia njësoj… Pastaj na erdhi Bushi Junior gjysmë i trulluar dhe i alkoolizuar, Obama intelektual, por pavizion ndërkombëtar dhe na thanë: «që tani Amerika do tërhiqet gradualisht nga roli i saj i xhandarrit në disa skena të botës dhe do merret vetëm me problemet e veta të brendshme dhe në fushën internacionale, priorioteti i saj do jetë Azia, deti indokinez dhe Kina si konkurrent apo armiku i saj më i rrezikshëm dhe do dezangazhohet progresivisht prej Kontinentit Evropian. Gabimi i parë fatal, porse i ka 15 vite kjo punë dhe problemi është që mesazhi nuk ka kaluar siç duhet në trurin e Europianëve, akoma nën narkozën e pacifizmit. Pastaj na erdhi Donald Trumpi, një delirant i paparë, na i dha disa shpulla të forta dhe i theksoi këto tendenca gjer në fund, në një mënyrë ultra brutale dhe provokuese – me mesazhin super të qartë, pos me qenë një idiot totalisht i droguar – «që nuk do merrem fare me Europën dhe le t’i rregullojnë ata vetë problemet e tyre në të ardhmen, që do dal nga Kombet e Bashkuara dhe nga NATO, sepse këto organizata janë vetë Amerika, e cila po shpenzon me miliarda dollarë për t’i mbajturgjallë»… dhe ky person, i paparashikueshëm, i papjekur, i pa kulturë fare mund të na vijë përseri në Pushtet në Amerikë, tek fuqia e parë emblematike botërore. Ndërsa ky tjetri që është tani 81 vjeçar, gjysmë i sklerozuar, Joe Biden, së paku e drejtojnë të tjerët e administratës madhore amerikane dhe bile ky i dëgjon. Mirëpo, problemi është evident: ja ku ka ra sot Amerika e famshme! Për të zgjedhur mes një alzajmeristi të sëmurë, një plak mbi 80 vjeçar dhe një të luajturi mendsh, limit gati i pakontrollueshëm dhe potencialisht i rrezikshëm. A është një situatë e turpshme dhe mjaft katastrofike, së pari për Amerikën dhe pastaj për mbarë botën? Po, a nuk pat gjithë Amerika me 335 milionë banorë, e gjitha ato Universitete dhe Institucione prestigjioze që i ka, ndonjë kandidat pak më serioz dhe të profilizuar se sa këta dy të shkretë, për ta dirigjuar atë shtet?
Problemi është që tani për tani, bota ka ngelur pa lidership të sigurt, ngaqë Amerika është vetëtërhequr dhe ua ka lënë terrenin apo fushëveprimin të tjerëve, pra ka dëshmuar shenja ligësie, proteksionizmi, vetëmbyllje brenda kontinentit të saj… Dhe këto defekte evidente, natyrisht që Rusia dhe Kina i kanë kuptuar menjëherë dhe i kanë interpretuar perfekt. Sot, çka është duke ndodhur konkretisht? Putini, presidenti rus, i cili e ka pas përjetuar shkatërrimin e ish Bashkimit Sovietik dhe ligështimin e Rusisë, si një plagë shpirtërore, si një depresion dhe frustracion madhor, sot po hakmerret pamëshirësisht, sepse i dhënë rasti! Pos asaj, nuk ka këtu asnjë surprizë, ngaqë siç e ka pas paralajmëruar Hitleri programin e tij në librin «Mein Kampf» 10 vite përpara, Putini na ka lajmëruar mbi qëllimet e tij, që në shkurt të vitit 2007 – (lexoni me vëmendje Fjalimin e Mynihut në Gjermani), por kur nuk dojmë për ta pa realitetin me sy dhe nuk e pranojmë të vërtetën objektive, por preferojmë për të qëndruar nën drogë, nuk na ka askush faj! Putini ëndrron që në fillim, për Rusinë e madhe cariste apo ish Bashkimin Sovjetik, pra, kjo e supozon ekspansionizmin rus, përmes një politike dhe strategjie post-staliane, me një ekonomi e koncentruar prioritarisht në industrinë e armativeve dhe në shitjen e naftës dhe të gazit. Sot, a po e okupon praktikisht 20 përqind të territorit të Ukrainës (pa folur për shkatërrimin total të atij shteti, të cilin lufta aktuale e ka rikthyer 50 vite prapa) dhe nuk do mend, që nuk e ka planin, as sot, as nesër, për t’ia ridorëzuar ato territore. Pastaj, si do përfundojë ajo luftë? Është problem tjetër, porse ka shumë shanse, me fitoren e Putinit, i cili do ketë zgjeruar territoret e Rusisë (ngaqë ai nuk pyet fare për ushtarët e vrarë në beteja – siç nuk pyeste as Stalini)… mirëpo, ajo fitore e krijon pastaj një precedent të tmerrshëm në skenën ndërkombëtare. Do me thënë, që tani nuk ekziston asnjë ligj internacional, i cili vepron për t’i shkimur konfliket e mëdha dhe sot çdokush mund t’i zgjidh problemet e tij duke invaduar të tjetrit dhe duke e shkelur me luftë, për t’ia imponuar dëshirat e veta. Sinqerisht është katastrofike si logjikë veprimi… Atëherë, në atë rast, për çka shërbejnë Kombet e Bashkuara dhe NATO? Tani imagjinojeni: Erdogani e do Turqinë e dikushme Otomane, Kina e do dominimin e saj absolut në detin indokinez, Serbia e do Përendorinë e dikurshme të Dushanit, Afrika nuk e ka asnjë kufi gjeografik normal, e po ndalemi me kaq. Kush mund t’i parandalojë gjithë këto konflikte potenciale, pa një lidership ndërkombëtar të bindshëm dhe të sigurt? Mirë do ishte për ta frenuar Putinin, por kush mund ta frenojë, pos Amerika me NATO-n? Bile strategjia e tyre ndaj Ukrainës është tepër e çuditshme me plot pikëpyetje? Çka do me thënë gjithë ajo ndihmë e vonuar dhe milimetrike? Okay, tani, nëse do fitojë Rusia, imagjinojeni ju vetë: e ka 20 përqind të Ukrainës, e ka Biellorusinë të vetën, nëser do e përpijë pa problem Moldavinë dhe Gjeorgjinë, ngaqë askush nuk do intervenojë për ato dy shtete, që janë në kopshtin e saj ish sovjetik. Pastaj, çka do e ndalë, pa e ngacmuar apo destabilizuar Lituaninë, ku i ka 20 apo 30 përqind minoritete rusofone, me Estoninë dhe Letoninë? Po, por ato shtete janë në NATO! Dakort, por kush mund ta garantoë një intervenim ushtarak serioz të NATO-s? Aq më tepër nëse rivjen në nëntor 2024 Donald Trumpi në Pushtet? Këtë gjë, e kanë kuptuar edhe ato shtete baltike vetë, siç e ka kuptuar Polonia për shembull. Ndërsa ne në Europë, a e kemi fuqinë e duhur për ta stopuar ekspansionizmin rus të Putinit, i cili i ka 6000 koka nukleare… e ne kemi vetëm Francën deri dikund të armatosur në Bashkimin Evropian, pasi Anglia na doli jashtë me Brexitin. Do me thënë që sot për sot, Europa është gjysmë e zhveshur ushtarakisht para Rusisë dhe ky nuk është problem i vogël. Ndërsa çadra amerikane, është me disa pikëpyetje!
Logjika aktuale, sipas shenjave që po na i jep Amerika dhe Rusia e Putinit: është që tani e pas, çdokush e ka mbrojtjen e tij mbi supet e veta. Pra, që nuk mund të mbështetet askush në çadrën e huaj amerikane, me 100 përqind siguri. Prandaj, të gjitha shtetet europiane, por edhe ato të botës, janë duke u ri-armatosur në maksimumin e mundshëm. Shikoni buxhetet ushtarake të dyfishuara në Francë, në Gjermani, në Poloni, etjera… po ashtu po armatoset
Kina, Rusia, India, Egjipti, Brazili, Pakistani, India, Arabia Saudite, Greqia, Turqia, Irani, dhe gjithë kjo psikologji ri-armatiami planetar të çon natyrisht drejt në një psikologjie agresive luftarake. Nuk je më si dikur në vitet 1960 – 70 – 80 në «Peace and Love». Ka ndryshuar komplet atmosfera! Dhe shenjat paraqesin një rrezikshmëri evidente, pos me qenë komplet i verbuar. Rusia është tash dy vite në luftë, okay? Kina po përgatitet për ta invaduar Taiwanin, pra edhe ajo është në një logjikë lufte. Shtetet baltike dhe Polonia, po përgatiten për luftë, po ashtu edhe Finlanda dhe Suedia në kufirin me Rusinë… Izraeli është në luftë me palestinezët dhe me pretekstin e Hamasit, e kanë një skenar të ri për ta zgjidhur sipas tyre çështjen izraelo-palestineze. Libani është i destabilizuar, po ashtu edhe gjysma e Afrikës. Jemeni, Sudani, Eritreja, janë në luftë… Irani po fuqizon Hezbollahin, Hamasin dhe Hutitë e Jemenit. Dakort deri këtu? India dhe Pakistani janë në konflikt shekullor… Kina ka pretendime në detin aziatik me Vietnamin, Japoninë dhe shtetete tjera… Tash vonë: a e patë atë incidentine armatosur mes Iranit dhe Pakistanit. Pa folur për oumbardimet në Detin e Kuq… Kurse, Venezuela pretendon për ta invaduar Guijanën. Ekuatori është në prag të luftës civile me narkotrafikantët dhe shtetin e korruptuar. Në Kongo janë 10 mos 15 vite luftë mes bandave kongoleze, ruwandeze, angoleze, ugandeze, e ku ta di unë dhe janë vrarë mes 5 deri në 8 milionë njerëz deri tani, pa i përmendur absolutisht askush, si mos të ekzistonin fare dhe po vazhdon i njëjti muhabet. Bile po ndalemi me kaq, se mund t’i shtojedhe 20 dosje më tutje… Mirëpo, e filluam vitin 2024 me të gjitha këto probleme, konflikte, luftëra dhe destabilizime mbi shpinë dhe në kokat tona. Si do ja bëjmë? Me një Amerikë të papërgjegjshme, të cilës sot, nuk po i frigohet askush realisht… kush do i ndalë këto logjika luftarake? Duhet t’i hapim sytë! Unë personalisht kam frikë që dikur dikund do shpërthen diçka e rëndë dhe do na del komplet jashtë kontrollit! Dhe është krejt e mundshme. Pse? Sepse, jemi të gjithë të acaruar, të tensionuar, të irrituar, shumë larg idesë së dialogut, në logjikën e konfrontimit direkt dhe të mbiarmatosur… Ka humbur ajo ideja e urtësisë, e pleqërisë, e humanizmit, e bashkë-bisedimit paqësor. Është diçka që unë po e perceptoj shumë qartë, por nuk e di se sa po e kuptojnë të tjerët dhe deriku janë të vetëdijshëm? Kështu, që ndërkohë, duhet absolutisht dhe urgjentisht që EUROPA të bashkohet seriozisht, të armatoset sa më profesionalisht dhe ta definojnë një strategji të përbashkët dhe të harmonizuar, duke u angazhuar në favorin e njëri-tjetrit dhe për t’i mbrojtur interesat e të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Europian. Duhet për ta hapur një rrugë të ré me një logjikë tjetër: si do mbrohemi ne vetë, pa ndihmën apo intervenimin amerikan, nesër apo pasnesër, nëse na sulmon dikush? Pra, duhet pos një strategji ekonomike dhe financiare, një strategji politike dhe të mbrojtjes ushtarake të kontinentit. Aq më tepër kur po shihet shumë qartë, që atmosfera globale është për momentin aspak e favorshme dhe deri dikund bile mjaft shqetësuese, për mos me thënë potencialisht e rrezikshme. Sepse, as Putini, as Ci Ping nuk do ndalen me aq… Kurse, ku me e ditur çka do vendosë Kim Sungu, një psikopat delirant, me Korenë e Veriut? Jemi të gjithë të ulur mbi një fushë baruti ! A mund t’i besohet atij njeriu?
Dhe nuk do na vjen as Gandhi, as Nelson Mandela, as Ibrahim Rugova, për të na qetësuar me një këshillë humane pozitive, as gjyshet apo nënat tona. Janë zhdukur edhe ato personalitete me famë dhe prestigj, të cilat i kemi dëgjuar deri dikund me respekt. Kurse sot, nuk po na mbush mendjen askush dhe në thelb, nuk po respektojmë askënd, ngaqë nuk po na bind askush me ndonjë vlerë madhore. Jemi në dorën e mjerë të teknokratëve, të klounëve apo klonave të dalur nga e njëjta fabrikë e komunikimit steril, por pa asnjë vizion serioz politik ose të populistëve uzurpatorë, ose më zi të diktatorëve patologjik dhe të paskrupull.
Atëherë në këtë kontekst: çka do bëjmë nuk e di? Nga do shkojmë nuk e di? Porse, po e shoh që po fryn populizmi dhe fashizmi edhe tek ne në Europë, pra një civilizim gjenial me 2000 vite kulturë dhe trashëgimi madhore, mbi të cilat po pshurrin përditë, vetë idiotët europianë, ngaqë janë të zhytur në një depresion dhe nihilizëm të thellë, në vend se me qenë super krenarë për t’i mbrojtur kudo vlerat e kontinentit më gjenial të planetit tokësor, me plot bindje, dinjitet dhe pa asnjë kompleks… Por jo, se edhe ata i ka kapur sëmurja, dekadenca e përgjithshme, siç e ka kapur Amerikën gjatë viteve të fundit. Dhe është Franca gati për ta vendosur me Marine Le Pen, ekstremin e djathtë në pushtet në vitin 2027, turpi i botës. Pastaj, në Gjermani e kemi një kancelar qyqan dhe të pavendosur, pa asnjë autoritet, Mister Scholz… e kush janë pra liderët e mëdhenj dhe prestigjiozë të Europës sot e nesër? Në Amerikë i kemi dy pleq defektozë… Në Argjentinë, një të sëmurë psikik! Atëherë, po shihet shumë qartë kriza e thellë e shteteve të quajtura demokratike, ligësia e tyre dhe në këtë kontekst, po përfitojnë shtetet totalitare dhe diktatoriale… pra, çka e quaj unë: triumfi i idiotësisë, i mesjtetës, i regresionit global, i absurditetit të papaparë dhe i irracionalitetit patetik të paimagjinueshëm! A nuk është për t’u alarmuar, të dashurit miq? Duke qenë të verbuar dhe të dorëzuar, duke mos pa zgjidhje apo rrugëdalje, ndonjë perspektivë serioze…
Të zhytur në nihilizëm dhe në depresion, duke pshurrur mbi gjithçka dhe pa besuar në asgjë, sot, po vijmë si të droguar, me atë ëndrrën për një shef të madh absolut, ose thënë më mirë, për t’ia dorëzuar pushtetin tonë, një debil itotalitar, i cili supozohet që e di se çka donë… Sepse, nga kondicionimi për zi, nga kretinizmi global, nga show, anti-kultura e përgjithshmee propaganduar gjithëkund 24 orë në 24, nga triumfi i antivlerave, i cirkuseve dhe i spektaklit permanent, i analfabetizmit global (a po i shihni pra ju vetë, pasojat e sistemeve tona brenda Europës?) sot jemi vet ne evropianët duke i mohuar vlerat tona shekullore, duke e deniguar vetveten, gjithë atë civilizim kolosal që ia kemi dhuruar dikur botës, dhe kjo quhet dekadenca e përgjithshme, ashtu siç janë fundosur të gjitha civilizimet e mëdha planetare… Roma, Greqia antike, Egjipti, etjerë me radhë.
Dhe sot: jemi me telerealitete, lojëra dhe bixhoze, konsumime të kota, lavazhe truri dhe notojmë brenda këtij Kontinenti, gati si amnezikë të shkretë, të paidentitet, histori, as kulturë, pa e ditur nga vijmë as ku do shkojmë? Është mjerim i madh sinqerisht për të na vajtuar… Dhe nga gjithë ky Kaos i brendshëm, që përputhet edhe me Kaosin e jashtëm, nga ajo zbrastësi kronike që kemi, dhimbje shpirtërore që quhet depresioni individual dhe kolektiv: kërkojmë me na ardhur në Pushtet për të na drejtuar… jo Leonard da Vinci, as Erasmusi, as Kanti apo Spinoza, por çfarëdo horri alla Trump, Berluskoni, ose psikopati post Hitlerian, veç të sillet tamam si shef me autoritet dhe të na çojnë ku e di ai vetë për të mirën tonë!
Faleminderit o miq dhe mikesha, por mua më leni në lirinë dhe anarshinë time, në poezinë, filmografinë dhe muzikat e mia, në imagjinatën time të pafund, as kufi, se më duhet sa më tepër oksigjen dhe humanitet nëse është e mundur për disakohë! Po lutna edhe për ju, por nuk e di se sa do ia vlejë? Më mirë merreni veten tuaj në dorë dhe filloni me një tavë prej Elbasanit, një verë të kuqe Bordeau, shoqëruar me një copë flijë nga Tropoja!
Arriverderci Tirana dhe Roma… Fellini: motorre… skena due, aksione! Silenzio!
Bruksel, 20 janar 2024.
Skënder SHERIFI, poeti marsiano-tokësor, pa zinxhirë e as vargonj!