Albspirit

Media/News/Publishing

LATIFE NORA, DËSHMORE E SHQIPËRISË, KRENARI E LABËRISË

 

(Kushtuar dëshmores nga Fushëbardha e Labërisë Latife Veli Nora (1929-1945), dhe të gjithë kombit shqiptar partizanja dëshmore 16 vjeçare, e Brigadës së Gjashtë Sulmuese që sfidoi moshën, mentalitetin dhe kohën luftoi dhe marrshoi me këmbë për 3700 kilometra nga Fushëbardha në Suhagorë. Latife Nora ishte pjesë e BrVIS që për 679 ditë u shqua për luftë dhe fitore ndaj fashizmit. Nga Fushëbardha si pjesë e formacionit luftarak të Br VIS kanë derdhur gjakun për atdhe dhe mbajnë sot titullin e madh “dëshmorë”: Alem Zano Shehu, Tahir Reis Xhuvani, Kutbi Çelo Gjeçi, Xhezo Dervish Proda, Muin Myslim Balashi (nga Mashkullora, por lindur në Fushëbardhë) dhe ishte djali i hoxhës së fshatit) dhe Latife Veli Nora patizanja më e vogël e brigadës. Janë emra të gdhendur në historinë e LANÇ-it dhe historinë tonë kombëtare, janë meteorë në qiejt e lirisë. Brigadës VI Sulmuese “Hero i Popullit” edhe sot i këndohet kënga-himn, “Dil nëno të shikosh jashtë, si lufton brigad’ e gjashtë”, një epope lirie e shkruar me gjak nga 1700 luftëtarët e saj, ku 220 ranë në fushën e nderit dhe 540 partizanë u plagosën).

 

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

 

Latife Veli Nora – dëshmorja 16 vjeçare, që kreu marrshim luftarak për 3700 km nga Fushëbardha në Suhagorë

Fushëbardha është një fshat në krahinën e Kardhiqit me histori trimërie, mençurie e lavdie. Në familjen e Veli Norës në fillim të marsit 1929 lindi vajzë dhe emrin ja vunë Latife. Ajo rridhte nga një familje e varfër, por me tradita patriotike dhe atdhetare. Nga fisi dhe trungu familjar i Latifesë vazhdimisht kishin luftuar me pushtuesit sa herë binte kushtrimi i luftës. Ato pak klasë fillore i mori në Fushëbardhë të Gjirokastrës. Çizmja e rëndë e pushtimit kishte pllakosur si në çdo fshat edhe në vendlindjen e saj. Edhe pse e vogël Latifeja ishte bashkuar vajzave më progresive e antifashiste në luftë kundër fashistëve krahas vajzave të tjera nga Fushëbardha si Dife Maçi, Rabie Caca, Republika Çarçani, Kano Çarçani, Nevro Çarçani, Këze Kazo, Trëndelina Memushi, Shega Onjea etj. Latifeja dhe vajzat fushbardhiote merituan të thirreshin: “luftëtare të lirisë”, dhe u bënë ndër më aktivet në formacione partizane kundër pushtuesve nazi-fashistë. Zanati i luftëtareve për liri në luftë me armikun nuk ishte më “vetëm për burra”, por krah për krah baballarëve dhe vëllezërve ishte e trashëguar në breza. Latife Nora u rreshtua e vogël në formacione luftarake që i dhanë krenari dhe dinjitet Shqipërisë. Ajo mori pjesë si luftëtare çete dhe më tej në luftimet për mbrojtjen e Kongresit të Përmetit, luftoi në të gjitha betejat me brigadën në hapësirën shqiptare por edhe në Kalanë e Medunit, në Vrushë, Ljeve Reka, e deri në Bosnjën jugore në Suhagorë. Në një ditë janari të vitit 1945 duke çuar një letër në shtabin e Brigadës partizane ajo rrëshqet në dëborën e ngrirë dhe bie në një gropë, duke marrë dhe më shumë plagë të tjera. Shoqet pasi panë vonesën e saj shkuan për ta ndihmuar por plagët e mara ishin shumë të rënda dhe mandej e çojnë në spitalin partizan por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra. Vajza heroinë, që nuk e morën dot plumbat për qindra kilomentra, thëllënxën e Fushëbardhës e mposhtën plagët e motit të acartë dhe dha jetën në ato male të larta, në fushëbetejë shumë larg vendlidhjes, jashtë kufijve administrativë shqiptarë, por në tokën e stërgjyshëve arbërorë. Ajo u shua nga plagët në Rudo të Bosnjës, më 17 shkurt 1945, pa e ditur se 17 shkurti do të ishte edhe dita e Pavarësisë së Kosovës, pas dhjetra dekadash. Tek koka e varrit i vunë kapelen me yll të partizanes 16 vjeçare të Br6S, dhe ku për herë të parë u këndua edhe kënga: “Latife e vogël-o,;/ O motre e Brigadës-o;/ Ra vajza në mal me borë;/ Ra vajza në Suhagorë, Luftove në Suhagorë;/ Maleve me borë;/ Kudo luftove me trimëri;/ Re dëshmore për liri..”. Latifeja ishte më e vogla e Brigadës partizane dhe nuk ju nda asaj në të gjitha betejat deri në Suhagorë, përtej kufijve administrativë shqiptarë, matanë Kosovës, ku dha edhe gjakun dhe ngeli pishtar i përjetshëm lirie. Prandaj edhe kënga për dëshmoren e Fushëbardhës, këtë labëreshë të vogël jehoi në çdo fasht të të gjithë Labërisë. Latife Nora u shqua për trimëri e mençuri mes luftëtarëve partizanë dhe e shkroi me trimëri dhe me gjakun e saj dhe të shokëve të saj të armëve në një prej luftrave më të organizuara dhe fitimtare të shqiptarëve. Ajo bëri sakrificën më sublime njerëzore, për lirinë e Atdheut, ndaj ngeli në këngë dhe në lapidar, në vlerësimin e shtetit dhe të shoqërisë, për aktin e madh të derdhjes së gjakut për atdhe, për lirinë e Shqipërisë. Latife Nora është shpallur “Dëshmor i Atdheut”, me Vendim Nr. 65 datë 02.10.1979 të ish-Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Gjirokastër. Dëshmorja 16 vjeçare Latife Nora ka hyrë në panteonin e kombit shqiptar, sepse historia e lirisë së vendit është shkruar me shkronja gjaku. Për këta arsye emri i saj është në Lapidarin e Fushëbardhës, në qendër të fshatit, në Librin e Dëshmorëve të LANÇ, që përkujton luftën dhe dëshmorët e kësaj lufte. Dëshmorja e Fushëbardhës dhe e gjithë Shqipërisë është një ndër 220 dëshmorët e BrVIS “Heroinë e Popullit”, si dhe dëshmorët e tjerë të LANÇ-it përkujtohen çdo 5 maj për aktin e lartë të trimërisë dhe vetmohimit në shërbim të Atdheut dhe kombit, duke nderuar fshatin, krahinën, trevën labe, Shqipërinë. Dëshmorë dhe heronj të BrVIS janë: Mustafa Matohiti, Meleq Gosnishti, Lefter Talo, Fato Berberi, Persefoni Kokëdhima, Çelo Sinani, Mitro Xhani, Zaho Koka.Dëshmorja e Atdheut Latife Nora, i përket gjithë kombit, jo vetëm Fushëbardhës dhe Labërisë, por mbarë shqiptarizmës. Gjaku i saj që u derdh në Suhagorë, pas 3700 km marrshim luftarak bashkë me BrVIS, qëndron thellë në lirinë e Shqipërisë. Eshtrat e Dëshmores Latife Nora prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Gjirokastrës. Latife Nora, çdo vit që do shkojë do të ngelet e lartësohet më tej vepra e antifashizmit si dhe flamur i shqiptarizmës si yll i shndritshëm në piedestalin e kombit. Latife Nora ishte njё meteor i ndritshёm nё qiejt e lirisё, ishte njё prej 251 grave dhe vajzave shqiptare, qё bashkuan gjakun me vёllezёrit e tyre partizanë dhe ngelёn pёrjetёsisht yje nё  “Yjet e Pashuar” nё “Qiellin e Lirisё”, nё panteonin e njerёzve tё ndritur tё kombit shqiptar.Latife Nora ishte pjesë e pandarë e trimërisë sikurse edhe e 110 grave dhe vajzave si dhe 60 pionierëve, që i bënte partizanët më të trimëruar. Meritë të veçantë e drejtimit kanë qenë kuadrot drejtues Tahir Kadarea, Mustafa Matohiti, Haki Tosla, Jaho Gjoliku e të tjerë drejtues në vazhdim, shumë nga të cilët ranë në lulen e rinisë. Dhjetë luftëtarë dhe vetë brigada merituan titullin e lartë Hero i Popullit”. Fakt është se Brigada u krijua nga pesë batalione “Asim Zeneli”, “Abaz Shehu”, “Baba Abaz”, “Naim Frashëri”,  dhe batalioni “Zaho Koka”. Fakt është se BrVIS luftoi edhe përtej kufijve. Kështu me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm Enver Hoxha, Divizionet V e VI Sulmues marshuan përtej kufijve shtetërorë. Më 29 nëntor 1944 BrVIS, kalon lumin Cem, Pritet ngrohtësisht në Hot e Grudë, ngrihet flamuri kuqezi nga banorët, ulen në gjunjë dhe e puthin me emocion. Beteja në Bioçe zhvillohet më 3 dhjetor 1944, tri ditë luftë në një dimër të acartë dhe me shumë dëborë. Forcat nazifashiste dhe  aeroplanët nazistë godasin partizanët, ndërkohë që nga fusha e Podgoricës rrihte artileria e tyre, por Brigada e gjashtë sulmon dhe midis tyre edhe vajza nga Fushëbardha Latife Nora. Betejat vijojnë edhe në Leva Rjekës të Verushës. Në frontin e luftës lindi një këngë e re, “Në Verushë e n’ ato maja/ Lule lulja Bukuri/ Shoqe të zuri mortaja..”, që ju kushtua dëshmores Bukurie Bazoqë ra më 20 dhjetor. Viti i zuri në luftime dhe më 4 janar 1945 në marrshim nga burimet e lumit Tara në betejë të përgjakshme, por edhe në luginën e lumit Lim. Luftë në male mbuluar me akuj e bore, luftë me urinë, zbathur e zhveshur, me e pa këpucë, me e pa kapota. Partizanët ndaheshin nga jeta në dëborë me pushkë në dorë. Brigad e VI Sulmuese, gjithë Divizioni V e VI i ndoqën forcat nazifashiste me luftë heroike në Mal të Zi e deri në Bosnjën Jugore, si dhe me veprime luftarake në Kosovë e Maqedoni, duke e trupëzuar trimërinë me këngën: “U derdh gjak me okë, për këtë tokë…” dhe në fakt njera nga partizanët e brigadës që jetën e dha për trojet shqiptare ishte Latife Nora, prandaj edhe ngeli në këngë: “Latife e vogël-o,;/ O motre e Brigadës-o;..”. LANÇ-i mbetet epopeja më e lavdishme e të gjitha luftërave që ka zhvilluar populli ynë në shekuj dhe padyshim nuk ka forcë që ta fshijë nga historia këtë luftë heroike, rrezet e së cilës flakërojnë bindshëm mbi të gjithë ata që kanë sy dhe veshë. Veteranët, pasardhësit, nipa e mbesa të dëshmorëve e invalidëve të luftës partizane, do të dinë të mbrojnë brez pas brezi LANÇ-in, vlerat e simbolet e saj, që shqiptarët në messhekullin e kaluar i renditën krah fitimtarëve.Duke vlerësuar aktivitetin e madh politiko-luftarak të Brigadës VI Sulmuese Presidiumi i Kuvendit Popullor i akordoi asaj urdhrin “Ylli partizan i klasit I” si dhe dekoratën më të lartë: “Hero i Popullit” me këtë motivacion: “Për plotësimin me heroizëm të lartë dhe vetmohim të detyrave të saj të mëdha luftarake e politike, për kontributin e shquar në çlirimin e atdheut nga pushtuesit fashistë e tradhtarë dhe në vendosjen e pushtetit popullor. Ajo ka luftuar gjithnjë me trimëri të rrallë dhe ka treguar një besnikëri të pakufishme ndaj popullit e Partisë, duke korrur fitore të shkëlqyera mbi armiqtë dhe duke mbajtur gjithnjë lart emrin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ajo ka kryer, gjithashtu, me nder dhe me frymë të thellë internacionaliste detyrën që i ngarkoi Komandanti i Përgjithshëm, tok me njësi të tjera të UNÇ Shqiptare, për të ndihmuar në çlirimin e popujve të Jugosllavisë. Shembulli i lartë i heroizmit dhe i vetmohimit të saj ka frymëzuar gjithë luftëtarët partizanë dhe frymëzon sot punonjësit e vendit tonë, sidomos rininë, në ndërtimin e plotë të shoqërisë socialiste dhe mbrojtjen e atdheut socialist”, motivacion që vjen për lexuesin sipas origjinalit. Të dhënat janë marrë nga: libri “Për popullin me popullin”, Tiranë,  1968; Libri “Dëshmorët e Atdheut”, Tiranë: Realstamp, 2012; Yje të pashuar, vëllimi, III, Tiranë, 1972; Fero Golemi, Nga Fushëbardha në Ushtrinë Popullore, Tiranë, 2015; Periodiku i gazetës “Fushëbardha”, 2004-2014; Periodiku i gazetës “Labëria”, “Mbrojtja” dhe “Ushtria”, 2010-2019; Të dhëna nga muzeumet (MHK), Historiku i Brigadës VI Sulmuese, Shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1989, hartuar nga grupi i punës Xhule Çiraku, Esat Golemi, Xhemil Frashëri, Resul Bedo, Lame Çekani, Petrit Mamaj etj.., redaktorë Petrit Bezhani, Refik Kucaj; Të dhëna nga përpjekja e parë për shkrimin e historikut të brigadës së gjashtë  u bë që në vitin 1945; Një histori e zgjeruar e BrVIS viti 1961; Libri  “Grusht çelik bigadë e gjashtë”, 1973 dhe Historiku i ripunuar i BrVIS viti 1989, Periodikë revistash e gazetash të Bibliotekës Kombëtare.

 

 

 

 

 

Please follow and like us: