Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Poezi malli për vendlindjen

 

Agim Lika në këtë fillim viti 2024 na vjen me dy libra me poezi që ja dedikon krahinës, vendlindjes së tij, Ishmit, me tituj: “Vendlindja e harruar” dhe “Si hënë e kristaltë”.

Ndaj, që në fillim i uruoj mbarësi dhe suksese në rrugëtimin e tij në fushën e shkrimeve. Si mik dhe koleg e falënderoj për përpjekjet që ka bërë dhe bën për të lëvruar dhe fushën e shkrimeve dhe këtë radhë me dy librat e tij me poezi. Është një gjetje në këtë kohë të trazuar që po kalojmë, për të cilën ai me shqetësim dhe me dashuri për vendlindjen i ka thurur poezi. Urim i veçantë, plot respekt, mirësi dhe sinqeritet shkon dhe për familjen e Tij, por dhe për Agimin që e falënderoj nga zemra, për përkushtimin e tij të palodhur, fjalëpak dhe mendjebehar, një atdhetar i vërtetë dhe një ish ushtarak fisnik si Agim Lika.

Nëpërmjet rrjeteve sociale u njoha me librat e tij, për të cilat po shpreh disa emocione modeste, nisur nga këndvështrimi im. Janë poezi ndryshe pasi dhe bashkëpunëtorët e tij, kanë menduar ndryshe për paraqitjen e librave, pasi ata janë emra të njohur në fushën e letërsisë dhe kulturës shqiptare si Kujtim Xhebexhiu, Aleksandër Paja Lavdi Paja, Gëzim Gjyli dhe Merita Kuçi – Thartori.

Në vëllimin “Vendlindja e harruar” autori ka dëshmuar në faktit se vendlindja e ka përthithur tepër ngrohtësisht, sa edhe ai vet e ka përpirë të gjithë atë, duke i kujtur historinë, traditat, zakonet, njerëzit të ikur nga jeta dhe ata që ende jetojnë dhe gjallërojnë vendlindjen e tij.

Në poezinë “Trimi i Shetajve, Ismail Selman Lika”, përshkruan një kapedan që vjen që nga lashtësia për të dëshmura origjinë e Ishmit, ku autori shkruan:

Vetëm një lis ishte Mal Selmani

Nga një lis u bë një pyll pa fund

N’Ishëm e Durrës i kish dalë nami

Familje të tillë s’gjeje kërkund.

Në këtë vëllim me 67 poezi të shkruara me mall dhe me dhimbje, autori kujton të gjithë fisin, miqtë e familjes, por dhe ata që ka njohur e që kanë bërë emër dhe ngritur lart vlerat e Ishmit. Kështu autori në poezinë “Vëllezërit Gjyli në Ishëm” është shprehur:

Poezia është për të ditshëm

Vëllezërit Gjyli aty hyjnë

Gjurmët e tyre janë në Ishëm

Si “Vëllezërit Frashëri” rrezëllijnë.

Duke nxjerrë mallin për vendlindjen, është shmallur me të gjithë, në vargjet e tij për Ishmin dhe ishmakët ndaj poeti është shprehur:

Shumë ishmakë, kanë menduar

Secili me mendjen e tij

Se Agimi, Ishmin e ka harruar

S’i ka thurur ndonjë poezi…

Mesa duket edhe Agimi është pjesë e madhështisë së kësaj historie, të atyre njerëzve që për dije, kulturë dhe trimëri, qëndruan stoik përpara shekujve dhe kohëve historike.

Dhe vargjet e autorit nuk mund të mungonin për Ishmin ku në poezinë “Ta duam Ishmin tonë të bukur!” ka shkruar:

Shek. XIII, n’Rodon kalaja ndërtuar

Në Shufada, Ishmi portin fuqizoi

Si principatë Topiajt kanë sunduar

Ishmi, pas turqve, kalanë rindërtoi.

Agim Lika ka mësuar, por dhe na mëson nëpërmjet vargjeve të librave se e para është fjala njeri. Me këtë fjalë në mendje dhe në zemër ka arritur të ndërtojë dy libra të ndryshëm nga njeri-tjetri, por që shprehin mall dhe dashuri për njerëzit e thjeshtë të këtij trualli arbëror. Me këtë ritëm vjen dhe libri “Si hënë e kristaltë”, ku autori nëpërmjet 81 poezive na ka sjellë një poezi të thjeshtë, emocionale dhe shpërthyese, ku në stuhi shqiponja çan suferinën e retë dhe shikon në kaltërsi qiellin e pastër si kristali të Ishmit.

Ndaj dhe krijimet e tij më të fundit dhe më të veçantë, autori ka vendosur t’ja kushtoj Ishmit, njërës prej krahinave me të bukura, që ka shkruar histori me pushkë dhe me penë, por që sot Agimi, si pasardhës i kësaj treve ka vendosur, që ta përjetësojë me fjalë zemre, duke respektuar: traditën me zakonet, ritet me karakterin, trimërinë me ashpërsinë, bujarinë me burrërinë, fiset më njerëzit, diturinë me bamirësinë etj. Kjo është arsyeja që qasja e tij me historinë e të gjitha kohërave të Ishmit e bën poezinë e tij më intriguese, më të besueshme, më provokatore për lexuesin. Vargje të tilla si në poezinë “Bindjet” shprehin formimin e personalitetit të njeriut ku thotë:

Njeriu e formon veten si personalitet

Përmes bindjeve të veta

Ashtu është dhe ai vetë në të vërtetë

Me batica e zbatica është jeta.

Në ushtri Agimi ka mësuar dhe ua ka përcjellë edhe studentëve të tij ndër vite, se nuk ka dashuri më të madhe se dashuria për vendlindjen.

Në jetë ai e ka përvetësuar dhe po e trashëgon nëpëmjet testamentit që po përurojmë sot, gjuhën, traditën e trevës dhe heronjtë pa të cilën nuk do të ishte Ishmi, nuk do të kishte mikpritje, madje as bukuri mahnitëse, të cilën e gjen në vendlindjen e tij. Në librat gjen edhe informacion të detajuara, të shtrira në kohë deri në ditët tona, por mëson dhe për bukurinë e shpirtit të Agimit.

Në vjershëm “Librat” autori është shprehur se:

Ç’kënaqësi të japin librat, ç’vlera kanë

Nga një vend në tjetrin të çojnë

Si anije gjigande në oqeane, ata janë

Jetën ta ndriçojnë e shumë të qartësojnë.

Shkëputa disa vargje nga këta dy libri libri, sepse ato janë plot… ashtu siç është e madhe historia ishmake. Në këta libra Agimi ka folur me gjuhën e vendlindjes, me ajrin e pastër, me bukuritë natyrore, me dallgët ledhatuese të detit Adriatikun.

Agim Lika gjithçka që ka krijuar në librat me poezi janë të mjaftueshme për t’i dhënë emrin e tij edhe një vend të inkurajues në poezinë e sotme shqipe, përveç asaj që ai ka dhënë në jetë shoqërore dhe ushtarake. Librat përcjellin një mesazh fisnik të autorit sepse: “kjo është krahina ime, ndaj ta duam dhe ta lartësojmë emrin e bukur dhe të shenjtë të saj”.

Please follow and like us: