Albspirit

Media/News/Publishing

Mimoza Bici: Ne ishim dikur…

Pasi më lindën një livadhi
U rrita grabitqare
Dashuria ish veç uri
Kur sytë po perëndonin
drejt një ëndrre plot dritë
Brenda një guve
trupin ma lanë të tretej me shpirtin
Nuk duhej groposur ky trup
derisa kish lindur nga dielli
Nuk kish sesi të mendohej groposja
Nuk isha bimë.
Vdiqa siç linda
lakuriq.
Më pas
pasi më rilindën
në një shtëpizë
rrethuar me degë e gjethe
U rrita mes gjallesa kërshërish
Kur sytë po perëndonin
drejt një ëndrre me yje
Trupin ma lanë të tretej
brenda një grope
bashkë me shtëpizën e vockël rrethuar
Sapo kishin filluar
Teoria e Mendimit
nxitur
nga kundërmimi i trupit
apo keqardhjes së shqyerjes nga grabitqarët apo mizave të bezdisshme.
Po dallohej e mira dhe e keqja
Kjo po sillte evolim…
Më pas
shtëpia ime e lindjes do ish me gurëza balte rrethuar
dritare jo!
T’mos më shihnin sesi rritesha përdhunimit nga çdo udhëtar rastësishëm
apo syresh përreth.
Kur sytë po perëndonin
drejt një ëndrre zjarr e ferr
Trupin ma vendosën poshtë një grope rrethuar me dru të fortë
T’mos dëgjonin klithmën e shpirtit përtej vdekjes
Frika kish më uri për t’u mbjell
Sapo kish filluar Filozofia dhe Feja
dhe hapja e një dritareje
shtëpisë së baltë ku do kuptohej se dashuri
do ish gjithshka të doje natyrën dhe veten
Më pas u linda
në një shtëpi me sende mijëra vjeçarë zbukuruar
Kur u rrita
zbukuroja trupin
mendoja përjetësinë
Kështu aty poshte nën gropëz do të kish veç rrënjë bimësh
Më tmerronte vdekja
Sapo kish filluar Shkenca
Akoma më pas
Kur nuk mundesha t’i siguroja trupit paqe
As me Filozofi
Fe
Shkencë
Ashtu e zbukuruar
me qiellin ndër duar
botën evoluar
Kuptova papritur
se isha shndrruar në kavie laboratorike
nga ky zhvilloja llojin tim të ri…
Sapo ka filluar koha e
Teknologjisë
Uria e vdekjes përtej dashurisë
Duke kërkuar përjetësinë
kisha zvogëluar jetën
aq sa jetoja kur linda livadhit
Koha e Teknologjisë
Përplasjes së vetes
Gjenitë evoluar për të arritur pikën e fillimit
rrotulluar kohës bosh
Gaztorë shtëpive plot dritare
Duke rikthyer fillesën
E si gjykatës moderuar
vendosën:
Kohën e Mendimit
– Fajtor!
Hipoteza:
Prodhues Filozofi
tejzgjatur me Fenë
Shkencën
Teknologjinë
mosdhënia e asgjësë
– Si asgjë!
Ku ishim, si jemi?
– Ne ishim pa jemi
Zhvilluam padijen
Fuqisë së padukshme
Moderuam jetën, trupin
E kur vlera e së bukurës kish më energji
Vrapuan ta mbanin në duar
idiotët
si kupë presidenciale
ku epokën e lavdisë së hekurit
mbajnë nën presion me grimcën atom
Mjafton kjo grimcë
të na shndërrojë në… asgjë
Ne ishim dikur
Tani jemi Asgjë.
Tiranë, janar 2024.
Please follow and like us: