Nostradamus, profet apo mashtrues?
Napoleoni dhe Hitleri, bombardimi në Hiroshima, sulmi në Qendrën Botërore të Tregtisë. Në 1555, profeti Nostradamus parashikoi këto ngjarje. Ose kështu duan të besojnë ndjekësit e tij…
PROFECIA 8:01 – Fitorja e Napoleonit
Sundimtari i ri ka lindur në shenjën e luanit dhe nuk ka gjak mbretëror. Do ta duan njerëzit, por nuk do të shkojë mirë me Papët (në fakt Napoleoni i mundi në fushatën kundër Italisë në 1796 dhe një vit më vonë, ushtria e tij mori të burgosur Papa Piun VI).
Vetë Napoleonit i pëlqente ta besonte profecinë. Por e vërteta është se Pau, Nay dhe Loron që përmend Nostradamusi janë vende në Francë (dhe jo emri i Napoleonit). Pampon dhe Durance janë lumenj francezë. Në shumë vende janë zëvendësuar me “Francë”, për t’i shkuar për shtat “profecisë”.
Profecia 2:24 – Ardhja e Hitlerit
Emri Hister shfaqet 5 herë në librin e Nostradamusit dhe interpretohet si Hitler, dhe parashikimi interpretohet si ai i fillimit të Luftës së Dytë. Bishat – tanket e HItlerit – do kapërcejnë lumenjtë rrotull Gjermanisë dhe Hitleri do i rrokë tokat me një grusht të hekurt.
Megjithatë “Hister” nuk ka fare të bëjë me diktatorin gjerman. Eshtë një emër i vjetër i Danubit, që bashkë me Rinin formonin kufirin verilindor të perandorisë romake. Kur ka shkruar këtë profeci, me siguri Nostradamusi kish menduar për fiset gjermanike në Evropën veriore, pasi ishte i frymëzuar prej Perandorisë Romake.
Profecia 2:91 – Bombat Atomike në Hiroshima dhe Nagasaki
“Në agim do shihet një zjarr i madh…”. Kjo profeci shihet si paralajmëruesja e bombardimit të Hiroshimës dhe Nagasakit. Zjarri i madh është reja si kërpudhë, drita e të cilës shtrihet deri në veri. Ata që nuk vdiqën në shpërthim, do vdisnin nga uria dhe zjarri.
Por ashtu si shumë prej profecive të tjera të Nostradamusit, këtu mund të ketë qenë duke folur për shumë prej betejave dhe fatkeqësive të tjera që kanë ndodhur.
Profecia 2:62 – Sadam Huseini dhe fundi i botës
“Mabusi shpejt do të vdesë…” Shumëkush e interpreton si profeci për Sadam Huseinin dhe luftën e Irakut. Mabusin e shohin si anagram të Sadamit. Kush e beson thonë se ai shkruajti Mabus (Subam mbrapsht) në vend të shkruante Maddas (Saddam mbrapsht).
Por nëse Nostradamusi përdorte emra të pasaktë dhe anagrame në të njëjtën kohë, atëherë mundësitë e interpretimit janë të pafundme. Të tjerë e kanë parë këtë profeci si ditën e kiametit, kur shfaqet kometa Halley. Por siç dihet, bota nuk mori fund në 1986…
Profecia 10:72 – Fundi i botës në 1999
“Viti 1999, muaji i shtatë… / Nga qiejt do të vijë një Mbret / Për të sjellë në jetë Mbretin e Mongolëve” / Që pas Marsit të mbretërojë me fat”
Viti është i qartë, por ç’do ndodhte nuk dihet. Disa thanë se parashikonte fundin e botës. Në fakt ka gabime në përkthim. Nostradamusi ka shkruajtur “Mbreti i Angolmois” dhe jo “Mbreti i madh i Mongolëve”.
Profecia e tij ndoshta është frymëzuar nga rrëfimet për mbretin e Angoumois, Francois I. Në 1525 ai u kap nga mbreti gjermano-spanjoll, Charles V, që ishte gjithashtu Perandor i Shenjtë Romak, pra edhe Mbret i qiejve. Francois u lirua në mars 1526…
Profecia 1:26 – Vdekja e john F. Kennedy
“Njeriu i madh do goditet në mes të ditës nga një rrufe… / Një punë e ligë e parathënë nga një parashikues / një tjetër do të bjerë natën…”
Kjo besohet se parashikon vrasjen e John F. Kennedy, që u godit në mes të ditës. Më herët një parashikues e kishte paralajmëruar të mos shkonte në Dallas. Vëllai i tij, Bob Kennedy u vra natën vonë në 1968.
Por parashikuesi kishte folur edhe për ngjarje të tjera të këqia të cilat nuk ndodhën kurrë kështu që ai nuk ishte i besueshëm. Po kështu, Nostradamusi flet për “sëmundje të Toskanë” në këtë paralajmërim dhe këtë besimtarët nuk e shpjegojnë dot.