Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Komisar Panajot Leku, përherë midis nesh

 

Vendlindja e komisarit

Fshati Qestorat ndodhet në njësinë administrative Lunxhëri, Bashkia Gjirokastër. Qestorati ka qenë një fshat i zhvilluar. Këtu ndaloi poeti anglez, Lord Bajron, vizitë në Qestorat të bërë më 17-19 tetor 1809, kur ishte ende i ri. Ai qëndroi në Erind dhe Qestorat. Në këtë udhëtim Bajroni u frymëzua dhe shkroi poemën “Shtegtimi”, të botuar tre vjet më vonë, në 1812.

Fshati Qestorat, në krahinën e Lunxhërisë në Gjirokastër, është e pabesueshme, por ka qenë realitet, sepse aty ka patur një shkollë të mesme bujqësore, si dhe një konvikt për nxënësit. Ka qenë si të thuash një fshat-qytet i zhvilluar. Këtu vijon historia e Mësuesit të Popullit Koto Hoxhi, i cili u burgos dhe u helmua nga grekët sepse në këtë shkollë u fol dhe u mësua gjuha shqipe, në vitin 1900. Qestorati është vendlindja e patriotëve dhe luftëtarëve të lirisë e pavarësisë Koto Hoxhit dhe Kristaq Zografit.

Nga Qestorati gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dolën mjaft partizanëve dhe luftëtarë të lirisë, midis të cilëve u shquan Misto Naqo Çipi, zëvendëskomandant i batalionit “Misto Mame”, Sofo Lame Papavasili, Ndriko Pandeli Kushta, Panajot Pilo Leku, Stavro Petro Floku, Telo Sevo Mitrokosta, Leko Qiro Çipi, Leko Pilo Leku, Llambo Pilo Leku, Mako Aleks Maku, Noto Koço Duka, Petro Mihal Zografi, Zoto Gole Qirjazi, Mihal Gole Qirjazi.

Trualli ku lindi…

Panajot Pilo Leku u lind në Qestorat të Lunxhërisë më 12 korrik 1924, në një familje të njohur atdhetare. Babai i tij, Pilo kishte qenë për mjaft kohë pjesëtar i çetave patriotike të zonës dhe kishte luftuar për liri dhe pavarësi. Me ndjenjën e atdhetarisë u formua dhe u edukua edhe Panajoti që në rininë e hershme të tij, duke dëgjuar histori për bëmat e luftëtarëve, si dhe heroizmin e mësuesit të Rilindjes Koto Hoxhi.

Panajoti pasi mbaroi shkollën fillore të fshatit, ku dhe u përgatit për të marrë rrugën e kurbetit. Kurbeti në atë kohë ishte në modë, burrat e fshatit Qestorat dhe të krahinës së Lunxhërisë, e kishin pranuar në heshtje një ndërmarrje të tillë. Në kurbet nga kjo familje kishin shkuar gjyshi, babai, si dhe vëllezërit e tij. E jëma, Gatho e përcolli Panajotin, djalin e katërt të saj për në kurbet. Ajo mbeti e vetme në shtëpi, duke ruajtur zakonet e traditat e familjes dhe të vendit. Në kurbet Panajoti kreu shkollën e mesme, por dhe punoi në punë provizore, e nga më të ndryshmet për të siguruar bukën e gojës dhe shkollën…

Kthehet në atdhe dhe bashkohet me lëvizjen

Në vitin 1941 kthehet në Atdhe dhe nëpërmjet të njohurëve punësohet në qytetin e Durrësit. Këtu aktivizohet në rrethet antifashiste të këtij qyteti, duke marrë pjesë në demostrata, në shpërndarje traktesh, në aksione të njësitit gueril dhe veprimtari të ndryshme kundër fashizmit. U aktivizua shumë me Rininë Komuniste. Kishte rënë në sy të spiunëve të fashizmit dhe nuk mund të qëndront më në qytet dhe të zhvillonte veprimtari. Kështu në fillim të vitit 1943 kthehet në Lunxhëri. Panajoti aty u mësonte të rinjve të Qesaratit tek lokali i shkollës së fshatit këngë partizane. E tillë ishte kënga: O e mërkurë njëzetë e nëntë,/ Muaji i marsit në mbarim,/ Lufta filloi, o që me natë,/ Hidheshin trimat,/ Përpara me guxim… Vargjet e këngës i kushtoheshin njerës prej betejave të shumta të luftës partizane të Qarkut të Gjirokastrës.

Fillimisht Panajoti del partizan në çetën partizane “Mihal Duri” dhe më pas në batalionin partizan “Misto Mame”, që u formua në Stegopull të Lunxhërisë më 8 gusht 1943. Me batalionin mori pjesë në shumë luftime, ku u dallua për guxim e trimëri, si në luftimet në Qafë Gjashtë, në Sarandë, në Dhrovjan, në Delvinë, në Cepo, etj.

Panajoti me shumë luftëtarë të njohur të Lunxhërisë u rreshtua në BrVIS, e cila përurimin e saj e bëri në zjarrin e luftës. Nga data 26 janar 1944 që është dhe dita e formimit të kësaj njësie partizane, forcat gjermane, të ardhura nga dy drejtime: Këlcyrë-Përmet dhe Tri Urat-Përmet, bëri që për 8 ditë të zhvilloheshin luftime të ashpra në Kuqarr, në Varibop, në Kosinë, në Zelush, në Petran, te Guri i Bardhë, në Badilonjë etj., bëri të dështonte plotësisht operacioni armik në luginën e Përmetit. Gjatë kësaj periudhe brigada bashkërendoi veprimet e saj luftarake edhe me BrVS dhe BrIS, si dhe me batalionet territoriale të zonave, edhe me partizanët e Zonës Parë Operative, me komandat e vendit, me Këshillat Antifashiste Nacionalçlirimtare të fshatrave. Në luftimet e zhvilluara spikati gjithmonë guximi, trimëria e kaudrove të saj, si komandantët, komisarët, komunistët e partizanët në tërësi.

Lunxhëria, ka qenë e çliruar me periudha gjatë luftës. Më 5 shkurt 1944 dy batalione të BrVIS nga Përmeti dolën, njeri në Sheper të Zagorisë dhe tjetri në Poliçan të Pogonit. Prej këtej shkuan në fshatrat e Lunxhërisë, dhe i spastruan njerin pas tjetrit nga nazistët dhe nga tradhtarët.

Në Qestorat u zhvillua një përleshje e përgjakshme që shkoi deri në kacafytje trup me trup. Erdhi një çast që s’kishte asnjë vijë të përcaktuar te njerit e te tjetrit kundërshtar derisa më në fund unaza e armikut u shkatërrua në aq vend sa nevojitej që të rrethuarit të dilnin nga rreziku. Si u krye kjo detyrë, komanda e brigadës urdhëroi tërheqjen e të gjitha forcave, që u zhvillua në rregullin më të plotë. Ndërkohë kishin dështuar edhe orvatjet e armikut për të kapur grykën e Selckës e për të krahëmarrë forcat e brigadës që luftonin në Qestorat. “Armiku, – raportonte shtabi i BrVIS, – i tronditur nga grushtet e rënda që hëngri, as që tentoi të përparonte më. Grumbulloi të vrarët e të plagosurit dhe u tërhoq për në Gjirokastër. Kishin rënë në përleshje të përgjakshme me armikun disa luftëtarë, ndërmjet të cilëve Sadik Buzoja, komandant batalioni, Halil Ymeri, Sejdi Minga, komandant e zëvendëskomandant kompanie. Të plagosur ishin 13 partizanë. Në Lunxhërine e çliruar, ashtu si në Zagori, Pogon e Përmet u rivendos menjëherë pushteti i këshillave nacionalçlirimtare. Nga ky luftim Panajoti doli me besimin se lufta partizane do t’i shpinte drejt lirisë.

Në detyrën e përgjegjësit të rinisë dhe komisar

Me krijimin e BrVIIIS, u emërua përgjegjës rinie dhe, pak më pas, komisar kompanie. Komisarin partizan 20 vjeçar, një djalë i gjatë, i pashëm, gazmor, i dashur dhe shumë i respektuar. Fillimisht, BrVIIIS e nisi operacionin kundër armikut në mbrojtje të delegatëve dhe mjediseve ku po përgaditej Kongresi Historik i Përmetit, duke zënë pozicione luftimi nga Ura e Dragodit, Rëzë, Lunxheri, Gryka e Çajupit, Gryka e Salckës, Pogon, Dhembel, Nemeçkë e deri në fshatrat e Përmetit si Çaçovë, etj. Operacioni i Qershorit 1944 ishte prova më e vështirë, por edhe kalitja vendimtare për partizanët e brigadës. Prej datës 17-26 qershor 1944 për afro dhjetë ditë u zhvilluan luftime të ashpra në Lunxhëri, Çajup, Pogon e Zagori.

Në gusht të vitit 1944, Panajoti zgjidhet delegat i BrVIII në Kongresin e BRASH-it, që u mbajt në Helmës. Zëri i delegatëve të zgjedhur nga partizanët më të mirë, të dalluar në luftën kundër pushtuesve, në takimet dhe bisedat e zjarrta që bëheshin gjatë ditëve të zhvillimit të Kongresit, dëgjohej me vëmendje të veçantë. Me diskutimet e tyre, të partizanë dhanë një kontribut të vyer për përcaktimin e detyrave imediate që i dilnin Rinisë Antifashiste Shqiptare, për edukimin e saj dhe për çlirimin e rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta. Për 10 ditë rresht Kongresi i BRASH-it diskutoj dhe analizoj punën që ishte bërë për bashkimin e Rinisë Antifashiste Shqiptare dhe sukseset e arritura prej saj në luftën kundër okupatorit nazifashist, si dhe u përcaktuan detyra të rëndësishme për një pjesëmarrje më të madhe të rinisë në repartet partizane dhe për aktivizimin e mëtejshëm në Luftën Nacionalçlirimtare.

Panajoti gjatë operacionit të dimrit pati kaluar një pleurit me ujë, që e kaloi duke luftuar, pa u mjekuar. Kjo sëmundje iu rishfaq gjatë punimeve të Kongresit, por ai e përballoi me moshën e re. Në bllokun e shënimeve, që ruhet në arkivin e shtetit, shikojmë me sa vëmëndje e ka ndjekur Kongresin, duke marrë pjesë dhe në diskutime, në emër të rinisë së brigadës që përfaqësonte.

Në gusht 1944 brigada me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm mori pjesë në luftimet për çlirimin e Konispolin. Brigada ka luftuar për çlirimin e qyteteve të Gjirokastrës, Beratit, Lushnjës dhe Tiranës, si dhe jashtë kufijve administrativë shqiptarë, duke dhënë një kontribut të madh dhe në çlirimin e viseve kosovare.

Komisari u plagos në çlirimin e Tiranës

Fitorja e 28 Nëntorit 1944 që shënoi çlirimin e plotë të Shqipërisë ishte dhe fitore e madhe e Rinisë Antifashiste Shqiptare që përbënte 70 përqind të efektivit të forcave partizane dhe që i dha atdheut me qindra dëshmorë në të gjitha krahinat e vendit.

Në luftën për çlirimin e Tiranës luftoi heroikisht dhe u plagos rëndë komisar panajot Leku nga Qestorati. Çlirimi i Tiranës e zuri në spital. Krahas plagës, komisarit ju riaktivizua dhe pleuriti. Pas një mjekimi relativisht të gjatë, me ato mundësi që ishin atëhere, u përmirësua. Me fillimin e vitit 1945 u emërua në komandën e qarkut të Gjirokastrës dhe mori gradën ushtarake Toger. Por, pa kaluar shumë kohë, sëmundja e nënshtroi plotësisht. E rishtruan në spitalin ushtarak në Tiranë, pa asnjë shpresë.

Panajoti doli nga spitali i Tiranës, por ishte i dërmuar përfundimisht nga sëmundja, me dëshirën e tij, i shtrirë në krevat, pasi nuk mund të ngrihej në këmbë, shkoi në vendlindjen e tij, në Qestorat, ku mbylli sytë, më 24 korrik 1946. Panajoti vdiq nga plagët e luftës.

Në varrimin e tij morën pjesë gati të gjitha fshatrat e Lunxhërisë, Komanda e Qarkut Gjirokastër, pushteti vendor. Ceremonia mortore u krye sipas protokollit ushtarak, me të gjitha procedurat e dëshmorit të LANÇ.

Më pas Panajot Leku u konsiderua dëshmor i luftës, por familjes së tij, nuk ju dha asnjë dëshmi apo dokument që të vërtetonte një gjë të tillë. Në vite është shkruar për të si partizan dhe dëshmorë, por akt ligjor për Panajotin që vdiq nga plagët e luftës, nuk pati kurrë. Në historikun e batalionit partizan “Misto Mame”, figuron dëshmorë, por në realitet, nuk ka asnjë dokument që të vërtetoi qënien dëshmor të këti komisari që luftoi dhe u plagos për lirinë.

Please follow and like us: