Albspirit

Media/News/Publishing

Elsa Skënderi: Një mimesis i fuqishëm i kujtesës

(Romani “Dritarja e Marin Shkrelit” i Ndue Ukajt)

Romani “Dritarja e Marin Shkrelit” është një mimesis i fuqishëm i kujtesës për të djeshmen e luftës në Kosovë, që trysnoi, shtypi e përçudnoi ëndrrat e një të riu, duke ia mohuar atributet më domethënëse të qenies, lirinë dhe vullnetin, atij vetë dhe rrethinës së tij. Me këtë vepër Ndue Ukaj lëvron shembullin tipik të asaj letërsie që etablohet si kujtesë kulturore, ku transfigurohet e djeshmja e afërt historike dhe ankthi post-traumatik i gjetjes së kuptimit të ekzistencës së të sotmes.

Subjekti i romanit është ndërtuar duke ndërthurur rrëfimin përmes flashback-ut të personazhit kryesor, Marin Shkreli, nga njëra anë, me përsiatje sa të personazhit kryesor, aq edhe të rrëfimtarit, nga ana tjetër, përsiatje këto të një natyre eseistike. Të tillat bëjnë të mundur hapjen e diskursit në plan më filozofiko-politik, duke përvijuar qartë individualitetin e shkrimtarit, N. Ukaj, që shenjë të personalitetit të vet shkrimor e ka etikëndheargumentin.

Sapo nis rrëfimi i ngjarjeve të së shkuarës, ndihet karakteri personal e melodramatik i tij, por dramatikja në kufijtë e tragjikes nuk synohet nga rrëfimtari, i cili i ikën makabritetit të skajshëm të ngjarjeve të luftës, për të cilin shkruan historia dhe kujtojnë dëshmitarët; këtu rrëfehen situata të rënda e varra të thella, që kallëzojnë çfarë i ndodh njeriut, kur i grabitet liria, i përdhoset dinjiteti dhe mbyllet në zhguallin e errët të qenies së dhunuar brenda kufijve, që s’bën të kapërcehen.

Ëndrrat e bardha për të ardhmen, që ka njeriu në të ri, përbëjnë mënyrën e tij të natyrshme të të ekzistuarit, por teksa i thur këto ëndrra bashkë me përjetimin e dashurisë së parë, Marin Shkrelin me përdhunë e ndërkallin në një pezulli frike e ankthi, ku diktati politik kish shtyrë të gjithë shqiptarët e Kosovës. I riu i qashtër, i dëlirë, i pamëkat, “përzihet prej Edenit  vet” dhe “përballet me ushtrinë gjigante të frikës” për një mollë mëkati që s’e ka ngrënë, për një faj që s’e ka bërë as ai, as askush prej të tijve. Fatumi i mëkatit fillestar ngjan se e ndjek atë, siç, me gjasë, ka ndjekur të gjithë ata, të cilët janë gjendur në një moment të caktuar të jetës të përfshirë në luftëra, trazira e terror.

Në kapërcyell të të pesëdhjetave, Marini përballë pasqyrës së vetvetes, nis të kujtojë përpjekjen për t›i shpëtuar së keqes së sprovave dje dhe ta ndjejë dhe më fort klithmën e psikës së vet të ngarkuar, teksa nuk arrin të bëjë paqe as me zhgjëndrrën e hidhur të së sotmes, kur lirisë i është bjerrë kuptimi i ëndërrt, i dikurshëm. Në këtë shestim, Marin Shkreli mbetet njeriu, që në luftën për dinjitet mëton të kuptojë identitetin e vet. Përballja e dy kohëve shndërrohet në përballje me vetveten e pafaj dhe me plagët që i janë shkaktuar: “Fundja Njeriu është krejt i vogël, një foshnjë që të tjerët përherë e marrin përdore, e mbajnë ashtu duke e shtrënguar dhe e çojnë kah të duan, sepse Ai kurrë s’është rritë aq shumë sa të kuptojë pse erërat e çojnë andej dhe jo dika tjetër. Sepse foshnjëria e tij është njëfarë fataliteti , një gjendje konstante, një gjendje të cilën ai duket sikur lufton ta tejkalojë pa sukses, tash e miliona vjet mbi tokë.

 Kryepersonazhi i romanit, Marini, mund të jetë secili, që e ka një segment të jetës së vet të lidhur me luftën e pasluftën, me një histori dashurie të lënë përgjysmë prej një ikjeje të shtrënguar, me ngjarje të rënda, ku politika, ajo e egra dje dhe meskinia sot, ka diktuar rrjedhat e fatet njerëzore, me çaste të forta pikëpyetjesh ekzistenciale për lirinë, lumturinë, të ardhmen… Në dritaren kah Perëndimi mund të ketë dalë secili, që e ka përjetuar shtypjen, pamundësinë për t’i ikur robërisë, që e ka ndjerë ankthin e pezullisë, frikën e humbjes. Ndaj rrëfimi në këtë roman arrin ta zgjojë krejt vetvetishëm ndjeshmërinë e lexuesit, veçanërisht në pasazhet lirike të dashurisë dhe në pasazhet e dhimbjeve shpirtërore të personazheve. Me ndjenja të zgjuara, lexuesi diku në rrethinën e vet do ta pikasë medoemos Marin Shkrelin-  ngjashmin e tijdhe fill sapo kjo të ndodhë, çdo përvojë leximi do të tregojë që romani i Ndue Ukajt ia ka dalë do të dëshmohet si letërsi e mirëfilltë, sepse ia ka dalë ta përmbushë gjasmimin letrar, jo duke e dubluar historinë, por duke e pasuruar memorien kulturore të letërsisë sonë.

Në rudinën linguistike të romanit “Dritarja e Marin Shkrelit” gjuha është e gjallë, e pasur, e pashtershme njëjtë si idilet e natyrës, që aty-këtu përshkruhen në roman. Ndërsa shprehia e arrirë artistike e Ukajt nuk mbetet brenda një rrjeti tipik të stilemave e të metaforave, por mëton të gjuhësojë më së pari virtuozitetin e mendimit e më tej të sugjerojë mësimin etik. Veçanërisht te mendimi që shfaqet në formë të përsiatjeve rreth motiveve biblike, filozofike, politike, historike, vërehet më së miri mjeshtëria e shkrimtarit, sepse falë enciklopedisë së vet të gjerë dhe prirjes krijuese, Ukaj ia ka dalë ta kryejë me sukses kapërcimin cilësor të zhanreve të veta: nga tregimi e novela, të botuara prej tij më herët, te kjo vepër romanore, e cila, nëse do t’i nënshtrohej sfidës së përkthimit në gjuhë të huaja, nuk do t’i rrinte e paktë, horizontit të pritjes të lexuesit bashkëkohor evropian. Përkundrazi, për nga procedeu artistik – tematikat letrare e lënda jetësore, lufta, shtypja dhe kujtesa, dilemat ekzistenciale e identitare, elementet psikologjike të traumës e posttraumës – ajo do t’i rezononte lexuesit të huaj letërsinë dhe letraren bashkëkohore evropiane, të ndërthurur me koloritin e letërsisë shqipe e të botës shqiptare./exlibris.al

Please follow and like us: