Albspirit

Media/News/Publishing

Zhuljana Jorganxhi: Jeto dhe jetën time po e deshe

Jeto dhe jetën time po e deshe,

Eja dhe merre, veç jeto.

 

Ata që s’duan dashurinë,

Nuk dinë seç është mirësia.

Folenë e ngrenë në errësirë,

Edhe mbi ty lëshojnë stuhira.

Se jane mësuar të zvarriten,

Të të helmojnë, pastaj të vdesin.

Pa prekur trupin tënd të ngrohur,

Nga afshi i puthjesh, ledhatimit.

Dhe pena ime nis e shkruan,

Kaq e lodhur nga mundimi.

Kërkon nga ty dhe merr dy fjalë,

Dhe ndalet lumi i zemërimit.

 

Të dua, të dua, të dua,

Oh, këngë hyjnore e kësaj bote.

Që pëshpëritet nga buzët e dashuruara,

Që frymë ty të dhanë.

 

Shumë të kërkova gjersa të gjeta.

Dhe nëse vdes mos u trishto,

Por, ti jeto!

 

Nëpër rrugët e dashurisë,

Enden këngët dhe legjendat.

Nëpër vargjet e poetit,

Zemrën ta njoh.

Dhe në vija pentagramesh,

Derdhet shpirti i një artisti.

Por diçka pa thënë ka mbetur,

Le të tjeret ta tregojnë.

 

Dhe jetën time po e deshe,

Eja dhe merre,

Por, ti jeto…

Please follow and like us: