Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Kadare: DËSHMIA E LETËRSISË NUK ËSHTË LUKS I TEPËRT

DËSHMIA E LETËRSISË NUK ËSHTË LUKS I TEPËRT
NË DITËLINDJEN E 88-të TË ISMAIL KADARESË, GJENIUT TË LETRAVE
Pjesë nga intervista më e gjatë me titull “Dëshmia e letërsisë nuk është luks i tepërt”, që Ismail Kadare i ka dhënë kryeredaktorit të revistës “EKSKLUZIVE”, Mustafë Xhemailit dhe gazetares së kësaj reviste, Eglantina Baçe.
Intervista është botuar në numrin 10, dhjetor 2000, (faqe – 22-27).
***
(…)
BEOGRADI BASHKË ME MIQTË E VET KA SHPËRTHYER NJË OFENZIVË PROPAGANDISTIKE PËR TA KTHYER OPINIONIN BOTËROR NË FAVOR TË TIJ
– Krimet serbe, qysh prej 80 vjetësh në Kosovë janë ndër faqet më të errëta të historisë së Evropës. Dënimi i krimit në Kosovë nuk është vetëm çështje letrare. Ai lidhet me lirinë e Kosovës, me fatin e krejt Kombit Shqiptar. Tani pas mbarimit të luftës në Kosovë ajo është prapë aktuale dhe plot ngut njëlloj si më parë. Mbi 40 libra për Kosovën janë botuar në botë qysh nga mbarimi i luftës dhe prapë ende nuk ndihet sa duhet prania e mendimit shqiptar. Këtë faj të përbashkët ne duhet të përpiqemi ta ndreqim dhe jo ta thellojmë. Ju e dini se ç’po ndodh tani në Botë. Beogradi bashkë me miqtë e vet ka shpërthyer një ofensivë propagandistike për ta kthyer opinionin botëror në favor të tij. Ai përpiqet t’i kthejë gjërat kryengulthi: Serbët t’i paraqesë si viktima dhe Shqiptarët si agresorë. Ai përpiqet të bëjë atë që ka bërë gjithmonë dhe që, për fat të keq, i ka ecur. Pra thelbi i çështjes, kyçi i gjithçkaje mbetet prapë çështja e krimit: kush e ka kryer krimin, rrjedhimisht kush duhet të dënohet. Shkrimtarë e filozofë të njohur në Perëndim si Peter Handke, Regis Debrai, Naom Shomsky etj., për turp të tyre janë vënë të dëshmojnë në dobi të serbëve, kundër shqiptarëve. Kurse disa letrarë të Kosovës s’kanë dëshirë ta bëjnë këtë në dobi të popullit të vet, nga droja se mos iu bie klasi. Intelektualët e huaj që përmenda më lart e kanë fyer disa herë popullin e Kosovës, duke deklaruar se dëshmitë e të shpërngulurve kosovarë për krimet serbe, nuk janë të vërteta. Nisur nga kjo Beogradi kërkon rishikimin dhe kthimin mbrapsht të gjithçkaje, duke filluar natyrisht nga kthimi i Kosovës nën robërinë serbe.
Siç shihet, çështja e dëshmisë së krimit në Kosovë është themelore dhe aspak “detyrë e mërzitshme shtëpie”. Dëshmia e letërsisë nuk është luks i tepërt. Plotësuese e dëshmisë së historianëve, gazetarëve, viktimave, letërsia ka një vend të pazëvendësueshëm dhe me autoritet të veçantë në kartat kredenciale të një populli.
Këtë kam theksuar disa herë në kritikën time.
(…)
ATA QË TUNDIN ENDE ME TËRSËLLIMË REZOLUTËN 1244 JANË OSE TË VERBËR, OSE BUDALLENJ, OSE KANË HIDHËSI KRIMINALE NË SHPIRT
– Mendoj se liria e Kosovës është një nga mrekullitë më të mëdha të fundshekullit në Evropë dhe në botë. Dhjetë vjet më parë, vetëm përmendja e emrit të Kosovës në një mbledhje ndërkombetare quhej si një gjë skandaloze. Delegacioni jugosllav protestonte menjëherë, drejtuesit e mbledhjes e paralajmëronin folësin të mos e përsëriste fajin, gjithçka mbyllej aty për aty. Tani gjykojeni vetë se si ka qenë e mundur që nga kjo heshtje e turpshme të vinte puna te bombardimi i Serbisë prej NATO-s, për shkak të shqiptarëve!
Mendoj se ky bombardim ka qenë për serbët tronditja më e madhe psikike që ata kanë pësuar ndonjëherë. Ata do ta vuajnë atë gjithë shekullin e ardhshëm dhe ndoshta më tutje. Ata morën një dush të ftohtë e një fshikull nga ato që shenjojnë përgjithmonë jetën e një populli. I vetmi shpëtim prej këtij ankthi do të jetë të pranojnë krimin e t’i thonë lamtumirë përgjithëmonë ëndrrave antishqiptare.
Tani është e qartë për të gjithë se fati i Kosovës është i ndarë përfundimisht nga ai i Serbisë. Toka dhe qielli mund të përmbysen por Kosova nuk mund t’i kthehet më robërisë. Asnjë e drejtë nuk e lejon këtë, asnjë logjikë, asnjë arsye, asnjë moral.
Ata që tundin ende me tërsëllimë rezolutën 1244 janë ose të verbër, ose budallenj, ose kanë hidhësi kriminale në shpirt. Të kesh parë atë shpërngulje e atë zi të pafund, të kesh parë ato varre e ato foshnje të grira me thikë e të ngulësh këmbë prapë që Kosova të vejë me këmbët e saj nën thikën e xhelatit, kjo do të thotë të kesh mungesa të mëdha ose mendore, ose njerëzore, ose të dyja bashkë…
SHQIPTARËT PO HYJNË NATYRSHËM NË FAMILJEN EVROPIANE
– Kur themi kultura shqiptare kemi parasysh edhe atë të zhvilluar, kultivuar në Kosovë në rrethana e kontekste jo shqiptare?
– Po, unë e quaj kulturën shqiptare të njësuar. Këto janë shkëputje të vogla që ndodhin. Në kalendarin e madh të kulturës së një kombi këto janë aksidente apo afate të vogla që nuk merren parasysh, sikurse letërsia në vendin tonë, sa më thellë të vemi në letërsinë mesjetare do të shikojmë që nuk ka atë ndryshim dialektor midis veriut dhe jugut, të cilin e mori më vonë. Në fillimet e saj autorët nuk kuptohen nga janë sepse elementet e dialekteve janë të përziera fort si tek arbëreshët për shembull.
– Përcaktimi i identitetit kulturor kërkon një çlirim të madh energjishë. A ekzistojnë tek ne këto energji intelektuale e shpirtërore?
– Shqipëria është një vend ku ka shumë mungesa, ka shumë gjëra që të bëjnë nervoz, që të prishin gjumin, por një gjë e ka, e këtë s`e mohon dot askush, ka një energji shumë të madhe. Por kjo që të kesh energji nuk siguron dot një pozitivitet të gjërave, sepse një pjesë e saj është jetësore, e mirë, e mbarë, por ka edhe energji mohuese, të keqe. Në Shqipëri për fat të keq janë të dyja. Dhe kur pjesa e energjisë së mbrapshtë do të zvogëlohet në favor të energjisë pozitive, atëherë shumë gjëra do të ndryshojnë në Shqipëri. Është vërtet mëkat që kjo energji nuk ecën në atë kah që duhet të ecë gjithmonë.
– Ju keni shkruar shpesh për të ardhmen e popullit shqiptar. Në mbyllje të kësaj interviste lexuesi do të dëshironte të kishte prapë një mendim tuaj.
– Unë besoj në të ardhmen e popullit shqiptar. Kam bindjen se për herë të parë në historinë e tij të gjatë ky popull po zë vendin e vet në jetën e gadishullit e të Evropës. Këtë asgjë s’mund ta pengojë. Kombi shqiptar në mënyrë të natyrshme dhe harmonioze bën pjesë qysh tani në peisazhin demokratik evropian. Vite me radhë, në mënyrë fyese e të verbër ai është quajtur i vogël, i parëndësishëm. Tani që po del nga nata, shtati i tij i natyrshëm i tmerron ata që nuk e kanë dashur.
Por shqiptarët s’kanë pse të shqetësohen nga kjo pritje. Duke u zhvilluar, duke u shëndoshur, duke u qytetëruar, ne po e rifitojmë dinjitetin dhe peshën tonë. Dhe ashtu me dinjitet dhe me shtatin tonë të natyrshëm po hyjmë në familjen evropiane.
***
Intervista u botua për të parën herë e plotë në revistën ilustruar “EKSKLUZIVE”, nr.9 dhjetor 2000.
Gjithashtu intervista e plotë është e botuar në librin tim publicistika “Publicistika kryengritëse 1980-2000”, botuar në vitin 2010.
***
Please follow and like us: