Frank Shkreli: TË RIHAPET SHËRBIMI SHQIP I RADIO LONDRËS (BBC)!
Ky është rekomandimi i Komisionit të Punëve të Jashtme dhe i Mbrojtjes i House of Lords — Dhoma e Epërme e Parlamentit të Britanisë së Madhe. Ky komision, në një letër dërguar Ministrit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, Lordit Cameron, kërkon që Qeveria britanike të rishqyrtojë qendrimet dhe politikat e saj ndaj Ballkanit Perëndimor – vetëm disa ditë pas kthimit të tij në Londër nga një vizitë të shkurtër në rajon, përfshir Prishtinën – ku rithekosi angazhimet e qeverisë së tij në mbështetje të Kosovës dhe rajonit, në takimet e tija me udhëheqsit më të lartë të Republikës së Kosovës, Presidenten Vjosa Osmani dhe me Kryeministrin Albin Kurti.
Komisioni i Punëve të Jashtme dhe i Mbrojtjes i Dhomës së Epërme të Parlamentit britanik, shpreh shqetsimin për rritjen e tensioneve, kohët e fundit, në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që përmend dhunën në veri të Kosovës, protestat në Beograd dhe gjendjen e brishtë politike në Bosnje e Hercegovinë. Për më tepër, invadimi i Ukrainës nga Rusia vazhdon të prek sigurinë evropiane dhe kjo, sipas Komisionit, ka pasoja serioze edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor – duke shfaqur shqetësimin, veçanërisht, në lidhje me fushatat ruse të dezinformimit në mediat e rajonit. Ndërsa, sipas fjalëve të Komisionit, në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbretëron përhapja korrupcionit, ndërkohë që sipas antarëve të Komisionit britanik të Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes, në vendet e ballkanit Perëndimor janë përkeqësuar masat kundër lirisë së medias. Përball kësaj situate të krijuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Komisioni i Punëve të Jashtme dhe i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe kërkon prej qeverisë britanike rishqyrtimin e politikës së Londrës zyrtare ndaj rajonit ballkano-perëndimor, ndërsa sugjeron edhe disa rekomandime për të ndidhmuar në arritjen e sigurisë, të stabilitetit dhe begatisë në atë rajon. Porosit qeverinë britanike që, njëherazi, të shtojë lidhjet ekonomike me vendet e rajonit me qëllim për të promovuar rritje ekonomike afat-gjatë në përputhje me përpjekjet e Bashkimit Evropian për të stabiliaur atë rajo dhe për ta integruar Ballkanin Perëndimor me institucionet Euro-Atlantike. I bëhet thirrje qeverisë britanike që të bashkrendojë sanksionet dhe programet anti-korrupcion me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim që të luftohet kleptokracia në Ballkanin Perëndimor.
Është interesant fakti se në një prej këtyre rekomandimeve kyçe të Komisionit të Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes të Dhomës së Epërme të Parlamentit Britanik, i kërkohet qeverisë që të sigurohen fondet për hapjen e Shërbimit shqip të BBC- radio Londrës, diçka që sipas Dhomës së Epërme (The House of Lords) të Parlamentit britanik – do të ndihmonte për të kundërshtuar përhapjen e informacionit fals në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Është një rekomandim që, për fat të keq, të sjell në kujtesë luftën e ftoftë midis botës komuniste dhe perëndimit demokratik gjysëm shekullin e fundit të shekullit të kaluar si dhe luftërat në ish-Jugosllavi gjatë 1990-ave. Ishte një periudhë përplasjesh ideologjike dhe luftarake kur, siç dihet, e vërveta është gjithmonë viktima e parë – kur qeveritë perëndimore demokratike mundoheshin që mungesën e lirisë së shtypit në vendet komuniste ta zevendësonin me programe shtesë dhe në gjuhë të ndryshme të Evropës dhe ish-Jugosllavisë. Objektivi, sipas Komisisonit të Parlamentit britanik, për të rekomanduar rifillimin e programeve të Shërbimit shqip të BBC-së, është që të miratohen fondet afat gjatë për zhvillimin e programeve në rajon, me qëllim, përveç promovimit të lirisë së shtypit, njëkohsisht edhe për të promovuar rritjen ekonomike dhe për të luftuar korrupcionin e përhapur në Ballkanin Përendimor.
Ka qenë Janari i vitit 2011 kur Shërbimi Botëror i BBC-së kishte vendosur të mbyllte Shërbimin shqip, thjesht për “kursime”, pat deklaruar në atë kohë Ministria e Jashtme britanike, duke arsyetuar se “ne duhet të përqëndrojmë përpjekjet tona në gjuhët ku ekziston nevoja më e madhe dhe ku ne kemi ndikim më të madh.” Rekomandimi aktual i Komisionit të Parlamentit britanik për të rivendosur programet e Shërbimit shqip të BBC, 13 vite pasi e kishin mbyllur Shërbimin shqip, tregon se vendimi i Londrës zyrtare për të mbyllur programin shqip ka qenë i gabuar por tregon gjithashtu se programet në gjuhë të ndryshme ndërkombëtare të enteve të gazetarisë së lirë, siç është BBC, janë një mjet i dobishëm jo vetëm për politikat gjeostrategjike të Britanisë së Madhe por edhe të dobishme për lirinë, demokracinë, stabilitetin, paqën dhe sigurinë rajonale edhe evropiane. Kjo e vërtetë është provuar, sidomos, gjatë shekullit të kaluar, por edhe në ditët e sotëme.
Duke u bazuar në përvojën time 30-vjeçare në Zërin e Amerikës, unë jam i bindur se radiostacionet perëndimore, kryesisht Zëri i Amerikës, BBC dhe Radio Evropa e Lirë, kanë qeneë dhe janë forca vendimtare në luftën kundër nazizmit dhe komunizmit si dhe forcave të tjera të errëta më vonë në Evropë, si politika fashiste e Millosheviqit kundër popujve të tjerë të Ballkanit, sidomos politika e tij e gjenocidit kundër shqiptarëve të Kosovës. Ish-disidenti polak dhe më vonë president i Polonisë, Lech Walesa ka thënë se, “pa këto radiostacione, përpjekjet për liri do të ishin më të vështira dhe rruga drejtë demokracisë do të kishte qenë më e gjatë.”
Unë vazhdoj të jem i besimit se megjithëse lufta e ftohtë nuk është më, misioni i këtyre mediave ndërkombëtare nuk ka marrë fund. Transmetimet ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ato të BBC-së, drejtuar Shqipërisë dhe Shqiptarëve, janë më të rëndësishme se kurrë. Liria e shtypit, sipas organizatës prestigjioze Freedom House, ka vazhduar të bjerë anë e mbanë botës, përfshirë edhe Ballkanin, duke i cilësuar shumë vende si, “jo të lira” ose “pjesërisht të lira”, përfshir Shqipërinë dhe Kosovën. Thirrja e Komisionit parlamentar të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe për të rihapur Shërbimin shqip të BBC — është një votë mos besimi, jo e favorshme për lirinë e shtypit në botën shqiptare. Dikur, kur vendosnin hapjen e një shërbimi në gjuhë të huaja, pyetja e parë dhe më e rendësishme ishte: cila është gjëndja e lirisë së shtypit në atë vend – si faktor kryesor për hapjen e një programi të ri.
Programet në gjuhën shqipe, të BBC-së duhet të vazhdojnë të shërbejnë si shembull dhe si burime të lirisë së shtypit në këto vende përfshirë edhe Shqipërinë e Kosovën, duke transmetuar lajme e komente të pacensuruara dhe të painfluencuara nga politika ose elementë të tjerëtë errët politikë, shoqërorë dhe ekonomikë. Kto programe janë në interes të atyre të cilëve këto programe u drejtohen në gjuhë të huaja, por në të njëjtën kohë, ato janë edhe në interesin e vendit nga ku burojnë këto transmetime si edhe në interesin e paqës dhe të demokracisë rajonale, evropiane dhe botërore, pasi një vend demokratik ka më pak gjasë të kërcënojë fqinjët dhe rendin ndërkombëtar.
BBC dhe transmetuesit e tjerë perëndimorë, siç është Zëri i Amerikës, me programet e tyre duhet të vazhdojnë të inkurajonë forcat e lirisë dhe të demokracisë anembanë botës dhe në të njëtën kohë të diskurajonë dhe të diskreditojnë forcat e errëta të shtypjes dhe armiqët të lirisë, të demokracisë dhe drejtësisë.
Shkëmbimi ose përhapja e informatave të sakta sot si edhe gjithëherë më parë, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për lirinë dhe dinjitetin njerëzor, për vlerat morale dhe demokratike ndaj të cilave aspirojnë të gjithë popujt vullnetmirë, anembanë botës, përfshir Kombin shqiptar. Lajmi se Dhoma e Epërme e Parlamentit britanik rekomandoi, javën që kaloi, rivendosjen e programeve të BBC-së në gjuhën shqip, është një lajm i mirë për të gjithë. Për Britaninë e Madhe dhe për interesat e sajë në Ballkanin Perëndimor. Por një program shtesë ndërkombëtar lajmesh e informacioni në gjuhën shqipe nga një ent prestigjoz lajmesh si BBC, është një lajm i mirë për dëgjuesit shqiptarë anë e mbanë Ballkanit Perëndimor, pasi përveç Zërit të Amerikës dhe Radios Evropa e Lirë, ndër të tjera, do të kenë edhe një burim tjetër lajmesh dhe informacioni të një standardi të lartë gazetaresk dhe redaksional nga një ndër më prestigjozët në botë.