Albspirit

Media/News/Publishing

Selaudin Guma rivjen me librin poetik “Vendlindja ime”

Selaudin Guma rivjen sërish para lexuesve me përmbledhjen e dytë poetike,  titulluar ‘Vendlindja ime”. Ashtu si edhe në librin e parë poetik, “Ligjërimet e pyllit”, edhe në përmbledhjen e dytë, Luzati i vendlindjes në Tepelenë zë një vend të rëndësishëm.

Poeti i këndon babait, nënës, motrës, bashkëshortes, djemve e nipit, kujton e rikujton të gjallë dhe të vdekur dhe shkon më tej duke thurur vargje për të gjithë banorët e tij.

Si autor me ndjeshmëri të thella, Selaudin Guma e ka Luzatin kryekëngë, por ndërkaq nuk lë pa përmendur fiset më të mëdha të fshatit, njerëzit më të spikatur të tij që janë të njohur jo vetëm në këtë zonë, por në gjithë vendin.

Tema patriotike është për poetin një muzë frymëzuese, jo thjesht duke risjellë si të gjallë të rënët e luftës e të punës, por edhe heronjtë e thjeshtë, njerëzit e zakonshëm e të pabujshëm që kanë lënë gjurmë në jetën e tij.

Kapitull më vete në përmbledhjen poetike përbën rrethi shoqëror i gjerë në mbarë hapësirën shqiptare si dhe shfaqet pa kompromis për njerëzit me vese, për pangopësinë dhe kopracinë, për hileqarët dhe mashtruesit, për servilët dhe lakejtë, tema këto që janë lëvruar gjerësisht që nga antikiteti i lashtë e deri në ditët e sotme nga autorë të ndryshëm botërorë.

Ka shumë mënyra për të njohur botën e brendshme shpirtërore të një njeriu, por te Selaudin Guma këtë cilësi do ta gjesh nëpërmjet vargjeve të tij, që shkruan vazhdimisht, ditën e natën, në ditë të gëzueshme dhe hidhëruese, në det dhe në mal, në qytete të ndryshme të vendit, si dhe në disa metropole europiane, që i ka vizituar gjatë tri dekadave të fundit kur Shqipëria përmbysi diktaturën dhe instaloi shtetin e ri e të brishtë të demokracisë. Pa asnjë dyshim që poezitë e dashurisë të Selaudin Gumës kanë një kumbim tjetër, janë të thjeshta në madhështinë e tyre, janë si monumente që nuk të largohen nga kujtesa për një kohë të gjatë.

Dashuria për autorin është një mikrokozmos, që ka anët e dukshme dhe të padukshme, ka dashuri me shikim të parë dhe të tjera që të mbeten peng tërë jetën, ka dashuri të realizuar dhe të mbetura në mes, ka keqkuptime dashurish, ka flirte herë pas here që lindin natyrshëm te qëniet njerëzore; ato janë përherë në shfaqje të pangjashme që nga koha e Adamit dhe Evës.

Ndoshta këto poezi nuk do të kishin parë kurrë dritën e botimit sepse Selaudin Guma ka shkruar qysh adoleshent, ka lexuar dhe lexon edhe sot kur është mbi të shtatëdhjetat, por guximi për të dalë para lexuesve në një moshë të vonë zbuloi një dimension tjetër të tij, dimensionin e njeriut krijues.

 

Please follow and like us: