Albspirit

Media/News/Publishing

Mithat Gashi, apel Presidentit Biden për të mbrojtun sovranitetin e Kosovës

Presidenti Joseph R. Biden

Shtëpia e Bardhë

1600 Pennsylvania Avenue NW

Washington, D.C. 20500

 

 

Si qytetar i Shteteve të Bashkueme, ju shpreh mirënjohjen e thellë për mbështetjen tuej të palëkundun që patë dhanë në intervenimin e NATO-s kundër agresionit serb në Kosovë në vitin 1999 dhe për përkrahjen tuej për pavarësin e Kosovës në vitin 2008. Përkushtimi juej ndaj të drejtave njerëzore në momentet e randësishme për Kosovën ka gjetë përkrahje të thellë në komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkueme, në shqiptarët në të gjithë botën, dhe tek njerëzit që duen paqë dhe stabilitet në Ballkan.

Ju shkruej sod me një ndjenjë të përshpejtueme të nevojës dhe shqetësimit tem në lidhje me zhvillimet ma të fundit në Kosovë. Edhe pse ka pothuajse 16 vjet që Kosova ka shpallë pavarësinë, pakica serbe në veri të Kosovës vazhdon me përdorë dinarin, valutën e Serbisë,  si monedhë e tyne. Me pranimin ekskluziv të euros si monedhë zyrtare të Kosovës, Banka Qendrore e Kosovës ka urdhënue me të drejtë ndalimin e përdorimit të dinarit serb në transaksionet me të holla (cash), tue fillue me datën 1 shkurt 2024. Rezervat e shprehuna mbi këtë vendim nga Kryeshefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkueme në Serbi, Christopher Hill, janë shqetësuese. Kryeministri Albin Kurti, në takimin e tij të fundit me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, theksoi randësinë parësore të respektimit të rendit kushtetues dhe zbatimit të ligjit.

Kërkesa që i bahet Kosovës me lejue  përdorimin e dinarit serb si monedhë përditësore jo vetëm krijon nji precedent shqetësues, por gjithashtu paraqet nji kërcënim drejtpërdrejt për sovranitetin e Kosovës që asht fitue me shumë mund.  Prandaj,  ju shpreh shqetësimin tem të thellë në lidhje me qëndrimin aktual të Shteteve të Bashkueme në këtë çështje kritike.

Në procesin dialogut të vazhdueshëm Serbi-Kosovë, kam shpresë në ndikimin tuej diplomatik me ngulmue që Serbia të kërkojë falje për krime të tmerrshme që ka ba në Kosovë gjatë viteve 1990-ta. Për Serbinë e cila aspiron të futet në Europen e Bashkueme, njohja e pavarësisë së Kosovës,  asht jo vetëm nji imperativ moral, por nji domosdoshmëni strategjike për paqë dhe stabilitet në rajon.

Nji shqetësim tjetër asht përfshimja e Serbisë në financimin e veprimeve terroriste në veri të Kosovës. Ngjarja në shtator 2023, me militantët serbë dhe vdekja e policit kosovar Afrim Bunjaku, ilustron qartë strategjitë e shumëfishta të Serbisë me krijue trazina në rajon.  Militantët serbë kanë përdorë kisha e monastire në veri të Mitrovicës me fshehë armë për qëllime terroriste.

Në të njajtën kohë, ndikimi i jashtëm i Rusisë dhe i Kinës në Evropën Jugore, përmes Serbisë, po ndryshon dinamikat gjeopolitike të rajonit dhe po sjellë shqetësime të thella. Për të adresue këto pasoja komplekse gjeopolitike, asht rritë prezenca e NATO-s në Kosovë.

President Biden, e ndjej si detyre me kerkue që ju të përdorni ndikimin tuej diplomatik, me urgjencë maksimale, në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës. Situata e komplikueme në Ballkan kërkon udhëheqje të palëkundun për të shmangë ndonji destabilizim të mundëshëm në rajon.

Si vend i përkushtuem për demokraci dhe për të drejtat njerëzore, Shtetet e Bashkueme luejnë rolin kyç në sigurimin e nji të ardhme të drejtë dhe stabile për popullin e Kosovës.

E vlerësoj maksimalisht dedikimin tuaj të pandërprerë ndaj vlerave demokratike, dhe shpresoj për zhvillime pozitive që forcojnë sovranitetin dhe mirëqenien e popullit të Kosovës.

Mithat Gashi, New York, 28 janar 2024.

 

 

Please follow and like us: