Taip Sulko: PËR KADARENË
Këto ditë Kadare mbushi 88 vjeç. Një vepër e madhe në një jetë të madhe! Për shumë krijues, adhurues, e lexues ditëlindja e Kadaresë, 28 janari, ishte një ditë e veçantë, e shenjuar, por edhe një kremtim e falenderim për krijuesin më të madh të letrave shqipe. Ndërkaq, kur shumica kremtonte, ka pasur edhe mohues, të cilët shpërfaqnin urrejtje dhe e quanin idhullin e shumëkujt, Kadarenë, si vegël të diktaturës dhe diktatorit, apo edhe më keq.
Edhe pse shprehje e një pakice, kjo frëngjyzë urrejtje duhet të ndalet. Eshtë rasti që ne si shoqëri të përmendemi, të marrim frymë thellë dhe të gjykojmë me urtësi. Unë për vete, jam ndier i fyer, i mërzitur, i zhgënjyer, madje edhe i revoltuar me qëndrime të tilla. Kur kam hasur shfrime të mosarsyes dhe urrejtjes, vetvetishëm ndër mend më kanë ardhur kryeveprat kadareane, arti i tij i papërsëritshëm, shërbimi i tij i pashoq për zhvillimin dhe zhdërvjelltësimin e shprehjes të gjuhës tonë, zgjerimi i përmasës së përjetimit artistik dhe i shpirtit të kombit.
Ndërsa sillja në mendje këto arritje të jashtëzakonshme, të vulosura me çmimet letrare më të larta ndërkombëtare, s’më ndahej një pyetje, – po këta ç’kanë, pse i vërsulen kaq sert idhullit Kadare, kur ai gjithnjë ka qënë në anën e artit, është shkrimtar, artist, krijues. Se ku dhe kur lindesh nuk varet nga ti. Ka pasur shkrimtarë që vetë e kanë zgjedhur të futen në derën e gabuar, të zgjedhin errësirën. Por jo Kadare! Në vitin 1945, Kadare ishte vetëm 9 vjeç. Eshtë rritur, si të gjithë shqiptarët e asaj kohe, nën diktaturë. Në ato vite, fyejt e politikës, jo vetëm në Shqipëri, rendin e ri që po vendosej, e quanin një shpresë e madhe e të ardhmes së njerëzimit. Shumëkush i besoi këto shajni, por edhe ata që nuk i besonin dhe mbase donin të kundërshtonin, u detyruan ta qepnin fort gojën. Në fillim të vriste histeria e një ëndrre të gënjeshtërt e, më pas, erdhi kosa e pamëshirshme e diktaturës, që të hetonte, të ndiqte e përndiqte, të burgoste e madje edhe të vriste. Kadare, me intelekt jo të zakonshëm, ditë pas dite, i ka parë, jetuar dhe përjetuar të gjitha këto. Ai, që kuptonte shumë më tepër se disa të tjerë, i dinte fare mirë se në Shqipëri kishe kampe përqëndrimi, përndjekje, burgosje, vrasje (shpesh pa gjyq), madje, si shumëkush, e kishte përjetuar nga afër sesi diktatori, një herë në disa vite, vriste një grup të ish shokëve dhe bashkëpunëtorëve, derisa e mbaroi Byronë Politike (më të afërtit) dhe në fund, çoi në vetvrasje edhe bashkëpunëtorin më të ngushtë, ish Kryeministrit Mehmet Shehu. Shumëkush jetonte me zemër të ngrirë. Ndonjëherë duhet të qeshje e madje të këndoje që t’i shpëtoje dënimit dhe skuadrës së pushkatimit. Sa shkrimtarë, artistë dhe intelektualë u burgosën dhe u vranë, sa ëndrra dhe jetë u ndëprenë nga errësia dhe acari i burgut, madje edhe më keq, nga presa e pamëshirshme e breshërive të plumbave? A mund të mendoj ndokush se një shkrimtar dhe njeri i madh nuk i përjetonte thellë këtë tragjizëm dhe vetvetishëm, do stepej, (të paktën së jashtmi), dhe do ta shihte shpëtimin atje ku e ka edhe shpresën dhe besimin, tek arti, atje ku do të gdhendte edhe një ëndërr të fshehtë për rrugëdalje?
Qysh herët u pa se Kadare ishte një krijues jo i zakonshëm, një talent që do pushtonte hapësira të mëdha. Sigurisht më i ndërgjegjshëm për këtë ishte vetë ai. Dhe në rrethana të frikshme, rrethuar me ajër dhe vatra terrori, ç’do të bënte një shkrimtar me talent të madh si Kadare? Gjithë këto ditë e kam pyetur veten dhe vetëm një përgjgije më vjen ndër mend. Ai, Kadare, nuk kishte shumë zgjedhje (çka kishte ndodhur edhe me të tjerë), – ose do të ngrinte krye, do kundërshtonte hapur dhe të gjente errësirën e burgut, në mos edhe vdekjen, ose të luftonte fort, në një betejë të gjatë, por të heshtur, që ta ruante dhe zhvillonte dhuntinë e tij të jashtëzakonshme artistike. Për artistin, krijimi, arti është si fëmija. Përballë artit të tij artisti dhe shkrimtari është gjithnjë me një ndjenjë të thekshme prindi, kurrë s’do ta lerë në baltë, kurrë s’do ta braktisë pjellën e vet të dashur. Mbase as nuk ka nevojë ta përmend këtu se prindi, kur jeta e fëmijës rrezikohet, bën edhe një sy qorr, gëlltit edhe pështymën që i hedhin fytyrës, qesh nga e keqja, gënjen sa të kalojë lumin, kërkon ndihmën e miqve dhe dashamirësve, por kurrë s’do ta lëshojë atë vlerë të madhe që mban në vete. Fatmirësisht, Kadare ia doli për bukuri ta shpëtojë e madje ta rrisë e ta bëjë një bukuri botërore fëmijën e vet të artit, librat e tij u botuan ë Shqipëri dhe i pushtuan zemrat e njerëzve, shpejt ata u shndërruan në dragonj, dhe fluturuan larg, sidomos në Francë por edhe në shumë hapësira të tjera, në 45 vende. Gjithë bota foli për këtë habi të paparë, për këtë prodhim letrar, fëmijë aq të bukur, që vinte nga një vend nën diktaturë, por që për habi, qe i paprekur nga fryma e terrorit ku ishte detyruar të rritej.
Këto ditë, gjatë dhe pas 28 janarit, ditëlindjes së gjeniut tonë, kam dëgjuar dhe lexuar shpifje dhe fjalë urrejtje që më jepnin dhembje në vesh dhe në sy. Dhe natyrshëm më vinte dhe më vjen ndër mend gjykimi i gjithëpranuar se një shkrimtar, një artist, apo çdo mjeshtër i një fushe të caktuar, gjykohet nga veprat më të mira. E, vetvetiu, më lind një pyetje kokëfortë – a më thotë dot ndokush (sidomos ata që ndonjëherë gjuajnë me shigjeta të helmatisura), se ç’lidhje ka “Kronikë në gur” me realizmin socialist? Një “Jo” e fortë. “Kronikë në gur” ajo pjellë e rritur me mundim mes acarit të diktaturës, është një kryevepër e letërsisë botërore. Ç’lidhje ka “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” me realizmin socialist, po “Kështjella”, “Kush e solli Doruntinën”, “Dosja H”, “Prilli i thyer”, “Darka e gabuar”? A s’kishte të drejtë Kadare që, për ca kohë, të ecte i heshtur e ndënë petkun e mirësjelljes pranuese, të mbarte këtë pyll të bukur të krijimtarisë së madhe?
Për fat, Kadare, nuk ndali aty, tek prindi që rrit në fshehtësi fëmijën e tij, një filiz me soj gjeniu. Që në gjallje të diktatorit, nën hundën e regjimit dhe në kulmin e pushtetit të Enver Hoxhës, ai shkroi dhe botoi “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Ishte një goditje e hapur ndaj mbylljes së Shqipërisë dhe mjedisit të saj të ngrirë nga frika dhe terrori. Për habinë e të gjithëve, njerëzit folën dhe pse jo me fjalë. Ata i mbërtheu ankthi për shkrimtarin e adhuruar, vrapuan në librari dhe brenda disa orësh i blenë të gjitha librat e Kadaresë nga frika se mos ai arrestohej dhe librat e tij do ndaloheshin. Vetë botimi i “Pallatit”, pëshpërimat për arrestimin e Kadaresë, dhe reagimi i heshtur i njerëzve ishte tërmeti i parë që i tronditi jo pak muret e rënda të regjimit enverist në Shqipëri. Njerëzit besonin Kadarenë dhe jo diktatorin. Pikë! Dhe çdo mendje e kthjellët e hamendëson dhe e beson se jeta e Kadaresë nuk ka qënë e lehtë. Dhe, pavarësisht nga rreziku, ai eci me guxim, e kreu veprën e tij të madhe, pa pyetur në fund (me botimin e “Pallatit të ëndrrave”) se dhe jeta e tij dhe e familjes po vihej në pikëpyetje të frikshme.
Më vjen për të qeshur dhe për të qarë kur përballem me shpërfaqjen e urrejtjes që idhullin tonë, Kadare, e quan bashkëpunëtor i diktatorit. Ajo që kemi parë tash sa vjet, ajo që kemi në duar, vepra e pashoqe e Kadaresë, flet për një krijues të rrallë, i cili na ka mbajtur me shpresë, në ditë të vështira, na bën krenar edhe sot e gjithë ditën, e madje e ka ngritur në lertësi të reja shpirtin shqiptar.
31 janar 2024.
Please follow and like us: