Poezia e Eseninit vjen në shqip nga Arqile Garo
Sergej Esenin: BOTË E LASHTË DHE MISTERIOZE
Botë misterioze, ti, moj botë e lashtë,
si era u qetove, u preve në mes.
Fshatin po e nguc, po e shtyp në rrashtë,
dorë e egërsuar, e gurtë, e xhadesë.
Frika kokën zgjat nga bora, gjithë shpresë,
tmerri krakëllin flatrat me tërbim,
dhe ti vdekje e zezë po të përshëndes,
jam duke të ardhur, kemi lenë takim.
Qytet, or qytet ashpër na lufton,
na quan ndyrashë edhe racë mizore.
Fusha kallkanoset, trishtohet, rënkon,
shtylla telefoni po e mbytin prore.
Veç, muskujt e zverkut, muskuj djallëzorë,
udhët e çelikta nuk i mposhtin dot.
E ç’ u bë? Po shkave mbahu me një dorë,
nuk është herë e parë që mbytesh në lot.
I ligjit të xhunglës ky, avaz i vjetër,
një gjemb që në zemër ngulet pak nga pak.
…Kështu dhe gjahtarët, ujkut, me patjetër,
ja ngushtojnë rrethimin, e futin në lak.
U rrethua bisha… kërcëllitje dhëmbësh,
dikush do të shfaqet, me plumb ta mbarojë.
Befas një kërcim… dhe hasmi dy këmbësh,
nga thonjtë grabitqare, keq do përfundojë.
Përshëndetje ti, kafshë e adhuruar,
që thikën në grykë kaq lehtë s’ e pranon,
ja, kështu si ti, ndihem i rrethuar,
nga armiq të hekurt dhe kjo më tërbon.
Edhe po, njëlloj do t’ i turrem shpurës,
kur briri i fitores gëzueshëm t’ ushtojë,
me atë kërcimin, fatal, vdekjeprurës,
gjakun e armikut, tërë qejf, do shijoj.
Po dhe n’ iu rrezofsha butësisë sublime,
trupi më dëborë kur të më mbulohet,
një këngë për hakmarrjen, fill pas vdekjes time,
tej, nga bregu tjetër, fort do të dëgjohet.
1921
Shqipëroi: Arqile Garo,
shtator 2020