Albspirit

Media/News/Publishing

PORTRETI I ZHAN POL SARTRIT NGA GJON MILI

Kristaq BALLI
Midis qindra portreteve artistike të figurave të shquara botërore të artit nga fotografi shqiptaro-amerikan Gjon Mili, është edhe ai i Zhan Pol Sartri-t.
Jean-Paul Sartre (1905-1980), ka qenë filozof, dramaturg, prozator, aktivist politik, biograf dhe kritik letrar francez. Ai ishte një nga figurat kyçe në filozofinë e ekzistencializmit dhe fenomenologjisë, si dhe një nga teoricienët konsekuentë të filozofisë dhe Marksizmit fracez të shek. XX. Puna e tij ka influencuar, gjithashtu, sociologjinë, teorinë e kritikës, teorinë post-koloniale dhe studimet letrare dhe vijon t’i influencojë këto disiplina. Sartri ishte po ashtu i njohur për marrëdhënien e hapur me teoricienen feministe të mirënjohur Simone de Beauvoir. Paraqitja e Sartrit në filozofinë e tij është vepra “Ekzistencializmi dhe Humanizmi”, 1946. Ai ka botuar dhjetra vepra të tjera letrare (drama, skenarë, romane, tregime), esse filozofike, kritike, politike, humane, sociologjike, libra autobiografike, etj. Vepra e tij e parë është eseja “Imagjinata: Një Kritikë Psikologjike”, 1936, ndërsa e fundit eseja filozofike “E Vërteta dhe Ekzistenca”, 1989.
Në vitin 1964 Sartri është vlerësuar me çmimin Nobel në Letërsi, por e ka refuzuar atë duke thënë që ai asnjëherë nuk i pranonte nderimet zyrtare dhe që “një shkrimtar nuk duhej t’ia lejonte vetes të shndrrohej në një institucion”.
Miqësinë dhe marrëdhëniet e ndërsjellta midis Sartrit dhe Gjon Milit i kishte mbrujtur qëndrimi mbi konceptin dhe procesin subkoshient ndaj arti.
Portreti fotografik i Zhan Pol Sartrit (Jean Paul Sartre), filozofit, dramaturgut, shkrimtarit, kritikut të shquar ekzistencialist francez, ka një trill të rastësishëm por të rëndësishëm gjithaq në marrëdhënie me figurën humane dhe artistike të Gjon Milit, sidomos të promovimit sintetik të veprës së tij artistike nën këndvështrimin e një alternative filozofike moderne. Në vitin 1946 Gjon Mili ndodhej në Paris si fotograf i dërguar nga revista LIFE për të pasqyruar punimet e Konferencës së Paqes (29 Korrik – 15 Tetor 1946). Por dimë ndërkohë që ai e shfrytëzoi këtë udhëtim edhe për të hapur një ekspozitë vetiake në Galerie Du Bac gjatë periudhës 1-10 Tetor 1946, të parën ekspozitë vetiake jashtë Amerikës. Sigurisht, Gjon Mili, në të njëjtën moshë me Sartrin, e kishte njohur atë, por jo nga afër, jo personalisht. Një udhëtim i bujshëm intelektual i Sartrit gjatë vitit 1945 në ShBA kishte lënë gjurmë në mjediset filozofike, estetike e artistike amerikane, sigurisht edhe tek Gjon Mili. Se si janë takuar në Paris, nuk është bërë e njohur por dimë që Gjon Mili kishte gjetur dhe shfrytëzuar rastin për t’i treguar Sartrit një pjesë të fotove të tij, ndoshta gjatë përgatitjes së ekspozitës, të cilat i kishin pëlqyer mjaft Sartrit. Siç e kemi përmendur edhe në ndonjë vend tjetër, Gjon Mili, përveç se ishte edhe vetë një artist modern, futurist që kishte filluar të linte gjurmë në opinionin artistik ndërkombëtar, zotëronte edhe një aftësi të veçantë komunikuese, shoqërore, miqësore e humori për t’u bërë shpejt shok, apo mik, qoftë edhe pas një truku apo situate të parëndësishme. Siç thonë shqiptarët, ai e kishte gjakun shumë të ëmbël për t’u miqësuar me këdo. Ndryshe nuk shpjegohet se si, të paktën qindra e qindra portretet e personaliteteve në të gjitha fushat e jetës të realizuar nga ai nuk do të kishin një shkak njohjeje rastësore, një ngjarjeje gazmore miqësore, një shaka, një romuz, apo truk të çastit, një situatë humori të krijuar aty për aty. Ndryshe nuk shpjegohet se si po ato ditë të ngjeshura të shtatorit 1946 ai do të gjendet në shtëpinë e re të Sartrit, në Paris, për t’i bërë atij portretin dhe disa foto të tjera në studion e tij të shtëpisë. Fotografitë e këtij subjekti ku mizansenën, përveç se Sartrit, të ulur në tavolinën e punës duke pirë cigare, e plotësonin edhe partnerja e pakurorëzuar e tij – shkrimtarja, filozofja ekzistencialiste, aktivistja feministe dhe teoricienia sociale franceze Simone de Beauvoir, që rrufiste një pije duke ndjekur situatën; pastaj, piktori i njohur rumuno-amerikan Saul Steinberg –një ilustrues humorist i thekur që ishte zhytur në punën e tij për t’i bërë karikaturën e famshme Gjon Milit, i cili nga ana e vet rrekej i harruar e i padukshëm në përqëndrimin e vet për të gjetur çastin deçiziv për t’i rrëmbyer portretin Sartrit.1) (Fahredin Spahija: Historia e një fotografie dhe një takimi në Paris: Sartre, Beauvoir, Steinberg dhe Gjon Mili, Revista “Akademia”/Telegrafi, 06.01.2020) (fig. 1) .Ndoshta në këtë atmosferë miqësore, Sartri shkon nëpër mend idenë e paraqitjes së ekspozitës të Gjon Milit me një fjalim të shkurtër, por tepër të veçantë, unikal, iluzionist, sintetik, të ngjeshur stilistikor e alegorik po aq, që e portretizonte atë fizikisht e artistikisht me detale të buruara nga një fantazi superbe, e papërmbajtur, thelbësore. Ky fjalim do të mbetej për Milin dhe krijimtarinë e tij një ikonë identifikuese që do ta shoqëronte gjithë jetën, madje edhe sot, i botuar në formën e një broshure ekspozicionale, bashkë me karikaturën miqësore vijon të përdoret si prezantuesi universal i ekspozitave të Gjon Milit në të gjithë botën. (fig. 2) Sall, në këtë situatë amorfe, Gjon Mili gjeti çastin për të realizuar edhe portretin e Sartrit. Një portret tepër identifikues, jo formal, por me të gjitha karakteristikat fizike e botën e tij të brendshme të thellë prej një intelektuali të jashtzakonshëm. (fig. 3)
Ja disa përcaktime të shkëputura nga fjala e Sartrit për Gjon Milin:
“Ai ka kokën si të një ngrënësi termitesh.
Hunda e tij duke nuhatur erën e botës, sikur e paraprin atë për t’u futur befas në një fole milingonash. Poshtë hundës, ashpërsojnë mustaqet e vogla…Pjesa tjetër e fytyrës – sytë, mollëzat, flokët e kreshpëruar – të kujtojnë një gangster…
…Mili të mban në kurth të gjallë, të papërpunuar, në fotografinë e tij ti vazhdon të luftosh me veten si peshku në rrjetë..
…Mili është njeri i kurtheve. Ai është plot marifete e lëvizje mashtruee që të çarmatosin, ai e bën çdo fotografi një provë, një eksperiment. Për të ka aq shumë mënyra fotografimi sa janë edhe njerëzit.2) (Gjon Mili, Photographs & Recollection, pp. 8-9).
Please follow and like us: