Saimir Kadiu: In memoriam Riza Lushta!
Riza Lushta (2 Shkurt 1916 – 25 janar 1997)
Më 2 shkurt ishte ditëlindja e 108, e lojtarit të madh shqiptar Riza Lushta…
Asnjë shkrim apo ndonjë kujtesë për shqiptarin e parë që ka luajtur me Juventusin në Serie A.
Ai ishte pjesë e një skuadre të bukur si Juventusi, por jo shumë të suksesshme në fillimvitet 40’ të dominuar nga kushërinjtë e tyre “Granata”.
Riza Lushta megjithatë arriti të shënojë emrin e tij në historinë e lavdishme të Juventusit dhe ishte një nga arkitektët kryesorë të suksesit të fitimit të Kupës së dytë të Italisë nga “Zonja e vjetër” e futbollit italian.
Lushta mbërriti në Itali nga kampionati shqiptar i futbollit të paraluftës, ku ai luante në rradhët e Sport Klub Tiranës…me të cilën fitoi katër tituj kampioni të Shqipërisë (në vitet 1934, 1936, 1937 dhe 1939) dhe kupën e parë të Shqipërisë në vitin 1939.
Gjatë viteve shqiptare të Lushtës, ai ishte edhe shënuësi më i mirë i kampionatit shqiptar në vitet 1936 dhe 1937.
Kishte lindur më 2 shkurt 1916 në Mitrovicë të Kosovës, në një familje të pasur tregtare.
Babai i tij Shabani kishte dy fëmijë, djalin Rizain dhe vajzën Magbule. Meqë i ati Shabani, ishte një tregtar i pasur dhe i njohur jo vetëm në Mitrovicë, por edhe më gjerë, djalin e vet Rizain qysh herët e dërgoi për shkollim në Shqipëri, sepse asokohe në Kosovë nuk ekzistonin shkollat shqipe.
Në Tiranë, Riza Lusha kreu shkollën fillore dhe u regjistrua në shkollën e mesme teknike shqiptaro-amerikane.
Ishte kjo e para shkollë profesionale politeknike në Shqipëri, e cila në literaturën e paraluftës është quajtur, Shkolla Teknike Amerikane ose Shkolla e Hari Fulcit (Harry Trevly Fultz).
Lushta, pavarësisht se nuk ishte qendërsulmues në kuptimin e vërtetë të fjalës, kishte një sens të caktuar për golat! Në sezonin e tij të parë nën hijen e Mole duke luajtur si mesfushor i majtë, ai shënoi nëntë gola së bashku me Guglielmo Gabetto i cili shënoi gjashtëmbëdhjetë dhe më pas iu bashkua Toros.
Sezonin vijues 1941-42, ai ishte përgjithmonë në qendër të sulmit për shkak të dështimit të amerikano-jugorit Banfi, pasardhësi i Gabettos: “Ishte një sezon pozitiv për mua, edhe nëse përfunduam në vendin e gjashtë; me gjashtëmbëdhjetë golat e shenuar isha golashënuesi numër një i Juventusit dhe gjithashtu në kampionatin tim të tretë dhe të fundit në Juventus, rezultatet e përballuan situatën me shtatëmbëdhjetë gola, vetëm dy më pak se Sentimenti III. Pastaj erdhi ndërprerja per shkak te luftës”, kujtonte Riza vite më vonë.
Në atë vit Juventusi fitoi edhe trofeun e Kupës së Italisë të fituar në finale kundër Milan (e quajtur Milano nga ligjet fashiste).
Riza ishte protagonist mbi të gjitha në ndeshjen e kthimit të fituar 4-1 nga bardhezinjtë falë një hat-trick pas barazimit të arritur në ndeshjen e parë 1-1 në fushën e kuqezinjve.
Lushta ishte golashënuesi më i mirë i turneut me 8 gola, lojtari i parë jo-italian që arrinte këtë sukses.
Ky ishte formacioni i JUVENTUS në këtë ndeshje: Peruchetti – Foni, Rava – Depetrini, Parola, Locatelli – Colaneri, Varglien II, Lushta, Sentimenti III, Bellini. (Trainer Monti).
Foni, Rava, Locatelli. Peruchetti, Depetrini, Parola ishin lojtarë të përfaqësues italiane.
Lushta ka mbërritur në Juventus me fat. Në kohën kur ai luajti për me “dei galletti pugliesi” ne Bari në maj 1940 u përball me Juventusin dhe Bari fitoi 2-1 falë një dygolëshi të shënuar nga Riza, i cili luajti një ndeshje madhështore.
Borel II, e vuri re nga tribuna dhe mbështeti blerjen e tij. Juventus mundi konkurrencën nga Venezia dhe Fiorentina. falë ndërmjetësimit të presidentit të atëhershëm, Count De la Forest.
Dhe që nga ajo ditë jeta e tij u lidh me Zonjën e Vjetër…
Juventusi në atë kohë luante me “il Metodo”, e shpikur nga Vittorio Pozzo dhe Hugo Meisl dhe Lushta luante si mesfushor i majtë, por nuk u kufizua vetëm në vrapimin dhe mbajtjen e topave. Ai kishte, në fakt, një sens të mirë të golit, i cili u rafinua duke pasur pranë tij elementë të kalibrit të Meazza, Borel, Sentimenti III, Locatelli. Dhe para kësaj Colaussi dhe Gabetto.
Ai luajti me ngjyrat bardhezi deri në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe më pas kaloi në Napoli, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e lavdishme të Juventusit!
Riza Lushta ka luajtur në Francë me ekipin AS Cannes (1948-1951) dhe në Itali në Seria A me ekipet A.S. Bari (1939-1940) Juventus F.C. , Napoli (1945-1946) dhe Alessandria (1946-1948) në Seria C me ekipin Siena (1951-1952) dhe në Seria D me ekipet Forlì (1952-1953) dhe Rapallo (953-1954).
Ai përmbylli karrierën e tij në viti 1954 në moshën 38 vjeçare.
Në Seria A ka zhvilluar 170 ndeshje dhe ka shënuar 68 gola.
Me Juventusin ka luajtur 85 ndeshje (46 gola) gjatë viteve 1940-45.
Stadiumi i Mitrovices ne Kosove mban emrin e tij.
Vdiq 27 vjet më parë më 25 janar 1997 në Torino.
Ende sot nuk ka asnjë lojtar shqiptar që ka luajtur në ligat kryesore evropiane të ketë shënuar më shumë gola se Riza Lushta.
Ai nuk luajti asnjë ndeshje me përfaqësuesen shqiptare.
Perpjekjet e Loro Boricit, për ta patur pjesë të përfaqesueses kuqezi në Ballkaniadën e vitit 1946 në Tiranë dështuan…
A është Riza Lushta futbollisti më i madh shqiptar.., “Riza Pasha” sic e cilesonte Guerin Sportivo?
Perfitoj nga ky postim për shtuar edhe diçka shumë të rëndësishme.
Lushta kishte talentin e madh, por ishte mbështetje prindërore e fisnikut tiranas SELMAN STËRMASI që mundësoi kalimin e Lushtës në Itali…
Mirënjohja e Lushtës nuk mungoi asnjëherë për të…
Në vitet 60’ Lushta i kishte dhuruar një televizor bamiresit të tij (asokohe kjo ishte një dhuratë shumë speciale).
Kam degjuar që kur Partizani luajti në Torino kundër Torinos në vitin 1968 drejtuesve të ekipit Partizani iu tërhoq vëmendja përse kishin takuar Lushtën… për të cilin ishte instaluar harresa duke mos iu përmendur emri në historinë e futbollit shqiptar.
Nuk di të ketë ndonjë bust, rrugë apo institucion sportiv me emrin e Riza Lushtës…
Turpi vazhdon…