Albspirit

Media/News/Publishing

Nikolla Llambro: KËSHTU NDODHI ATËHERE…

Tregim i jetuar

Pjesa e parë

Kamioni me super spond ngjyrë jeshile, i mbuluar me mushama, në mëngjesin e 16 Nëntorit të vitit 1970, u nis në udhëtim të gjatë drejt Jugut për në qytetin e Gjirokastrës… Mbasi përshkoi tërë rrugën kombëtare nga Vora, arriti në fushën e Mashkullorës, nga ku me vështirësi shquhej Kalaja në largësi. Një tis i hollë mjegulle a tymi që i kalonte përbri e mbulonte lehtë si një vello e hollë ngjyrë gri, rënë mbi trupin e saj lakuriq e madhështor. Kamioni mori kthesën e “Postëbllokut” për në Sheshin e Çerçizit. Në të përpjetën me kthesa të Lagjes Punëtore gulçonte dhe zhurma mbytëse zmadhohej, teksa përplasej tek proi i Urës së Nanxës.

Në kamion ishim ne, “një grusht ushtarësh” të liruar të Rrethit të Gjirokastrës, që po ktheheshim në shtëpi, mbas tre vjetësh, nga reparti ushtarak i Brigadës së Tankeve 9341, Vorë. Tërë rrugës e gjithë ditën, që nga momenti që dolëm nga reparti, ne të liruarit, mbasi shqepëm mushamanë që mbulonte makinën, bërtisnim nga gëzimi me sa na hante guxhumani:

“-Parti- Enver/ Jemi gati kurdoherë!

Urraaaa…Urraaaa…”!

Brohoritjet, përplasjet tona sa andej-këndej nëpër spondet e makinës, nga  kthesat  e rrugës, copëtimi i çrregullt i parullës Parti-Enver… që i bënte secili dhe mushamaja kaki që valëvitej “triumfalisht” si flamur nëpër erë, i jepnin entuziazmit tonë një pamje komike e groteske, ndaj kalimtarët që na shikonin rrugës, qeshnin  në kalim e sipër!

Në çdo qendër të banuar që hynim e deri sa dilnim, ne nuk pushonim:

-Parti-Enver/ Jemi gati kurdoherë

Urrraaa…urrrraaa…!

Kishte raste të “çirrnim gurmazin” edhe për një shtëpi, ndodhur anës rrugës nacionale, apo për një çoban që ishte atje tej duke kullotur kopenë me bagëti. Në tërë këtë zallamahi, mua më dukej se Viktori, djali i këngëtarit popullor, Xhevat Avdallit, ishte më i kënaquri. Sytë e zinj i qeshnin dhe më ishte tiposur ideja, ashtu kot, sikur thoshte me vete:

-Ashtu deeee… bravooo… u liruam…!

Toria ishte dhe mbeti një gjirokastrit puro. E folura gjirokastriçe mua më kënaqte, por shpesh ushtarët nga Veriu nuk e kuptonin. Fliste dhe shpejt. Ishte i gjatë. Kish një ecje duke u tundur me kurrizin paksa të thyer përpara. Gjatësia e vështirësonte disi në hyrjet e daljet nga tanku. Ishte i çiltërt dhe i dashur. Toria ashtu është edhe sot. Mbetëm shokë e miq që më 1968 -ën.

Kamioni filloi ngjitjen për në Sheshin e Çerçizit. Tek sheshi i Lagjes Punëtore disa njerëz na përshëndetën me dorë e me buzëqeshje të dukshme. Ishin fytyra të njohura për mua dhe sidomos polic Reufi me mustaqe spic, i egër e besnik i detyrës, që nuk e pashë të qeshte kurrë. Reufi nuk e ktheu kokën. Ai ushtronte detyrën e Plotëfuqishmit në Polici dhe mbante “nën zap” një qytet të tërë. Kur ishim të vegjël e bënim ndonjë çapkënllëk, na trembnin: -Erdhi Reufi…!

Ne na shkonin “shtatë në qese” nga polic Reufi!

Duhet të ishte viti 1959 kur në Shqipëri erdhi për vizitë Hrushovi, UDHËHEQËSI i BRSS-së.

Hrushovi nuk erdhi në Gjirokastër. Në Gjirokastër, në mos gaboj, erdhi Zhukovi.

Atëhere, për hir të ardhjes së Hrushovit në Shqipëri, u kompozua një këngë: “Mirëse vini shoku Hrushov/mysafir në Shqipëri…”, etj… dhe këndohej shpesh edhe pas vizitës së tij deri në vitin 1960-të. Unë edhe sot nuk e kam harruar melodinë e asaj kënge. Vargjet nuk i mbaj mend.

Isha 11 vjeç. Me një shkumës bëja zhgaravina XX nëpër arabat e dyqaneve të Pazarit, ashtu kot dhe këndoja këtë këngë. Tek Zigai më doli përpara Reufi. Më zuri për veshi fortë, gati më peshoi dhe më hoqi një pëllëmbë sa më dolën xixa nga sytë. Në faqe më mbeti “pesçja”.

-Këndo prapë nga këto këngë e shkruaj prapë me shkumës dyqaneve, gjidi rrugaç!- më  tha.

Ia mbatha me vrapë përpjetë kalldrëmit dhe te qoshja që lidhej rruga me atë të 11 Janarit e shava me sa fuqi që kisha nga inati dhe dhimbja.

-Të qifsha nënën, evgjit i mutit!…

Reufi, duke gulçuar, më ndoqi përpjetë, por ndërkohë i preu rrugën karroca e plehrave të Komunales që tërhiqej nga një mushkë italiane e mbetur aty, që në kohë të luftës. Mushka italiane kish një trup të madh… katana… me një thembër e patkua sa një lopatë. Ishte e vetmja që punonte pa zhurmë, tërë ditën, në të përpjetat e tatëpjetat e Pazarit, duke zvarritur atë karrocë të stërmadhe plot me plehra. Ne, kur donim të shanim ndonjë vajzë, i thoshnim: Ik moj “Mushkë  italiane”!

Mushka trupmadhe dhe karroca katana, i prenë rrugën Reufit. Ai ra në gropë poshtë te shkallët e Zigait kokë taklla (bythë përpjetë). Kapelja i fluturoi tej dhe çanta e shpinës prej lëkure e roitur, i mbuloi fytyrën. U ngrit me zor, me fytyrë të prishur dhe tym nga inati. Tani Reufi ishte egërsuar si një qen stani. Filloi ngjitjen kalldrëmit, por unë ahahaa… isha bërë erë…

Deri sa mbarova gjimnazin, nuk i dola ballë për ballë Reufit, nga ndrojtja dhe pse jo edhe nga frika. Sot duke parë këto tallava që po ndodhin them: -Ehhh… ku je o Reuf i “rreptë”, i drejtë dhe i ndershëm!…

Më tutje, aty në ngjitje për tek Ura e Nanxës, po çapitej Diftiri, shtrapa-shtrupa duke u endur, sa në një qoshe të rrugës, në tjetrën… Dukej qartë që i kishte llufitur ca gota raki dëllënje 13 lekëshe. Ai vazhdoi rrugën pa kthyer kokën, si gjithmonë, me cigaren ngjitur në buzë për në Pazar. Te Bendi një tufë çamarrokësh dolën anës rrugës, përsëritën parullën tonë dhe e mbyllën me një urraaaa… të egzaltuar fëminore. Na ndoqën disa metra duke u përpjekur të kacavireshin në spondin e pasëm të kamionit. Kur nuk mundën më, njëri syresh mori një gur dhe qëlloi kamionin. Pastaj kamioni kaloi bustin e Enverit, Degën Punëve të  Brendshme, Godinën e Zjarr-Fikseve, kaloi Sarajet e  Dr. Kalivopullit në të majtë, shtëpinë e Ademit e Rami Harxhit në të djathtë, e hyri “triumfalisht“ në Sheshin e Çeços, me atë jehonën  e mbytur që krijohej nga efekti i përplasjes së zërit te sheshi… Tani njerëzit shtoheshin. Disa qeshnin, disa përshëndesnin me duar. Kamioni duke gulçuar filloi t’i ngjitej kalldrëmit për te “Qafa e Pazarit”. Njerëzit shmangeshin nëpër shkallët e trotuareve të ngushta para dyqaneve. Njëri syresh bërtiti:

-O Toreee… o Tore Avdallii… u lirove mo binadalë?…

Ne, me   fuqinë që na kishte mbetur, ca nga uria, ca nga të ftohtit e  lodhja e rrugës, bërtisnim. Bërtitja tani dilte e dridhur nga luhatjet e kamionit që mezi ngjitej duke gulçuar në të përpjetën kalldrëmit. Parulla:

“Parti-Enver… jemi gati kurdoherë”, këputej copa-copa si retë kur i shpërndan era në qiell.

Zërat tanë tani ishin të lodhur, të cfilitur. Nuancat e tyre që dilnin nga grykët tona të thara e të mardhura, ishin të çuditshme.

Parullën ”Parti Enver-jemi gati kurdoherë”, e kishim  çarvalitur vërt e vërt, tërë ditën, nga Vora në Gjirokastër…

Aty te mesi i Pazarit, ku ishte shtylla prej hekuri e autoparlantit të radios, shoferi i kamionit, që me sa dukej nuk kish qenë herë tjetër në Gjirokastër, nuk e mori dot kthesën me të parën në të majtë, që të shpinte në të përpjetën e Kalasë, ku ishte godina e Degës Ushtarake. Aty shoferi bëri ca manovra para mbrapa dhe ne, të gjendur të pa përgatitur, u përplasëm sa në një spond, në tjetrin dhe ramë kokë talklla në fund të kamionit, bërë kokolesh… Vasili, më i vjetëri, mësuesi nga Këllëzi, djalë-burrë që ta pije në kupë, ra i pari. Më nduku dhe unë, pasi përplasa kokën dhe shpatullën fortë në spondin e makinës, rashë mbi të. Unë tërhoqa nga xhaketa Toren. Pas tij ra Skënderi, mësues golëmas, i ditur dhe tërë sqimë. Skënderi ishte intelektual që të imponohej… U kokolepsëm keq. Vasili bëtiste:

-Ç’bëni more se më thyet brinjët! Obobooo…!

Shokët e tjerë nuk folën, po qeshnin.

Skena duhet të ishte shumë komike, ndaj njerëzit ndanë rrugës u gajasën…

Mezi u shqitëm. Ndërkohë kamioni duke gulçuar mundi të ngjitej dhe më në fund frrenoi me një… çuuufff… çuffff… të fortë përballë godinës së Degës Ushtarake, a thua se u lirua nga ky makth që i kish zënë frymën.

Kishim arritur. Ja… godina e Degës Ushtarake! (Ajo godinë është prishur dhe sot nuk egziston.)

Sa e pashë atë godinë u mpiva… Gëzimi m’u shua jashtë e brenda!

Më pushtoi një ndjenjë alarmi… U stepa. Pa pritur… ngriva…

Te dera ishte Kryetari i Degës, një oficer meso burrë dhe një ushtar. Unë tashmë nuk shikoja kthjellët. Sytë m’u mjegulluan, koka m’u ftoh dhe dridhesha lehtë. Ai foli ca fjalë, na dha Librezat Ushtarake të lirimit e unë nuk mbaj mend asgjë tjetër.

Ajo godinë më hodhi tre vite pas, në atë mëngjes të ftohtë të 5 Janarit 1968, mbuluar me dëborë!…

Me një ndjenjë të përhumbur, mora rrugën më të poshtë për në Mesin e Pazarit. Koka më ziente, një valë ndjenje e çuditshme, herë përvëluse e herë e akullt, më pushtoi gjithë qënien e më zinte frymën…

Kalova Qafën e Pazarit mes grumbullit të njerëzve, mora rrugën për nga 11 Janari. Te shtylla metalike aty në qoshe, radioja jepte lajmet në gjuhë të huaj… Dyqanet e hapura, njerëzit që hynin e dilnin në to, më dukeshin flu. Te Klubi i Gjuetarëve kishte dritë. Nga brenda vinte vrullshëm një potere burrash, mbuluar nga një mjegull tymi cigareje që i bënte siluetat e tyre të shquheshin turbull. Lart në Kinema, te sporteli, 5-6 veta prisnin për bileta. Pa qenë shumë i përqëndruar, kalova dyqanet me radhë, majtas e djathtas, deri te ngushtica e Hanit të Stavros, aty ku ishte Farmacia. Në ngushticën e rrugës që merr poshtë për te  11 Janari, piva ujë te çezma në qoshe, në shtëpinë e Jano Koçiut. Janua ishte kamarier restoranti. Një burrë me trup të gjatë, paksa të krrusur nga mosha, zagorit e me mustaqe spic të holla. I shkathët  dhe shumë hokatar. Fliste disi shpejt e me zë të ngjirur Janua, kur bënte llogarinë, në krye të faturës shënonte dhe datën. Këtë e dinin të gjithë. Kënaqej kur dita e muajit ishte çift. Kishte katër fëmijë, një vajzë dhe tre  djem.

Tashmë ishin ndezur dritat e rrugës. Një ndriçim i zbetë dhe i pa fuqishëm sikur dridhej nga e ftohta e mbrëmjes që po ulej rëndë- rëndë e ngadalë mbi kallëdrëmin e rrugës. Muzgu që po binte, sillte me vete një tis të hollë ere të ftohtë Nëntori. Herë-herë nga shpërqëndrimi pengohesha në ndonjë gur kalldrëmi si për t’u shkundur. Nuk më shqitej nga mendja ajo histori e trishtë, monstruoze e 5 Janarit të akullt me dëborë, në vitin 1968. Ajo ëndërr e keqe, e frikëshme, më kish gllabëruar, aq sa nuk dija ku gjendesha.

Kur mbarova gjimnazin, isha projektuar nga instancat të shkoja në Universitet e të studjoja për Ing. Elektrike. Notat e mia të maturës tregonin se isha një nxënës mbi mesataren, po me prirje. Këto rezultate mesatare notash, vinin si rrjedhojë e neglizhencës dhe e mos studimit sistematik gjatë qenies nxënës në gjimnaz. Isha një nxënës harrakat, neglizhent, por jo dembel. Më pëqente shumë letërsia dhe në orën e studimit, mbasditeve, lexoja më shumë libra jashtëshkollorë. Nuk  munda të veja në Universitet për çka më kishin caktuar. Burokracia, hatërllëqet më hoqën nga Ing. Elektrike dhe më dërguan për Ing. Minierash. Duket se prejardhja ime si  djali i një puntori tipograf , e kish bërë punën.

Vajta dhe fillova në Fakultetin Gjeologj – Miniera. Bisedat me studentët e tjerë që vinin nga minierat, ku kishin punuar si teknikë aty, më diziluzionuan për profesionin e Inxhinjerit të minierave dhe në përgjithësi për jetën e tyre. Humba interesin dhe vendosa të largohem. Më parë sigurova një raport nga Komisioni Qëndror  Mediko Legal i Tiranës, për ca shqetësime shëndetësore që kisha patur, i cili më jepte të drejtën që vitin e ardhshëm të ndroja Degën në Universitet. U largova nga Fakulteti Gjeologji – Miniera në fillimin e muajit Nëntor 1967. Punova në Uzinën Metalike deri në 5 Janar 1968, deri ditën që më “rrëmbyen”për të kryer shërbimin ushtarak.

Them më “rrëmbyen” se pothuaj ashtu ndodhi. Në Uzinën Metalike punoja duke qenë i bindur se do vinte momenti të rikthehesha në Universitet. Mirëpo jo!

Kryetar i Degës Ushtarake në atë kohë ishte ishte një burrë mesatar me këmbë e mendje të shtrembër. Me atë familje, ne kishim pothuaj lidhje miqësore. Motra ime e madhe, me vajzën e Kryetarit të Degës, ishin si motra dhe studionin bashkë në Gjimnaz. Kjo bënte që shtëpitë tona të ishin si shtëpia e njëra tjetërës. Im at, në dukje, kish marrëdhënie të mira me Kryetarin, të atin e saj. Kur erdhi momenti dhe filloi mobilizimi për ushtar, Kryetari na preu në besë. Më dërgoi flet thirrje. Bisedoi im at me të, i tregoi dhe raportin dhe u zotua se nuk do të më dërgonte ushtar. Më thërriste sa herë që ishte data për të ikur djemtë dhe më thoshte: -S’ka gjë ti eja sa për t’u paraqitur!

Në mes të muajit, më thirri në zyrë dhe më tha se, meqë nuk e plotëson dot numrin, kish mundësi të shkoja ushtar. Unë kundërshtova dhe i tregova raportin që e mbaja përherë me vete kur paraqitesha. Ai bëri sikur u nxeh, e mori  e grisi dhe e hodhi në kosh.

-Kjo letër për mua -tha – nuk ka vlerë! – Unë dua dhe të lë, se kam mik tët aAt! Dhe tani ik e mos më çaj kokën!

Dola dhe ecja rrugës duke u dridhur. Nuk më besohej. Pa e kuptuar se  si u gjenda tek dyqani ku punonte dajua im, Jorgua. Sa më pa më pyeti. Fytyra ime fliste hapur. U shqetësua edhe ai. Në darkë edhe prindërit u tronditën. Im at u mundua të më qetësonte, por unë e ndjeja shqetësimin dhe pasigurinë në zërin e tij

Ditët iknin duke u paraqitur në Degën Ushtarake sa herë më kërkonin. Dhe ja, erdhi mëngjezi i datës 5 Janar 1968, dita e fundit që mbaronte mobilizimi. Atë mëngjes të ftohtë Janari me dëborë, unë duke u ngjitur kalldrëmit për në Degë, isha disi qetë dhe i veshur trashë me pallton e vetme, jo aq të re. Kryetar Degës Ushtarake doli me një listë në dorë dhe filloi të lexonte me radhë emrat. Dëgjoja pa e pasur mendjen aty. Pa pritur ai foli  emrin tim. Ngriva. Jo thashë… mbase jooo… Ai: -Ata që dëgjuan emrin të hipin në kamion!

Kur pothuaj ishin ngjitur të tërë rekrutët në kamion, iu afrova Kryetar Koços.

-Po unë? – i thashë.

-Edhe ti -më tha- hip në makinë!

-Si të hipi? Unë kam raport Mediko-Legal!

-E pastaj, çë? Hip në makinë dhe lëri llafet! Do shkosh ushtar!

-Po ju më premtuat që nuk do vete.

-Lëre ç ‘kemi thënë, hip në makinë e mos e zgjat! – më tha  si i nxehur.

M’u morën mend, koka m’u bë akull. Çdo gjë rreth meje për një çast u errësua. Disa lot shpërthyen dhe u rrokullisën poshtë faqeve të ngrira…

-Unë nuk hypi e nuk vete ushtar! – shpërtheva mes dënesës e inatit.

-Po unë të lidh këtu more rrugaç!- më tha duke uluritur si ujk. U kthye dhe duke u tundur me ato këmbë të shtëmbëta si “dhëmbë gaforesh” hyri në godinë. Mbeta ashtu si një statujë akulli.

Ndërkohë oficeri që do shoqëronte rekrutët, për në Repartin Ushtarak të Tankeve tek Plepat e Durrësit, më tërhoqi nga krahu me kujdes e më tha avash:

-Nuk ke ç ‘bën. Ai mund të thërras policinë e të arrestojnë në vend si refuzuses për të bërë shërbimin. Unë nuk mund të iki pa ty. Shko në shtëpi, lajmëroi dhe unë do të pres këtu! Kaq mund të bëj!

Oficeri shoqërus ishte Tomsoni, një djalë nga Dunavati që shërbente në atë repart.

Tomsoni qe njeri i mrekullushëm. Ishte gjithashtu një tankist shumë i pregatitur. Ai u u bë eprori im, por ne u bëmë e mbetëm miq deri në fund. E kisha e më kishte si vëlla. Tomsoni kishte një shpirt të bukur e të pastërt si era e Dunavatit me karakter të fortë, fisnik i ndershëm, i besës, i çiltërt  e burrëror!

Rekrutët mbi makinë, shokët e mi të ardhshëm të zemrës, më shikonin të heshtur e me keqardhje, teksa më rridhnin lotët pa i dashur e pa pushuar. U nisa si somnabul poshtë kalldrëmit. Nga dëbora e ngjeshur dhe e ngrirë që kishte rënë, rrëshqisja dhe aty këtu përplasesha nëpër muret e rrugës, pa ndjerë asgjë. Çdo gjë më dukej si në mjegull. Nuk e di sa shpejt dhe si u gjenda tek Çerdhja poshtë Radio Gjirokastrës ku punonte nëna ime.

Sa më pa ashtu të shpërfytyruar, me lotët që rridhnin, u alarmua. Unë, gjysmë i mekur, mes dënesës dhe lotëve që po më mbysnin, i thashë se do iki ushtar. Duke u dridhur mezi gjeti një vend të ulej që të mos binte.

-Ika ti them babait! – i thashë. Pa pasur kurajon të rri më shumë. Dola dhe vrapova për në Shtypshkronjë ku punonte im at tipograf.

Shtypshkronja ndodhej në fund të rrugës “18 Shtatori”, përbri rrugës nacionale, ngjitur me centralin e qytetit. Centrali kish një motorr italian të vjetër që punonte me naftë e furnizonte qytetin me energji elektrike.

Mes dënesës, me një frymëmarrje të vështirë, i tregova ç‘ndodhi. Në atë moment ai ishte mbi makinë dhe po shtypte gazetën “Llaiko Vima” në gjuhën greke. Gjunjët nuk e mbajtën. U mbështet me dy brrylat në cepin e makinës… Vrapova dhe shtypi butonin. Makina ndali me një gërhimë sikur dha shpirt… Mbi të i përkulur ishte im at.

-Ohh… maskarai ç’më bëri…! – hunguroi… dhe shtërngoi duart e fuqishme mbi makinë.

-Ikim babë – i thashë- nuk kemi kohë!

Ca nga dëbora e ngrirë, ca nga dëshpërimi, arritëm në shtëpi pa u ngopur me frymë. Nëna ime kish nxjerrë ca rroba të vjetra, por që kundërmonin erë sapun jeshil.

Im at nxorri nga dollapi  i vjetër që kërciste, një peliçe pambuku,  blerë me okazion në Ndërmarjen e Grumbullimit, ku shiteshin lirë mjete, orendi  të vjetra, të ruajtura mirë. Peliçja ishte nga ato të Ushtrisë Sovjetike të Luftës së Dytë Botërore, ngjyrë jeshile e zbardhur nga përdorimi. Ato kishin ardhur me ndihmat që dërgoi BRSS me mbarimin e luftës në Shqipëri.

-Merre këtë- më tha- ku do vesh në këtë kiamet me kamion të hapur deri në Durrës!

Unë kundërshtova…

-Merreee … merreee… se nuk arrin shëndoshë në këtë thëllim e këtë picirë!

– Jo , jo babe –  i thashë- të duhet. Ti s’ke me se ta nxjerrësh dimrin!

-Merreeee… – urdhëroi prerë – dhe mos e zgjat!

Zëri dhe buza i dridhej. Burrëria i ishte mekur. E kishin gllabëruar emocionet, por sedra nuk e la të shpërthente. Dukej hapur që po e mbyste me zor ngashërimin.

Ktheva kokën anash dhe lotët morën tatëpjetë me vrull. Nëna nuk fliste! Ishte vuvosur… Ajo nuk i përpiqej të fshihte lotët… Ato rridhin rrëke në faqet e kuqe të bukura! Më rrëmbeu, vuri kokën mbi gjoksin tim dhe u struk aty sikur… sikur… Ehhh… nëna imeee… nëna imeee… Shpërthyem të dy në një ngashërim si tërrmet. Im at nuk duroi, hapi derën  e doli i pari, si për t’i dhënë fund gjendjes. Me zor u shkëputa nga nëna ime… Tashmë të dy me tim at, zbritëm ato tre-katër shkallë që të nxirrnin në sheshin mbushur me dëborën e ngrirë para pallatit. Kur zbrita ato shkallë mua m’u dukën sikur zbrisja në humbëtirë. Isha mpirë!

Edhe tani mbas gati 60 vjetësh unë i kam të gjalla ndjesitë, emocionet, dhimbjen që ndjeva kur u ndava nga nëna ime…

Pa folur dhe pa guxuar të shikonim njeri-tjeterin, me tim at u ngjitëm përpjetë kalldrëmit. Përshëndetjet e njerëzve të njohur, as që i vinim re. Arritëm. Kamioni ishte aty. Tomsoni na u afrua dhe i tha babës:

“Mos u bëni merak. Ne do kalojmë mirë”!

Im at kërkonte me sy me sa duket Kryetarin. Fytyra e tij kish marrë një pamje të egër, të papërmbajtur, si të një luani… E njihja mirë mllefin e tij në rastet kur i bëhej ndonjë padrejtësi. Im at ishte njeri i qetë, kish një shpirt të butë e të ëmbël, por ziente si një vullkan nëse i bëhej një padrejtësi e madhe. Kryetari ishte zhdukur si mi gjirizesh dhe shyqyr që nuk qe aty, se nuk e di se ç’mund të ndodhte.

Oficer Tomsoni urdhëroi që rekrutët të hipin në kamion.

Rrëmbeva tim at dhe u shtërnguam fort. Të dy dridheshim… Në krahët e tij të fuqishëm, ndjeva siguri. Hipa edhe unë. Kamioni filloi të rrëshqiste poshtë kalldrëmit. Akoma sot, nuk më harrohet silueta e tim eti që kishte mbetur pa lëvizur, si një statujë mbi kalldrëmin me borën e ngrirë… Një… ooohhh… e fuqishme më shpërtheu nga brenda gjoksit si llavë përvëluse. Qe si një… si premtim, si një betim që doli ashtu nga thellësia e shpirtit, se unë nuk do ta turpëroja atë.

Rrugës bënte shumë ftohtë. Dëbora kish mbuluar tërë territorin e vendit. Era e akullt ngrinte vorbulla dëbore në ato vende që qe më e dendur dhe bashkë me grimcat e dëborës që ngrinte e merrte me vete,  na mpinte. Gjymtyrët, fytyrat tona kishin marrë ngjyrë mavi. Pa e kuptuar u shtrënguam me njëri-tjetrin, pavarësisht se akoma nuk njiheshim… U lidhëm sup më sup! Vonë natën arritëm në Repartin e Plepave të Durrësit mbuluar me dëborë.

Ndërkaq me këtë rrëmujë mendimesh e kujtimesh për ndodhitë e ditës me dëborën e ngrirë të 5 Janarit të vitit 1968, u gjenda në udhëkryqin e rrugës kryesore të lagjes“18 Shtatori”.

Përballë, atje tej, nata po e mbulonte me pelerinën e saj të përhimtë Kodrën e Teqesë. Tek sheshi i “Koqe Arrës”, një siluetë burri rrinte pa lëvizur. Brenda në klub, në një tavolinë afër dritares, shquheshin si  në mjegull, katër silueta njerëzish. Koço bankieri, i gjatë, mustaqe spic, ishte i përkulur mbi banak. Dyqanet e tjera në radhë, qenë mbyllur. Një erë që fryu pa pritur, rrëmbeu nga plepi i lartë e i plakur në cepin e Pallatit, gjethe të verdha e ngjyrë ndrishku…

Tani ecja ime luhatej. Këmbët dhe trupi mu drodhën. Emocionet vërshuan si ujrat e hasdisur të Proit të Çullos në Vjeshtë. Doja të vrapoja. Por jo. Silueta e pa lëvizur ishte Im at. Kush e di sa  kohë kishte që  priste aty.

Më rroku fortë me krahët e tij të fuqishme. E putha në gushë, si atëhere fëmijë. Ai dridhej lehtë.

-Erdhe! – mundi të belbëzonte mes mallit të dhimbshëm. Nuk më puthi! Im at nuk na puthte kurrë… Ai shpirt i butë si aromë tëndafili, nuk dinte të puthte. Veç nuk dinte dhe të qortonte… Çdo gjë e flisnin sytë e tij, simbas rastit.

Ndër kohë te dera e klubit të vjetër u shfaq një burrë.

-Irthe o Joka su Filipa?… Bravo!- foli greqisht! (Erdhi yt bir Filip… bravo!)…

-Eee…!- mezi belbëzoi im at.

U nisëm… I kalova dorën te krahu i tij i fortë si vare e madhe dhe ndjeva se dridhej, një dridhje e lehtë që të prekte. Mornica si një rrymë elektrike më pushtuan. Një ngërç mallëngjimi më zuri fytin. U bukosa! Nëna e hapi derën pa e trokitur. Edhe ajo me siguri kishte kohë që priste në këmbë, aty mbrapa derës. Ata e dinin që do veja. Më rrëmbeu si klloçka zogun e humbur dhe vuri kokën në gjoksin tim. Gulçimat dhe lotët nuk e linin të fliste.

-U ktheve bir?!… Vetëm kaq mundi të thotë shqip, të coptuar në rrokje… Mes ngashërimit dhe emocioneve, mundohesha ta qetësoj, por unë isha mbase më keq se ajo.

“Rrëmbimin tim” për të kryer shërbimin ushtarak në Janar të vitit 1968, ne si familje e përjetuam rëndë.

Jo se ikja për të bërë detyrën ushtarake ishte ndonjë gjëmë, një dënim… Joooo…! Por mënyra si më morën e më privuan nga e drejta për të vazhduar studimet e larta, duke më kthyer në kohë për tre vjet mbrapa,  qe e rëndë dhe e poshtër.

Në rrethana të tjera, po qe se do thirresha për të kryer shërbimin ushtarak, si të gjithë moshatarët e mi, do të ishte normale dhe do veja ushtar pa problem për të bërë detyrën. Veç mua Kryetari i Degës Ushtarake, në atë kohë më shkëmbeu duke shuar nga lista një  emër  tjetër dhe në këmbim të 18 mijë lekëve, më çoi mua  ushtar në vend të atij tjetrit. Por unë prisja të veja përsëri në Universitet, për të vazhduar studimet e larta.

Ai u kap duke bërë allishverishe, korrupsion në detyrë me të tilla pisllëqe, hajdutëri dhe iu bë gjyq kolektiv përpara ushtarëve e oficerëve në Repartin e Gërohtit. U dënua me 18 vjet heqje lirie. Aty përmendi dhe rastin tim, veç unë në atë kohë isha ushtar në Brigadën e Tankeve, Vorë!…

Me përqafimin e ngrohtë të nënës hymë në guzhinë.

Poooo… po ajo derë e jashtme, jeshile e shtëmbër me kompesat që vetëm dhe një fëmijë po ta shtynte hapej… Sot i kemi të “blinduara” me çelsa të sofistikuara, të rënda si dyert e tuneleve anti-bërthamorë, me sirena alarmesh e prapë nuk jemi të sigurt.

Në korridorin e jashtëm të pallatit dy katësh, në të majtë, ishte një dollap dërrase ku ishin instaluar Sahatet Elektrike. Aty ne vinim çelsin e thjeshtë të shtëpisë dhe përveç familjes sonë, e dinte i gjithë pallati… Brenda derës, në korridorin e gjatë dhe pak të errët, ku varej e ndriçonte një llampë e thjeshtë, rreshtoheshin me rradhë dyert e dhomave. Në të djathtë një derë me xhama të çonte në “dhomën e pritjes”. Në mes qe guzhina 3 me 3.5 m. Më tutje vinte banja, ca e ngushtë dhe e gjatë me WC- tip ”turke”. Përballë “dhomës së pritjes”, qe dhoma e gjumit. Në korridor ishin dhe dy ndarje me mur ku viheshin drutë dhe orendi të tjera.

Hymë në guzhinë. Mbrapa derës kishim një dollap i vjetër me sita ku vendoseshin orenditë dhe ushqimet. Një krevat prej drrase në vazhdim, i sajuar nga im at. Një tavolinë e vjetër, lyer me jeshile, si dollapi ishte në mes mbështetur në mur. Në krah lavaman me çimento, i hapur nga poshtë, mbuluar me një copë jeshile me lule. Muret e korridorit, si tavolina dhe muret e guzhinës, i lyenim  një metër e gjysmë,  me bojë vaji ngjyrë jeshile që  I falnin tim eti. Një jeshile e errët, llahtar. Në cepin tjetër të guzhinës, ngjitur në mur, qe soba prej llamarine ku dimrit me motrën time Kristinën, rrinim natën vonë duke mësuar e çoku ndiznim ndonjë cigare “Partizani”, marrë fshehura nga paketa e babait.

Nëna ime kish përgatitur “qollopitë” atë natë, se e dinte që “qollopita” qe një nga dobësitë e mia. Ajo është një migmë me brumë të qullët e djathë e hollë sa një gisht që piqet në furrë.

Hëngrëm në qetësi, ngadalë, secili i zhytur në mendimin e vet. Nëna nuk m’i ndante sytë. Babai hante në heshtje dhe shikonte shkaraz. Nuk folëm shumë. Unë isha i lodhur dhe ata të emocionuar. U shtriva në një nga krevatet e hekurta, përballë “dhomës së pritjes”. I thënçin, se në fakt ajo kish një krevat dopio të thjeshtë, një komo me një radio të vogël përsipër dhe anash katër karrike. Në mes një tavolinë e vogël katrore. Krevati, karriget e komoja dhe tavolina, ishin të lyera shëmtuar me një llak ngjyrë kafe të errët.

Ishim të varfër. Rrogat e prindërve puntorë ishin të vogëla dhe nuk mjaftonin. Me ato na mbajtën tre fëmijë të shkolloheshim deri sa mbaruam Universitetin.

Doja të flija por jooooo… Mendimet rrotulloheshin në trurin e lodhur të turbullta si vërshimi i lumit Drino në Nëntor… U përpëlita në shtrat si një peshk i goditur nga trubullira. Aromat e shtëpisë, çarçafët e  pastërt, larë me sapun e zier me finjë nga duart  e nënës sime që  kundërmonin, trazohej e më ngatërrohej me erën e kashtës të dyshekut, me erën e rëndë ushtarake të Kapanonit që kisha lënë pas. Kjo më bënte shpesh të mos isha i sigurt ku ndodhesha. Ndaj të gdhirë, mbuluar me Flokatën e rëndë e të leshtë ngjyrë vishnje. Prika (paja) e vetme e nënës kur u martua me tim at në 1945-ën, m’u  mbyllën sytë… Rashë në gjumë të thellë. Lumi i turbullt i mendimeve, i kujtimeve, rreshti.

Nuk e di sa ishte ora kur dëgjova rrufisjen e kafesë që im at po e pinte para se të nisej për punë. Ai kish qejf ta thithte me zhurmë kafenë, zakon ky që e kam marrë edhe unë. Ime shoqe, kur pi kafenë ankohet e më qorton gjithmonë:

– Avash pije o derëbardhë se tunde dynjanë!… E unë qesh… qesh në qejfin tim e nuk e çaj shumë kokën çdo të thonë bota!

Vërtet, po të jem duke pirë kafe sot në ballkon, ndonjë kalimtar kur kalon poshtë, kthen kokën.

Nuk më bëhej të çohesha. Lodhja e djeshme, emocionet e pritjes, nata pa gjumë, mendimet e turbullta për pasigurin e jetës së re, më kishin mpirë. Ashtu i shtrirë, tavanin e bardhë, llampën e thjeshtë me telin e shrembër i shikoja i përhumbur…

U çova. Shtëpia bosh më pezmatoi. Më dukej sikur isha në humbëtirë… Një ndjenjë stresi e ankthi e pa kuptim më bëri të dridhem lehtë… Ndjeja sikur isha arratisur nga ajo jetë steriotipe, e vrullshme e ushtrisë, më jipte një ndjesi faji, sikur e kisha braktisur atë jetë, ata shokë që jetuam ashpër tre vjet të vyera të rinisë së bukur e që me siguri do më mungonte shpesh e do më krijonte mall e nostalgjii të brishtë. Megjithëse qetësi në shtëpi, veshët më buçisnin nga zërat e ushtarëve, nga urdhrat e thirrjet e oficerëve, sirenat e trenave që vinin nga Stacioni i Vorës.

Në shtëpi ishim ne të tre, unë nëna dhe babai. Motra e madhe tashmë ishte martuar dhe me të shoqin mjek jetonin në Livadhja të Sarandës. Motra tjetër, e treta nga ne, vazhdonte studimet në Fakultetin e Fiskulturës në Tiranë me pagesë.

Nikolla Llambro: KËSHTU NDODHI ATËHERE…

 

Please follow and like us: