Nikolla Llambro: KËSHTU NDODHI ATËHERE…
Tregim i jetuar
Pjesa e dytë
Me përtesë, pa qejf, hëngra ashtu kot dy vezë syze që nëna ish kujdesur t’i linte gati. Mbi tavolinë prindërit më kishin lënë 50 lekë. Ishin shumë… Unë e dija që ata ishin në vështirësi. Deri dje më dërgonin edhe mua 500 lekë në muaj kur isha ushtar dhe 3000 motrës në fakultet!
U vesha ashtu me përtesë. U ula në karrike pranë dritares. Të katër dritaret tona binin nga rruga kryesore ku kalonin makinat dhe autobuzi urban që të çonte në Pazar te “Sheshi i Çerçizit”.
Më në fund dola… Ndenja një copë herë te sheshi i “Koqe Arrës”, jashtë klubit.
Njerëzit që kalonin aty tek-tuk nuk më vinin re. Te Klubi kishte pak njerëz… Bënte ca ftohtë… Re të holla Nëntori e kishin mbuluar Diellin që përpiqej më kot të lirohej.
U ngjita përpjetë kalldrëmit nga rruga që të nxirrte tek Abulanca (Sot Shkolla e Priftërinjve). Duke çapitur ngadalë në ish lagjen e fëmijërisë sime u gjenda në Pazar dhe bëra një shëtitje ashtu kot nëpër të gjithë rrugët deri te “Sheshi i Çerçizit”. Nuk kishte shumë lëvizje. Dita qe e vrejtur dhe paksa e ftohtë. Dyert e dyqaneve qenë të hapura. Disa syresh ishin bosh me shitësen mbështetur te banaku. Në dy-tre klube, ulur në tavolina, disa pinin kafe. Tymi i cigareve si një vello e hollë i jepte ambientit një ndriçim të zbetë ngjyrë gri. Te Bilardoja, aty kur ngjiteshe për në Kinema, kishte potere. Xha Adili, një burrë i shkurtër dhe i urtë, mundohej të vinte rregull. Ashtu si me një përtaci të përgjumur, pa kuptuar u drejtova nga Pallati i Kulturës. Nën të qe Bilardua tjetër. Ajo ishte e njerëzve të ”zgjedhur”. Frekuentohej nga intelektualët e qytetit. Ngjita shkallët. Nuk e di pse. Ashtu kot. Këmbët më çuan andej se mendja qe flu.Te sheshi përpara hyrjes, pamja qe një mrekulli. Përballë ishte Kalaja me madhështinë e lashtësisë dhe hijen e rëndë të saj. Me krenarinë e me një “autoritet” të dukshëm, dukej sikur i kishte vënë nën vete tërë shtëpitë radhë-radhë të Lagjes Pazari i Vjetër. Nga ana e majtë e sheshit të pallatit dhe poshtë shtrihej një tjetër pamje mahnitëse… Çatitë e mbuluara me rrasa guri ngjyrë gri, ngjanin si luspa të një një gjigandi prehistorik që me “egërsi” kishte gllabëruar lagjen e poshtme të “11 Janarit”, një pjesë të Lagjes Varrosh e që e ndalte vrapin poshtë në rrugën nacionale…
Te sheshi i “Lulishtes 1 Maji”, ngjitur me Pallatin e Kulturës, mbizotëronte një rrëmujë. Tavolina e karrike metalike, të kthyera bythë përpjetë. Pema e egër shterpë në fund të sheshit, nga ku poshtë shfaqeshin madhërishëm lagjet Varrosh, Palorto dhe një pjesë e Dunavatit, ishte zhveshur dhe gjethet e verdha shërndaheshin kudo, herë me vrull e herë duke kërcyer, në sheshin e shtruar me zhavor.
Hapa derën e jashteme të Pallatit. Zhurma e saj… ciiuu… zizëë… giuuu… viiii… m’u duk si ankesë nervoze. Nga krahu i majtë dëgjoheshin zëra. Zhurmë vinte edhe nga kati i sipërm. Shtyva njërën nga dyert e sallës. Ajo kuisi si një mi i zënë në çark… Salla bosh dhe errësira si një tunel pa fund, më ngjethën.
Dola në rrugë pa u vënë re. Nuk e di ç’më çoi që përfundova tek Pallati i Kulturës, ku aso kohe aty punonin të dy trupat profesioniste Teatri dhe Estrada.
Disa ditë para se të lirohesha nga ushtria, më kish lindur ideja që të përpiqesha mbase hyja si aktor në njërën nga trupat. Në ushtri isha aktivizuar në shfaqje të ndryshme si aktor dhe regjisor në grupe artistike amatore dhe kisha patur sukses në Zonën e Durrësit dhe Vorës. Isha vlerësuar me çmime dhe Diploma dhe mendoja t’i përdor ato. Mbase… mbase them, do fitoja dhe më pranonin të paktën në Trupën e Estradës. Ecja i turbulluar. Te Klubi i Gjuetarëve, brenda pensionistët luanin domino apo tavëll. Poterja e tifozllëkut përzihej me tymin e rëndë të llullave e cigareve me të dredhur. Salla, tavolinat e vjetra të ngjeshura njëra me tjetrën, njerëzit, tymi i duhanit ngjanin si pamjet e filmit francez “Të mjerët” të V. Hygoit… Dukej sikur nga momenti në moment do plaste sherri mes tyre e do bëhej nami, por jo … Ajo, shumë shumë do përfundonte me ndonjë flixhan të rrëzuar që thyehej.
Këmbët më çuan tek dyqani i Dajo Jorgos… Ai ishte ustai I vetmi mjeshtër me titull, që rregullonte makinat e shkrimit dhe ato llogaritëse në tërë Qarkun, nga Fieri deri në Konispol. Më përqafoi fortë. Dajo Jorgua kishte debulesë për mua që fëmijë. Sa herë doja të shkoja në kinema, kaloja nga dyqani. Ai fuste dorën në xhep e si rastësisht më hidhte mbi tavolinë një dhjetë lekshe. Bileta e kinemas atëhere qe dhjetë e pesëmbëdhjetë lekë.
U çmallëm ca. Duke punuar më bëri ca pyetje dhe kuptova se duhej të mos e pengoja. Në këto e sipër, hodhi mbi tavolinë një 50 lekësh. Kundërshtova por më kot. Ma preu me një gjest të vendosur pa folur. Ika. Dola në rrugë dhe çapitesha ashtu kot… po kot fare… si bosh nga brenda me hapa të çrregullt.
Zbrita poshtë Pazarit, te Sheshi i Çerçizit dhe në fund të tij në krah të “Sarajeve të Kalivopullit”, mora monopatin përpjetë për te shtëpia e Dajos. Më kish marrë malli të takoja Gjyshen.
Shtëpia e Dajos ndodhej lart në kodër mbi Mullirin dhe Degën e Brëndshme. Sokaku që çonte aty, fillonte nga qoshja e “Sarajeve të Kalivopullit” ku në ngjitje, majtas poshtë kishte pamjen Lagjes Meçite dhe më tej Kodrën e Lagjes 11 Janari me shtëpitë radhë-radhë si një kurorë lulesh. Në të djathtë sipër fillonte me shtëpitë e Velajve, Bimajve Kumbarove. Më tutje ishin shtëpitë e Spiraje dhe… shtëpia e xha Koços shoferit të spitalit. Ai kishte një ambulancë katrore, ngjyrë të kaltër, dalë boje. Ambulanca kur qarkullonte në rrugicat e ngushta gjëmonte si tanks sa tundej Pazari nga jehona e ngjirur. Ajo makinë ishte italiane a gjermane, mbetur nga koha e luftës.
Mbasi lashë shtëpinë e fundit në rrugicë, një monopat i ngushtë, ku dy vetë nuk i nxinte të kalonin, përfundonte te sheshi ku ndodhej shtëpia e Dajos. Në atë lartësi, pamja që shtrihej para meje qe një mrekulli. Përballë Lagjia “11 Janari” me shtëpitë të vëna në një rresht nga historia. Poshtë në fushë gjarpëronte lumi I Drinos e humbiste deri tej në Grykën e Tepelenës. Kodra e gjatë me Kalanë e “Shën Triadhës”, Mali i Lunxhërisë me fshatrat radhë-radhë, si gjerdanët e arta në gjoksit e nuseve lunxhote, më emocionuan. Shpesh kur gjendesha aty, rrija e sodisja me ëndje dhe më dukej se e thithja të tërë pamjen mahnitëse, duke më ngopur shpirtin. Te sheshi më pushtonte një ndjenjë ngazëllyese, e në trup ndjeja një lehtësi, si në humbëtirë. Aty ndjeja dëshirën të fluturojë larg… shumë larg. Po kuuu…? Ku uuuu…? Nuk e di, por aty ndjeja se bëhesha tjetër njeri. Euforia që vlonte brenda meje më frynte damarët dhe zemra gufonte…
Ehhh… më kish marrë malli për këtë pamje mrekullore .Një erë pak e ftohtë Nëntori më shkundi. Kalova hyrjen e madhe me harkun karakteristik. Një korridor i ngushtë ku në të majtë ishte dhoma e fjetjes, me derën prej xhami e lyer ashtu shatra- patra (shkel e shko) me bojë jejeshile… Përballë shkallët e ngushta që të shpinin te gropa e musllukut. Më tutje shkallët të çonin në katin e sipërm dhe aty në qoshe, në të djathtë dera e haurit. Zbrisje dy shkallë dhe gjendeshe në karakatinën ku flinte gjyshja ime Janulla. Në të djathtë një krevat i vjetër mbuluar me batanie. Në të majtë një lavaman, vjetërsia e të cilit të ngjethte. Nga dy penxheret e vogëla si fërngji hynte shtërnguar një dritë e zbehtë. Dyshemeja e shtruar gunga- gunga e dosido, me pllaka guri të zeza e të ciflosura, të krijonte një ngjethësi të ftohti.
Gjysha ime Janulla dëgjoi hapat dhe u kthye. Shtangu. Fytyra i ngriu me një ndjenjë habie. Nuk më priste. Filloi të dridhej dhe nuk fliste dot. Unë e rrëmbeva dhe e shtërngova fortë sjyshen time të shtrenjtë. Dënesa e kish vuvosur. Lotët iknin poshtë faqeve të buta… të butaa… si buka e ëmbël që bënte me duart e saj lëkurëvyshkur si fiqtë reçkë.
Gjyshja ime Janulla, kur shkonte për ujë poshtë fshatit në burim, më hipte mbi bucelën plot e ngarkuar në kurriz. Në kohën që në Dunavat, Gjirokastër na mungonte buka, ajo vinte me këmbë ngarkuar me ushqime nga fshati Kardhikaq, në Gjirokastër. Miell gruri e misri kishte pak, por kishte ushqime të tjera, fasule, qiqra, thierza. Sidomos “bukëfiqe”. Fiq të bërë si kulaç që ne na jepnin për në shkollë. Një copë “bukëfiqe”, na mbante tërë ditën.
Nxora nga xhepi një pesëdhjetë lekshe dhe ia dhashë. I ndritën sytë dhe ashtu siç e kish zakon e që e bënte përherë e fërkonte kartëmonedhën mbi flokë e thoshte:
-Sa flokë kam në kokë, aq para të bësh o bir!
Unë e ngacmoja:
-Po ty po të bien. Po kur të mbetesh pa to, ç’para do kem unë?
– Dhjavole !(djall)- më “shante” duke qeshur.
Por sot zëri i saj dridhej dhe dhe kishte një notë të mbështjellë nga një emocion i thellë prekës.
Më puthi në ballë:
-Manahomuuu…! (Biri im)…. belbëzoi ngjirur duke mos I përmbajtur lotët që rrëshqitën tatëpjetë si vesë e argjendi në “brazdat “e faqeve të saj, me ngjyrë kafe të çelur, si një arë e sapo punuar…
Më luti të drekonim bashkë. Mezi u ndamë.
Dola në sheshin para shtëpisë bashkë me të. Një dridhje e lehtë e mornica si mijra milingona të vockëla më pushtuan trupin… Ajri i pastërt, panorama mahnitëse që u shfaq më freskuan mendjen dhe trupin. Ika pa torua deri te Sheshi I Çerçizit, pothuajse bosh… Tek-tuk, ndonjë kalimtar shpejtonte. Koha kish filluar të ftohej. Nuk kisha qejf të takoja njeri. Me kokën ulur mora rrugën tatëposhtë rrugës “11 Janari” e zbrita në shtëpi.
Një mërzitje pa kuptim më kish pushtuar qenien. Brenda meje, zbrazësirë… Isha liruar nga shërbimi, mbas 3 vjetësh jete plot vrull të vështirë… Tashmë isha rritur, por më shumë ndihesha I fortë, i burrëruar… E ja u lirova më në fund!
Po tani?
Tani cila do ishte rruga e jetës?
Se kisha vrarë mendjen për këtë… Ëndrrat që lindnin, coptoheshin nëpër gjumë dhe në mëngjes mbetej vetëm pluhuri I natës, veshur me djersën dhe uniformën e ushtarit.
Arrita në shtëpi… bosh… e ftohtë.. .prindërit në punë…
Ashtu siç isha u plasa në krevat… Në tavanin e bardhë mundohesha të vizitoja diçka, një mendim, një plan… një “rrugë” drejt jetës së re që do ta filloja nga zero ooo… Asgjëëë…! Pa filluar mendimet shkërmoqeshin si dëborën në stuhi…
Muajin e fundit të shërbimit ushtarak, ne ishim nën trysninë e një euforie. Gëzimi si një det pa kufi… DET, ama me tërë karakteristikat e tij… deri në mos bindje të rregullave here-herë…
Ditën që u lirova… fluturoja…
E ja u lirovaaaa… Po tani?!
Ashtu në këtë gjendje të turbullt më zuri gjumi… Gdhiu… Një ditë e zbetë, e mugët, ngjyrë gri varej mbi qytet. Bënte ca ftohtë… Mendimi që më shtynte të paraqitesha në Trupën Estradës tashmë qe i qartë. Duhej ta provoja!
Hë për hë, rrugë tjetër nuk shikoja.
Mora vërtetimet që kisha siguruar nga qendrat ku isha aktivizuar si aktor e regjisor amator. Ato ishin disa. Me këto mendime si re të shpërndara në mendje u ngjita në Pazar. Tek “Kafja Gjuetarëve”, stepa një moment.
-Joo…!- i thashë vetes – duhet të shkosh!
Dikush në kalim, më përshëndeti… E përshëndeta mirëdita pa e pas mendjne. Ngjita shkallët e gurta të Pallatit të Kulturës dhe hyra në holl. Bëhej zhurmë nga provat e të dy trupave… Prita sa të bëhej pushimi. Dolën… Iu afrova regjisorit të Tupës së Estradës. Disi i ndrojtur, me një dridhje të lehtë të zërit, iu prezantova duke itreguar arsyen pse po e “shqetësoja”. Regjisori me një habi të dukshme më ftoi të veja të nesërmen.
Të nesërmen u takuam dhe Regjisori më dëgjoi. Mbasi pa vërtetimet duke tundur kokën më ftoi të nesërmen në Studio.
Të nesërmen u ula në një cep të studios me një ndrojtje të dukshme. Regjisori më prezantoi dhe tregoi qëllimin e vizitës. Nebua buzëqeshi dukshëm. Kishim mbaruar Gjimnazin bashkë. Ajo ishte në paralelin A. Të tjerët nuk më njihnin. Babanë tim e njihnin.
Regjisori më ftoi të kaloja prapë ditën tjetër. Atmosfera ishte e vaktë dhe fytyrat e aktorëve të qeta… Disa syresh kishin ulur kokat… Të nesërmen Regjisori më dha diçka për të lexuar… Ndrojtja, emocionet më trazuan disi. E mbarova, por u duk hapur pasiguria. Regjisori më sugjeroi të çoja ndonjë material të përgatitur. Ditën tjetër më vuri të interpretoj në një skeç… Nuk e di, por kur hyja në Studio, stepesha. Vazhdoi kjo gjendje disa ditë. Lexoja me aktorët personazhe që më jepeshin. Dukej qartë që nuk isha aty ku duhej…
Pregatita ca materiale dhe iu luta regjisorit të mi dëgjonte veçmas.
Pranoi. I interpretova materialet… monolog, poezi, grimca… Tashmë i shpengur… i lirshëm…
Ai qeshte, me një të qeshur të përmbajtur për të mos e dhënë veten.
Vazhdova të veja në Studio. Nuk më dha më të lexoj, deri sa një ditë më tha të mos shkoja më. Më premtoi se do interesohej në Instancat që të më merrnin aktor. Vazhdoi kjo gjendje gati një muaj. Përditë kaloja andej… Asgjë e re.
-Po interesohem – thosh – ja se do rregullohet, ki durim!
Një ditë rastësisht takova Drejtorin e Uzinës Metalike… Pelivanin. Pelivani më njihte mirë.
Kisha punuar në Uzinën Metalike tetë muaj para se të veja ushtar. Ai në atë kohë qe përgjegjësi i cilësisë dhe Sekretar i Partisë në Uzinë. Tashmë qe emëruar Drejtor. Më pyeti se ç’po bëja për punë. E dinte përse interesohesha. Me sa duket përpjekja ime për të hyrë si aktor në Estradë kishte marrë dhenë…
-Mos u mundo kot more djalë. Aty nuk futesh dot!
Nesër të pres në Uzinë të fillosh punë. Do të vë në një repart të ri, axhustator!- ma preu shkurt si me urdhër! Fjalët e tij kishin një ton që nuk kundërshtohej. U stepa.
Në darkë në shtëpi biseduam me prindërit. Vendosa. Të nesërmen fillova punë.
Mbas dy ditësh, dikush kish çuar në shtëpi në pusullë të vogël ku thuhej “Eja nesër të fillosh punë në Estradë, Regjisori”!
Siç duket e kishin marë vesh që fillova në Uzinë. Mbase Regjisori kishte gjetur kundërshti në instancat… Mund të mos qe ai pengesa. Nuk e di. Këtë nuk e mësova kurrë.
Atmosfera shoqërore dhe profesionale e punës në Uzinën Metalike Gjirokastër, ishte e shkëlqyer. Kishte teknik e mjeshtra të nivelit kombëtar që me daltë nuk e punonin, por e e qëndisnin metalin. Prodhoheshin artikuj shtëpiakë të shkëlqyer për kohën nga makineri të reja ardhur enkas nga Kina. Mjeshtra të tillë si Duro Çene, Gjuzedin Muço, Tasin Kasi, Kapo Sinani, Luan Myrtaj etj… ishin nga më të mirët në rang vendi.
U miqësova me shumë puntorë zemër flori. Më pëlqeu shumë puna dhe profesioni.
Aso kohe Lëvizja Amatore në qytetin tonë qe në kulmin e saj. Festivali i Teatrove dhe Estradës Amatore të Ndërmarrjeve ishin të përvitshme dhe me nivel të konsiderueshëm. Në Ndërmarrjet e Qytetit kishte amatore dhe amatorë të talentuar. Ndër ta u zgjodhën dhe u kompletuan të dy trupat profesioniste.
Në Festivalin e Teatrove Amatore, me regjisor, aktorin e Teatrit të Gjirokastrës Niko Dhoska, me dramën e aktorit durrsak Haxhi Rama “Qetësia”, ne zumë vëndin e parë. Mua m’u besua roli kryesor. Juria më nderoi me çmimin si aktori më i mirë.
Atëhere vendimi, dëshira dhe pasioni për t’u bërë aktor, lindur që në fëmijëri e më tej në gjimnaz, më pushtoi të tërin. Vendosa të shkoja për konkurim në Institut. Ndër materialet që zgjodha ishin poezia e Driteroit …“Krevati i Perandorit” me personazh… Partizanin Meke. Poezia u bë film dhe rolin e Partizanit Meke e interpretoi “Artisti i Popullit”, Pandi Raidhi! Material tjetër ishte një tregim i Naum Priftit, “Në Muzeun e Luftës Nacional-Çlirimtare” (në mos gaboj) dhe i treti, një Fabul të La Fontenit… ”Dhelpëra dhe rrushtë”.
Tashmë tërë qënia ime ishte e dhënë në përgatitjen e konkursit. Punoja në shtëpi e kudo. Në rrugë belbëzoja me vete si i “lojtur”, aq sa njerëzit më shikonin me habi…
Ndonjë i njohur më ngacmonte:
-Ç’pate Nikodhëëëë… lojte mo I zi?!…
Në repart recitoja fort duke punuar. Në fillim shokët Gëzimi, Lutfiu, Kadriu dhe Ilia qeshnin… Pastaj e mësuan një pjesë të vjershës dhe më shoqëronin.
Poezia “Partizani Meke”u bë sllogan… Tani kudo në Uzinë shokët më ngacmonin:
– O Partizani Mekeee…! dhe qeshnin me qesëndi.
Kur në Repart hynte ndonjë nga të Administratës, Lutfiu që ishte përballë derës, kollitej. Unë ndaloja. Kryeinxhinier Rashua, kur dëgjonte te dera” Parizanin Meke”, kthehej.
Atij që nuk i pëlqente ajo që bëja unë duke punuar, ishte Ing. Miltua. Kur më dëgjonte duke recituar duke kaluar që jashtë, hynte dhe më kontrollonte me imtësi ç’punë bëja… Kjo më mërziti disi. Atëhere çdo ditë kujdesesha të skuqja në furrat e temperimit një copë metal dhe e lija mbi tavolinë.. .Pas tre ditësh erdhi Inxhinjeri. Metali i veçantë i tërhoqi vëmendjen. Zgjati dorën dhe metali që digjte, iu ngjit në pëllëmbë. Iku pothuaj duke rendur… Shokët u gajasën. Ngjarja mori dhenë në Uzinë. Ing. Mili nuk erdhi më në repart.
Një ditë hyri në repart Drejtor Pelivani. Unë po avazin, punoja dhe recitoja:
“-Partizani Meke kish opinga të rënda…
Kish opinga të rënda dhe një pushkë të rëndë”…etj.
Lutfiu ma bëri me shenjë, por unë nuk e pashë e vazhdova… Të gjithë stepën… Unë me kokë ulur punoja dhe recitoja. Drejtorin e kisha mbrapa meje dy hapa larg. Nuk foli. Kur mbarova më ra në shpatull… U stepa.. .më ra lima nga dora. Me siguri u skuqa si prush.
-Qetësohu- më tha- më kanë thënë. Me sa shoh ti duhet të vesh në Shkollë për Aktor dhe unë do të të ndihmoj! Më ra butë në shpatull dhe iku… Fluturova… Shokët qeshnin…
Në atë kohë në Gjirokastër po xhirohej filmi “Malet me blerim mbuluar”.
Për qytetin dhe për ne, qe një ngjarje e jashtëzakonshme. Aktorët Timo Flloko e Vangjush Furxhi flinin në Hotel Zagoria. Një ditë guxova dhe ndala në Pazar Timo Fllokon. I tregova se përgatitem për të konkuruar për aktor dhe iu luta të më dëgjonte.
Zëmërmadhi Timo buzëqeshi dhe më ftoi të nesërmen në Hotel. Shkova. Çuditërisht isha i shpenguar. Ca nga që ai më priti e m’u soll sikur njiheshim prej kohësh dhe ca se unë i kisha “shtrydhur” materialet simbas mënyrës sime. Vangjushi priste jashtë derës gjysmë të hapur me një padurim të dukshëm. Timua në fillim ishte disi indiferent, por pastaj ngriti kokën dhe më dëgjoi me një interes të dukshëm… Në buzët e tij ishte vizatuar një buzëqeshje si një rreze drite. Mbarova. Pauzë.
-E katranosa… mendova.
Ai ngriti kokën e ulur, m’u afrua dhe më zuri nga zverku me ëmbëlsi.
-Si ma the emrin? – më tha.
-Nikolla! – belbëzova turpshëm me zë të dridhur…
-Dëgjo Nikolla- më tha – për mua ti je i përgatitur mirë dhe të vish në Tiranë për konkurim. Unë nuk kam ç’të shtoj për ato që dëgjova. Veç mos u ngut dhe ruaj qetësinë. Të uroj sukses. Shihemi në Tiranë!
-Mbaroveee… u dëgjua zëri i paduruar i Vangjushit mbrapa derës gjysmë të hapur. Ikën.. .Për një çast mbeta pa lëvizur… Nuk u besova veshëve.
Me tërë mënd e ka ky?! mendova… Mos kaloi rradhën dhe më bëri qejfin?
Ku ta dija unë në atë kohë se më vonë, që të dy aktorët e mëdhenj do të bëheshin pedagogët e mi të mrekullushëm në Institut dhe kolegët në të ardhmen.
Gjithsesi vajta për konkurim. Kur u ktheva, koha e pritjes për të marrë ndonjë lajm, qe një torturë e vërtetë.
Në verë në Gjirokastër kishte ardhur Robert Ndrenika, i cili bashkëshorten e kishte gjirokastrite.
Një natë, në xhiron e zakonshme që bëhej në Pazar, guxova dhe e ndalova.
-Oo ti je ai që konkurove! – më tha.
-Po unë jam!
-Si të quajnë?
I thashëë emrin.
-Nikollë – më tha me zë të ëmbël – ti kalove, ke fituar. Tani interesohu këndej që në Shtator të vish në Institut!
Sa nuk iu hodha në qafë që ta përqafoja…
Fluturoja… Një eufori e çmendur më pushtoi të tërin. Vrapova në shtëpi. Prindërit u hutuan. Pastaj një gëzim i dukshëm shëtiste tërë mbrëmjen midis nesh. Atë natë nuk fjeta. E si mund të flija… si… siiii…? Do studioja për aktor!
Por… por… jooo…!
Në atë periudhë nga Gjirokastra nuk kishte kërkesa për të studiuar për aktor, megjithë nevojën e madhe për aktor të rinjtë e të shkolluar që kishin Trupat Profesioniste. Ministria dërgoi në Gjirokastër vetëm një të drejtë studimi. Deri në atë periudhë, në Gjirokastër me Shkollë të Lartë aktrimi ishin Bernard Kokalari, Bukuroshe Kokalari, Viktor Zhusti, Baftiar Çene, të cilët kishin mbaruar para se të krijohej Teatri Profesionist në vitin 1968.
Ne nga Gjirokastra konkuruar dhe fituam, unë dhe Ilir Bega.
Në mbledhjen që zhvilloi Seksioni i Arsimit aprovoi vetëm Ilir Begën. Me të drejtë se Iliri, shoku dhe kolegu im, qe i biri i Komandantit të Kufirit, ushtarak i shquar që kish marrë pjesë në Gjyqin e Hagës për çështjen e Kanalit të Korfuzit.
Atë ditë, kur mbaroi mbledhjen Seksioni i Arsimit dhe mua nuk më aprovoi, njëri nga istruktorët, Vangjeli, mik i familjes, më njoftoi me telefon në punë. Vrapova dhe nuk e di se për sa kohë u gjenda në Seksionin e Arsimit, që aso kohe ishte në Godinën e Komitetit Egzekutiv. Në korridor pjesëmarrësit pothuaj nuk kishin arritur të shpërndaheshin. Ashtu, me rrobat e punës, i mbytur në djersë dhe në ngashërim, duke m’u marrë fryma iu drejtova Shefit të Seksionit të Arsimit.
-Ti shoku shef nuk do që unë të vete në shkollë?
Mezi mbarova mes dënesës e lodhjes. Shtangu. Të gjithë u stepen. Shefi mes habisë dhe hutimit shpërtheu disi i trëmbur:
-Ç’është ky mo, ç’është ky?!
-Nga mbiu ky këtu mo?!
Shef i Seksionit të Arsimit, ishte një burrë jo shumë i gjatë. Me flokë të rralla e me kokë paksa të madhe. Mbante një kostum ngjyrë gri të errët, me jelek e kravatë njëlloj e me një këmishë ngjyrë bezh. Pantallonat i vareshin disi poshtë, duke krijuar disa rrudha mbi këpucët e zeza. Atëherë ndërhyri Vangjeli:
-Shef, ky djal është i Filip Llambros që diskutuam. (Edhe shefi e njihte tim at). Vangjeli më hodhi krahun dhe më largoi butë.
-Hajde mor djalë se do ta bisedojmë, mbase ka zgjidhje!
Mësova se i kërkoi leje shefit të shkonte në Ministri dhe ta bisedonte. Trupat Artistike të Gjirokastrës, kishin nevojë për aktorë të rinjt të shkolluar. Ministria pranoi duke i sugjeruar se, jo dy po edhe më shumë pretendentë në se kish Gjirokastra, t’i dërgonte për studime.
Por… por… nuk mbaroi me kaq.
Në listën e fundit që u shpall në fund të Gushtit, jashtë në muret e Komitetit Egzekutiv, për studentët që do venin në Universitet, mua më doli e drejta me pagesë, 3000 lekë në muaj.
Aso kohe motra ime e vogël studionte në Institutin e Fiskulturës në Tiranë me pagesë.
Kur e pashë në listë emrin tim me pagesë, m’u morën mend. U ula te shkallët e Komitetit se m’u errën sytë, koka m’u ftoh dhe nuk isha në gjëndje të eci. Ndenja një copë herë e mbasi e mora disi veten, u ngrita dhe duke u mbajtur nga muret, rrugës zbrita poshtë Varroshit për në shtëpi. Gjendja ime fliste qartë.
– Hë? – më pyeti im at – e pe emrin në listë?
-Po! – ju përgjigja pa ngritur kokën.
-Edhe?-pyeti me padurim.
-Hiç, më doli me pagesë – iu përgjigja.
Pauzë…
-Ahaaa…! – belbëzoi dhe koka iu var mbi supe. Heshtje… Ndjeja se nëna ime dridhej…
Mbas një heshtjeje të rëndë, si një re sterrë e zezë që zbret mbi mal… im st shpërtheu me një inat të mbytur: Maskarenjtë! Kaq.
U ngrit dhe doli. Pas pak dola të shoh i shqetësuar. Ishte ulur në Klub në një tavolinë vetëm, mbështetur kokën në pëllëmbën e madhe dhe thithte cigaren ethshëm me një flixhan kafe përpara… E lashë ashtu.
Të ardhurat e prindërve të mi si punëtorë ishin 10100 lekë në muaj, nga të cilat 3000 lekë ia dërgonin motrës. Simbas rregullit, në mos me bursë, të paktën me gjysmë bursë më takonte për të vazhduar studimet. Në rastin tonë, tarifa maksimale nuk duhet t’i kalonte 10000 lekët në muaj. Ne i kalonim me 100 lekë. Pra për 100 lekë të vjetëra mua më privohej e drejta për të vajtur në Institut.
Që të vazhdoja edhe unë, prindërit duhet të paguanin 6000 lekë në muaj për të dy, për mua dhe motrën. Mbeteshin vetëm 4100 lekë, me të cilat të rronin e të mbuloheshin edhe shpenzime të tjera. Pra ishte e pa mundur.
E mblodha. Nuk do veja.
Ky ishte fati im, thashë.
Netëve në dhomën e tyre prindërit diskutonin. Herë-herë dhe grindeshin për mundësitë pothuaj të pamundura të shkollimit tim. Një mbrëmje im at më tha:
-Ulu këtu. Po! Ne vendosëm që edhe ti të vesh për studime! – tha me ton të vendosur.
-Po është e pa mundur or babë! – i thashë
-Atë e dimë që është e vështirë po ti do vesh! Ta di sikur bukë e ujë të hamë apo të eci me çizme llastiku në Gusht, ti do vesh në shkollë e të na nderosh! Kaq tha.
Qavaa!… Dënesa më mbyste dhe nuk merrja dot frymë. Bashkë me mua qau dhe nëna. Im at, ai burrë i leshtë, që nuk tutej lehtë, u ngrit dhe doli për të mos e parë që u përlot.
Ja kështu… unë vajta dhe sot në këtë rrugëtim të gjatë 50-vjeçar si aktor, kujtoj me nostalgji, me përkushtim, atë sakrificë sublime të prindërve të mi, që unë të bëhem aktor.
Që ne të studionin bashkë me motrën, vërtet që im at eci me çizme llastiku në Gusht dhe shpesh e lagte bukën në çezmë të mbushte barkun…
Eehhh Babë o Babëëëë… Nënë o Nënë… të dashurit e mi të pa harruar…! Ju o prindër të sakrificës, prindër të rrallë e të mrekullueshëm, ju përgjërohem! Faleminderit përjetësisht