Albspirit

Media/News/Publishing

Rrëfenja nga Kazakistani, në shqip nga Agim Xh. Dëshnica

 

 

 

 

ÇUBAR-AT

Në kohët e lashta në brigjet e lumit Çemogan jetonte një kozak. Na kishte kozaku një thesar, kalin Çubar-at. Shumë çmime pati fituar ai kalë i shpejtë. Fama e tij ishte përhapur qindra kilometra larg.

Njëherë u caktua dita për garën me kuaj, me emrin “Allaman-baga”, në fund të së cilës do të jepeshin shumë çmime me vlera të mëdha.

Mjaft kozakë me kuajt e tyre u grumbulluan, për të marrë pjesë në atë garë. Vrapimi do të  bëhej në një largësi, që hante kohën e një dite.

Herët në mëngjes në vrap e sipër zhigitët nisën të tregonin aftësinë e kuajve të tyre. Pas dy orësh, Çubar- at u ndodh në krye, shumë më larg  kundërshtarëve dhe vazhdoi  të vraponte i qetë.

Gjithë ditën e lume, diku me kërcime, diku me vërtik e diku me hap të shtruar,  Çubar-at po i afrohej finishit. Njëqind kuaj vraponin prapa tij. Sa e sa prej tyre u rrëzuan. Shumë kalorës u ndëshkuan  për shkeljen e rregullit.

Në mbrëmje njerëzit panë në horizont disa kuaj. Përpara të gjithëve, mjaft i  shkëputur,  vraponte Çubar-ati. Para vendit të arritjes, ngrihej  një e përpjetë e gjatë. Kuajt të lodhur nuk mundën ta ngjitnin.  Kalorësit tërhiqnin frerët dhe kuajt ndaleshin. Vetëm Çurbar-at, me shtatin e zgjatur si shqiponjë, fluturoi drejt majës dhe meritoi  çmimin e parë.

Qysh prej atyre kohëve të largëta mali,  në  të cilin u zhvillua vrapimi,  u quajt  Çurbar-at.

 

ILA DHE KATANI

Magjistari Balkash na kishte një vajzë të bukur. E quanin Ila. Fama e saj ishte përhapur në tërë mbretëritë. Nga qytetet afër e larg e kërkonin për nuse bij mbretërish, djem të pasur, doktorë e tregtarë. Por, bukuroshja nuk pëlqente asnjë. Atëherë Balkashi vendosi. Ata që donin të  martoheshin me të bijën, më parë duhej  të tregonin  aftësitë e tyre, duke u ndeshur me njëri – tjetrin.

– Kush do të dalë më i zgjuar, më i shkathët e më i fuqishëm, do të marrë Ilën për nuse! – njoftoi magjistari.

Dëgjoi të flitej për vajzën edhe Katani, djalosh nga një familje e padëgjuar. Katani na kishte një çift kuajsh të shpejtë e të bukur. Ai dallohej për mençuri, guxim, shkathtësi dhe fuqi. Ashtu  si gjithë  të tjerët,  djaloshi u nis për në pallatin e magjistarit të provonte fatin.

Balkashi nuk deshi aspak të bisedonte me të. Por, Ila sa e pa, ra në dhashuri me Katanin.  Iu lut të atit, që edhe Katani të merrte pjesë në ndeshjet. I ati pranoi. Ai doli i pari në të gjitha garat, në gjë e gjëza, në mundje, në vrapimin në këmbë e me kuaj. Megjithatë, Balkashi nuk e mbajti fjalën. Si mund të pranonte ai për bijën e vet një dhëndër nga shtresë e ulët!

Vajza u dëshpërua aq shumë, sa gjithë ditën derdhi lot. Natën,  fshehtas, e takoi Katani dhe i tha:

– Nëse  ti më dashuron, hajt të arratisemi!

Ajo u hodh përpjetë nga gëzimi. Po atë natë ata të dy u larguan me kuajt e djalit të dashuruar.

Balkashi, me të marrë vesh  arratisjen e tyre, u egërsua. Zëri i tij jehoi si bubullimë nëpër fusha e lart në male. U thirri  të ikurve të ndalonin, por ata vraponin si era. Atëherë, magjistari u hodh me tërbim nëpër fushë. Tek po u afrohej, befas nën këmbët e kuajve të shpejtë u bë liqen. I gjerë e i thellë është liqeni edhe sot. Në sipërfaqen e tij pasqyrohen malet hijerëndë mbuluar me re e borë.

Qysh prej asaj kohe, liqeni mban emrin Balkash. Ilën  e Katanin, me anën e magjisë, Balkashi i fuqishëm i ktheu në lumenj. Ditë e natë nga drejtime të ndryshme, ata të dy rrjedhin me rrëmbim në liqenin e madh. Shekuj me radhë ushtojnë së bashku pa  pushim me valë të shkumëzuara. Përpiqen më kot të shkrihen në një lumë të vetëm.

 

 

VENDI BAS-GJELMES

Tre djem guximtarë, duke dashur të shihnin me sytë e tyre të vërtetën e rrëfenjave  të dëgjuara  për malin  e thepisur Bars- Kelmes, në ishullin po me të njëjtin emër, vendosën të hipnin në atë mal  të lidhur të tre me një litar. Sapo njëri prej tyre arriti  në majën e malit, befas midis thirrjeve të gëzuara dhe mahnitjes, u  zhduk dhe nuk u pa më. Tjetri, i joshur nga kërshëria, vendosi  të ecte në gjurmët e të parit.  Shoku i tretë, duke u trembur se do të humbiste edhe vet,  u zgjidh nga  litari, fundin e të cilit e mbante ndër duar. Pasi doli në lartësinë e malit, thirri dhe vrapoi, por u pengua, ra dhe humbi aftësinë për të folur.  Pas tri ditësh e tri netësh,  i erdhi goja.

– Prapa malit, – nisi të tregonte djaloshi, – ndodhet një luginë e bukur,  me lule nga më të larmishmet, që përhapin rreth e rrotull aroma të këndshme. Vendi është i begatë, me bar dhe pemë frutore. Ujërat ndër burime duken të  kthjellët dhe shkëlqejnë me ngjyrë argjendi. E gjithë lugina është plot me sende të magjishme. Bukuroshe të hijëshme si engjëj të parajsës këndojnë, kërcejnë dhe të ftojnë pranë tyre. Të gjitha këto mrekulli, të ndezin një dëshirë të zjarrtë të mbetesh  atje e të mos kthehesh kurrë!

 

 

___________________________

*Bars – Gjelmes! – po shkove nuk kthehesh

 

Please follow and like us: