Albspirit

Media/News/Publishing

Jonuz Fetahaj: Fletëza kënge për Avdush Canajn

JONUZ FETAHAJ

IX. BRENDA BURGUT

MURET E QELISË

 

(Fletëza kënge për Avdush Canajn)

 

Erdhën hijet

Për ta prishur akuarelin e shikimit

Që vizatove trishtimin

 

Pse ta shanë Zotin

Nuk e mori vesh as shikimi

Që u derdh pa brushë

Mbi hijet që s’i zë as korniza

E dhembjes

 

Ta shanë Diellin

Kur lexuan durimin

 

Akuareli i kujtesës

Shtrihej dhimbshëm

Në ekspozitën e një dite

Plot Diell e Liri…

 

LEXIMI I HESHTJES

 

Një shekull udhëtim

Kishte bërë Nana

Natën e Shën Bartolomeut

 

Ëndrrën e trishtimit

Nuk deshi t’ia tregonte

As si përrallë

Birit –

Avdush Canaj

 

Erdhi me bagazhin e duhmën

E pogaçes së pjekur

nga Vaji e loti

 

Pip e mbajti veten

Para hijeve

E hienave të Foçës

 

Ofshamë e nam lëshoi

Në heshtje

 

I zuri një ditë e një mot,

Pa u rikthyer te pendimi

Dhe mëkati i mbjellë

Ndaj pafajësisë

Dhe shpifjes së kullës së rrenës

E ndaj ëndrrës për gjak e verë

Krishtit

Nuk i besonin

 

Çmendina i kishte zënë.

 

 

E PA NANËN

 

E pa Nanën me bardhësinë

E mburrjes

 

U kthye

Brenda mureve të qelisë

Dhe vizatoi kujtesën

Kur zhurma e trenit

Kthehej për Kosovë…

 

EKSPOZITA E VETMISË

 

Brenda mureve mund të jesh:

Një herë gjallesë

Pastaj frymor

Pastaj edhe mbret

Pastaj liberator

Pastaj edhe kryeneç

Pastaj ëndërrimtar

Pastaj i vrarë

 

Po kurrë i sharë…

 

NGA NJË KËND I QELISË

 

Nga një kënd i qelisë

Zuri vend

Një rreze e shkëputur Dielli

 

I tha:

Mos qëndro gjatë

Se vijnë e ta çartin bukurinë

 

Më mirë pak se shumë

 

Vonë i lindi meraku

Për pëllumbin e vargut

Që ia vodhi vëllain

Nga vjersha e pranverës

 

Mashtrimin nuk e ndërroi

Me fluturimin e pëllumbit…

 

PESË SHEKUJ

 

Pesë shekuj pak,

Dy net shumë

Në përpëlitje për t’i numëruar

Dakikët e tiktaket e zemrës

 

PËRJASHTA PRET LIRIA

 

Përjashta pret liria

E rrejshme

 

Brenda vetmisë

Përjetohet jeta

E dremitja

 

Fryn një stuhi në qiellin

E pafund të Foçës

 

Hapat e rëndë përcjellin

Deri te dyert e Ferrit

 

Hapen për të dalë

Sërish në hapësirën ferr

Që e kishte lënë dhe e gjeti…

 

URATA E NANËS

 

Nana e fshehu lotin

Kur fali uratën për jetë

Në vullkanin e etjes për liri…

 

Prishtinë fundvjeshtë 2022 

 Nga vëllimi poetik “KËMISHA E FLUTURËS SË BARDHË”, botoi Shtëpia Botuese LENAGRAFIK

Prishtinë, 2023.

Please follow and like us: