10 vjet nga ikja e Vaçe Zelës, fenomeni i papërsëritshëm i muzikës shqiptare
10 vjet më parë ndahej nga jeta, ikona e këngës shqipe, “Nderi i Kombit”, Vaçe Zela.
Këngëtarja, e lindur në Lushnje më 7 prill 1939, ndërroi jetë në Bazel të Zvicrës më 6 shkurt 2014.
Ajo e filloi karrierën në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.
Fituese 12 herë e festivalit, Vaçe Zela fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli “Artist i Merituar” në vitin 1973 dhe “Artist i Popullit” në vitin 1977.
Vaçe Zela u largua përfundimisht prej skenës në vitin 1992.
Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.“