Albspirit

Media/News/Publishing

Ymer Çiraku: SHKRIMTARI I SHQUAR I HUMORIT, QAMIL BUXHELI

Qamil Buxheli është vlerësuar nga kritika letrare si një nga të mëdhenjtë e humorit në letërsinë shqipe. Madje një prej kritikëve të kohës (Drago Siliqi) do ta vrente qysh në fillimet e krijimtarisë, tiparin e artit të këtij shkrimtari – që vinte si një “predhë” befasuese humoristike në letërsinë shqipe, për nga energjia që mbartte dhe për nga shpejtësia e përcjelljes tek lexuesi i problematikave të mprehta sociale e qytetare të kohës.
Qamili u lind më 1924 në Pandalejmon, një fshat ky piktoresk majë kodre, me Butrintin në horizont, që të ngjan si një lloj porte për të hyrë pastaj në gjerdanin e universit të Çamërisë, të shtrirë mes malit e detit, me shumë fshatra e qytete, që vazhdojnë me bukuri të rrallë, deri tutje në Artë e Prevezë, përkëtej e matanë kufirit politik të Shqipërisë. Nënën e tij, prej së cilës, siç pohonte vet, kishte njohur së pari mjeshtërinë e humorit natyral popullor dhe aftësinë e rrëfimit, e kishte nga Markati i Konispolit.
Kjo trevë e bekuar për nga natyra, e begatë me histori lokale dhe kombëtare, ishte vendlindja biologjike, por edhe tërheqja e fortë shpirtërore, që nuk njohu mbarim për shkrimtarin, ku e lidhnin kujtimet e të gjallëve dhe të ikurve, gëzimet dhe dramat, endërrat dhe zhgënjimet…
Shkollimin fillor e kreu në konviktin Çamëria në qytetin e Sarandës, të mesmen e vazhdon në liceun/gjimnazin e njohur të Gjirokastrës. Në fund të viteve `50-të, përfundon studimet e larta në Moskë, pranë Institutit të njohur Letrar Gorki, ku për diplomë, paraqiti romanin “Kali i mbretit kalorës të rinj”, i cili, njohu përhapje të madhe ndër lexues, por që shpejt do të hiqet nga qarkullimi, si jo i përshtatshëm politikisht. Duhet përmendur se Qamil Buxheli i është radhitur qysh në fillim rezistencës antifashiste italiane dhe më pas asaj antinaziste gjermane, krahas shumë burrave e grave nga fshatrat e Çamërisë, këtej dhe andej kufirit, të cilët, si gjithë vëllezërit e tyre nga mbarë Shqipëria, bënë sakrificën e madhe me gjak dhe pasuri, duke shkruar një faqe të lavdishme heroizmi dhe qëndrese. Fare i ri inkuadrohet në formacionet partizane, krahas dhe dy vëllezërve dhe dy motrave. Kësaj kohe, është dhe autor i teksteve të këngëve të njohura për Asim Zenelin nga Progonati dhe për Ali Demin nga Filati i Çamërisë, dy heronj legjendarë të kësaj lufte kundër okupatorit.
Q. Buxheli bën pjesë ndër ata intelektualë, i cili, mes karrierës zyrtare (që e kishte të ofruar në nivelet më të larta të kohës) dhe misionit letrar, pa mëdyshje, iu përkushtua tërësisht këtij të fundit, i cili, dihet se aso kohe, përcillej edhe me mjaft konseguenca, po të kemi parasysh se çdo shkrimtari i kërkohej ta realizonte veprën e tij sipas klisheve të realizmit socialist. Madje në letërsi, ai iu përkushtua specifikisht zhanrit të humorit dhe satirës, që përbën një vështirësi më vete suplementare, pasi pushteti totalitar në filozofinë e vet, e refuzonte oponencën, ose e pranonte atë vetëm si lustër demagogjike dhe të orientuar. Vitet që erdhën më pas, treguan pikërisht se shkrimtari, pati jo pak konseguenca, që u shfaqën me heqje veprash të tij nga qarkullimi, me kritika në forumet e larta partiake të kohës, me shkarkime nga funksione zyrtare, e deri dy herë largime nga vendbanimi në Tiranë.
Sidomos kontributi i tij në revistën “Ylli”, është i njohur në përkrahjen e talenteve te reja, përmes botimeve nga krijimtaria e tyre, në përcjelljen e debatit letrar, në botimin e krijimeve cilësore, duke anashkaluar jo me pak kurajo edhe disa tabu ideologjike. Këto qendrime, të etiketuara në momente të caktuara për të si liberale e pacifiste, u konvertuan me haraçin, që këtij shkrimtari i duhej ta paguante me masa ndëshkimore. Madje, në rastin e arratisjes së bujshme të shkrimtarit Bilal Xhaferri, ndaj të cilit Qamili kishte treguar një kujdes të posaçëm prej botuesi e miku, rezulton nga dokumentet e arkivit se laku për të kishte shkuar gjer në zgrip dhe atë e mbante në dorë jo kushdo tjetër, por vet kryeministri i kohës. Ky i shkruante drejtpërdrejt diktatorit, duke theksuar se pas B. Xhaferrit, duhej të ishte doemos Qamil Buxheli, i cili, ka punuar disa kohë me të në qytezën e Sukthit, ku ishte caktuar me masë dënimi, duke e vënë foljen “ka punuar” në thonjëza, për t`i dhënë gjithë kuptimin e një pune gjasme instruktuese dhe bashkëpunuese armiqësore me të arratisurin. Sigurisht, afiniteti dhe vlerësimi i Qamilit për Bilalin, kishte të bënte para së gjithash me bindjen e tij se ai ishte mjaft i talentuar dhe shpresë e mbarë për letërsinë. Por vinte doemos edhe si përkrahje njerëzore për mikun dhe për njeriun halleshumë të anëve të veta, me të cilin, kishin rast që të kujtonin e të zhyteshin në mallin e vendlindjeve të tyre, të atyre dy fshatrave, që nuk i ndante nga njeri tjetri veç një fluturim zogu.
Për çdo shkrimtar, vendlindja është hambar furnizues me ngjarje e karaktere, me kolorit gjuhësor e detaje mjedisore… Sado të përthyhen në filtrat krijuese imagjinative dhe në domethëniet përgjithësuese artistike, ato arrijnë që t`i ruajnë disa thelbe, të cilat, krijojnë fizionominë dhe origjinalitetin e krijuesit. Tek Q. Buxheli, nuk na duket e rastësishme dhe nuk mund të përligjet vetëm me shkaqe konformizmi ndaj temave të orientuara të kohës, tematika gati obsesive për të e rezistencës antifashiste, që përcillet në shumë tregime e novela të tij, madje dhe në romane si: “Karriera e zotit Maksut”, “Kali i mbretit kalorës të rinj” etj. Me sa duket, ajo tematikë vjen jo vetëm si dëshmi e realitetit, por edhe si kundërthënie e tezave ahistorike dhe të padrejta për njerëzit e këtyre anëve, se gjoja ata patën prirje të ishin kolaboracionistë me pushtuesin, në emër të gjoja idesë së “Shqipërisë së Madhe”. Por duhet kujtuar se formacionet e rezistencës antifashiste me shqiptarë e grekë, që u krijuan këtyre anëve, martirët e shumtë të lirisë, gërmadhat e shtëpive të djegura dhe pasuritë e plaçkitura nga pushtuesit, dëshmuan krejt të kundërtën. Dhe vepra e këtij shkrimtari, pasqyron me gjuhën e artit, pikërisht këtë realitet historik, që Shqipërisë i dha nder dhe e radhiti denjësisht atë në anën e koalicionit progresist botëror.
Duke e vështruar veprën e këtij shkrimtari, vren se mjaft mjedise, episode, emra e karaktere personazhesh humoristikë, vijnë prej vendlindjes dhe krahinës përreth, aq të pasura me material folklorik, gjuhësor e frazeologjik, areal ky i njohur për kryqëzim e bashkëjetesë kulturash, religjionesh, temperamentesh e mentalitetesh, që së toku, dëshmojnë dashurinë e fortë për jetën. Pra, dëshmojnë shpirtin dhe karakterin e fuqishëm humanist të këtyre njerëzve. Vetë humori, si zhanër letrar, në thelbin e tij, është besim tek e mira dhe tek vyrtuti njerëzor. Në emër të këtij besimi, bëhet edhe qeshja, përtallja dhe fshikullimi e mohimi satirik. Prandaj, siç ka vënë në dukje studiuesi i shquar Rexhep Qosja, “…duke lexuar veprën e këtij humoristi të talentuar, lexuesi e ndjen veten të ç`elektrizuar dhe të etshëm për paqe e butës” .
Mund të thuhet se proza humoristike buxheliane mbart si ndikim, diçka nga fabulat groteske dhe shpotitë therrëse të natyrës sociale të humoristit të njohur turk Azis Nesinit. Ashtu si dhe nga fryma e aventurave aq të sinqerta e plot peripeci të Shvejkut të Hashekut. Këto pikëtakime të begata, vinin sepse krahas talentit të lindur, ky krijues i madh i humorit e satirës, zotëronte edhe një kulturë të gjerë letrare e më shumë se kaq. Mjaft nga veprat e humoristëve dhe satiristëve me famë botërore, ai i lexonte drejtpërdrejt në origjinal: në frengjisht, italisht e rusisht. Kultura e tij solide dhe e pasur letrare e jetësore, dëshmohej edhe në debatet publike e në bisedat e lira mes miqsh, ku ndërthurreshin hijshëm logjika e argumentit me një parfum humori, që s`i ndahej për asnjë çast. Mjaft prej batutave të tij anektodike, të mençura e të guximshme, vazhdojnë edhe sot që të qarkullojnë, shpesh edhe si anonimat.
Shprehje e stilema të tilla plot nëntekst e njëkohësisht provokuese për sistemin e dikurshëm totalitar me idetë dhe nëntekstet e përcjella si: Doni më për Belulin (?), Mos rrini poshtë statujave se ju zënë nën vete, Dostojevsk nuk kemi – idiotë sa të duash, Proletarë të të gjitha vendeve – veresie s`ka, Qentë le të lehin, karvani u shkon nga pas…etj., kanë mbetur si postulate, që i përdorin sot e kësaj dite ligjëruesit e profileve të ndryshme në kontekste të caktuara. Ato mbartin humor të shëndetshëm, i cili, udhëhiqet nga synimi për ta gjykuar drejt, e sidomos, për t`u ndarë pa hezitim nga e kaluara butaforike dhe për t`i hapur sytë, që ajo të mos riciklohet kurrë më, sot dhe nesër.
Modeli i personazhit buxhelian: si mëndjefyell e grykës për pushtet e pasuri, si telendar dhe nxitës i intrigave, matrapaz karakteri dhe ziliqar e servil i pasktrupullt, si gjel majë plehut dhe bandill katundi, ka krijuar një galeri portretesh komikë, që vijnë plot lëng jete e natyrshmëri, përmes një mori librash të tij si: Një ndodhi në Plazh, Faraonë dhe firaunë, Karriera e zotit Maksut, Kur qesh tërë qyteti etj. Në veprat më të arrira, të cilat, janë të shumta në këtë krijimtari, zotëron mjeshtëri në thurrjen e situatave, prej të cilave, buron një humor gurgullues dhe përtëritës për shpirtin e lexuesit, i cili, këndellet në një katarsis të shëndetshëm.
Pena e shkrimtarit i ka qëmtuar ato situata dhe detaje humori në vrundujt e jetës së njeriut shqiptar. Pastaj i ka projektuar ato në laboratorin e shpirtit të vet, për t`i përcjellë e për t`i derdhur gaz shpirtit të lexuesit. Pozita e vet krijuesit të humorit në këtë marrëdhënie, në fakt, është ajo që thoshte dikur një shkrimtar francez (Zhyl Rënari 1864-1910), se, në çdo rast, ai (krijuesi) mbetet njeriu i mirë, që përmes gurgullimës së humorit, u dhuron një pasuri morale të tjerëve (pra lexuesit), por që vet, është ndërkaq i dënuar të mbarti humorin më të keq në shpirtin e tij. Në kuptimin kjo situatë e vështirë e tij – që buron prej atyre përjetimeve, keqkuptimeve dhe komplikacioneve, të cilat, i krijohen atij (shkrimtarit) prej të tjerëve nga ky shkak. Pra, që marrin pësipër të jenë krijues të letërsisë së humorit e satirës. Që duket se është kënaqësia, por njëherazi edhe një lloj fatkeqësi e tyre. Sepse marrin përsipër, që të kenë për skeptër të artit të tyre, “hostenin” e qeshjes e të përqeshjes pa kufij e pa skema të përllogaritura prej interesash meskine jashtëletrare.
Edhe vet humoristi i shquar Q. Buxheli, nuk mund që t`i shpëtonte dot këtij destini, që ishte sigurisht zgjedhja e tij, e drejtuar nga vullneti dhe pasioni i thellë që kishte për artin letrar të humorit. Dhe sigurisht e dëshiruar aq fort dhe deri në fund kjo zgjedhje prej tij, ku qëndronin përnjimend pranë e pranë, talenti dhe guximi. Kuptohet, ishin pranë e pranë edhe nderimi e ndëshkimi, pra, edhe privacionet e natyrave të ndryshme, të cilat, i mbart dhe i sjell jo pak herë arti i humorit dhe i satirës së guximshme..
Please follow and like us: