Kurti në KS: Vuçiq thotë gënjeshtra, komuniteti serb gëzon privilegje në Kosovë
Nju Jork, 8 shkurt 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i hodhi poshtë kategorikisht akuzat e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se serbët në Kosovë janë të diskrimnuar, të cilat Vuçiq i shprehu në mbledhjen e Këshillit të Sigurtimit (KS) të OKB-së.
“Ideja që Kosova po kryen spastrim etnik apo persekutim ndaj komunitet serb është thjesht gënjeshtër që është demantuar nga shumë organizata ndërkombëtare”, tha Kurti.
Ai tha se serbët në Kosovë gëzojnë të drejta të standardeve më të larta, madje gëzojnë edhe shumë privilegje.
“Me krenari themi që e zbatojmë Kushtetutën me masat më të larta të mbrojtjes së të drejtave të pakicave. 20 ulëse në parlament nga gjithsej 120 sosh janë të garantuara për komunitetet pakicë, prej të cilave 10 janë të rezervuara vetëm për serbët. Serbët në Kosovë i udhëheqin 10 nga 38 komunat në Kosovë. Gjuha serbe është gjuhë zyrtare gjithkuind në vend”, shpjegoi ai.
Kurti kujtoi se është Serbia ajo që ka kryer gjenocid në Bosnjë dhe në Kosovë, ndërsa Kosova është një shtet demokratik shumetnik.
“Është e vështirë t’i dëgjosh të gjitha këto nga një udhëheqës i një vendi (Serbisë) që ka kryer gjenocid në Bosnjë dhe në Kosovë. Këshilli i Sigurimit ka krijuar Tribunalin e Hagës për krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë e Bosnje. Ne kemi ndërtuar një shoqëri shumetnike dhe kemi ndërtuar një shtet demokratik. Ne jemi krenar për një republikë për të gjithë ku sundon e drejta. Ne bashkë me aleatët kemi ndërtuar shtet demokratik”, theksoi ai.
Kryeministtri i Kosovës tha se është Serbia ajo që po kryen spastrim etnik nga shqiptarëtr në Luginë të Preshevës.
“Fushata e spastrimit etnik të vendbanimeve shqiptare në Serbi bëhet në mënyrë administrative… Qeveria serbe sistematikisht i shlyen shqiptarët nga regjistri civil. Mbi 4 mijë e 200 shqiptarë etnikë janë hequr në Medvegjë dhe mbi 2 mijë në Bujanoc. Kjo shlyerje e njerëzve ka pasoja të prekshme. Viktimat nuk mund të kenë më letërnjoftime, pasaporta, shërbime mjekësore, ndihma sociale, transaksione pronësore, pensione dhe të drejtë votimi. Pra, kjo i bën ata njerëz pa shtet. Kjo fushatë është metodë e shpopullimit të shqiptarëve atje”, u shpreh ai.
Kurt i hodhi poshtë kategorikisht edhe pretendimet e Presidentit të Serbisë se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për pqërdorim vetëm të Euros në operaqcionet me para të gatshme në Kosovë i dëmton qytetarët serbë në Kosovë. Ai tha se kjo rregullore nuk e pengon Serbinë t’u ofrojë ndihma financiare serbëve në Kosovë, por e parandalon rrjedhjen e dinarit serb për grupet kriminale serbe që veprojnë në pjesën veriore të Kosovës.
“Rregullorja sjell ligjshmëri të importit të parave në Kosovë në përputhje me kushtetutën dhe politikën monetare të BE-së. Beogradi ka thirrur alarm jo për shkak të këmbimit të dinarit në euro, por për shkak se po ndalohen thasët me dinarë në kufi. Ata ankohen jo për shkak të brengës për qytetarët serbë të Kosovës, por sepse po ndalen tubacionet e rrjedhjes së parave në veri të Kosovës”, u shpreh Kurti.
“Gjithçka tjetër është propagandë e rrejshme dhe nxitje e tensioneve”, theksoi ai.
Kurti tha se sulmi terrorist i 24 shtatorit të vitit të kaluar në Bansjkë, në pjesën veriore të Kosovës, është orkestruar dhe është financuar nga Beogradi dhe se organizatorët dhe kryesit e sulmit jeëtojnë të lirë në Serbi. Ai shprehu habinë që Vuçiqi, në fjalën e tij, nuk i përmendi fare tre serbët që janë vrarë gjatë përleshjes së armatosur me policinë e Kosovës.
“Rreth 80 paramilitarë të mbështetur nga Serbia filluan një sulm të paprovokuar ndaj patrullës policore në Kosovë që rezultoi me vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe me lëndimin e dy të tjerëve. Përkundër përpjekjes së terroristëve që t’i përdorin si mburojë edhe pelegrinët e pafajshëm, policia jonë i shmangu këto viktima. Më 27 shtator Serbia shpalli ditë zie për terroristët e vrarë nga Policia e Kosovës gjatë operacionit antiterrorist. E vërejtët që sot, z. Vuçiq i kujtoi disa serbë që janë lënduar apo plagosur në incidente të tjera të ndryshme, por nuk i përmendi tre serbët e vrarë? Përse nuk i përmendi këta? Sepse e di që ata kanë qenë terroristë të financuar, të mbështetur dhe të orkestruar nga ai vetë. Mu për këtë arsye ai nuk i përmendi fare tre serbët e vrarë”, tha Kurti.
Ai tha se nuk është befasi që Serbia synon të nxisë tensione për shkak të veprimeve të ligjshme të Kosovës. Ai theksoi se Serbia udhëhiqet sot nga figura të larta të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, pjesë e të cilit ishte edhe Vuçiqi.
Në pjesën e fundit të fjalës së tij, Kurti tha se Serbia nuk po i zbaton marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe në Ohër, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.
“Serbia refuzon të përmbushë dy obligime kyçe: që të mos e pengojë anëtarësimin ndërkombëtar të Kosovës dhe ta respektojë integritetin territorial të Kosovës”, tha ai dhe e ftoi Vuçiqin të nënshkruajnë këto marrëveshje tani, në ndërtesën e OKB-së.
“Nënshkrimi i marrëveshjes nuk është vetëm formalitet, është edhe garanci për implementimin e saj të plotë e të pakusht, si edhe garanci për paqen dhe sigurinë në Ballkan. Përkundër ofertave të mia të përsëritura, z.Vuçiq ka refuzuar t’i nënshkruajë. E ftoj t’i nënshkruajë këtu, sot, menjëherë, duke njohur rolin krucial të kartës së OKB-së në këto marrëdhënie. Ky akt simbolik do të demonstronte përkushtimin e tij për marrëdhënie paqësore me Kosovën”, theksoi Kurti.