ÇETA E “ROBIN HOOD-ëve”, SHQIPTARË TË 13 BILBILENJVE
(Kënga që përcillet në shekuj: ..Bilbilenj të trembëdhjetë,/ Vanë në litarë vetë…!/Bilbilenj të trembëdhjetë,/Për Bilbil e për Resulë,/Katër pashallarë u ç’kulë,/O ju të shkretët kaçkë,/Shkurti u prishi takëmë,/U hodhi borë të rëndë…/Bilbilenjtë trembëdhjetë,/Vanë në litare vetë./Ngreu Bilbil e hidh litarë,/Dale bej të dredh cigarë,/Se s’jam çanaku me dhallë,/Po jam Bilbili me pallë../Që kam prerë dhe që kam vrarë,/Lanet paç Xhelal Voshtina,/ Që vare trembëdhjetë trima../O Kurveleshi me gurë,/shtatë pashallarë u çkulë,/për Bilbil e për Resulë,/Për asllan trimat fërtunë. Homazh dhe nderim për burrat e kombit shqiptar që kanë shkruar histori në kohë pushtimi dhe kanë bërë të mbijetojë kombi shqiptar. Nderim në përjetësi për “Robin Hood-ët” shqiptarë: Bilbil Shako, Bilbil Resuli (Sejdiu), Avdul Qendro, Avdul Gaxha, Dalip Gana, Hasan Guga, Hysen Çulli, Hamzo Canaj, Kasëm Qendro, Myslim Abazi, Rexho Çela, Zubo Çulli dhe Islam Goxha).
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Bijtë e Labërisë kanë shkruar me gjak e sakrifica të shkuarën e tyre historike, të shkuarën e mbijëtesës shekujve të gjatë të pushtimit. Bilbilenjtë e Labërisë ose “Robin Hood-ët” shqiptarë, kanë qenë një çetë e armatosur, që kanë vepruar rreth viteve 1850-1858 e kanë kryer një aktivitet të gjerë e të dëgjuar në të gjithë krahinën e Labërisë dhe në disa zona të tjera të Jugut. Çeta e Bilbilenjve të Labërisë përbëhej kryesisht nga 13 trima nga fshatrat Progonat dhe nga fshatrat e tjerë të Labërisë që sipas intesitetit të rrebelimit dhe kundërshtimit të pushtimit, përmbledhnin rreth vetes dhjetra e dhjetra luftëtarë nga e gjithë treva labe. Çeta e zgjodhi komandant të saj, kapedanin dhe kryetrimin Bilbil Shako, që ishte nga fshati Rexhin dhe për nder të emrit të dy Bilbilave edhe mori emrin sinjifikativ në histori që quhet “Çeta e Bilbilenjve”. Fakt është se në shumë raste çeta kalonte numrin e zakonshëm të saj, duke radhitur në të vullnetarë nga fshatrat e Kurveleshit dhe gjithë Labërisë, kur ajo organizonte aksione kundër garnizoneve e karakolleve osmane. Zëvendëskomandant i çetës ishte Bilbil Resuli (Sejdiu), i cili herë-herë merrte edhe drejtimin e çetës. Më i vogli prej tyre ishte Islam Gaxha, të cilin në kohën e kapjes së çetës e mbrojtën për të mos u kapur nga kosharet osmane. Tashmë është transmetuar gojë më gojë se, Bilbilenjtë ishin burra me trup të gjatë, çepet/flokët i mbanin mbi supe. Populli i thërriste e çeta e kapedanëve. Ata mbanin fustanella, që të gjithë dhe emrat e tyre janë gdhendur në kujtesn popullore, por edhe në letërsinë shqiptare: Bilbil Shako, Bilbil Resuli (Sejdiu), Avdul Qendro, Avdul Gaxha, Dalip Gana, Hasan Guga, Hysen Çulli, Hamzo Canaj, Kasëm Qendro, Myslim Abazi, Rexho Çela, Zubo Çulli dhe Islam Goxha. Pas dekretit të parë osman të vitit 1839 të Sulltan Abdyl Mexhitit, më 1856 shpallet dekreti i dytë perandorak, që kërkonte zbatimin e reformave të tanzimatit, gjë që vështirësoi gjendjen e fshatrave nëpërmjet thithjes së taksave dhe marrjen e askerëve me forcë. Kundër këtyre detyrimeve, fshatarët rrëmbyen armët për t’u hedhur në lëvizjen e kaçakëve, siç i quanin atëherë osmanët dhe klasa feudale. Lëvizja labe kundër osmane njihet si formë e luftës kundër pushtuesve, por edhe kundër shfrytëzimit feudal, edhe kundër detyrimit të shërbimit ushtarak, ku një pjesë e djalërisë shqiptare vdisnin rrugëve nga epidemitë, të tjerët vriteshin në Anadoll e Jemen si dhe në skajet më të largëta të Sulltanatit osman. Vetëm nga Progonati i Labërisë, nga 33 djem të mobilizuar nga turku si nizamë në vitet 1850, 20 prej tyre lanë eshtrat në shkretëtirat anadolliane dhe të Jemenit, ku “piqej buka në diell”. Bilbilenjtë, në kundërshtim me ligjin osman për të shkuar nizamë, morën armët e dolën malit si kaçakë dhe kundërshtarë të ashpër të rregjimit pushtues.
Në fakt ata ishin luftëtarë për të fituar të drejtat dhe liritë që në Ballkan nënkuptonte kryengritës antiosmane. Zenel Gjoleka e udhëheqës të tjerë të viteve 1847, quheshin kapedanë pasi dilnin kundër pushtuesit në mënyrë të hapur dhe të rebeluar në të drejtat popullore. Kënga thotë: Gjoleka në Shur të Kuçe/ me fustan mbi gju hajdutçe. Më vonë këto çeta quheshin edhe komitë, siç quhej çeta e Çerçiz Topullit, Mihal Gramenos, Themistokli Germenjit etj. Çeta e Bilbilenjve të Labërisë ishte e organizuar me rregulla të forta, si një repart i vogël operacional. Në luftim dhe në përpjekjet e tyre me forcat, patrullat turke, radhiteshin edhe mbi 60-70 veta, luftëtarë vullnetarë, pra nuk ishte një numër fiks i caktuar për pjesëmarrje në luftime.
Armët e Bilbilenjve dëgjoheshin në hapjen e mjaft depove të bereqetit të osmanëve, ku çeta e Bilbilenjve shpërndante për popullin e varfër produktet e grabitura fshatarëve; u prisnin udhën karvanëve me ngarkesa të pasanikëve dhe postat me paratë e qeverisë (hazinetë) dhe ua shpërndanin njerëzve të varfër të popullit. Francezi Ami Boue, vizitor i kohës, në veprën e tij “Turqia Evropiane” shkruan: “Për hajdutët e Perandorisë Osmane nuk janë të huaja ndjenjat e dashurisë për atdhe, ndjenjat e njerëzimit, të mirësjelljes. Në kushte konkrete ata qenë bërë udhëheqës të shquar të bashkëluftëtarëve të tyre në luftën çlirimtare… Nuk kanë qenë të pakta rastet, kur sendet e grabitura nga thesari i qeverisë osmane, apo pasanikët e vendit u janë shpërndarë njerëzve të varfër, duke u blerë qetë e parmendës, u martonin vajzat, hakmerreshin kundër familjeve të parisë, që i keqpërdornin apo i vrisnin”. Bilbilenjtë ishin në mbrojtje të popullit. Ata kudo që shkonin ngrinin gjyqet e popullit, për gjykimin e shtypësve dhe çifligarëve në shërbim të pushtetit osman. Jeniçerët i dënonin me vdekje, u digjnin pallatet e tyre. Kështu, dogjën Sarajet e Xhelil Voshtinës, që u dënua me vdekje në mungesë. Kur vajtën Bilbilenjtë në shtëpinë e tij, ai doli nga një tjetër derë dhe shkoi direkt në Stamboll, me lecka të shqyera. Gjeti rastin për t’i dalë Sulltanit përpara e iu ankua për Bilbilenjtë se, “Ata më dogjën shtëpinë dhe desh më vranë”. Në fakt Xhelil Voshtina ishte vënë në shërbim të osmanëve për të zbuluar dhe kapur Bilbilenjtë. Bilbilenjtë një vit pas luftës së parë për Janinën (1854), pra gjatë vitit 1855 kapën feudalin më të rrezikshëm të vilajetit, Ahmet benë, i cili grabiste vazhdimisht popullin e Zagorisë, të Pelopogonit e të Delvinaqit, duke arritur deri në vrasjen e banorëve. Veliu i Janinës në pamundësi për t’i kapur dhe asgjësuar, u dha titullin Bilbilenjve “Dervenaga” (roje shëtitës malorë), për ruajtjen e grykave, qafave dhe maleve. Bilbil Shakua me Bilbil Resulin/Sejdiun me çetën e tyre nuk pranuan një detyrë e ofiq të tillë, por e dendësuan më tepër aktivitetin e tyre luftarak. Çeta faktikisht luftonte bashkëpunëtorët në shërbim të osmanëve, po u dilte në ndihmë të varfërve, kërkonte dhe ujdiste marrëdhënie paqësore me krahinat dhe fshatrat, dhe kjo është e dokumentuar edhe me dokumente arkivore që para 170 vitesh, më 1853. Historia ka rregjistruar dhjetra raste që sjellja rrebele e Bilbilenjve lidhet me misionin fisnik të mbrojtjes së popullit që kishin marrë përsipër. Kështu Bilbilenjtë nuk mund të duronin atë që u punonin kryetaksidarët shumë të egër popullit fukara që nuk kishte të paguante taksat e Sulltanit. Emri i taksidarit që i rripte të gjallë quhej Xhelil Voshtina. Bilbilenjtë, për t’i prerë hovin këtij taksidari dhe për të frenuar babëzinë e tij, rrethuan sarajet e tij në Voshtinë, që është fshat prapa maleve të Libohovës, prapa Pogonit, (fshat në afërsi të kufirit shqiptaro-grek rreth 70 km nga Janina pranë malit Buzovë, pasi mposhtën rrezistencën e rojeve të sarajeve të kryetaksidarit, i vunë zjarrin sarajeve, flaka e tyre u pa deri në Janinë. Valiu i Janinës nisi kundër Bilbilenjve kosharet, që ishin reparte të ndjekjes të ushtrisë osmane, premtoi shpërblime e shuma të mëdha për ata që do të kapnin Bilbilenjtë, por më kot, Bilbilenjtë dhe i pari i tyre Bilbil Shako, nuk u frikësuan por vazhduan sulmet kundër osmanllinjve. Sulmi i Bilbilenjve në 1857-tën ishte në fshatin Vajzë në rrethin e Vlorës, ku pasi çarmatosën karvanarët, që furnizonin ushtrinë osmane, Bilbilenjtë i detyruan ata të shkarkonin karvanin dhe rrobat, drithërat, ushqimet, mallrat e tjera, armët, monedhat e floririt etj, dhe i ndanë për popullin e varfër, që u lajmërua dhe erdhi shpejt në vendin e ngjarjes. Populli mori veshje, misër, grurë, sapun, kafe, sheqer, monedha floriri, armë dhe gjithëçka që iu rrëmbye karvanit. Bilbilenjtë nuk prekën gjë me dorë, gjithëçka ia dhanë popullit, për ti lehtësuar sado pak vuajtjet e tyre, duke thyer kështu mirin e paprekshmërisë së pushtuesve osmanë dhe veglave të tyre qorre në Shqipëri. Një aksion tjetër i radhës i Bilbilenjve ishte goditja e një karvani që shkonte nga Janina në Tepelenë për garnizonet e ushtrisë osmane. Armët, municionet dhe gjithëçka që iu kapën këtij karvani, kaçakët, ua dhanë fshatarëve të atyre viseve kryengritëse që të mbroheshin nga pushtuesit osmanë, bejlerët dhe taksidarët. Goditja e këtij karvani e tërboi valiun e Janinës, i cili për të kapur këta kaçakë, nisi kundër tyre një numër të madh të forcave të ndjekjes, që në gjuhën turke i quanin koshare (sipas osmanllishtes: kosh-vrapues). Ndërkohë që Porta e Lartë ose Sulltanati Osman e shikonte me shqetësim rrezikshmërinë lëvizjeve rebeluese në Ballkan veçanërisht tëshqiptarëve, pasi ishin krijuar grupe të tjera me këto qëllime dhe me këto aktivitete në të gjithë vilajetin e Janinës, si ai i Bejo Dukës, Hysen Labit, Beqo Bodurrit etj. Porta e Lartë organizoi një operacion me shumë forca, bëri bllokime ekonomike, duke prerë rrjetin e furnizimit me ushqime në zonat malore dhe sidomos në Kurvelesh e Labëri, ku vepronte çeta e Bilbilenjve. Nuk lejoheshin bagëtitë e Kurveleshit të zbrisnin në kullotat dimërore, filluan arrestimet, internimet e shumta, në masë, sepse kishin pranuar opinga, feste, guna të dhuruara nga Bilbilenjtë, që ua kishin rrëmbyer tregtarëve të mëdhenj të Janinës si dhe strukturave pushtuese administrative dhe ushtarake. Në fshatra të tëra të Kurveleshit e Labërisë u arrestuan burrat dhe me pranga në duar, të lidhur pas kuajve të ushtarëve osmanë, u nisën për në burgjet e Janinës dhe Stambollit. Ekspedita të tëra sulmuan të gjitha drejtimet e Labërisë, por më tepër vëmendja e tyre u përqendrua në Fushëbardhë, Zhulat, Golemi, Progonat, Rexhin, Nivicë, Gusmar, e deri në Tërbaç të Vlorës, ku ushtria osmane e vendosur nëpër shtëpi, nxirrnin jashtë në dëborë familjet e u vinin zjarrin banesave, ndërsa gjithë burrat u burgosën në Janinë. Nga të ftohtët, shumë gra shtatzëna dështuan, fëmijë të vegjël dhe pleq vdiqën. Ekspeditat osmane të përforcuara kishin kapur çdo grykë, rrugë, luginë e fshatra për të kapur Bilbilenjtë, të cilët në këto ditë ishin strehuar në shpellën e Somait në rrethinat e fshatit Tërbaç, rrëzë malit të Çikës. Valiu i Janinës kishte dhënë tesqere/udhëzime, duke premtuar shpërblime për ata që do të hidhnin në dorë Bilbilenjtë të gjallë apo të vdekur. Prandaj kënga thotë: “Të xhumanë në pasdreke,/Tërbaç erdhën tesqeretë./Ç’më thua moj gramë e shkretë,/Të zihen Bilbilenjtë?.”. Situata ishte bërë tepër e rëndë. Osmanët u egërsuan mbasi Bilbilenjtë kishin kapur hazinetë e sulltanit ose postën qeveritare, plot me flori, që vinte nga Janina çdo vit dhe që dërgohej për në Stamboll. Thuhet se ky ishte shkaku edhe i djegies së shtëpisë të Xhelil Voshtinës. Populli thotë: “Bilbil ç’e bëre vetë/ Që kur prishe hazinetë.
Edhe në Tërbaç ndodhi ashtu si edhe në Progonat, u arrestuan të gjithë burrat e fshatit, filluan t’ju thyenin duar e këmbë dhe tortura nga më çnjerëzoret. Çeta e bilbilenjve doke kryer një aktivitet më shumë se njëzetë vjeçar, duke parë që po sakrifikohej populli, u largua nga kjo shpellë, duke lënë disa zjarre të ndezura për të krijuar panik në forcat osmane, por edhe për tu larguar nga fshatrat dhe se, “nuk kemi të bëjmë fare me fshatrat, pasi kemi dalë kaçak”. Çeta mori drejtimin e Nivicës, rrëzën e Këndrevicës në dimër e plot dëborë të madhe, aty u ndeshën në luftime me forcat osmane. Luftuan në rrethim deri sa vendi dhe bora u skuqën me gjak. Çetës iu mbarua baruti, pallat iu këputën së luftuari, në kushte të rënda dimri dhe me forca të shumta të kundërshtarit. Bilbilenjtë u pakësuan dhe mbetën vetëm 13, një prej tyre i plagosur, po veçse i papërkulur! Ata vendosën ta çanin rrethimin e kaluan në drejtim të Drimoit, buzë Nivicës së Kurveleshit. Në kushtet kur gjithë Kurveleshi ishte shkelur nga qindra ushtarë osmanë, çeta e Bilbilenjve ndodhej në malin e Çoçkos, ku mbrojtja e tyre ishte jashtë rrezikut. Po aty Bilbilenjtë mësuan për raprezaljet që bënin osmanët në Kurvelesh. Bilbilenjtë ishin trima, patriotë dhe burra që luftonin për popullin dhe nuk e pritën mirë lajmin që kishin mësuar dhe pasojat që u bënë shkak nga veprimtaria e tyre luftarake. Ata vendosën të dorëzohen vetë, për t’i çliruar banorët e Kurveleshit e të Labërisë nga torturat osmane, që nuk kishin të sosur. Bilbilenjtë e kuptonin faremirë se i priste një fat tragjik, po këto pasoja i kishin parashikuar që kur morën armët dhe rrugën e malit. Ata bënë sa mundën në maksimumin e vet për popullin dhe për atë dhanë jetën. Ata zbritën në Gradishtë, larguan më të voglin e çetës, 16-vjeçarin Islam Gaxha. Sipas zakonit, djemtë e vetëm ruhen nga vdekja, por edhe gjetën një njeri të sigurtë për ta shpëtuar atë nga litari i rrapit të Janinës. Në vendin e quajtur Peshik të Gradishtës të Progonatit ushtarët turq nuk besonin se këta trima do të dorëzoheshin vetë dhe nuk po i afroheshin çetës. Shakua u foli turqve: Mos kini frikë, i hedhim këto të shkreta armë për njerëzit e fshatrave tona që ju u morët shpirtin duke i sakatuar e burgosur. Të 13 trimat u shoqëruan nga suvari/kavaleri të shumta për në burgjet e Janinës. Me mijëra njerëz dilnin nëpër rrugë, fshatra e qytete për të parë Bilbilenjtë, ndërsa qytetarët e Janinës ishin grumbulluar si në një takim madhështor për të pritur kordhëtarët e Labërisë. Në vargjet e Labërisë kanë ngelur në kujtesë të popullit dhe në fakt Populli ka bërë vargjet për secilin: për komandantin e çetës së bilbilenjve që ishte i pari udhëheqës i tyre, Bilbil Shako: “Janinë, e zeza Janinë,/Dil e shiko se cilët vinë,/ Vjen Resuli me Bilbilë….”. Të trajtuar keq në burgjet e Janinës, ata nuk iu përkulën e vdiqën me këngë në gojë, nuk pranuan t’i vinte xhelati osman në litar, ata shkuan vetë, e hodhën vetë lakun në grykë, siç thotë populli: “Kurvelesh, ç’i bëre djemtë, /Që i kishe rritur vetë? /Bilbilenjtë trembëdhjetë,/vanë në litarë vetë.,/të të hedhë litarë! /Prit, o bej, të ndez cigarë, /të heth flokët më një anë,/të puth shokët me radhë, /të shikoj njëherë vatanë! Ata e pritën vdekjen me përçmim, dhe pa frikë. Secili tregohej më shumë se trim, i afroheshin litarit ashtu si kapedani i tyre Bilbili, njëri pas tjetrit, duke thënë fjalën e fundit të amanetit e të burrërisë. Bilbili i dytë në radhë Bilbil Resuli, ose Bilbil Resuli (Sejdiu), që ishte labi i dyti: “Që të gjithë Bilbilenjtë, bëmë si deshëm vetë, s’pyetëm sulltan e dovlet/shtet, ju s’na kapët,/mor të shkretë,/ po u dorëzuam vetë,/se torturuat fëmijët e pleqtë! Avdul Qendro, labi i tretë: “O halldup anadollak, nuk ka labër frikacake. Trima mbetemi përjetë, se luftuam për fukarenjtë”. Avdul Gaxha labi i katërt: “Tek rrapi me shumë degë, po dredh mustaqen e verdhë, nuk e kam fare qeder, se po vdes për memëdhenë”. Dalip Gana, labi i pestë në radhë: “Ti, halldup i asaj ane, më sill një culë dyjare ta dëgjojnë ato male, se ne s’kemi frikë fare!”. Hasan Guga labi i gjashtë në radhë të bilbilenjve: “Dua që të hedh një valle, /të tunden ato male,/nga ligjërimi i këngës labe”. Hysen Çulli, labi i shtatë: “Pasha, më jep barot,/që ta kem në atë botë,/se s’e jap xhanin kot,/po s’e pata pushkën plot!”; Hamzo Canaj, labi i tetë: “Do të lë sharkun si pajë, se në male kam një djalë, ai hakën do ma marrë!”. Kasëm Qendro, labi i nënti në radhë të bilbilenjve: “Vdesim me dyfek në dorë,/ dhe djemtë kështu të vazhdojnë, /farën e turkut të shkatërrojnë”. Myslim Abazi, labii i dhjetë: “Ty, o rrap me degë të madhe, po të le këtë llabane, të ma nisësh në ato stane, se mbron djemtë nga tufanet dyfeku të mos laget”. Rexho Çela, labi i njëmbëdhjeti: “Sikur të kisha pak vaj,/që armën gati ta mbaj,/luftë kemi paskëtaj.” 9që kur nuk kishin vaj bilbilenjtë përdorin dhjamin e bagëtive për ti mbajtuar armët të pastra dhe të gatshme për të sulmuar kosharet osmane. Zubo Çulli labi i dymbëdhjetë: “Flamurin këtu ma bini, që në gjunjë atij t’i bije, shqipja shqipes i ka hije.”. Islam Goxha labi i trembëdhjetë: “Dëgjomë, ti, rrapi i shkretë, po të lë një amanet, ta marrin vesh pashallarët e pabesë: Shqipëria kurrë s’do vdesë. Në male trima do ketë, do lëshohen si rrufetë. Lajmëro gjithë Labërinë të marrë hak edhe për vezir Alinë, të shfarosë osmallinë. Sipas gojëdhënave, amanetet e bilbilenjve janë mbledhur e i kanë përcjellë në këngët e popullit nga plaku 102-vjeçar S. Dano nga Progonati, J. Abazi, Ç.Mema, Halil Qendro, Dino Çiço etj. Nga të dhënat e transmetuara në mënyrë gojarisht, por dhe të shkruara vërtetohet se urrejtja e Portës së Lartë ndaj bilbilave të Kurveleshit ishte e grumbulluar edhe nga fakti se më 1855, çeta ekzekutoi një nga sundimtarët më të urryer e të rrezikshëm të kryeqendrës së jugut, Janinës, Ahmet Beun. Ekspedita ndëshkuese eshtrathyes në mes të shkurt 1958 i nxorrën nga banesat nëpër borë banorët e Progonatit, Rexhinit, Nivicës dhe shumë fshatrave të tjera të Labërisë me qëllim që të tregonin strehimin e çetës, me pasojë të sëmuren e vdesin të mitur, të moshuar, gra edhe shtatzënë; ndërkohë që burrat i morën lidhur për në burgjet e Janinës, raprezalje ndaj popullsisë së pafajshme që bënë që trimat të dorëzoheshin. Kosharet osmane për t’i poshtëruar, i shëtitën nëpër fshatra të dy komandantët, Birbil e Resul kaluar, ndërsa të tjerët i lidhën me zinxhirë, e deri në Janinë i shëtisnin nëpër qëndra të banuara, duke frymëzuar kështu tërë krahinat për kthimin e tyre në legjendë, një realitet në kohë pushtimi. Qëndrimi burrëror para ekzekutimit mbeti jo vetëm në këngë por në histori frymëzuese për brezat. Ata ngelën heronj dhe dëshmorë të Labërisë dhe mbarë Shqipërisë.
Ata ishin heronj që kur dolën malit dhe mbetën të tillë përjetësisht edhe kur u kapën, ose më saktë kur u vetdorëzuan, në kohën kur i “shetitën” në ditën pazarit të Janinës, kur i ndalën para Rrapit të Falë ku lidheshin litarët që varreshin armiqtë e Sulltanit, ditën kur rrugët ishin plot njerëz që afroheshin te Rrapi i Falë për të parë varrjen e burrave trima të Labërisë, në momentin që kadiu (gjykatësi) filloi të lexonte vendimin e dënimit me varje, kur Bilbil Shako, që dallohej nga flokët e gjatë e të verdhë, veshur me rroba shajaku të bardha, me besë burri, kur ju drejtua komandantit të zaptijeve duke i thënë: “Unë jam ai që kërkon valiu juaj. I thoni t’i lërë të lirë labërit që nuk kanë faj! Komandanti i zaptijeve mbeti i shtangur nga fjalët e prijësit të 13 trimave kaçakë. Bilbilenjtë gjykata osmane i dënoi me varje në litar dhe të trembëdhjetë i varën te Rrapi i Falë në Janinë në prani të Valiut. Kur kadiu i pyeti Bilbilenjtë se cila ishte dëshira e tyre e fundit, ata i thanë: Të hedhim një valle! Me t’u hequr prangat ata u kapën dorë për dore dhe hodhën valle me të cilën shprehën dashurinë e tyre për jetën. Vallja mbaroi, këtu mbaroi dhe jeta e tyre. Bilbil Shako i puthi shokët me radhë dhe tha: “Dal të shoh një herë vatanë,/Për të malli do më marrë!… Te Rrapi ku i priste litari, ku të trembëdhjetë bilbilenjtë e varur në litar në krah të njeri-tjetrit, u bënë heronj e dëshmorë të pavdekshëm të kombit shqiptar. Shqiptarët që ishin rreth Rrapit, derdhën lot, por ishin krenarë për ta; ndërkohë që kjo histori e dhimbshme u shkrua dhe u këndua: “Bilbilenjtë trembëdhjetë, shkuan në litarë vetë!”. Ismet Toto në momentet e fundit para varjes së tij shkruan: “Udha e mendimit të sinqertë.. nuk është e gabuar, pasi i vdekuri mund të jetë më i madh dhe më i fuqishëm sesa i gjallë. Madhëria dhe forca e një njeriu plotësohet mbasi vdes. Bota nuk është e atyre që ngrohen në diell. Bota është e atyre që digjen”, shkruar në burgun e Gjirokastrës, në orën e ekzekutimit të tij para rreth tetëdhjetë vitesh. Sipas zakonit tradicional të Labërisë, në tërë krahinën dhe sidomos në Progonat, Rexhin e Nivicë dhe në shumë fshatra të tjerë të Labërisë, në shenjë nderimi dhe zie u hoqën zilet e këmborët e bagëtive, për nderimin e Bilbilenjve. Gratë e Kurveleshit u veshën me të zeza, duke vajtuar Bilbilenjtë: “Janinë, e shkreta Janinë,/dil të shikosh Bilbilenjtë,/varur degë më degë/ Ky Resuli me Bilbilë tundi gjithë Shqipërinë. Vepra dhe akti heroik i çetës së Bilbilenjve ishte dhe mbeti frymëzim brezash i Labërisë, i Shqipërisë dhe i mbarë kombit shqiptar, prandaj meriton padyshim edhe nderim institucional dhe kjo mund e duhet të bëhet në fshatin e Komandantit trim të Çetës së Bilbilenjve në Rexhin të Kurveleshit të qarkut të Gjirokastrës.
Konsideracione me të dhëna sqaruese për jeten e veprën e Bilbil Shakos si komandant i çetës së Bilbilenjve: Bilbil Shako ishte lindur në fshatin Rexhin të Kurveleshit më 1832, (192 vite më parë), ndërkohë që ishin vite të rrebelimit të ashpër të shqiptarëve kundër pushtuesive osmanë. Bilbil Shako ishte lindur në një ambjent shumë atdhetar, luftëtar dhe të papërkulur përpara pushtuesve. Që në moshën 16 vjeçare, më 1848, mori pjesë në çetat kryengritese pas Hodo Nivicës e Zenel Gjolekës etj. Edhe pse ishte shumë i ri, ai ishte me trup të beshëm dhe që në betejen e parë vrau komandantin e koshareve osmane. Pas dështimit të Kryengritjes së Tanzimatit në Shqiperinë e Jugut, Bilbili krijoi çetën komite atdhetare qe u njoh në popull dhe u përcoll nga folklori me emrin “Çeta e Birbilejve”,duke u njesuar me emrin e komandantit te saj, Bilbil Shakos. Në krye të çetës Bilbili kreu një sere aksionesh kundër ekspeditave ndëshkimore osmane në krahinën e Kurveleshit, Lumin e Vlorës e me gjerë, deri thellë në Thesali të Rumelisë/Ballkanit. Aksionet më të njohura janë ato të viteve 1850-1858 për thyerjen e arkës financiare shteterore në Janinë, demtimet e karvaneve te postës osmane, djegia e ndërtesës qeveritare në Voshtinë, vrasja e feudalit famekeq Ahmet Beu për shkak të grabitjes e keqtrajtimit të popullsisë së zonave të Zagorisë, Palopogonit e të Delvinës dhe shpërndarjen e pasurisë së tij në para e prodhime të ndryshme të marra nga administrata osmane, popullsisë vendase. Çeta vepronte me mbështetjen e plotë të banorëve, që nga Smokthina e deri ne Zagori e Janinë, më një shtrirje territoriale që e kalonte dhjetëmijë kilometra katrorë, që për kohën përbënte më shumë se gjysma e Vilajetit të Janinës. Kjo çetë u bë faktor njohës edhe nga administrata osmane, fakt që mbështetet nga një dokument i nenshkruar më vitin 1853 në Hllomo Çatistër nga komandanti i çetës, Birbil Shakua, një tregues tjetër që flet për luftën e tyre jokrahinore e jo me baza fetare. Çeta e Bilbil Shakos u bë shqetësim serioz për qeverinë osmane, e cila urdhëroi dërgimin e një ekspedite ushtarake për ndjekjen dhe asgjësimin e çetës, një operación i dështuar i osmanëve që zgjati gjashtë muaj; ndërkohë që pas gjysëm viti ndjekjeje në pamundësi për ti kapur osmanët filluan reprezaljet në popullsinë e Labërisë dhe për ta shmangur në fakt këtë reprezalje masive mbi popullsinë e Labërisë, komandanti i çetës dhe çeta me trembëdhjetë luftëtarë vendosi të vetëdorzohej te forcat e ekspedites ndëshkuese osmane në fund të shkurtit 1858 (edhe pse dokumentimi i saj ekzakt është ende i padokumentuar si duhet). Gjithë luftetarët u varën në litar në rrepet e Janinës në qendrën e këtij vilajeti që kishte rreth 18 mijë km katrorë, në 87 mijë që kishin katër vilajetet në këtë periudhë. Bilbil Shakua dhe bashkëluftëtarët e tjerë sfiduan vdekjen me qëndrimet e tyre burrërore para litarit, dhe që është kthyer në një legjendë e mit nga këngët popullore, që janë krijuar romane dhe krijimtari të tjera artistike por që meritojnë të përjetësohet si një realitet i qendresës së shqiptarëve përballë pushtimit të gjatë osman. Çeta e Bilbilenjve ishte një e vërtetë e madhe e krahinës legjendare të Labërisë, mbështetëse e fuqishme e Çamërisë, Thesprotisë, e deri në portat e Stambollit, kryeqytetit të perandorisë osmane të sulltanatit. Nga ana tjetër është po kështu kaq e vërtetë edhe fakti që tek rrapi i Janinës, ku u varën 13 trimat atdhetarë e liridashës, çdo vit bien rrufetë dhe rrapit i digjen degët. Edhe drejtësia hyjnore i nderon trimat më shumë e më mirë se përkujdesja njerëzorja, që për shkaqe nga më të ndryshmet edhe i anashkalon. Labëria e lashtë, Qarku dhe Prefektura e Gjirokastrës, por edhe strukturat më të larta të shtetit meritojnë që t’i nderojë me një përmendore bijtë e Labërisë.
Në hartimin e kësaj përmbledhjeje janë shfrytëzuar shkrime dhe publikime të Historisë së Popullit Shqiptar, Bilbilenjtë të Resul Bedo, Libri Dëshmorët e rrënjët e Kombit shqiptar të Zaho Golemit, si dhe shkrime të Prof. Asoc. Bernard Zotaj, Pajtim Hasani, Bilbil Dervishit, Dr. Albert Hitoaliaj, Irfan Birbilaj, L. Gërveshi, Nasip Kaçi, Nexhip Pelivan Alpan, Historiani ushtarak Bashkim Qeli, Dr. Hekuran Rapaj, Dr. Asllan Zemani, Pajtim Hasani, ka një grup polifonik të Progonaitit që është “Bilbilat e Birbilenjve” etj; ndërkohë që piktori Skënder Milori, duke marrë frymëzim nga vepra e çetës trime të Bilbilenjve, e përjetësoi atë në një tablo mbresëlënëse.