Albspirit

Media/News/Publishing

Shadije Bogdo, shqiptarka e parë që propozoi hapjen e Institutit “Nëna Mbretëreshë”

Brikena Bogdo

Shadije Bogdo, politikane, atdhetare, feministe arsimtare e fillimshekullit të 20-të, ishte unike. E konsideruar “Thatcher”-i i kohëve moderne, fliste me guxim për hapësirat politike të femrës, në një izolim patriarkal. Mendjehapur, njohëse brilante e politikës brenda dhe jashtë kufijve, hedh themelet e femrës-politikane. “Mjafton pra, zonja, tirania, që duruam gjer sot shkaku i së cilës është padia dhe mos përpjekja për lirinë t’onë. Ja rasti për të dëftyer që edhe ne gratë jemi të zonja që të marrim pjesë, sa burrat mbase edhe më tepër, në zgjimin e atdheut t’onë” (artikull në gazetën “Bashkimi”, v. 1924).

Ajo zhvillohet si figurë. E shikojmë në vitin 1924 në lëvizje konkrete të mirëfillta politike, anëtare e shoqatës “Bashkimi”, me vëllain e saj Fuad Asllani, zv.kryetar i shoqatës dhe bashkëshortin në kryesi, Sulo Bogdo. Kjo shoqatë me aktivitetin dhe funksionet kishte staturën e një partie. Së bashku me Fan Nolin, me dështimin e lëvizjes politike të qershorit, bashkëshortët Bogdo emigrojnë në Itali, në dhjetor të 1924-ës. Rikthimi në atdhe, përpara shpalljes së amnistisë për emigrantët politikë, e përball Shadijen me regjimin zogist, i cili e fut në burg si antizogiste. Reagon Parlamenti i kohës, me arsyetimin se nuk mund të burgoset për politikë një grua. Mbas lirimit nga burgu internohet në Kavajë. Regjimi i Zogut krijoi ambient apolitik, për të mos lejuar lëvizje të mirëfillta partish, duke e limituar elitën deri tek bindjet politike. Zogu vuri përballë elitën në pro dhe kundër tij. Një pjesë e saj e konsideroi Zogun një figurë për forcimin e shtetit dhe konsolidimin e tij. Një pjesë tjetër e elitës, ku u përfshi edhe Shadija, e konsideroi një pengesë për të realizuar idealet për forcimin e një shteti dhe republike demokratike.

Ajo ishte për republikë demokratike, me tendencë socialdemokracinë. Evropa Perëndimore dhe Lindore po përballej me ekstremitetet si komunizmi dhe fashizmi. Janë krizat globale dhe ekonomike, të cilat spostojnë krahët politikë drejt poleve, rezultuar e rrezikshme, duke shpërthyer një luftë të nxehtë botërore. Një elitë e mençur dhe e ftohtë në gjykim, përtej ambicies për pushtet dhe analitike ndaj krizave ekonomike, pa rënë në dëshpërim apo depresion, ankthe e frikëra kolektive, sigurisht që do të reflektonte dhe do të distancohej nga ekstremitetet. Kjo ishte tendenca socialdemokrate, e cila po përfshinte elitën politike shqiptare, sigurisht edhe Shadijen. Musine Kokalari arriti shumë më vonë, gati 20 vite më pas, të ngrinte një parti socialdemokrate.

Gjatë kësaj kohe u krijuan mjaft organizata e shoqata demokratike përparimtare të gruas. Nuk mund të mos shkëlqente gruaja-politikane edhe në shoqatën “Shqiptarka”, themeluar në 28 mars 1924 në Tiranë, duke ia rritur staturën drejt veprimtarive politike. Shoqata protestoi politikisht kundër vrasjes së Avni Rustemit si dhe kërkoi arrestimin dhe dënimin e fajtorit. Në dhjetor të vitit 1924 kur qeveritë e shteteve fqinjë ndërmorrën një fushatë kundër qeverisë demokratike të qershorit 1924, shoqëria organizoi një demonstratë ku morën pjesë 100 gra, të cilat me flamurin kombëtar protestuan përpara përfaqësive të huaja, duke iu drejtuar fuqive të huaja këtë telegram: “Të mbledhur përpara rrezikut që kërcënon ekzistencën e atdheut, ju bëjmë thirrje që të përdorni influencën tuaj që të ndalohet përkrahja e dhënë drejtpërsëdrejti nga qeveria jugosllave për lëvizjen që prish qetësinë e atdheut”.

Me shoqërinë “Shqiptarka”, spikat figura e saj edhe feministe. Përballë grave “të mbuluar” fizikisht, mendërisht, qëndronte superioriteti i padiskutueshëm imponues, mbytës, mashkullor. “Pra, guxim, zonja! Atë që nuk e bëmë ne, do t’i bëjnë vajzat t’ona. Pra të bashkohemi dorë për dorë, dhe të ndihmojmë çështjen e feminismës në Shqipërië. Qytetërimi i një kombi ka nevojë për zgjimin e grave”, – shkruan ajo në gazetën “Bashkimi”. Është vetëm viti 1924 dhe ajo hedh themelet e feminizmit shqiptar, si dhe të rolit të shoqërisë civile. Shoqëria “Shqiptarka” u kryesua nga Shadije Bogdo. Sipas statutit (hartuar prej saj) qëllimi ishte lufta kundër zgjedhës së gruas shqiptare, përmirësimi i gjendjes shoqërore të saj, hapja e rrugës për t’u bërë faktor në të gjitha fushat e jetës. “Gratë janë gjysmë e njerëzimit, prandaj një komb quhet i përparuar, kur krah për krah me burrin ecën edhe gjysme tjetër, gratë” (Sami Frashëri). “Si mund të vejë mbroth një komb, kur gratë rrinë të mbyllura në kuvli? Gruaja duhet të jetë më e mësuar se burri. Gruaja është mëmë e fëmijës, zonjë e shtëpisë dhe krejt e njërëzisë” (Naim Frashëri). Në të njëjtën linjë konceptuale me Sami Frashërin, Naimin apo rilindasit spikat edhe një zë femre. “Gruaja përveç detyrave shtëpiake, ka detyra më të mëdha në punën e atdheut, se mëmat i-u kdhet në zëmrën e djelmëve ato ndjenja patriotike, me të cilat më pas formohet atdhetari që me therrori të jetës do t’a mbrojë vendin e tij. Për t’i dhënë djalit këto ndjenja të nalta, gruaja më së pari duhet t’i ket vetë; dhe ajo smunt t’i marrë ato ndjenja përvec se në shkollë. Për të marrë vesh mirë c’pjesë merr gruaja shqiptare në jetën sociale, të shohim më parë pjesën që ka në fëmijë, e cila është si një pasqyrë e vogël e një shteti”, – shprehet Shadija. Nyja gordiane, mikrokozmosi (fëmija) dhe makrokozmosi (shteti), e lidhur pazgjidhshmërisht me femrën-fëmijë, femrën-nënë e shkolluar, femrën intelektuale, femrën patriote, në një periudhë kur ende shteti shqiptar luftonte për ekzistencën dhe mbijetesën si komb, rezultat final ka pasur lëvizjet patriotike, të cilat plotësonin kuadrin e lëvizjeve atdhetare. Fillimisht në shoqatën “shqiptarka” u hap një kurs analfabetizmi e drejtuar nga vetë Shadija, që për kohën ishte një hap me rëndësi. Qëndismat që dilnin nga anëtaret e shoqatës shiteshin dhe me të ardhurat ndihmoheshin refugjatët kosovarë. Ky kontribut më shumë se vlerë materiale, kishte vlerë patriotike. Shoqëria u përkrah drejtpërsëdrejti nga elementët demokratë revolucionarë si Avni Rustemi me shokë. Shoqata realisht ishte filial i shoqërisë “Bashkimi”.

Shadija mbi të gjitha vizionare, për çka ishte thelbi i progresit të qytetërimit evropian, luftoi fort për arsimin shqiptar. Mbas 1908 me njësimin e gjuhës shqipe si mjet i rëndësishëm për identifikimin e kombit, elita po përgatiste terrenin për forcimin e themeleve të arsimimit shqiptar. Ajo luftoi me bindjen që arsimi ishte e vetmja mënyrë për forcimin e vetëdijes kombëtare, në një periudhë çoroditje dhe përpjekjesh shtetformuese. Emrin e saj e shohim në kongresin arsimor të vitit 1922, i cili kërkoi përmirësime dhe ndryshime në strukturën dhe brendinë e shkollës në përshtatje me kohën, duke synuar kryesisht laicizmin e saj. Në këtë kongres, Shadija përcolli përvojën e saj, në hapjen e të parës shkollë të vajzave në Libohovë. Përpjekjet për laicizmin e shkollës nuk përfunduan me kaq. Ato do të vazhdonin sidomos në kongresin e arsimit të vitit 1924, ku figura e saj merr vlera si iniciatore, organizatore e këtij kongresi (kjo ishte dhe një detyrë që ju ngarkua nga shoqata “Bashkimi”). Nuk ishte rastësi që forumi i ri i arsimtarëve u mblodh e zhvilloi punimet në lokalin e shkollës femërore ku punonte vetë Shadija. Gazeta “Bashkimi” e datës 15 gusht 1924, në faqen e saj të parë fillon artikullin për kongresin arsimor: “Më datë 12, ora 5 në shkollën femënore u hap kuvendi arsimor, ku marrin pjesë 33 delegatë” (Në shkollën femënore Shadija ishte drejtoreshë e saj. Kjo ishte arsyeja përse kongresi u mbajt në ato ambjente). Kongresi vendosi zhvillimin e arsimit mbi baza shkencore dhe demokratike. Theksimi i këtyre dy kërkesave, krahas njëra tjetrës, fliste për ndikimin e lëvizjes demokratike të kohës dhe për pjekurinë politike të mësuesve delegatë. Kongresi votoi disa nga kërkesat e Shadijes, një nga të cilat ishte arsimi fillor i detyruar për dy sekset në shkollat shtetërore. Shkollimin e femrës shqiptare kongresi e pa të rëndësishme si për kohën e afërt ashtu edhe për perspektivën, si në bazë shkolle ashtu edhe jashtë saj. Veç detyrimit shkollor për vajzën shqiptare kongresi vendosi t’i rekomandonte Ministrisë së Arsimit krijimin e një shkolle normale femërore, një tjetër propozim i Shadijes. Mbi bazën e këtij propozimi u hap më vonë Instituti “Nëna Mbretëreshë”. Figura e saj spikat së bashku me Aleksandër Xhuvanin dhe Jani Mingën, Ramazan Jaranin, Mehmet Vokshin me shokë. Ky ishte kongresi i dytë arsimor ku ajo ishte organizatore.

Shadija, krahas aktiviteteve politike, patriotike feministe, kreu një punë të jashtëzakonshme në Libohovë për të çelur të parën shkollë të femrave në tetor të vitit 1920. Puna do të fillonte me ndërgjegjësim dhe ngritjen e vetëdijes së një kombi të sapodalë nga një epokë e errët. “Sot qeveria, duke parë se qytetërimi i një kombi ka nevojë për zgjimin e grave zuri të çelë shkolla femënore në ato qendra të Shqipërisë që kanë më tepër rëndësi” (Shadije Bogdo në ditën e parë të shkollës). Në fjalimin e ditës së parë të çeljes së shkollës, jep një pasqyrë të gjendjes ekonomike, arsimore ku e kishte lënë Turqia, Greqia apo qoftë edhe Italia, të cilët kishin ndjekur një politikë inekzistente arsimore. Në hapat e parë nuk e pati të lehtë. Ju desh të punonte me prindërit dhe vetë vajzat që të bindeshin se shkolla ishte një vend që do t’i mësonte dhe do t’i ushqente me dashurinë e Shqipërisë së shumëvuajtur. Dita e çeljes së shkollës u kthye në një festë popullore.

Gruas shumëdimensionale do t’i voliteshin idetë përparimtare të kohës, por edhe takti pedagogjik, për të tejkaluar ndrydhjen e rrënjosur brezash. Përballë grave-perçe shekullore, do të qëndronte gruaja-violiniste, e cila me fantazinë e një artisteje do të përgatiste dhe do të organizonte aktivitete kulturore, artistike. Me plotërinë e formimit të saj edhe me pedagogjinë amerikane, ju dha rëndësi të veçantë veprimtarive jashtë mësimore, si faktor me rëndësi për formimin atdhetar të nxënëseve. Repertori i shfaqjeve teatrore edhe muzikore me autorësi edhe nga vetë Shadija, vlenin jo vetëm për edukimin moral e patriotik, por edhe për afrimin e vëllazërimin e nxënëseve me besime të ndryshme fetare. Me vajzat shtëpiake me mendësi, duhet të punonte psikologjikisht, duke krijuar me to një marrëdhënie dashurie. I. Kumbaro (nxënëse e saj) shkruan në kujtime: “Ajo ishte mësuesja më e mirë në botë, kaq shumë e kemi dashur dhe çmuar”. Zejnepe Bejleri, një tjetër nxënëse, thotë se ajo punonte shumë me vajzat e tjera, jashtë shkollës, për të hequr çarçafët dhe ia kishte arritur qëllimit”. Këto dëshmi tregojnë luftën e saj për emancipimin e gruas, duke filluar me heqjen e perçeve. Ishte një nismë shumë e vështirë, por që dha rezultate asokohe. Shadije Bogdo transferohet më pas në Tiranë si drejtore e shkollës femërore të kryeqytetit, krahas Mati Logorecit, drejtor i shkollës fillore të djemve, duke vazhduar punën si mësuese, njëkohësisht edhe feministe për të drejtat e grave.

Në vitin 1926, Shadijen e shikojmë si të parën mësuese në Institutin Amerikan të Vajzave, ku u cilësua mësuese me nivel të lartë arsimor. Kthehemi në kohë gati 100 vjet dhe vizualizojmë një shkollë (Instituti Amerikan i Vajzave), e cila formëson kulturë, por mbi të gjitha karaktere, pjesë integrale dhe shumë e rëndësishme e mirëqenies komunitare. Mësuesit amerikanë krijuan marrëdhënie njerëzore dhe intelektuale me kolegët shqiptarë, si i barabarti me të barabartin, që tregon edhe nivelin intelektual, profesionalizmin arsimor, edukatën qytetare të mësueseve shqiptare që ecën përkrah mësueseve amerikane, siç ishte Shadije Bogdo. Në vendin e dijeve nuk u duken tendenca amerikanizuese dhe për pasoje shkombëtarizuese. Mësuesit shqiptarë qenë krejt të lirë të punonin si shqiptarë në të gjitha lëndët, sidomos në lëndët albanistike si gjuha, letërsia, gjeografia, historia, lëndë të cilat mësonte nxënëset Shadija. Synimi ishte në radhë të parë për të përgatitur njeriun-qytetar, me mendim të lirë dhe që vështronte drejtësinë legale, si mjete themelore të demokracisë, pastaj specialistin. Në të vërtetë me atë formim qytetar që merrnin nxënësit, po hidheshin themelet e përvetësimit të ideve të demokracisë amerikane, që mjerisht fati historik i la në mes të udhës. Me gjithë përbaltjen nga regjimi komunist, përsëri këto shkolla mbetën si faltore dhe mësuesit e tyre si shenjtorë, si modeli më i mirë shembullor për t’u ndjekur, veçanërisht nga ata që merren me arsimimin e edukimin e brezave të kombit.

Gruaja me energji të pafund zhvilloi një aktivitet real për ndërgjegjësimin e gruas potenciale, mendërisht e intelektualisht. Shkon përtej vizioneve më të guximshme edhe për kohët moderne, ku 30%-shi i grave politikane në Shqipëri ka mbetur artificial, aspak real. Në vitet 1920, Shadija 25-vjeçare pretendonte Shqipërinë në elitën e vendeve, pasi jo të gjitha vendet e Evropës e kishin ndërgjegjësimin, emancipimin e pjesëmarrjes së gruas në politikë. Zvicra u ka dhënë grave të drejtën e votës në vitin 1960. “Ato përveç lirisë vetjake, kanë arritur edhe lirinë politike. Shohim në Norvegji, Suedi, Danimarkë e më së fundi në Angli, Gjermani e Austri, që gra marrin pjesë në qeverimin e vendit të tyre. Në mos jemi në atë shkallë që ndodhet gruaja në Europë, fajin e kemi ne gratë më tepër se burrat dhe baballarët tanë” (Shadije Bogdo, gazeta “Bashkimi”). Sot një grua me ambicie politike konsiderohet normalitet, ndërsa vizionet shtetare të një femre shqiptare, përpara një shekulli, ishin të paimagjinueshme deri në herezi. Mendësia e gruas politikane lind nga ndryshimet rrënjësore, nga ndërgjegjësimi i gjendjes reale, nga iluminime dhe shtysa të brendshme. Mençuria e saj kupton thelbin e evolucionit, ta fillosh ndryshimin nga vetvetja. Politika shqiptare sot ende ka mbetur nën qerthullin e shfajësimit, duke fajësuar të tjerët. Me ide të qarta, përgjatë aktivitetit luftoi për konsolidimin e shtyllave mbështetëse të shoqërisë: arsimimi, ekonomia si dhe zhvillimi i femrës. “Vendin tonë të dashur e kishte zënë reja e zezë e padijes dhe e fanatizmës, të cilat shkaktojnë pafundërisht edhe varfërimin ekonomik të një vendi” (gazeta “Bashkimi”).

Gra që kanë tejkaluar autoritetin dhe pushtetin e padiskutueshëm mashkullor kanë qenë të rralla edhe në botë. Rrethanat historike kanë ngritur në piedestal gra të tilla. Por ka edhe gra që gjatë aktivitetit të tyre u është dashur të përmbysin rrethanat ekstreme, që të mundësojnë aktivitetin e tyre. Studiuar në Robert Kolegj në Stamboll njihte në mënyrë perfekte katër gjuhë të huaja, anglisht, frëngjisht, turqisht, italisht. Në regjimin komunist gruaja me kulturë perëndimore, pro amerikane, me një djalë në emigracion, me vëllain në burgjet e diktaturës, u la në hije, pa emër, pa zë, pasi u vëzhgua mosbesuese nga pushteti politik. U përcoll në banesën e fundit pa asnjë ceremoni zyrtare sipas meritës. Është e dekoruar “Për veprimtari të lartë patriotike”. Sot nderohet nga libohovitët me titullin “Qytetare Nderi e Libohovës”. Viti 2012 e vendos në kalendarin enciklopedik të Radio Valës.

 

 

Please follow and like us: