107 vite nga lindja e Musine Kokalarit, simboli i bukurisë dhe mençurisë së gruas shqiptare
Qendra Kombëtare e Leximit përkujtoi sot në ditën e lindjes shkrimtaren, Musine Kokalari.
QKL publikoi shkrimin e Selfixhe Ciut, një ndër shkrimtaret e asaj kohe, shoqe klase e Musine Kokalarit.
Ciu e quan Kokalarin edhe simbol të bukurisë dhe mençurisë së gruas shqiptare.
Më poshtë shkrimi i plotë i Selfixhe CIUT:
Përkujtojmë sot në ditën e lindjes simbolin e bukurisë dhe mençurisë së gruas shqiptare, shkrimtaren Musine Kokalari.
Vepra e saj gjithnjë e më shumë po vjen në vëmendje të kritikës e lexuesit, duke na njohur më shumë, me një ndër autoret e para të letërsisë shqipe.
Bashkë me një plejadë grash të edukuara në shkollat italiane, ato i dhanë jetë lëvizjeve feministe në Shqipërinë e para Luftës.
Tepër të drojtura, gati si ditare, si rrëfime të vetvetes ishin shkrimet tona të para. Musinea sapo e kish marrë maturën e atë verë, verën e vitit 1937 e kaluam së bashku në shtëpinë time në plazhin e Durrësit.
Unë kisha filluar të botoj më parë, krejt rastësisht e nxitur nga kushëriri im Shemsi Totozani, që i lexoi shkrimet dhe më ndihmoi t’i botoj në shtypin e kohës, në revista e gazeta me pseudonimin Kolombja.
Musinea ende lëkundej, jo se s’kish guxim të botonte, apo pengohej nga njeri, jo aspak. Në familjen e saj ishin të gjithë të kulturuar dhe askush nuk e pengonte, po ishte ajo vetë që kërkonte nga vetja.
Në ditarin e saj janë këto shkrime: “Shoku im”, “Ti”, etj. që Jane shkruar në ditët kur Musinea mbushi njëzet vjeç. Shkrimi “Shoku im” është për një djalosh izraelit me emrin Pattak, mbiemri s’më kujtohet.
Ishte një miqësi e çiltër, dashuri platonike brenda zemrës së secilit, po që nuk e pohoi askush, asnjëherë. Pattaku ishte një djalë me një konstrukt atleti, me ballë të gjerë dhe shumë inteligjent. Nuk e di ç’u bë më vonë. Nuk dëgjova më kurrë të flitej për të, pasi mori maturën.
Ishte koha kur ne lexonim shumë.
Ajo verë e vitit 1937 ka qenë stina jonë e ëndrrave dhe e fillimit të krijimtarisë së botuar të Musinesë me pseudonimin “MUZA”. Pasi mori maturën Musinea erdhi tek ne në Durrës. Ecnim me orë të tëra në bregdet. Shkonim në këmbë deri tek Ura e Dajlanit.
Pastaj ktheheshim në dhomat tona e secila bënte gati shkrimin për në gazetën “Shtypi”. I dërgonim në adresën e Kolë Berishës dhe mbajtëm që nga gushti deri në fillim të janarit 1938 me Petro Markon (DEMO KOTI) rubrikën “Rrymëzime”./atsh